loader image
July 26, 2024

Anatomia e Asociacionit e përcakton fituesin e marrëveshjes së Ohrit

Kjo zgjedhje racionale e Serbisë, me marrëveshjen e dakorduar verbale ndërmjet dy shteteve më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksit te implementimit të pajtuar në Ohër me datën 18 mars të këtij viti, i sjell përfitime më të mëdha Kosovës, por me kosto të varur nga fuqia dhe natyra e kompetencave dhe rregullimit të Asociacionit te Komunave me Shumicë Serbe. Anatomia e saj e përcakton fituesin nga kjo marrëveshje.

Shkruan: Asdren BYTYQI, Prishtinë

Marrëveshja e panënshkruar në Ohër prodhon një kornizë të re të drejtave dhe kompetencave të komunitetit serb në Kosovë, përtej të drejtave aktuale kushtetuese, përmes Asociacionit. Leximi i drejtë i kësaj marrëveshje do të varet nga shkalla e implikimeve kushtetuese që do të sjellë formimi i Asociacionit. Çdo analizë juridike deri në këtë fazë ngërthen shumë enigma dhe hipoteza, deri ne prezantimin e statutit zyrtar dhe përfundimtar të Asociacionit. Kosova fiton shumë, pa një asociacion me kompetenca ekzekutive. Kosova humb shumë më shumë se Serbia, me një asociacion me kompetenca ekzekutive. Rreziku ende nuk ka kaluar.

Hipotezat rreth Asociacionit

Asociacioni është entitet juridik, i cili i tejkalon të drejtat dhe detyrimet të cilat i kanë organizatat joqeveritare, të cilat themelohen me Ligjin për lirinë e asociimit në Kosovë. Juridikisht, është një entitet i ri juridik, i papërcaktuar me kushtetutë dhe i ndërmjetëm, njëkohësisht, ndërmjet pushtetit qendror (qeverisë) dhe pushtetit lokal (komunave). Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim lidhur me kushtetutshmërinë e dispozitave të marrëveshjes për parimet e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të vitit 2015, duke konstatuar se këto parime për themelimin e Asociacionit dhe hartimin e statutit të saj, nuk janë në frymën kushtetuese, me disa nga kapitujt kushtetues që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. Përmes këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka konsideruar se Statuti i Asociacionit duhet të themelohet në përputhje me dispozitat kushtetuese, duke lënë hapësirë të ndryshimit të karakterit të saj ligjor.

Politikisht, ky asociacion është leva e vetme e qeverisë serbe për ta ruajtur influencën dhe shtuar prezencën në shtetin e Kosovës dhe komunat me shumicë serbe, kjo si kundërpeshë e detyrimit të saj për njohjen e avancuar de-fakto të Kosovës me marrëveshjen ose planin franko-gjerman.

Juridikisht, ky asociacion, ende i pa konsoliduar ligjërisht, përmes një draft-statuti final mund të prodhojë pasoja juridike të dëmshme, posaçërisht nga tri fusha kritike të funksionimit të tij. Së pari, natyra e kompetencave duhet të kufizohet dhe rregullohet qartë dhe të ketë karakter autonom vetëm për rregullimin e jetës arsimore, fetare, kulturore dhe shëndetësore, të niveleve shëndetësore të cilat vetorganizohen nga komunat me shumice serbe që nga paslufta dhe nuk parasjellin probleme ose pasoja juridike për funksionimin unitar të shtetit të Kosovës. Kompetencat nga fusha e planifikimit hapësinor, ashtu siç janë paraparë në disa draft-statute, janë kritike, ngase ndërhyjnë në politikën e centralizuar qeveritare, andaj duhet të definohen nivelet e të drejtave të planifikimit hapësinor, pasi që për planifikimin e përgjithshëm strategjik në gjithë territorin e Republikës se Kosovës, në bazë të ligjeve në fuqi, i takojnë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, andaj mungesa e qartësimit mund të prodhojnë edhe konflikt të kompetencave. Së dyti, financimi ndërkombëtar i Asociacionit duhet të kalojë përmes buxhetit të Kosovës dhe për projekte të cilat duhet të merret miratimi i ministrisë përkatëse, se nuk bien në kundërshtim me interesat e përgjithshëm të Republikës së Kosovës. Çdo financim i pakontrolluar mund të prodhojë zhvillimin e këtyre komunave në drejtim të ndryshëm strategjik me komunat e tjera me shumicë joserbe dhe në kundërshtim me interesat e përgjithshëm të shtetit të Kosovës. Së treti, një entitet juridik i cili themelohet sipas ligjit, por nuk shuhet sipas ligjit, ne rast të veprimit në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet në fuqi apo sipas vendimit ose konstatimit të gjykatës kompetente, përbën një paradoks juridik të paprecedentë dhe të rrezikshëm në kuptimin e sigurisë juridike. Përcaktimi i situatave juridike të shuarjes së saj, përbën kontrollin më të mirë kushtetutës të ligjshmërisë së veprimit të këtij entiteti të ri juridik, të paraparë në Kosovë.

