Me një spektër të temave që shtrihen nga kujtesa dhe vlerat historike, figurat kombëtare. aktualiteti politik rajonal dhe ai global, mendimi filozofik e letrar e deri te aspektet e sigurisë dhe ato ekonomike e sociale, revista, duke krijuar dhe përcaktuar prioritete tematike dhe mirëmbajtur një plan të botimeve, ka arritur të përcjellë tek lexuesi shqiptar nevojën e përvetësimit dhe jetësimit të një vizioni konceptual e moral për shoqërinë dhe individin.
Blerim HALILI, Prishtinë
Revista “Shenja”, për një periudhë 15 vjeçare, si një përpjekje intelektuale, ka arritur të ndërtojë një traditë të vyer të artikulimit teorik dhe të shkrimit publicistik në hapësirën shqiptare. Pavarësisht zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, por edhe në rajon, ndërrimet e elitave politike dhe ndryshimin e prioriteteve dhe dinamikave të zhvillimit, ajo e ka krijuar dritaren e saj konsistente tematike, duke shërbyer si alternativë e mendimit shqiptar, në një platformë ku takohen ide, koncepte, perspektiva dhe vlerësime të ndryshme për aktualitetin e arealit shqiptar dhe vizionin e atij areali për të ardhmen.
Me një spektër të temave që shtrihen nga kujtesa dhe vlerat historike, figurat kombëtare. aktualiteti politik rajonal dhe ai global, mendimi filozofik e letrar, e deri te aspektet e sigurisë dhe ato ekonomike e sociale, revista, duke krijuar dhe përcaktuar prioritete tematike dhe mirëmbajtur një plan të botimeve, ka arritur të përcjellë tek lexuesi shqiptar nevojën e përvetësimit dhe jetësimit të një vizioni konceptual e moral për shoqërinë dhe individin.
Përderisa në Kosovë nuk ka tashmë ndonjë gazetë në format të shtypur, “Shenja” ka mbetur e vetme në misionin e saj të vazhdimit të traditës së publicistikës në version të shtypur. Me këtë ajo ka dhënë edhe një model për të mësuar e kuptuar se përvetësimi i varianteve digjitale të medias, nga njëra anë, dhe dhënia pas sensacionalizmit dhe trendit, nga ana tjetër, jo detyrimisht duhet ta ndërprejnë një traditë të dobishme a një projekt publicistik e intelektual.
Një dimension tjetër i rëndësishëm ku revista “Shenja” ka arritur të jetë model është integrimi i hapësirës shqiptare në një platformë publicistike e konceptuale. Me larminë e temave dhe autorëve nga të gjitha hapësirat shqiptare dhe më gjerë dhe me fokus tematik në problematika, perspektiva e çështje që e reflektojnë interesin dhe shqetësimin e shqiptarëve në të gjitha vendet ku ata jetojnë, ajo ka arritur ta fitojë dhe mirëmbajë me sukses karakterin e një reviste mbarëshqiptare.



