loader image
April 19, 2026

“Një faqe” – Revista “Shenja”

Për fat të mirë, kjo revistë, si një dritare me ide dhe një përmbajte të pagabueshme me autenticitetin e saj, ka udhëzuar të dallohet kursi nga diskursi, sidomos ai i kontekstit politik për secilin “prozator” – publicist, për t’u bërë më të përmirësuar, më krijues dhe më vigjilentë për ngjarjet dhe zhvillimet.

Driton DEMIRI, Gostivar

Sidoqoftë, për diçka të re ka ca faqe të tilla që në njëfarë mënyre duhen të kujtohen, për t’u dhënë rëndësi. Edhe pse i stërvitur me fjalën dhe nuk e kam(kisha) për herë të parë, të shkruaja për një jubile (përvjetor) nuk ishte e lehtë. Kësaj here vendosa të formuloj një mendim për të mos flak(ur) grumbull togfjalësh të stërzgjatura. Dhe, duke qenë i ndërgjegjshëm për atë se çka duhet(ej) të shkruaj(a), nuk kam dyshime për lexuesin se do ta kuptojë zellin e porosisë sime. Në këtë vijë, në një moment, nuk munda të mos ndryshoja mendje që të mos bëhesha patetik, por ndërkohë të shënoja në mënyrë të çiltër për rrugëtimin e një reviste si “Shenja”, me një kriter të vetëm të një publicisti modest dhe të moderuar. Në këtë nënçështje, për këtë numër jubileu, në veçanti, vërtet pata kohë të mendohem disa ditë për të paraqitur vëmendjen e duhur për rolin e saj ndër vite në hapësirën mediale shqiptare. Me anë tjetër, për t’iu afruar ftesës për atë që jam i thirrur, pa qëndruar në prapashtesë, për ta shtruar këtë mendim siç e do përshtypja, pa asnjë luhatje që duhet thënë, se u deshën 15 vite për të kuptuar se revista “Shenja” u bë një domosdoshmëri e krijimit publicistik dhe jo vetëm. Sa për të mos e bërë këtë artikull (mendim) të këndshëm, të gëzueshëm dhe festiv, ajo çka i ka munguar në vija të trasha është vetëm “poezia”, patjetër sërish duke thënë edhe këtë, dhe gjithnjë në kuptimin letrar të fjalës (edhe pse në disa raste aq sa di e më mban kujtesa edhe ajo ka qenë ngandonjëherë e dukshme në formën e disa artikujve).

Çdo muaj për gjithë këto vite temat me rëndësi dhe interes të përgjithshëm, më aktuale politike, ekonomike, kulturore, madje dhe mjaft shenja për dukuritë, si dhe intelekte për letërsinë dhe historinë e thesarit kombëtar, kanë qenë si një dritë (diturie) të revistës. Çdoherë, me botimin e më shumë aspekteve shoqërore mbarëkombëtare,… 179, respektivisht për ta rrumbullaksuar, 180 numra të rregullt, të botuar periodikisht, muaj për muaj për një dekadë e gjysmë, të cilët shtynë edhe numrat e ardhshëm për të vazhduar të jenë pika qendrore e ngritjes së ambientit intelektual nëpërmjet leximit dhe informimit, janë dhe mbeten një kultivim i posaçëm i ndershëm dhe etik i kësaj reviste.

Tek sa vazhdoj të shkruaj, për ta kuptuar se si mund të qëllojmë, godasim shpesh në shenjë dhe për të lënë gjurmë, për fat të mirë, kjo revistë – si një dritare me ide dhe një përmbajtje të pagabueshme me autenticitetin e saj – ka udhëzuar të dallohet kursi nga diskursi

, sidomos ai i kontekstit politik për secilin “prozator” – publicist, për t’u bërë më të përmirësuar, më krijues dhe më vigjilentë për ngjarjet dhe zhvillimet. Në këtë lloj kuadri, ajo ka mbajtur një parim objektiv të pandërprerë,… me disa përjashtime,… njësoj si traktati i Samiut (Sami Frashërit) “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, herë duke polemizuar dhe herë duke u revoltuar me mendimin politik-shoqëror të kohës. Të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me revistën “Shenja”, me mendimet, shkrimet e tyre (ashtu dhe unë që kam patur mundësinë dhe nderin të bashkëpunoj), kanë kuptuar se sa e madhe është ajo, jo për atë sa e thellë është, por për atë sa këndvështrim të gjerë ka pasur. Për ta nënvizuar gjithë këtë, me kalimin e kohës “Shenja” u shndërrua dhe u rrit në një revistë më e plotë me një sërë mendimesh cilësore dhe të përpikta. Përmes atyre mendimeve (editoriale, ese, intervista dhe analiza të shumta), në një karakter segmentesh të shumëanshëm,… ajo, madje, mund të vihet në dukje se u ngrit thuajse deri në nivelin e një reviste studimi dhe referimi.

Mbi të gjitha, kjo revistë e përmuajshme, respektivisht revista “Shenja” u kalit dhe arriti pjekurinë duke menduar, duke u organizuar dhe duke u drejtuar nëpër sprova të publicistikës gjatë gjithë periudhës së botimit. Për ta vënë në dukje këtë, në kuptimin më të plotë të fjalës, në atë nektar botimesh, “Shenja”, si një ndër revistat e rralla (aktualisht dhe e vetme) jetëgjata në gjuhën shqipe, ka luajtur rolin e gatishmërisë së përpjekjes për ta edukuar lexuesin, mbase dhe shoqërinë shqiptare pothuajse pa kufizim. Siç do të paralajmëronte Makiaveli mbi 500 vjet më parë se: Gatishmëria bëhet thelbi i përpjekjes…Dhe nëse jemi të gatshëm, dhe të aftë, asgjë nuk do të jetë në gjendje t’i rezistojë përpjekjeve tona për një kohës shumë të gjatë. Dhe, “Shenja” e ka ndërgjegjësuar lexuesin dhe mbajtur jo vetëm të zgjuar dhe të kthjellët, por edhe të trazuar për aktualitete dhe dinamika jetësore. Në këtë vijë, “Shenja” gjithmonë, përveçse ka marrë pamjen e një radhitjeje të shkëlqyer për reflektim… e cila me të vetmin synim është interesuar edhe të mësojë,… me qëndrueshmërinë në përmbajtjen e saj, është treguar një shpresë artikulimi duke i ofruar lexuesit pikëpamje të pareshtura.

Është mjaft e sigurt se për një faqe relativisht të gjatë, me artikuj gjithëpërfshirës, të thelluar dhe gjatë gjithë kohës tërheqës dhe interesantë, revista ka ndikuar dhe ndihmuar në vetëdijen e lexuesit për të punuar së pari në ndërtimin e kulturës individuale dhe, më pas, të kulturës shoqërore (shqiptare.)

Sa ka ndikuar vërtet (realisht) ky projekt në kudondodhjen e hapësirës shqiptare, nëse e masim dhe e vendosim në peshore gjithë këtë veprim, nuk mund ta them me siguri të plotë. Por, ka ndikuar, ka lëvizur gurë, shumë gurë madje. Për këtë arsye dhe nga të gjitha këto veçori, me një fjalë, “Shenja” është treguar më shumë se një revistë.

Zakonisht si pyetja shumë e përmendur “A e lexuat Sonatën e Krojcerit… të Tolstoit?”, që daton nga shekulli 19-të, edhe pyetja “A e lexuat Shenjën?”, kërkon një përgjigje pa kurrfarë ngutjeje.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X