loader image
July 27, 2024

“Zajednica” shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe alarmi i rrejshëm në Kosovë

Kundërshtimi i ujdive të Brukselit dhe Ohrit më shumë ishte një luftë midis Kurtit në pushtet dhe Kurtit të opozitës, sesa një përplasje me opozitën aktuale në Kosovë… Sa për “Zajednicën” ose Bashkësinë e Komunave me Shumicë Etnike Serbe, ajo nuk paraqet në asnjë formë një “Republika Srpska” në Kosovë, e ngjashme me atë në Bosnjë e Hercegovinë. Kosova nuk është federatë e as Bashkësia e Komunave është njësi federative. Ka të drejtë Kurti kur thotë se vetëmenaxhimi është i ndryshëm nga vetadministrimi.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Partia Alternativa nga Maqedonia e Veriut sikur iu përgjigj pozitivisht thirrjes nga Prishtina që të zgjerojnë frontin e rezistencës politike kundër “Zajednicës” përtej kufijve të Kosovës. “Zajednica” është një term pezhorativ për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, e cila është dakorduar në Bruksel në vitin 2013 dhe është konkretizuar në vitin 2015, e përdorur nga Vetëvendosja derisa ishte në opozitë për të pamundësuar realizimin e saj. Por, ia doli që ta ndalë përkohësisht këtë projekt. Tani ka pranuar një tjetër marrëveshje, atë në Bruksel, të arritur më 27 shkurt e të konkretizuar në Ohër më 18 mars, e cila është sublimat i të gjitha 39 marrëveshjeve paraprake, të nënshkruara e të pazbatuara deri në fund. Midis këtyre marrëveshjeve janë edhe ato që parashohin “Zajednicën”. Atë krijesë që e luftoi me të gjitha mjetet derisa ishte në opozitë.

Ishte sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i cili në prag të takimit në Ohër kërkoi që një krijesë e tillë politiko-territoriale të zbatohet edhe në Maqedoninë e Veriut, si përgjigje ndaj kërkesës së shqiptarëve etnikë për barabarësi. Dukej se nuk bëhej fjalë për devijim nga përcaktimi politik i kësaj partie, por ishte një mbështetje të pozicioneve të kryeministrit kosovar Albin Kurti kundër “Zajednicës” si zgjidhje të problemit kosovaro-serb. Në të njëjtin interval kohor me reagim u paraqit edhe Lëvizja BESA, por qëndrimi i saj ishte më i matur: në vend të “Zajednicës” shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kjo parti kërkoi që qeveria e Shkupit të dalë haptazi kundër një zgjidhjeje të tillë për serbët etnikë në Kosovë, si parakusht për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

BESA dhe Alternativa ishin një parti deri në vitin 2018, kur u ndanë në dysh shkaku i mospajtimeve të brendshme midis strukturave të ndryshme. Që nga themelimi i saj në vitin 2014, Lëvizja BESA kishte raporte të shkëlqyera me Vetëvendosjen e Kurtit, e cila atëkohë ishte opozitë me ngritje të hovshme në Kosovë. Kurti shpesh shihej teksa protestonte bashkë me këtë strukturë në Shkup. Platforma fillestare e saj ishte “Ridefinimi” i shtetit, duke u angazhuar për të ndryshuar sërish kushtetutën për t’i bërë shqiptarët të barabartë edhe në aspektin formal, një plan pretencioz për shkak se ky ndryshim kërkonte dy të tretat e votave në Parlament, gjë që shqiptarët nuk mund ta arrijnë pa një ujdi me partitë maqedonase. Por, as BESA e as Alternativa, që doli si fraksion nga e para, nuk kanë kërkuar e as përmendur federalizimin, kantonizimin e Maqedonisë së Veriut ose formimin e ndonjë bashkësie të komunave shqiptare me qëllim të arritjes së synimeve të shqiptarëve etnikë për barabarësi të plotë në këtë vend.

Tentimet për të frikësuar faktorin ndërkombëtar se “nëse formohet “Zajednica” në Kosovë, do të formohen të tilla edhe në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi” nuk sollën asnjë rezultat të dëshiruar për Prishtinën zyrtare. Përkundrazi, nxorën në sipërfaqe një amatorizëm politik që nuk mund të quhet as i rrezikshëm. Kurti e kishte të qartë se dalja kundër një dokumenti që bëri bashkë Perëndimin, BE-në dhe SHBA-në, pra kundër Propozimit Franko-Gjerman, që më vonë u quajt Propozim Europian, do të ishte i barabartë me vetëvrasje ,politike pasi do ta dëmtonte në palcë shtetin e Kosovës. Por, nga ana tjetër, ai ballafaqohej me opozitarizmin e tij gjatë dhjetë viteve të kaluara, kur në cak kishte bllokimin e çdo lloj hapi drejt zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit 2013/2015. Ishin humbur 10 vite, një dekadë e karakterizuar me izolim, mosliberlizim vizash, mungesë të perspektivës europiane, mungesë investimesh të huaja dhe vendnumëro në procesin e njohjeve. Kundërshtimi i ujdive të Brukselit dhe Ohrit më shumë ishte një luftë midis Kurtit në pushtet dhe Kurtit të opozitës sesa një përplasje me opozitën aktuale në Kosovë. Nga 2011, kur nisi dialogu Prishtinë-Beograd, të gjitha partitë që sot përbëjnë opozitën e Kosovës kanë nënshkruar ndonjë nga 39 marrëveshjet me Serbinë dhe kanë përkrahur, në njërën ose tjetrën formë “Zajednicën” si zgjidhje. Gjatë periudhës së administratës së presidentit Donald Trump u përkrah edhe “korrigjimi i kufijve Serbi-Kosovë” si model alternativ i “Zajednicës”. Pra, Kurti nuk kishte problem me opozitën, edhe pse debati në parlament dhe në studiot televizive dukej i ashpër. Aq më tepër kur diplomatët amerikanë dhe europianë morën “aminin” e tyre para takimit të Ohrit.

