loader image
December 14, 2024

Pushteti i decentralizuar s’e federalizoi Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut, pas vitit 2001, ka pushtet të decentralizuar lokal, i cili ka kompetenca të konsiderueshme, por jo edhe mbështetje të mjaftueshme financiare nga buxheti. Decentralizimi i pushtetit nuk e shpiu Maqedoninë e Veriut as drejt federalizimit e as drejt kantonizimit. Pse në Maqedoninë e Veriut, edhe pse garantohet bashkëpunimi ndërkomunal, nuk janë realizuar projekte të përbashkëta mes komunave me shumicë shqiptare?

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Pas takimit të marsit në Ohër midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u tha se komunitetit serb do t’i sigurohet vetëmenaxhim! Nëse shprehemi me terma të qeverisjes, i bie që komunave në të cilat shumicë janë serbët u jepen kompetenca më të mëdha në kuptim të ushtrimit të pushtetit në nivel lokal.

Por, pavarësisht emërtimeve, qofshin eufemike ose të drejtpërdrejta, rasti i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dëshmon se vetadministrimi i pushtetit lokal nuk mund të jetë në asnjë mënyrë faktor që ndikon ndaj dekompozimit (shthurjes) të shtetit, i cili e ruan karakterin unitar, përskaj decentralizimit të garantuar me Marrëveshjen e Ohrit, përkatësisht Kushtetutën e ndryshuar pas konfliktit të vitit 2001.

Decentralizimi, parim bazë i Marrëveshjes së Ohrit  

Pas plurazimit në vitin 1991, nga 34 komuna, sa kishte vendi, vetëm tri i drejtonin shqiptarët: Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën.

Pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Maqedoni (sot e Veriut), në Ohër, qytetin ku Kurti dhe Vuçiqi i zhvilluan bisedimet, në gusht të vitit 2001 u arrit marrëveshja paqësore, një dokument që ia hapi udhën ndërtimit të një shteti shumetnik me parime të reja.

Njëri ndër parimet më kryesore të atij dokumenti ishte ai për “zhvillimin e pushtetit të decentralizuar”, që nënkuptonte pushtet komunal me autonomi vendimmarrëse nga pushteti qendror.

Sipas kësaj marrëveshjeje, parashikohej miratimi i ndryshimeve të Ligjit të pushtetit lokal, me të cilin u forcuan autorizimet e përfaqësuesve të zgjedhur vendor dhe u rritën dukshëm kompetencat e tyre në pajtim me Kushtetutën dhe Kartën Europiane të Pushtetit Lokal. Marrëveshja e Ohrit e përkufizon qartë se “Kompetencat e shtuara para së gjithash kanë të bëjnë me sferat e shërbimeve publike, urbanistike dhe planifikimin rural, me mbrojtjen e ambientit të jetesës, zhvillimin ekonomik lokal, kulturën, financat lokale, arsimimin, mbrojtjen sociale dhe shëndetësore”. Me këtë marrëveshje u arrit që këshillat e komunave t’i zgjedhin shefat lokal të policisë, por të propozuar në listë prej tre emrave nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Marrëveshja e Ohrit po ashtu garantoi se në funksion të decentralizimit më efikas dhe më efektiv bëhet revidimi i kufijve të komunave. Maqedonia e Veriut nga 123 komuna, sa kishte me Ligjin e organizimit territorial të vitit 1996, në vitin 2004, me ndryshimet dhe shënimin e kufijve të rinj, formoi 81 komuna, me atë që Shkupi si kryeqytet e ruan statusin e njësisë së veçantë të vetadministrmit lokal!

Decentralizimi nuk nënkupton federalizim

Procesi i decentralizimit dhe rikonfigurimi territorial-administrativ i vendit shkaktoi debate të ashpra në vend, ndërsa Lidhja Socialdemokrate, atëherë, si sot, parti në pushtet, në zgjedhjet e vitit 2006 e pagoi faturën e ofrimit të hapësirës ligjore për fuqizimin e pushtetit lokal, që nënkuptonte më shumë kompetenca edhe për komunat me shumicë shqiptare. Me organizimin e ri territorial, dy qytete të mëdha, që administroheshin nga kryetarë komunash me përkatësi etnike maqedonase, tashmë drejtoheshin nga shqiptarët. Po ashtu Komuna e Likovës mbeti e ndarë dhe e veçantë, pa i dhënë mundësi bashkimi me Kumanovën. Nëse parimi i njëjtë i kompaktësisë territoriale zbatohej edhe në njësinë e vetadministrimit në Kumanovë, sot ajo do të drejtohej nga kuadër shqiptar. U krijuan edhe dy komuna me shumicë etnike maqedonase, të ashtuquajtura “xhepa komunale”, siç është ajo e Jegunovcës dhe Hanet e Mavrovës, të cilat u themeluan për të “thyer” kompaktësinë etnike shqiptare në nivel decentralizues. Komuna e Çairit, në kufijtë e saj, mbetet komuna më e dendur në Europë për kokë banori, ndërsa përreth Shkupit u krijuan tri komuna me shumicë dominuese shqiptare, që kanë potencial të dobët ekonomik: Saraji, Studeniçani dhe Haraçina!

