loader image
June 13, 2024

Edhe t’(pa)ditur edhe t’(pa)arsimuar

Shkruan: Ismail SINANI

Filmi “Slumdog Millionaire”, që mori çmimin “Oskar” në vitin 2010, para 14 vjetësh, është një shembull tipik që do të mund ta karakterizonte gjendjen me njeriun modern dhe pretendimin e tij mbi njohuritë në dije. Ky film bolivudian – të gjithë ata/ato që e kanë ndjekur e dinë – nxjerrë në pah paaftësinë e njerëzve bashkëkohor për të ditur. Kritikët e filmit e kanë vlerësuar më notat më të larta të mundshme, ndërsa sociologët kanë nxjerrë shumë mësime, të vlefshme për të bërë një analizë se nga jemi katandisur. Ngjarja zhvillohet në Indi, në Bombai. Protagonisti kryesor është Xhemali, një djalë i ri, totalisht i paarsimuar, pasi që jeton në lagjet më të varfra, por që konkurron në shfaqjen “Kush do të bëhet milioner”. Edhe pse shumë i vobektë dhe i paarsimuar, fati/fatkeqësia e dërgon nëpër shumë sprova të jetës, të cilat, më vonë, kur futet në sallë të kuizit, i qëllojnë si pyetje që ndërlidhen me të kaluarën e tij. Në fund, Xhemali “i qëllon” të gjitha pyetjet. Natyrisht, sikurse çdo film i Indisë, edhe në këtë ka shumë dramë, lot, ankth, dashuri, por edhe tragjikomedi. E ky është fakti më i dhimbshëm, se si një i paditur arrin të bëhet milioner dhe të përgjigjet në çdo pyetje.

Duke mos u futur në kritikë më të thellë rreth këtij filmi, mund të thuhet se ai më së miri mund ta përshkruajë gjendjen në arsim në mbarë rruzullin tokësor. Sot, njeriu i kohës sonë, nuk e di nëse është i ditur, a është i arsimuar apo është i sprovuar. Të parët janë të paktë, të dytët numerikisht të shumtë, të tretët, nuk dihen se sa janë. Atëherë çfarë i bie se jemi? Si duket, më shumë jemi “të arsimuar”, që përkthyer me terma konkretë, i bie se jemi të informuar dhe shumë pak të dijshëm. Të shkojmë me radhë!

Gjithë debati i muajit dhjetor nëpër trojet shqiptare u përqendrua mbi testin PISA, i cili rezultoi mjaft tragjik për shqiptarët. Rezultatet nga ky provim na nxorën në fund të listës, duke na radhitur ndër më të paditurit në nivel global. Të paktën ashtu ishte interpretimi i përgjithësuar se “jemi të padijshëm”, se “të tjerët janë përparimtarë”, se “arsimi është politizuar”, se “prindërit nuk punojnë”, se “shteti ka dështuar”, se e se… deri në pafundësi.

Meqë nuk bëhet fjalë për ligje të fizikës, natyrisht është vështirë të sjellim një konkluzion të prerë se ku qëndron saktë problemi. Të dhënat empirike megjithatë na afrojnë të zanafilla e problemit, që kryesisht rezulton më ndërhyrjen brutale të politikës në arsim, duke e shndërruar këtë sferë në çerdhe partizanësh – injorantësh partiakë, që e kanë “kapur” arsimin që nga çerdhet e deri te universitetet. Po nëse e konstatojmë këtë fakt, a zgjidhet problemi? Gjithsesi se po… parcialisht. Fundja Singapori, Finlanda, Kina… po shihet qartë se me një reformë rrënjësore në arsim, që ka zgjatur hiç më pak se tridhjetë vjet, sot po i vjelin rezultatet e suksesit. Megjithatë, edhe këtu parashtrohet dilema hamletiane, nëse njeriu i së ardhmes do të jetë i suksesshëm si studenti i Singaporit, Kinës e Finlandës apo do të jetë i dijshëm sikurse Avicena, Aristoteli, Ajshntajni…?! Njeriu i së ardhmes a do të jetë “zanatli” i dijeve apo dijetar i të njohurës dhe kërkues i të panjohurës? Me një fjalë, a do të jetë intelektual apo do të jetë i profilizuar në një lëmi të caktuar pa e lodhur shumë vetveten për fenomenet në botë? Ku është zanafilla e gjithë kësaj?