Bartja e temës së “Zajednicës” në sferën publike të Maqedonisë së Veriut dukej absurd për disa arsye: kërkohej reciprocitet midis Serbisë dhe Kosovës, duke kërkuar që një palë e tretë të bëhet pjesë e një marrëveshjeje bilaterale. Si për shembull, gjatë bisedimeve midis Shkupit dhe Sofjes për përfshirjen e bullgarëve etnikë në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut të dalë një parti greke në Shqipëri e të kërkojë reciprocitet nga Bullgaria me atë që edhe grekët etnikë të përfshihen në preambulën kushtetuese shqiptare. Reciprociteti definohet si raport midis dy shteteve, ku politikat e njërës duhet të pasohen nga ato të tjetrës palë. Pra, kur flasim për reciprocitet “pala e tretë” është e tepërt.

E dyta, “Zajednica” në Kosovë është “ligë e dytë” e skenës politikës shtetërore. Me këtë zgjidhje serbët etnikë tërhiqen në një lëvozhgë administrative, kur kërkojnë të mbrohen si pakicë e parëndësishme në Kosovë. Me më pak se 5 për qind të popullsisë, serbët etnikë të Kosovës nuk mund të realizojnë të drejtat në nivel shtetëror, edhe nëse ato në nivel maksimal ua garanton kushtetuta. Shkaku qëndron te majorizimi dhe margjinalizimi nga ana e shumicës etnike shqiptare. Shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, ka kohë që luajnë në ligën e parë të shtetit, pasi nuk janë pakicë, e aq më pak e parëndësishme. Që nga pavarësimi i vendit në vitin 1991, shqiptarët etnikë kanë shënuar, kanë fituar, kanë pranuar gola ndër këmbë, kanë dhënë madje edhe autogola, por kanë mbetur në ligën e parë. Aty vendoset për politikat shtetërore, administrohet shteti, caktohen kahet dhe ndahet buxheti. Në ligën e dytë, ndërkaq, vetëm menaxhohen institucionet me rregullat e paracaktuara dhe politikat e definuara nga administrata shtetërore.

Dhe, e treta, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 është dokument i paqes, i garantuar nga BE-ja, NATO-ja, SHBA-ja dhe OSBE-ja. Ky dokument ka për kryefjalë definimin se “nuk do të ketë zgjidhje territoriale për problemet etnike”. Shumë politikanë dhe persona publikë me ndikim janë përfshirë në “listat e zeza “ të SHBA-ve dhe BE-së pikërisht për shkak se kanë punuar për zhbërjen e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo, nga garantuesit ndërkombëtarë, është kuptuar si tentim për ta minuar paqen në Maqedoni të Veriut dhe rajon. Këto lista u formuluan që nga viti 2001, kur presidenti i atëhershëm George Bush i Riu shpalli këtë mjet për të sanksionuar “të gjithë ata që minojnë paqen në Ballkan, duke kundërshtuar Marrëveshjen e Dejtonit, Rambujesë dhe të Ohrit”. Duke marrë parasysh kontekstin gjeopolitik të krijuar nga agresioni rus në Ukrainë, i filluar në vitin 2014, në vitin 2016 administrata Trump miraton listën “Magnitsky”, ku të sanksionuar u gjetën oligarkët rusë që ndihmojnë Putinin, e cila më vonë u zgjerua edhe me zyrtarë të tjerë të korruptuar nga e gjithë bota. Me urdhër të presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, në vitin 2021 u paralajmërua se do të përfshihen në “listën e zezë” të gjithë ata që punojnë edhe kundër marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Në grupin e marrëveshjeve të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon pritet të jetë edhe ajo me Bullgarinë, e konkretizuar me Propozimin Francez. Sipas urdhrit, në listë do të përfshihet çdo person ose organizatë që është përgjegjëse ose bashkëpunëtore, i/e përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në aktivitete ose politika që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të ndonjë rajoni ose vendi në Ballkanin Perëndimor dhe që minon proceset demokratike dhe institucionet në rajon.

Sa për “Zajednicën” ose Bashkësinë e Komunave me Shumicë Etnike Serbe, ajo nuk paraqet në asnjë formë një “Republika Srpska” në Kosovë, e ngjashme me atë në Bosnjë e Hercegovinë. Kosova nuk është federatë e as Bashkësia e Komunave është njësi federative. Ka të drejtë Kurti kur thotë se vetëmenaxhimi është i ndryshëm nga vetadministrimi. Menaxhimi definohet si mënyrë e organizimit të gjërave dhe njerëzve brenda një institucioni, i cili nuk sjell, por vetëm zbaton politika dhe që punon nën administrimin. Është fakt se menaxhimi ka kompetenca ekzekutive, por vetëm për politikat e formuluara dhe të vendosura nga administrimi. Thjesht thënë, administrimi është rangu i lartë i qeverisjes që sjell politika, ndërsa menaxhimi është rangu i mesëm ose i ulët, që i ekzekuton ose zbaton ato politika që i janë dhënë nga lart.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X