Përpjekjet rajonale për delegjitimim të ideve të organizim një etnik

Ideja për një Asociacion të Komunave me Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, është në shërbim të interesave politik të qeverisë së Kosovës më shumë sesa nevojë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ofrimi i një ideje të tille në Maqedoni të Veriut u shërben projeksioneve politike në Prishtinë, për ta ngritur nivelin maksimal të alarmit politik në rajon, për rrezikun nga një krijese e tille juridiko-politike. Me këtë, Kosova do të mund ta shtonte numrin e argumenteve politike, për rrezikun e një krijese të tillë ose formës së tillë (asociacion njëetnik), se sikur të mos ishte problematike në formatin e tillë, do të mund të pranohej edhe nga shtetet me përbërje shumetnike në rajon. Por, kjo ide e ka edhe një qellim tjetër të rëndësishëm, atë se projektet e tilla mund të shtojnë kërkesat politike për ndarje në baza etnike, të cilat projekte mund ta rrezikojnë karakterin unitar të shteteve kombëtare në Ballkan, të cilat ndryshime në baza etnike hasin edhe në kundërshtim të politikave afatgjate të Bashkimin Europian, për të përfshirë brenda BE-së shtetet e Ballkanit Perëndimor si shtete unitare. Ky konkluzion vlen edhe për shqiptarët në Mal të Zi, pozita dhe të drejtat e të cilëve janë të avancuara në demokracinë e përplasjeve malazeze-serbe.

Çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të adresohet nga Qeveria e Kosovës në diskutimet dhe marrëveshjet politike me shtetin e Serbisë, ngase Qeveria e Serbisë, në mënyrë sistematike po vazhdon represionin “ligjor”, përmes pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë, të cilët nuk jetojnë gjatë tërë kohës në vendlindje. Kjo është formë e butë, me metoda diskriminuese-ligjore, e jo të dhunës fizike, për spastrimin etnik të shqiptarëve, përmes shpopullimit. Mungesa e qëllimshme e investimeve dhe mungesa e zhvillimit ekonomik të asaj zone është tjetër faktor i shpopullimit të popullsisë shqiptare në Luginë.

Trashëgimia e detyrimeve shtetërore dhe presioni ndërkombëtar

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk ka ardhur si rezultat i një kërkese të unifikuar dhe imponuese të fuqive ndërkombëtare osei një procesi ndërkombëtar për vlerësimin e statusit përfundimtar për Kosovën, sikurse Pakoja e Ahtisarit, por ka ardhur si rezultat i vetë pajtimit dhe vetë imponimit të qeverisë Thaçi dhe pastaj Mustafa, në krye me dyshen Mustafa-Thaçi. Ky vetëpajtim i vullnetshëm, por mospërfillës ndaj përmbajtjes së aspekteve juridike të saj dhe përputhshmërinë me kushtetutën, solli një organizëm të tillë ligjor, i cili për fuqitë perëndimore duhet të zbatohet si detyrim i marrë ndërkombëtar i shtetit tonë.

Ky asociacion nuk është imponim ndërkombëtar nga lart, por është pranim i vullnetshëm nga poshtë. Marrëveshjet ndërkombëtare kanë karakter detyrues ndaj palëve, të cilat marrin përgjegjësi shtetërore për zbatimin e atyre detyrimeve, andaj nuk kemi të bëjmë me standarde të dyfishta të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës, por presion të lartë politik, të mbështetura në argumente politike, për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga vetë palët. Çështja më e rëndësishme në këtë debat është ajo se a do ta mbështesin fuqitë ndërkombëtare Kosovën për të hartuar një statut të Asociacionit, i cili është në frymën kushtetuese dhe parandalon defunksionimin unik të shtetit, shkaktimin e krizave politike ose sjell konflikte ligjore.