Homeri na tregon se si Europa, e bija e mbretit të Fenikisë, u rrëmbye nga Zeusi, u çvirgjërua prej tij dhe u dërgua në ishullin e Kretës, ku ajo solli në jetë europianët. Ky mit i prejardhjes ka diçka emblematike që zgjon mjaft interes: bëhet fjalë për një vashëz libaneze, e shkulur nga gjiri i Azisë dhe e vendosur në qoshkun e kontinentit, që eventualisht do ta merrte emrin e saj. Zanafilla e historisë sonë është një bastisje e dhunshme koloniale europiane në Azi, një migrim i palumtur, si dhe një konfiskim i identitetit, thotë Timothy John Winter në librin e tij eseistik “Shtegtim për në shtëpi”. Ç’mesazh na përcjell ky përshkrim i Winter-it dhe pse është kaq i rëndësishëm? Përgjigjen ad hoc e gjejmë te Revolucioni Industrial, i filluar para dy shekujsh si një formë çvirgjërimi i mendjes së njeriut në emër të lumturisë.

Që nga ajo kohë e deri më sot, kurikulat shkollore, përjashtuar këtu filozofinë dhe matematikën, kryesisht prodhojnë kuadro që “i duhen” dikujt. E ai dikush dikur mendohej se ishte shteti, ndërsa së fundmi po shihet se nuk është shteti, por korporata(t).

Revolucioni Industrial, bashkë me elementët përbërës, prej më se dyqind vjetësh prodhon kuadro, vendbanime, shkolla, universitete, porte, qytete… që i shërbejnë një kauze, asaj të prodhimit dhe bashkë me të edhe të konsumerizmit.

Sejjid Husein Nasri, profesor në Universitetin “George Washington”, kur flet për qytetet dhe qytetërimet, ai ngre alarmin se mënyra industriale e krijimit të qytetërimit modern në thelb krijon një ndërvashmëri, që në fund rezulton me tjetërsimin e njeriut nga trajta e vet.

***

Megjithatë, t’i kthehemi thelbit të problemit. A është arsimi dije apo informacion që prej dekadash e shekujsh njerëzimit “i shitet” si dije?

Fjala “arsimoj” do të thotë me udhërrëfye. Në latinisht ducere do të thotë me udhëzue, me drejtue, me nxjerrë, thotë  William C. Chittick, në librin e tij “Shkencë e kozmosit, shkencë e shpirtit”. Ai na paralajmëron se arsimi modern pretendon se bazohet në “shkencë” dhe se e merr autoritetin e vet duke qenë “shkencor”. “Mendimi shkencor karakterizohet nga fokusi i tij mbi shumësinë dhe studimin empirik të sferës së kapshme nga shqisat, qoftë nëse këto e arrijnë futjen në atë sferë drejtpërsëdrejti apo me anë të instrumenteve. Mendimi shkencor hedh poshtë, përbrendazi dhe haptazi, çdo lloj dijeje të paverifikueshme empirikisht. Kjo lloj qasjeje është me dobi për të arritur kontroll mbi mjedisin e njerëzit, siç tregon qartë mënyra në të cilën ajo përdoret nga qeveritë, ushtria e industria. Mirëpo, me të pretenduar se dija shkencore është e vetmja dituri e vlefshme dhe e ligjshme, nuk mund të bëhet fjalë për shkencë, por për ‘shkencizëm’, besimin se vetëm shkenca lejon qasje tek e vërteta. Shkencëtarët janë zakonisht tepër të sofistikuar për të besuar në shkencizëm, pasi e kuptojnë se shkencizmi është qëndrim ideologjik, i cili nuk mund të demonstrohet empirikisht.”, thotë Chittick-u.