Mjaftoi vetëm fakti që Struga dhe Kërçova kaluan në duart e pushtetarëve lokalë shqiptarë, që të nxisë reagime të ashpra tek VMRO-DPMNE-ja, një pjesë e “elitës” intelektuale dhe kulturore maqedonase dhe shumë media. Decentralizimin e shihnin si një “gogol” i madh, që fuqizon shqiptarët dhe dobëson maqedonasit. Një trajtim i thjeshtësuar në stilin “bardh e zi” i një niveli të rëndësishëm të pushtetit dhe sistemit politik, atij lokal, i cili duhet të gjenerojë jetë më të mirë për qytetarët.

Edhe pse votimi i dyfishtë ose parimi i Badenterit është i garantuar edhe në nivel lokal, “elita maqedonase”, në mesin e të cilëve kishte shumë intelektualë të zëshëm, që edhe sot janë pjesë e skenës politike dhe publike, konsideronte se pak pushtet më shumë lokal do të thotë federalizim ose kantonizim i vendit, edhe pse Marrëveshja e Ohrit e ka të shkruar e zezë në të bardhë se “zgjidhjet territoriale janë të palejueshme për çështjet etnike”. Kjo nënkuptonte se krijimi i dy komunave të reja, me shifra më të larta demografike shqiptare, me kapacitete më të mëdha ekonomike, me potenciale më të mëdha burimesh njerëzore profesionale, nuk mundëson organizim të ri të shtetit ose cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial, që njihet si sistem unitar, që do të thotë se shteti dhe mekanizmat e tij ligjërisht veprojnë në çdo pjesë të territorit të vendit.

Në vitin 2004, duke qenë pjesë e debatit publik, sidomos në media, kam pohuar se frika nga “pushteti i decentralizuar shqiptar” është imagjinare, e pabazë dhe reminishencë nga ish sistemi komunist e një pjese të politikanëve dhe intelektualëve, të cilët ende mendojnë se shqiptarët mund të punësohen e shumta në “Beton” (fabrikë ndërtimi) ose në “Komunalec” (ndërmarrje e pastrimit të rrugëve).

Bashkëpunimi ndërkomunal, i ligjësuar por joefikas

Decentralizimi lëre që nuk ishte një hap drejt federalizimit ose  kantonizimit të Maqedonisë së Veriut, por edhe pse lejohet me ligj, nuk u shënuan aspak rezultate në fushën e bashkëpunimit rajonal. Nuk mbahet mend ndonjë projekt kapital, të cilin e kanë realizuar komunat me shumicë shqiptare e të jetë rezultat i bashkëpunimit mes tyre. Për këtë fajet nuk duhet kërkuar tek “pushteti maqedonas”, por te kapaciteti i ulët bashkëpunues i drejtuesve lokalë shqiptarë, që edhe kur kanë qenë të partisë së njëjtë, rëndom të BDI-së, nuk kanë realizuar projekte rajonale, edhe pse në fushata e kanë pasur gojën plot me formulime makropolitike etnoshqiptare!

Ky bashkëpunim parashikohet me Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal, i miratuar në vitin 2009, sipas të cilit rregullohet bashkëpunimi midis dy ose më shumë komunave në realizimin më efikas dhe më ekonomik të kompetencave dhe kryerja e punëve në llogari të ndonjë komune ose disa komunave, sipas marrëveshjes paraprake mes tyre. Pra, sipas këtij ligji, bashkëpunimi midis komunave lejohet dhe mbi këtë bazë mund të formohen edhe organizma bashkëpunues komunalë ose edhe Asociacioni i Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, projekt të cilin e propozoi sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ndaj të cilit pati reagime të ashpra, si nga partitë në pushtet, po ashtu edhe nga VMRO- DPMNE-ja.

Asociacioni i komunave, “precedent” apo standard i ri?

Nëse në Kosovë do të lejohet precedenti i krijimit të formacionit që mundëson bashkëpunimin midis komunave në rajone të ndryshme mbi parimin etnik, rrjedhimisht hapet kutia e Pandorës, përkatësisht që edhe një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Luginës së Preshevës, në mënyrë legjitime ta ngrenë çështjen e formimit të një bashkësie ose asociacioni në nivel lokal, pa pretenduar se ai do të ndikojë ndaj riorganizimit të sistemit politik dhe rendit kushtetues të shtetit! Nëse serbëve, me prani demografike prej 4 për qind në Kosovë, u garantohen shumë të drejta në nivel qendror, ndërsa tani edhe në atë lokal, pse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të jenë të kënaqur me statusin e bashkësisë (komunitetit) etnik dhe me decentralizim të kufizuar, i cili ka nevojë të menjëhershme të mbindërtohet dhe të zgjerohet, sidomos në planin financiar, por duke e shtrirë edhe në fusha të cilat nuk parashikohen me Ligjin e pushtetit lokal?!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X