loader image
April 18, 2026

Hapësirë lirie për mendimin politik dhe vlerat kulturore

Historiografia shpesh është ndikuar nga interesat, ideologjitë dhe pushteti politik dhe këto dukuri kanë qenë dhe janë evidente në hapësirën shqiptare. Ndryshe nga ajo, autorët që shkruajnë në revistën “Shenja” e kanë parë me realizëm, të pandikuar nga këta faktorë. Shkrimet e revistës me temë historike i shërbejnë lexuesit, pasi analizat e saj hedhin dritë nga këndvështrime të ndryshme për të parë objektin historik.

Xhafer SADIKU, Tiranë

Kur vite më parë lexova revistën “SHENJA”, përshtypja që krijova ishte se ndryshonte nga revistat e tjera që botoheshin në Tiranë. Autorët nga tërë hapësira etnike dhe kulturore shqiptare dhe vizioni i tyre i ndryshëm për të njëjtën temë që analizonin mu dukën interesante. Ishin të tilla se ndryshonin nga një lloj përvoje “klasike” me të cilën jemi mësuar që nga koha e mediokritetit të realizmit socialist, ku skematizmi ndikonte që lexuesi të arrinte konkluzionin pa lexuar ende gjysmën e shkrimit.

Profilin e revistës në fjalë do ta njihja më mirë gjatë kohës që bashkëpunova me shkrime për tema të ndryshme. Sipas meje, analizat kritike mbi zhvillimet politike i japin revistës profil të pavarur, ndërsa liria akademike e autorëve dhe mungesa e censurës nga ana e revistës e kanë rritur nivelin e shkrimeve dhe e kanë qartësuar mendimin politik. Që në fillim duhet thënë se, duke qenë kështu, ajo është kthyer një hapësirë lirie për analizat politike, promovimet kulturore dhe idetë civilizuese dhe humane. Shkrimet e revistës dallohen qartësisht nga ekuilibri midis dobishmërisë për shoqërinë dhe të vërtetave, humanizmit dhe të drejtave për njeriun.

Temat e trajtuara nga revista “SHENJA”, edhe kur janë politike janë edhe sociale, edhe kur janë historike, janë edhe aktuale. Është interesante qasja në trajtimin e këtyre temave: autorët nuk merren me persona, por me idetë politike. Analiza e ideve politike e ndihmon lexuesin të balancojë opinionet dhe të formojë idetë e tij.

Përfshirja e zërave kritikë dhe konstruktivë në trajtimin e së njëjtës teme e në të njëjtin numër, pa i censuruar dhe pa mbajtur anë në favor të ndonjë partie politike, i ka dhënë besueshmëri përmbajtjes dhe ka rritur dimensionet e ndikimit të revistës. Në aspektin politik, revista përçon idetë që bashkojnë lexuesit përtej dallimeve ose niveleve të ndryshme arsimore dhe kulturore.

Revista “SHENJA” është një model i mirë nga mund të merret përvojë pë

r analizat me karakter historik, madje rrallë e gjen në ndonjë botim në hapësirën kulturore shqiptare. Historia shkruhet gradualisht në tri etapa të dallueshme, secila me peshën dhe kufizimet e veta. Fillimisht janë vetë protagonistët e ngjarjeve që rrëfejnë, duke e “ngjyrosur” të vërtetën me emocionet, përjetimet dhe subjektivitetin e momentit. Më pas përfshihet media, e cila përmes debatit dhe interpretimit synon ta ndriçojë publikun. Vetëm në fazën e tretë, historia merr trajtën më afër së vërtetës: kur historianët, të mbështetur mbi dokumente arkivore dhe kërkime të mirëfillta, përpiqen të rindërtojnë një pasqyrë sa më objektive të së shkuarës.

Historiografia shpesh është ndikuar nga interesat, ideologjitë dhe pushteti politik dhe këto dukuri kanë qenë dhe janë evidente në hapësirën shqiptare. Ndryshe nga ajo, autorët që shkruajnë në revistën “Shenja” e kanë parë me realizëm, të pandikuar nga këta faktorë. Shkrimet e revistës me temë historike i shërbejnë lexuesit, pasi analizat e saj hedhin dritë nga këndvështrime të ndryshme për të parë objektin historik. Duke shkruar për të njëjtën temë ose figurë historike, është zgjeruar vizioni i lexuesve dhe kjo ndikon pozitivisht që lexuesit t’i thellojnë dijet. Në këtë mënyrë, revista bën atë që shkolla në hapësirat tona kulturore nuk e ka realizuar sa duhet. Kjo është, gjithashtu, një nga meritat e saj.

Ajo që tërheq vëmendjen në faqet e revistës janë vizionet për ngjarje ose trajtesa të aktualitetit rajonal a ndërkombëtar. Ekuilibri midis dobishmërisë për interesat kombëtare nuk e ka zbehur

ndjeshmërinë për të drejtat e qytetarëve dhe lirinë e njeriut. Janë ndjenja që e fisnikërojnë shpirtin dhe lartësojnë vlerat.

Në faqet e saj, revista ka mbrojtur interesin kombëtar, duke kundërshtuar teza dhe ide politike që cenojnë integritetin territorial të shtetit shqiptar, duke dhënë në këtë pikëpamje, një ndihmesë të çmuar. Revista përçon mendimin politik dhe kontribuon në vizionin kombëtar.

Si përfundim, duhet theksuar se revista “SHENJA” është një referencë serioze në peizazhin e mediave kombëtare. Pavarësia editoriale, analizat e sakta dhe ndërthurja e temave politike, ekonomike dhe kulturore e bëjnë atë një burim të rëndësishëm për konsolidimin e mendimit politik dhe zgjerimin e dimensionit kulturor në hapësirën shqiptare. Për lexuesit që kërkojnë thellësi dhe integritet editorial, revista është një burim i besueshëm dhe i domosdoshëm.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X