Siç mund të vërehet, me këtë rast, kjo “metodologji” e re – dyqindvjeçare, në emër të shkencës, krijon të vërteta, të cilat i ka shndërruar në dogmë, e që vetvetiu shpie në një ekstremizëm tjetër që gjithsesi përpiqet ta vrasë çdo dije tjetër alternative që i del përballë.

Dikush, mund të replikojë se Chittick-u, Nasri e Winter-i flasin nga tabani teologjik dhe, si të tillë, ata të vërtetën e kërkojnë vetëmse te e përshpirtshmja dhe si të tillë duhet marrë me rezerva të mëdha “pretendimet” e tyre në konceptin se çfarë është dija dhe çfarë është arsimi në trend me kohën?!

Yuval Noah Harari (një ateist i deklaruar) në librin e tij “Sapiens” thotë se sot shumica e njerëzve në shoqëritë industriale nuk kanë nevojë të dinë aq shumë rreth natyrës për të mbijetuar. “Çfarë duhet të dimë për të qenë inxhinier kompjuterësh, një agjent sigurimesh, një mësues historie, apo një punëtore fabrike? Duhet të dini shumë rreth fushës suaj të ekspertizës, por për shumicën dërrmuese të informacioneve rreth nevojave jetësore mbështetemi verbërisht në ndihmën e ekspertëve përkatës të secilës fushë, njohuritë e të cilëve janë gjithashtu të kufizuara në një fushë të ngushtë ekspertize.”, thotë Harari, duke shkuar edhe një hap tutje. “Bashkësia humane ka më shumë njohuri sesa kishin grupet e lashta. Por, në nivel individual, agrokulturorët e lashtë ishin njerëzit më të ditur dhe më të aftë në histori. Me fjalë të tjera, një agrokulturor mesatar kishte njohuri më të gjera, më të thella dhe më të larmishme rreth mjedisit që e rrethonte se sa shumica e pasardhësve të tyre modernë”, konkludon ai.

Çfarë i bashkon “dijetarët e përshpirtshëm” me ateistin Harari? Brenga se njeriu modern di aq sa i serviret dhe aq sa ka nevojë “dikush për të”.

***

Atëherë a i bie kjo se nuk duhet të zhvillohet shkenca? “Në vend se ta kuptojmë që përparimi i njeriut dhe përparimi i shkencës është një bujari prej Zotit tonë, gjithnjë e më tepër njerëz në marrëzinë e tyre po fillojnë të mendojnë se ky është një qëllim në vetvete dhe i përshtatshëm për t’u adhuruar.”, kështu shprehet Muhamed Asad (Leopold Weiss), një konvertit hebre (austro-hungarez), i cili na alarmon për shkencizmin që është i rrezikshëm kur bëhet qëllim në vetvete. Kjo, në elaborimin e tij, tregon se trajektorja e zhvillimit të ri teknologjik, ndonëse po sjell lehtësira një jetën e përditshme të njeriut, ka krijuar një kahe të kundërt me lumturinë e njeriut. Sa më i lartë zhvillimi teknik/teknologjik, aq më i madh është bërë edhe dëshpërimi shpirtëror. Së fundmi këtë më së miri po e dëshmon rritja e veprimit suicidal nëpër “vendet e përparuara”, duke u bërë kështu rrezik për zhvillimin demografik të tyre, krahas shumë anomalive tjera të imponuara si vlerë/a përmes neoliberalizmit ekstrem.

***

Ku jemi ne shqiptarët?

