loader image
April 20, 2026

Portretet e “Shenjës”

Temat e trajtuara në faqet e “Shenjës” kanë qenë me interes për opinionin tonë, qoftë për aktualitetin shqiptar, rajonal e më gjerë, qoftë për vlerësimin objektiv të së kaluarës sonë. Duke qenë një revistë përtej konceptimit lokal, ajo ka tubuar rreth vetes autorë të dalluar të të gjithë hapësirës shqiptare. Diçka jo shumë e zakonshme në jetën tonë publicistike, marrë parasysh vetëmjaftueshmërinë e qarqeve të ngushta shoqërore e kulturore.

Hysen MATOSHI, Prishtinë

Periodiku është dëshmi e zhvillimit të një kombi, veçmas dëshmi e nivelit të kulturës së tij. Lulëzimi i periodikut shqip i ka shoqëruar periudhat e begata, përkatësisht ato që kanë shënuar kthesa historike në planin e zhvillimit të përgjithshëm. Idetë e komunikuara lidhur me procese shoqërore, kulturore, arsimore, fetare etj. kanë qenë faktor për orientimin e gjithëmbarshëm të mendimit tonë shoqëror e kombëtar. Jo rrallë periodiku ka qenë një tribunë në të cilën janë prezantuar, por edhe janë ballafaquar, idetë kryesore lidhur me zhvillimet në historinë kombëtare të shqiptarëve. Debatet u kanë paraprirë zhvillimeve dhe jo më rrallë i kanë shoqëruar dhe i kanë vlerësuar ato. Ndaj shkrimi i një historie kombëtare, pa evidentimin dhe vlerësimin objektiv të rolit të periodikut përgjatë kronologjisë së shfaqjes së tij, është i pamundshëm.

Me kalimin e kohës dhe me artikulimin institucional e politik të ideve, periodiku mbetet vetëm njëra nga format e angazhimit intelektual e, përgjithësisht, shoqëror në mendimin shqiptar. Revistat, në kohën e sotme, kanë humbur mjaft hapësirë, kundruar në aspektin informativ në kuptimin e gjerë të fjalës, por është e qartë se ato në ditët e sotme janë bërë tribuna diskutimesh e analizash të thelluara e të specializuara për fusha dhe çështje të ndryshme.

Fillimi i botimit të revistës “Shenja”, më 2011, shënon themelimin e një medieje që nuk do të shëmbëllente me bashkëkohëset e saj. Ideja e krijimit të një të përmuajshmeje politike, ekonomike dhe kulturore me identitet mbarëkombëtar ishte e ndërlidhur, pa dyshim, me përfshirjen e potencialeve më të rëndësishme të publicistëve dhe të mendimtarëve shqiptarë, dhe jo vetëm, ngase në numra të caktuar do të gjejmë edhe shkrime të autorëve të shquar në përmasën rajonale, që kanë trajtuar çështje të rëndësisë së veçantë ose edhe të përgjithshme të përmasës globale.

Temat e trajtuara në faqet e “Shenjës” kanë qenë me interes për opinionin tonë, qoftë për aktualitetin shqiptar, rajonal e më gjerë, qoftë për vlerësimin objektiv të së kaluarës sonë. Duke qenë një revistë përtej konceptimit lokal, ajo ka tubuar rreth vetes autorë të dalluar të të gjithë hapësirës shqiptare. Diçka jo shumë e zakonshme në jetën tonë publicistike, marrë parasysh vetëmjaftueshmërinë e qarqeve të ngushta shoqërore e kulturore. Për rrjedhojë “Shenja” bëri jetë mbarëkombëtare dhe krijoi lexuesit e saj gjithandej hapësirës etnike shqiptare. Gjithashtu duhet thënë se, me gjithë modernizimin e formave të publikimit të periodikut, përkatësisht me përfshirjen e botimit on line, botuesi e ka ruajtur formatin klasik të printimit të “Shenjës”, natyrisht duke mbajtur një standard krejt të veçantë të cilësisë së përgatitjes teknike dhe të cilësisë së shtypit krahasuar me simotrat e saj që vijojnë të dalin në gjuhën shqipe.

Është meritë e redaksisë së “Shenjës” (këtu kam parasysh të gjitha formatet e gjertanishme të redaksive) që ia ka dalë ta ruajë interesimin e lexuesit edhe nëpërmjet alternimeve të caktuara tematike të numrave të saj. Një risi e “Shenjës”, që është shfaqur sidomos kohët e fundit, ka të bëjë me botimin e numrave tematikë kushtuar personaliteteve të shquara të historisë kombëtare dhe më gjerë. Përzgjedhja ka qenë e kujdesshme dhe e bazuar në kritere të vlerësimit historiografik të akëcilës prej figurave të shquara historike. Kuptohet, jo rrallë, perceptimi për këto personalitete është i ndryshëm dhe kjo reflektohet edhe në shkrimet e autorëve të akëcilit numër tematik. Një qasje e tillë e bën “Shenjën” revistë të hapur për mendimin ndryshe dhe, si e tillë, është një vlerë e shtuar në debatin parimor, sidomos në kohët e sotme kur rreshtimet politike, ideologjike, sociale, krahinore, klanore etj. e kanë ngufatur jetën tonë.

Personalitetet e përzgjedhura për t’i prezantuar portretet e tyre në faqet e “Shenjës” janë të rëndësisë së përgjithshme kombëtare, madje në një shtrirje kohore prej disa shekujsh, sikundër janë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me emrin e të cilit lidhet një epokë e tërë e lavdishme e historisë sonë, pastaj ideologu i krijimit të shtetit shqiptar dhe dijetari i shquar Sami Frashëri, themelvënësi i Shqipërisë së pavarur Ismail Qemali, politikani dhe intelektuali polidimensional Fan Noli, figura kontroverse e mbretit shqiptar Ahmet Zogu, ideologu e veprimtari i shquar politik për lirinë e shqiptarëve Adem Demaçi, themeluesi i sistemit shumëpartiak në jetën e shqiptarëve të Kosovës dhe lideri i parë postkomunist i saj Ibrahim Rugova, shkrimtari i njohur shqiptar në përmasën botërore Ismail Kadare, figura më e ndritshme e rezistencës së armatosur dhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari etj.

Në saje të ndriçimit të portreteve të këtyre figurave të shquara kombëtare në faqet e “Shenjës”, literatura jonë historiografike pasurohet me kontribute të çmueshme, ndërsa këndvështrimi i paanshëm historiografik, i bazuar në faktografi shkencore, qartëson aspekte të panjohura të këtyre personaliteteve. Rrjedhimisht, historia, në saje të ndriçimit më të plotë të këtyre portreteve, bëhet më e plotë, ndërsa historishkrimi bëhet më i besueshëm. Fundja, nëpërmjet qartësimit të veçantive të portreteve të tyre saktësohen e vlerësohen më objektivisht edhe rrjedhat e përgjithshme të epokave të ndryshme të historisë sonë.

Duke përfunduar dua të shpreh kënaqësinë, si njëri ndër autorët e kësaj reviste me dhjetëra kontribute shkrimore, lidhur me mundësinë që të shprehim pikëpamjet tona dhe të prezantojmë rezultatet e punës. Në planin e botimit të periodikut, në planin e artikulimit të mendimit shqiptar në këtë periudhë dinamike kohore për rrjedhat tona kombëtare dhe botërore “Shenja” mbetet një shenjë e rëndësishme e me rol të veçantë në jetën tonë publicistike, kulturore, mendimore e diturore.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X