loader image
July 27, 2024

Në freskinë e Ohrit mbizotëroi asfiksia e Brukselit

Për fat të keq, duke dashur që ta ndajnë Serbinë nga Rusia përmes stërledhatimit, BE-ja në vazhdimësi po e viktimizon Kosovën dhe assesi nuk po e sanksionon Serbinë për mosnënshkrim. Madje, përkundrazi, Gjermania po i investon milionat në Serbi, kurse Serbia haptas ende po luan mes Europës dhe Rusisë, duke mos e lëshuar asnjërën, njëherësh duke mos e mbajtur plotësisht asnjërën.

Shkruan: Iljasa Salihu, Shkup   

Në malin e dendur të paradoksit, mes tjerash dëgjuam edhe për marrëveshje pa nënshkrim, por me afate të prera kohore për zbatim. Këtë nuk e kishim dëgjuar dhe nuk e kishim lexuar më parë, ngaqë e dinim se marrëveshja pa nënshkrimin e palëve është sikurse martesa pa pajtimin e palëve për një gjë të tillë. Vetëm në të tilla marrëveshje dy palët veten e shohin si fitues, paçka se në pikën e parë të aneksit të zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi shkruan se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë dhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara. Pikërisht nënshkrimi theksohet në aneksin pa nënshkrim në kohën ku palët po merren vesh, por pala serbe po ngurron të nënshkruajë, edhe pse kreu i qeverisë së Kosovës po shprehë gatishmëri për të nënshkruar, ndonëse mund të dyshojmë që Kurti po taktizon, meqë paraprakisht e di se pala serbe nuk nënshkruan marrëveshje në të cilën ka nene që janë në të mirë të Serbisë, por ka nene që Serbinë e fusin në rrjedhën e detyrueshme të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

Para ardhjes në pushtet, shumica e shihnin Kurtin si një kokëfortë me parime të çelikta, cilësi këto që do ta vështirësonin rrugën e proceseve në planin ndërkombëtar për sa i përket bisedimeve me Serbinë. Mirëpo, nuk ndodhi ashtu. Pikërisht nën qeverisjen e tij po shohim lëvizje për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, edhe pse arritja e saj ende nuk duket as në fund të tunelit. Ata që dje e akuzonin për ngurtësi, sot po të njëjtët gojëra po e akuzojnë për lëngshmëri. Ata që dje e nënshkruajtën krijimin e Asociacionit, sot po të njëjtët nënshkrues po e akuzojnë se ai po e pranon Asociacionin, madje lëre se po e pranon, por po këmbëngulë për një gjë të tillë, por pala serbe po e refuzon, edhe pse po pala serbe po ankohet se Kurti nuk po e pranon Asociacionin. Gjithë ky lëmsh të jep të kuptosh se kemi të bëjmë me një opozitë skajshmërisht joserioze, që nesër po e mori pushtetin do t’i pështjellojë gjërat edhe më tej, ndaj me të drejtë krijohet një përshtypje se meqë mungojnë shtigjet serioze, atëherë me gjithë kundërthëniet, fjalëngrëniet dhe gabimet e Kurtit, ky do të vazhdojë të jetë udhëheqës i proceseve jo të lehta, ku edhe ndonjë lëshim jo i lehtë, nuk do të çojë peshë, ngaqë njëmend mungojnë alternativat serioze dhe bindëse.

