loader image
April 20, 2026

“Shenja” që la shenjë

Nëse, në kuptim etimologjik, “Revista”, e cila në gjuhën angleze i përgjigjet fjalës Magazine, rrjedh nga fjala e gjuhës arabe Makhzen që në përdorim të lirë nënkupton “depo”, pikërisht kjo revistë është depo, ku çdonjëri lexues mund të gjejë përmbajtje të ndryshme dhe atë çfarë ka në interes. Ashtu sikurse në depo, ku njeriu herëpashere kthehet për të kërkuar diç, edhe te “Shenja” lexuesit dhe hulumtuesit mund t’i kthehen për ta konsultuar dhe për ta marrë gjënë e duhur.

Muhamed JASHARI, Shkup

Shënimi i pesëmbëdhjetëvjetorit ose i numrit të 180-të të kësaj reviste të vyer mbarëkombëtare që kemi në duar, nuk ka sesi të mos jetë çast gëzimi qoftë për themeltarët e bashkëpunëtorët, por edhe për lexuesit e përgjithshëm. Kur nga kjo distancë kohore shihet numri i parë i saj, me shumë gjasë pakkush atëbotë do ta kishte menduar që jetëgjatësia e revistës do të ishte siç është sot.

Megjithatë, përpjekja e vazhdueshme, vullneti për punë dhe ideja për ta mbajtur ndezur kandilin ndriçues, që në mënyrë objektive dhe, çfarë është më e rëndësishme nëpërmjet fjalës së shkruar, do t’i kontribuojë debatit publik në hapësirën shqiptare, vërtet është mburrje dhe na bën krenarë të gjithëve. Shto faktin që në kushtet e realiteteve të tanishme, spektakli, vizualiteti, imazhi, pamjet e metrazhit të shkurtër etj., çdo ditë e më tepër ia zënë frymën shkrimit, tekstit dhe fjalës së hedhur në letër. Do vetëmohim të pashoq ta drejtosh anijen në këtë mjedis! Ky është një jubile i artë që për lexuesit konsiderohet festë.

Nëse, në kuptim etimologjik, “Revista”, e cila në gjuhën angleze i përgjigjet fjalës Magazine, rrjedh nga fjala e gjuhës arabe Makhzen që në përdorim të lirë nënkupton “depo”, pikërisht kjo revistë është depo, ku çdonjëri lexues mund të gjejë përmbajtje të ndryshme dhe atë çfarë ka në interes. Ashtu sikurse në depo, ku njeriu herëpashere kthehet për të kërkuar diç, edhe te “Shenja” lexuesit dhe hulumtuesit mund t’i kthehen për ta konsultuar dhe për ta marrë gjënë e duhur.

“Shenja” ka dëshmuar që është ndërmjetësi i sinqertë i cili tashmë një dekadë e gjysmë ka bërë të mundur komunikimin e autorëve me lexuesin nga viset e ndryshme të gjeografisë shqiptare, duke filluar nga Mitrovica e deri në Korçë dhe nga Tirana deri në Kumanovë e Preshevë! Tubimi i emrave të shumë autorëve në një vend paraqet vlerë të shtuar për mendimin, debatin dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, kurse vendndodhja dhe botimi i saj mu në Shkup i nderon shqiptarët e kësaj ane dhe e rikthen qytetin si pjesë të rëndësishme e mozaikut të publicistikës shqiptare. Në këso periudha të trazuara, kur janë përzier vlerat me antivlerat, e bukura dhe e shëmtuara, e qëlluara dhe e gabuara, “Shenja” ka qëndruar e palëkundur dhe ka qenë zëri i të fismes.