Asociacioni në Kosovë nuk është rezultat i nevojave të komunitetit serb për organizim të përbashkët politik ose më shumë të drejta vetëqeverisëse, pasi që me pakon e Ahtisarit, rrjedhimisht me Kushtetutën e Republikës, serbët si komunitet joshumicë kanë më shumë të drejta civile dhe politike në raport me shumicën e popullsisë shqiptare ose me cilëndo pakicë tjetër në rajon dhe në Europë. I njëjti konstatim vlen edhe për Maqedoninë e Veriut, ku pakica e konsiderueshme shqiptare përmes Marrëveshjes se Ohrit, e zbatuar përfundimisht edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve të vitit 2018, u jep shqiptarëve më shumë të drejta dhe pozitë shumë më të avancuar në jetën politike, institucionale dhe shoqërore në këtë shtet.

Përfitimet e shteteve nga kjo marrëveshje

Dinamika ndërkombëtare e përqendrimit të fokusit në zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, vjen si rezultat i një mori faktorëve të kombinuar, përkatësisht i luftës në Ukrainë, bindjes politike ndërkombëtare për afrimin më të shpejtë të Serbisë drejtë BE-së dhe boshtit perëndimor, shkëputjes më të madhe nga Rusia dhe forcimit të varësisë politike dhe ekonomike nga Perëndimi, si dhe eliminimit të potencialit të saj, si vatra më e rrezikshme e prodhimit të krizave politike dhe etnike në Ballkan, përmes kontrollit integrues të saj në BE. S’ka dyshim se përpjekjet politike dhe diplomatike të SHBA-së dhe BE-së mbi Serbinë janë ndoshta më të lartat pas luftës në Kosovë, për afrimin e saj përmes joshjeve ekonomike dhe integruese ose sanksioneve të rënda politike dhe ekonomike. Pozita e vështirë e Serbisë, në mes të popullit ideologjikisht më prorus, kurse në anën tjetër ekonomisë së varur nga Perëndimi, e ka detyruar qeverinë serbe që të bëjë një zgjedhje racionale, para asaj ideologjike.

Kjo zgjedhje racionale e Serbisë, me marrëveshjen e dakorduar verbale ndërmjet dy shteteve më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksit të implementimit të pajtuar në Ohër më 18 mars të këtij viti, i sjell përfitime më të mëdha Kosovës, por me kosto të varur nga fuqia dhe natyra e kompetencave dhe rregullimit të Asociacionit te Komunave me Shumicë Serbe. Anatomia e saj, e përcakton fituesin nga kjo marrëveshje.

Kjo marrëveshje i sjell Serbisë përfitime ekonomike, me kosto që ajo de-fakto e pranon Kosovën, duke ia konfirmuar Kosovës shtetësinë e saj, si projekt i përfunduar perëndimor. Kjo marrëveshje ia njeh mëvetësinë Kosovës në kuptimin real-juridik, pasi që i njeh të gjitha atributet me te cilat identifikohet një shtet si i pavarur, respektimin e pavarësisë, sovranitetit, të drejtën e vetëvendosjes, integritetit territorial, përmbajtjen nga çfarëdo kërcënimi ose përdorimi të forcës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (përmbajtja nga kërcënimet me luftë ose agresion mbi territorin e shtetit tjetër), supozimin se asnjë palë nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në arenën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj (pra, Serbia nuk mund ta pretendojë se e përfaqëson Kosovën si pjesë e saj), si dhe ndalimin e Serbisë nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në rast se Kosova do të mund të materializojë këtë marrëveshje, me mbështetje perëndimore, do të mund ta përfitojë statusin e anëtarit kandidat të BE-së, që nënkupton njohje formale nga Bashkimi Europian, i cili entitet politik ndërkombëtar nuk e njeh ende Kosovën si shtet, për shkak të mungesës së njohjes nga 5 shtetet e BE-së, do të përfitojë njohjen e vendeve mosnjohëse të BE-së, do të mund të përfshihet në programin e NATO-s (Partneriteti për Paqe), si fazë hyrëse për anëtarësim, do të përfshihet në Këshill të Europës, në Interpol, e ndoshta edhe në OKB, i cili inkuadrim do të varet edhe nga strategjia e zgjedhur politike e Rusisë, karshi Kosovës, Serbisë dhe Perëndimit.

Kësisoj, forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes inkuadrimit në procese integruese në BE ose mekanizma të rëndësishëm të sigurisë, si NATO, pashmangshëm do t’ia lehtësonte cilësdo qeveri në Serbi, tani ose në të ardhmen, që më me lehtësi t’ia arsyetojë popullit të vetë faktin se Kosova është një luftë përfundimisht e humbur dhe kësisoj realiteti imagjinar-romantik i serbëve për Kosovën do të zbehej dukshëm, karshi një ballafaqimi me një realitet të pakthyeshëm, duke e reduktuar rezistencën për një njohje de-jure në një të ardhme jo shumë të largët.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X