loader image
July 27, 2024

Ujdia e Ohrit dhe shpella e injorancës

Pasi Kosova dhe Serbia arritën një ujdi për fillimin e normalizimit të raporteve ndërshtetërore, filluan tifozeritë. Disa e quajtën “historike” dhe të tjerë e quajtën “dështim”. Komentuesit u ndanë sipas preferencave politike. Ishin si komentet për spektaklet televizive. Nëse fitoi Albini ose Vuçiqi. Por, në Ohër nuk pati ndeshje boksi. Takimi i Ohrit nuk është spektakël ku bëhet zhurmë që harrohet një ditë më pas.  

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Ohri është bërë qytet marrëveshjesh ndërkombëtare. Njëra i dha fund konfliktit në Maqedoni dhe tjetra duhet t’i normalizojë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një ditë para mbajtjes së takimit në Ohër, jetohej me ankthin se kush do të fitonte. Nuk ishte ankthi për rezultatet e takimit, por kush do ta fitonte “Vëllanë e Madh” të Kosovës. Sapo u çliruam nga ky spektakël, na pushtoi “Vëllai i Madh” i Shqipërisë. Është kohë spektaklesh, edhe pse realiteti është më i zymtë seç paraqitet në ekrane. Për shumë media të spektakleve ishte më e rëndësishme se kush do të mbetet në shpellën e injorancës se sa çfarë do të ndodhte në Ohër, aty ku merreshin vendime të rëndësishme për rajonin.

Pasi Kosova dhe Serbia arritën një ujdi për fillimin e normalizimit të raporteve ndërshtetërore, filluan tifozeritë. Disa e quajtën “historike” dhe të tjerë e quajtën “dështim”. Komentuesit u ndanë sipas preferencave politike. Ishin si komentet për spektaklet televizive. Nëse fitoi Albini ose Vuçiqi. Por, në Ohër nuk pati ndeshje boksi. Takimi i Ohrit nuk është spektakël ku bëhet zhurmë që harrohet një ditë më pas.

Siç dihet, Marrëveshja nuk u firmos. Kryeministri i Kosovës ishte i gatshëm ta firmoste, por refuzoi presidenti i Serbisë. Mungesa e nënshkrimeve e bën ujdinë të brishtë.

A ekzistojnë gjasat për organizimin e një “takimi spektakolar” ku do të firmosej Marrëveshja me shumë dykuptimësi? Duket e pabesueshme. Vuçiqi nuk e firmos, sepse nuk dëshiron të akuzohet se e pranon Kosovën si shtet.

Marrëveshja nuk e përfshin njohjen reciproke mes dy vendeve. Kosova dhe Serbia duhet t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës (pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore). Palët duhet të kenë misione të përhershme në qeveritë përkatëse. Nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia s’duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Dy vendet duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash, përfshirë vetëmenaxhimin për komunitetin serb në Kosovë.

Neni shtatë, që siguron nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, është më i diskutueshmi dhe komentohet ndryshe nga Prishtina dhe nga Beogradi. Për kryeministrin e Kosovës, neni shtatë nuk del përtej kornizës ligjore dhe kushtetuese të Kosovës. Për presidentin serb, ky nen e nënkupton formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në deklarata i kushtohet vëmendje edhe manovrimit në planin e brendshëm politik.

Pro Marrëveshjes

Për këtë Marrëveshje ka qëndrime pro, kundër, por edhe dyshime.

Uashingtoni zyrtar e mirëpriti arritjen e Marrëveshjes së pafirmosur dhe i inkurajoi palët që të fillojnë me zbatimin e detyrimeve që burojnë nga ajo. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha se “Marrëveshja siguron mundësi të mëdha për qytetarët e dy vendeve”. Ai beson se zbatimi i Marrëveshjes i hap rrugë njohjes së Kosovës nga vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur deri tani.

Serbia, sipas ambasadorit amerikan në Beograd, Kristofer Hill, e përqafoi të ardhmen europiane. Ai premtoi se Shtetet e Bashkuara do ta përkrahin atë në çdo hap të rrugës.

Komisionari Europian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha se Beogradi dhe Prishtina treguan guxim dhe vendosmëri në rrugën drejt BE-së. Edhe shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrelli, tha se “Marrëveshja çon në normalizimin e raporteve” dhe bëri të ditur se ajo ishte arritur në fund të shkurtit, kurse në Ohër vetëm ishte biseduar për zbatimin e saj.

Kundërshtimet dhe dyshimet ndaj Marrëveshjes

Kundër Marrëveshjes është opozita kosovare. Ajo e ka quajtur “një dështim që Kosova do ta paguajë shtrenjtë” dhe si një “marrëveshje në dobi të Serbisë”. E njëjta opozitë veproi ndryshe derisa ishte në pushtet.

Me Marrëveshjen bëhen e do të bëhen beteja politike për konsum të brendshëm, në vend se ajo të analizohej paraprakisht në detaje dhe të ofroheshin argumente për përmbajtjen e saj, për të cilën kanë dyshime edhe disa ekspertë ndërkombëtarë.

Daniel Serwer nga Universiteti “John Hopkins” në SHBA deklaroi se Vuçiqi i frikësohet reagimit të brendshëm në Serbi, ku “mbretërojnë pasionet etnike nacionaliste dhe urrejtja ndaj shqiptarëve”. Marrëveshjen e quajti “pa substancë” dhe, si e tillë, ajo do të sillte më shumë konfuzion se paqe, sepse, sipas ligjit ndërkombëtar, marrëveshjet e nënshkruara e detyrojnë një shtet, por jo edhe të panënshkruarat.

Ngjashëm deklaroi edhe profesori në Universitetin e Peloponezit, Nikolaos Tzifakis. Ai mohoi se në Ohër u arrit marrëveshje, kurse takimin e Ohrit e vlerësoi si “një shpërblim nga Bashkimi Europian për anëtarësim në bllok”.

Edhe për ekspertin e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Toby Vogel, Marrëveshja ka “mungesë substanciale të kuptueshmërisë”.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Popullore dhe ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, u shpreh se një akt i pafirmosur nuk i obligon ta zbatojnë ata që do të vijnë në pushtet më pas.

Me sa shihet, Marrëveshja në të ardhmen do të lindë shumë interpretime dhe mund të sjell probleme në zbatimin e saj. Dihet se për përmbajtjen e saj vendosi faktori ndërkombëtar, kurse politikanët rajonalë mundën të ndërhyjnë vetëm në detaje, por jo edhe në esencën e Marrëveshjes, e cila i duhet edhe Europës, veçanërisht pas luftës në Ukrainë. Pala kosovare dhe ajo serbe duhej të bënin kompromise edhe nëse do të shkaktonin lëkundje besueshmërie në planin e brendshëm.

Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit do të varet nga vendosmëria e Perëndimit. Në rast dështimi, do të cenohej kredibilitetin i Perëndimit.

Ndërkohë ka pasur propozime për marrëveshje të ngjashme, të cilat do të vlenin për rajone të tjera, por Perëndimi nuk ka asnjë gatishmëri të përkrahë diçka të tillë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X