Duke qenë se gjatë gjithë kohës, në këto 100 e kusur vjet kemi qenë vetëmse imitues, ne, për fat të keq, nuk jemi as tek ata të dijes dhe as tek ata që së paku dijen e kanë si informacion. Nuk jemi as tek ata si Xhemali te “Slumdog Millionaire”, që në saje të sprovave arrin “të gjejë zgjidhje” për çdo pyetje, e aq më pak jemi te të shkolluarit sikurse singaporianët. Të përçarë në tri shtete e më shumë, kurikulat shqiptare gjatë gjithë kohës i janë përshtatur regjimit. Madje, po të kishin mundur edhe ligjet e fizikës do t’i përshtatnin sipas “kohës së regjimit”. Në komunizëm mësonin për sistemet komuniste, pa e shikuar hapin e tjetrit, me pretendimin se bota sillet rreth nesh dhe se socializmi një ditë do të ngadhënjejë. Sot, në demokraci, shkolla është devalvuar deri në shkallën më kritike të mundshme që na tregon se rreth 80-përqindëshi i shqiptarëve në moshën 15 vjeçe, nuk arrin ta kuptojë atë që e lexon.

Pra, abetarja jonë, është larg, shumë larg debatit nëse duhet të luftojmë për arsim singaporian e finlandez apo për dije siç pretendojnë eruditët e sipërpërmendur.

***

Zgjidhja?

Njeriu modern e ka patjetër ta kuptojë se arsimi pa vlerat humane në vetveten është bosh, është një hiç. Nëse njerëzimi vazhdon në këtë mënyrë, duke përmbysur çdo vlerë, një ditë do të mund të lavdërohet se e ka rritur shkallën më të lartë të inteligjencës artificiale, por do ta humbë emocionin, do ta humbë trajtën më sublime të njerëzillëkut.

Alija Izetbegoviqi, që shumica e brezit të sotëm e njohin vetëm si politikan, në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar ka ngritur alarmin mbi këto teza. Duke qenë një erudit, ai që para më shumë se 50 vjetësh ka thënë se “arsimi shkollor në botën e civilizuar është tepër intelektual, shkencor, kurse tepër pak shpirtëror, humanist”. Ai ka thënë se ky arsim është shumë ekzakt, i ftohtë, i pashpirtë, indoktrinar që nuk e mëson njeriun të mendojë, porse i përgatit njerëzit vetëm për një funksion të caktuar, duke i bërë kështu robër që mendojnë se janë të lirë, e në fakt janë skllevër.

***

Pas gjithë kësaj ai i bie se nuk duhet të na frikësojnë rezultatet e PISA-s? Pa dyshim që po. PISA është tregues më i mirë i kohës sonë – çfarëdo qoftë ajo, çfarëdo të metash konceptuale të ketë ajo –  se gjendja është e mjerueshme, është alarmante.

Ky brez i teknologjisë “smart” që në fakt nuk është “smart”, por është një teknologji e programuar, është larg aftësisë për mbijetesë pa ndonjë mbështetje teknologjike. Ky brez, sot, ka njohuri ekstremisht të cekëta për botën që e rrethon. Ne sot mund ta gjejmë formulën e ndërtimit të shumë gjërave, por nuk mund ta gjejmë formulën e të qenurit njeri që jeton në harmoni me natyrën dhe shpirtin.

Mendimi modern kërkon nga njeriu të jetë pjesë e sistemit për të qenë i suksesshëm. Kurse njeriu është i krijuar për ta parashtruar pyetjen “pse?”. Meqenëse është krijesë dinamike me “shumë pyetje”, ai edhe e gëzon të drejtën të dijë më shumë nga ajo që i ofrohet. Dhe, vetëm atëherë kur e gjen përgjigjen, ai jeton në paqe me vetveten dhe me rrethin, qoftë ai material ose i përshpirtshëm. Gjithçka tjetër është improvizim dhe dhunë e përçuar me mekanizma që ia imponojnë tjetrit “vlerat” që në fakt e robërojnë, në këtë rast përmes asaj që dikush e quan “arsim”.

(Editoriali i Revistës SHENJA)

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X