Pasi takimi në Bruksel nuk i dha rezultatet e tij, por vetëm e mundësoi publikimin e neneve të marrëveshjes, gjë që mund të nënkuptojmë se e tëra ishte e kurdisur, tani në Ohrin e freskët, të shquar për troftën e veçantë, por që ka zëra se ky lloj peshku është në zhdukje, pos ngritjes së pluhurit medial, nuk ndodhi asgjë e veçantë. Po ashtu, vazhdoi shumëkuptimësia e neneve të asaj marrëveshje, sjelljet e palëve dhe paraqitjet e tyre të shpërputhura, që qytetarët i kanë strukur në një huti të thellë, përmes së cilës me gjasë do t’i gëlltisin dhe do t’i kalojnë disa gjëra që vetëm pranë një qytetari të hutuar do të kalojnë me lehtësi. Njëherë të lodhin, pastaj të hutojnë dhe krejt në fund të shkallmojnë, por në tërë këtë proces, edhe pse bëhet fjalë për ty, ti mungon, për rrjedhojë edhe hesht e nuk kupton asgjë. Përafërsisht kështu duket strategjia e këtyre negociatave për sa i përket llogaridhënies ndaj qytetarit! Është i pakuptueshëm mungesa e nënshkrimit dhe në anën tjetër deklarata e Lajçakut ku thotë se gjatë takimit të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell dhe unë, liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin zbatues të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Pas 12 orësh negociata intensive, ata të dy u angazhuan plotësisht t’i respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe për të zbatuar detyrimet e tyre përkatëse në mënyrë të duhur dhe në mirëbesim. Ishte mirë të shihje se javët e përgatitjeve dhanë rezultat. Po ashtu, metafora ironike e Vuçiqit ku shprehet se i dhemb dora e djathtë me të cilën nënshkruante dhe shtoi se të njëjtën gjymtyrë do të ketë të lënduar edhe për katër vjetet e ardhshme. Me këtë deklaratë, që është vazhdimësi e paraqitjeve të tij të mëhershme, ai po ua bën të qartë të gjithëve se zbatimin e neneve që kanë të bëjnë me punët e brendshme të Kosovës, të cilat bëhen mes Kosovës dhe BE-së, do t’i përshëndesë dhe do t’i mirëpresë, mirëpo për sa i përket heqjes së Kosovës si pjesë e Serbisë nga kushtetuta e Serbisë nuk e ka ndër mend ta bëjë, as njohjen juridike nuk do ta bëjë, ngaqë njohjen faktike nuk ia vlen as ta theksojmë, sepse ajo është bërë qysh në vitin 1999, ndaj habitem se si disa e shohin me ekzaltim njohjen de fakto në nenet e kësaj marrëveshjeje. Për fat të keq, duke dashur që ta ndajnë Serbinë nga Rusia përmes stërledhatimit, BE-ja në vazhdimësi po e viktimizon Kosovën dhe assesi nuk po e sanksionon Serbinë për mosnënshkrim. Madje, përkundrazi, Gjermania po i investon milionat në Serbi, kurse Serbia haptas ende po luan mes Europës dhe Rusisë, duke mos e lëshuar asnjërën, njëherësh duke mos e mbajtur plotësisht asnjërën. Kurse, po del e kotë për Kosovën përcaktimi perëndimor i qartë dhe haptas prej kohësh, mirëpo tani ky sinqeritet nuk po merret parasysh nga Perëndimi. Siç po shihet, kjo kohë nuk është koha jonë, ashtu siç ishte deri pak para sulmit rus ndaj Ukrainës. Jorastësisht po i bëhet trysni palës kosovare përkundër lëshimeve të dhembshme dhe në anën tjetër po ledhatohet Serbia përkundër kryeneçësisë lënduese. Të mos harrojmë se Kurti, në kuadër të kompromisit të dhembshëm për asociacionin, mund ta djegë tërë karrierën e tij politike, por ai në dobi të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe në harmoni me faktorin ndërkombëtar këtë rrezik po e ndërmerr mbi supet e tij, kurse fatkeqësisht kjo nuk po vlerësohet sa duhet prej faktorit ndërkombëtar.

Në sajë të lehtësimit të këtij procesi të vështirë kemi zëra dhe thirrje si në Luginë të Preshevës, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut për krijimin e një asociacioni të komunave shqiptare. Këto zëra dhe thirrje janë të nevojshme për aq kohë sa kanë bashkërendim me qeverinë e Kosovës dhe vlerësojnë se Serbinë mund ta vënë në një pozitë jo të mirë në procesin e negociatave kundrejt Kosovës. Përndryshe, janë të panevojshme, ngaqë përligjin një gjë të dëmshme, kur marrim parasysh faktin se Serbia, përmes Asociacionit, ka qëllim të ketë dorë në shtetin e Kosovës, kurse në anën tjetër ende nuk kemi parë interesim që Shqipëria ose Kosova përmes krijimit të asociacionit të komunave shqiptare të ketë dorë në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut. Shtoja kësaj vështirësinë e financimit, ngaqë përpos që janë tepër dobët në vetëfinancim komunat shqiptare, po ashtu nuk kemi shtet amë që është në gjendje t’ua dhurojë komunave shqiptare as dy milionë euro e të mos flasim qindra milionë euro sikurse Serbia ia dhuron serbëve që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë. Po ashtu, panorama e 18 marsit në Ohër tregoi se Kurti nuk i përkrah zërat dhe thirrjet që kërkojnë krijimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoni! Përndryshe, para takimit në Ohër do ta takonte Ibrahimin, nismëtarin e asaj ideje dhe jo Ahmetin që nuk e përkrah një ide të tillë, për arsye se ai mendon që shqiptarët janë shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Sado të mos jetë kjo e saktë, Kurti që në fakt kurrë nuk ishte me Ahmetin dhe shumë më shumë ishte me Ibrahimin, më 18 mars na dha një pamje ku shihej se edhe merrte këshilla prej Ahmetit, paçka se në të vërtetë ajo mund të ishte edhe një popullizëm e gatuar në kuzhinën e bashkëpunëtorëve të këshillëdhënësit, të cilët raklamimin publik dinë ta bëjmë më mirë se çdo punë tjetër.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X