loader image
December 14, 2024

Zbatimi i Asociacionit për Kosovën nuk është e keqja më e vogël

Meqenëse për lidershipin serb, Asociacioni është kushti kryesor për zbatimin e marrëveshjeve të tjera, pavarësisht se në propozimin franko-gjerman nuk është saktësuar konkretisht çfarë e si do të zbatohet, të paktën për njërën nga palët është më se e qartë se çfarë përfaqëson i ashtuquajturi “vetëmenaxhim i pakicave” në një shtet me pakica tashmë de facto të vetëmenaxhuara. Në këto kushte, nëse e ardhmja europiane e Kosovës varet nga zgjerimi i të drejtave të pakicave etnike që e shohin si armiqësor shtetin ku bëjnë pjesë, shtyrja në kohë e anëtarësimit nuk është veçse e keqja më e vogël.

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Samiti i 18 marsit në Ohër ishte tentativa e radhës nga ana e diplomacisë europiane për arritjen e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë. Përzgjedhja e Ohrit për zhvillimin e këtij takimi nuk qe diçka e rastësishme, pasi Marrëveshja e Ohrit (e vitit 2001) është parë si model dhe shembull pozitiv nga BE-ja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajon dhe frymëzimin e lidershipit serb dhe atij shqiptar të Kosovës. Mirëpo, në përfundim të takimit, rezultatet e arritura sërish nuk sollën asgjë të re, përpos pajtimit të palëve me Planin e Normalizimit të Marrëdhënieve të hartuar nga BE, detyrimet që duhet të përmbushin të dyja vendet në zbatimin e secilës prej pikave dhe, për rrjedhojë, në mosfirmosjen e asnjërit prej liderëve respektiv. Pak ditë përpara 18 marsit, disa nga liderët kryesorë të BE-së patën dhënë mesazhe të qarta në lidhje me rëndësinë që paraqet ky plan jo vetëm për politikat e BE-së në rajon, por edhe për anëtarësimin europian të Serbisë dhe Kosovës. Madje, pas më shumë se 10 orësh negociata, reagimet e perëndimorëve dukeshin pozitive, a thua se tashmë marrëveshja qe mbyllur me sukses dhe pritej veç implementimi i saj. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i përgëzonte të dy liderët për arritjen e kësaj marrëveshjeje, ashtu sikurse edhe qeveria gjermane i shprehte urimet qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë për arritjen e kësaj marrëveshjeje çka – të paktën sipas zëdhënësit të Qeverisë Federale, Steffen Hebestreit – shënon një përparim të rëndësishëm në dialogun mes dy vendeve. Krejt ndryshe është interpretuar ky takim në perspektivën e Serbisë dhe Kosovës, ku si Vuçiqi, ashtu edhe Kurti i kanë kushtuar më tepër rëndësi mosfirmosjes së marrëveshjes sesa arritjes së “pajtimit”. Në fakt, suksesi i figurës politike të këtyre liderëve në vendet respektive mbështetet pikërisht në mungesën e marrëveshjes me tjetrin. Siç mund të shihet nga reagimet e opozitës në Serbi të nesërmen pas Samitit të Ohrit, akuza kryesore që i bëhet Aleksandër Vuçiqit ishte pikërisht se përmes pajtimit me planin europian ai po e njihte pavarësinë e Kosovës. E njëjta gjë po ndodh edhe në Kosovë, ku opozita e akuzon Albin Kurtin se e ka pranuar Asociacionin pa siguruar njohjen nga Serbia. Në këtë kuptim, duket sikur kemi të bëjmë me dy aspekte të kundërta të së njëjtës ngjarje: në perspektivën e BE-së, të dy liderët duhet të shfaqen të gatshëm për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe për të zbatuar marrëveshjet reciproke, teksa nga ana tjetër, nëse vërtetë e realizojnë këtë, do të hasin kundërshti me elektoratin që i ka votuar dhe, me shumë gjasë, do ta vendosin në rrezik mandatin e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Pavarësisht të gjithave, deri tani diçka duket e sigurt: Aleksandër Vuçiqi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mbështetja e nacionalistëve serbë, ndërsa Albin Kurti kurrsesi nuk do të vepronte siç kanë bërë në të shkuarën Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në raport me Zajednicën, të cilët kur ishte në opozitë i ka kritikuar vazhdimisht për lëshimet që ata u kanë bërë Serbisë. E gjithë mbështetja dhe popullariteti i këtyre liderëve në vendet respektive varet vetëm nga mosdakordësia e tyre me tjetrin, sidomos mbi çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Refuzimi i nënshkrimit të marrëveshjes me tjetrin nuk bën gjë tjetër, veçse i forcon pozitat e këtyre liderëve në politikën e brendshme të shteteve respektive, veçanërisht te lideri serb: në rastin e Vuçiqit, meqenëse po u bën qëndresë ndërkombëtarëve sa i takon njohjes së Kosovës, kurse në rastin e Kurtit ngase po vazhdon t’i bëjë rezistencë Asociacionit, siç nuk ka bërë asnjëri prej paraardhësve të tij në qeveri. Nga kjo pikëpamje, të dy liderët po i bëjnë jehonë publike korrigjimit të gabimeve që kanë kryer paraardhësit e tyre në pushtet.