Përfitimet e lexuesve nga kjo revistë mund të jenë të shumëllojshme e disadimensionale. Në radhë të parë lexuesi në vazhdimësi e ruan ritmin e leximit dhe, pse jo, i pasuron shkathtësitë e të folurit, sidomos nga emrat e proveniencës së letërsisë. Ai do të njihet me stilet e ndryshme të të shkruarit dhe gjuhën që është përdorur nëpër artikujt e revistës. Në mënyrë të drejtë njoftohet me fenomenet dhe problematikat e ndryshme që e prekin shoqërinë dhe hapësirën tonë, dhe jo vetëm. Në anën tjetër, autorëve u është mundësuar që, nëpërmjet shkrimit të përmuajshëm, ta zgjerojnë edhe mëtej krijimtarinë publicistike dhe opusin e tyre shkrimor, por edhe t’i lexojnë mendimet e njëri-tjetrit.

Ajo ka luajtur rol të pazëvendësueshëm në Res-Publican, në trajtimin e temave të gjithanshme socio-politike, kulturore, historike, gjuhësore etj. Çfarë thuhet ndërmjet dy kapakëve të “Shenjës” u bë burim referencial për shumëkënd, kurse depërtimi nëpër institucione publike, arsimore, kulturore, nëpër biblioteka, si dhe tek profilet e ndryshme të njerëzve, e shndërroi atë

në projekt serioz emancipues për shoqërinë shqiptare. Madje, aty nuk kanë munguar edhe trajtesat mbi çështjet përtej rajonale. Në “Shenja” është shkruar për ngjarje dhe figura të rëndësishme të historisë sonë; politikës shqiptare në shek. XXI; rrezikun e politikës serbe; integrimet europiane dhe shqiptarët; identitetin; islamofobinë; luftën në Ukrainë; të drejtën ndërkombëtare; kasaphanën rrëqethëse në Lindjen e Mesme etj.

Rreth një dekadë më parë (maj 2017) autori i këtij shkrimi kishte kënaqësinë që të prezantojë revistën e lartpërmendur në një panair ndërkombëtar, ku çmohej lartë jo vetëm trajtimi i temave që ajo ofron, por edhe përgatitja teknike e saj. Fakti që audienca e revistës “Shenja” kryesisht kap tre shtete ballkanike i jep asaj edhe karakterin rajonal.

Prania kaq e gjatë në hapësirën mediale shqiptare mund të themi që e radhit revistën “Shenja” në hartën e revistave ballkanike, siç janë Demokracija e Sllovenisë, Globus i Kroacisë, Ljiljan ose STAV i Bosnjës dhe Hercegovinës etj. Se sa produktive ishte revista “Shenja”, mjafton të kuptohet që, si rrjedhojë e grumbullimit të shkrimeve të ca autorëve ndër vite, u botuan disa libra – në dijeninë time 7 ose 8 sosh! Personalisht i jam mirënjohës “Shenjës” që pikërisht vepra ime e botuar në vitin 2025 përmban shkrimet që i kemi trajtuar po në këtë revistë vite me radhë.

Disa nga disiplinat shkencore që mund të lëvrohen nga “Shenja” janë: gjuhësia, historia, sociologjia, ekonomia, filozofia, gazetaria, politologjia, diplomacia etj. Mendoj se kjo revistë duhet të shndërrohet në burim frymëzimi për studime rasti – case study – dhe kështu, mbi të, në të ardhmen, të shkruhen punime, qoftë të nivelit deridiplomik apo padiplomik. Për rolin pozitiv të “Shenjës” do të shkruhet e të flitet edhe në të ardhmen, ashtu siç flasim e shkruajmë për shtypin, gazetat ose revistat që dikur kanë qarkulluar këndejpari.

Urojmë që kjo revistë të shënojë edhe shumë përvjetorë e jubile të tjerë, ku do të artikulohen dhe nxirren në dritë gjëra të dobishme që u sjellin përfitime intelektuale njerëzve që e duan shkrimin, qytetarit dhe komunitetit të gjerë. Shpresojmë që “Shenja” të jetë shembull edhe për projekte tjera kulturore e dijeje që kanë për qëllim ngritjen dhe avancimin mendor të qenies shqiptare në hapësirën ballkanike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X