Por, duke qenë se Asociacioni është kthyer në një instrument elektoral nga liderët respektivë, gjithsecili duke u paraqitur si qëndrestar në sytë e opinionit publik, pothuaj askush nuk po merret me ndryshimet që sjell Asociacioni në të drejtat politike të komunave serbe të Kosovës. Pala serbe e ka vendosur si kusht të domosdoshëm zbatimin e Asociacionit nga qeveria e Kosovës në këmbim të përmbushjes së neneve të marrëveshjes dhe aneksit të saj ku ndër të tjera përmendet njohja de facto e shtetit të Kosovës dhe simboleve të tij. Tashmë u bënë disa vjet që po vazhdon të debatohet pa u arritur një zgjidhje sa u takon negociatave mbi Asociacionin, paçka se ende nuk është bërë e qartë nëse bëhet fjalë për dhënien e funksioneve ekzekutive ose jo kundrejt të drejtave politike të pakicës serbe për vetëqeverisje. Risia (nëse mund të quhet e tillë) pas takimit të Ohrit ishte që Albin Kurti kësaj here e përdor termin “vetëmenaxhim”. Sikundër shkruajnë juristët dhe specialistët e së drejtës ndërkombëtare, në marrëveshjen me 11 nene për të cilën është rënë dakord, “loja me fjalë” është bërë sidomos te neni 7 ku flitet për Asociacionin. Në këtë nen, teksa kërkohet nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen “për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, as Aneksi dhe as Marrëveshja e 27 shkurtit nuk e shpjegojnë në mënyrë specifike se si do të implementohet Asociacioni. Ende nuk dihet se çfarë nënkupton vetadministrimi (në Marrëveshje thuhet vetëmenaxhim), në cilat sfera do të zbatohet ai dhe cilat të drejta do t’i jepen konkretisht “komunitetit serb”, e që ky komunitet ende nuk i ka. Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Britanik, Alicia Kearns, pak kohë më parë deklaronte se pikërisht për shkak të mungesës së specifikimit të shkallës së vetëmenaxhimit, Britania e Madhe do të dalë kundër idesë së Asociacionit në Kosovë, siç është formuluar nga plani franko-gjerman. Sipas Kearns-it, “Plani ka probleme në përcaktimin e nivelit të vetëmenaxhimit. Paqartësia e gjuhës është problematike. Flitet për vetëqeverisje. Çfarë do të thotë? A do të thotë kjo administrim i ujit, rrymës së gazit apo vetëqeverisje do të thotë struktura të përveçme qeverisjeje?” Mandej, ajo vijon duke deklaruar haptazi se “ne nuk do ta lejojmë një Republikë Srpska në Kosovë. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo çon në konsolidimin e etnonacionalizmit dhe aspak në unitet”. E vetmja pjesë e qartë e nenit 7 të Marrëveshjes është kur thuhet se “Sigurimi i nivelit të duhur  të komunitetit serb” do të realizohet duke “përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia”, porse për çfarë sferash do të jepet kjo mbështetje financiare mbetet ende e pasaktësuar. Paqartësia e mënyrës se si do të zbatohet Asociacioni i ka fryrë dukshëm edhe më tej retorikat populiste në të dyja vendet. E në mungesë të specifikave të zbatimit është e kuptueshme se duke lejuar kaq shumë hapësirë interpretimi, perceptimi mbi vetëmenaxhimin e komunave serbe merr formën e një strukture paralele nën patronazhin e Beogradit. Në mungesë të specifikave të zbatimit, privilegjet e deritanishme të komunitetit serb në Kosovë e bëjnë Asociacionin vërtet të duket si një hap i mëtejshëm drejt krijimit të një formacioni politik paralel që mund ta rrezikojë funksionimin e shtetit. Duhet rikujtuar këtu se bëhet fjalë për një pakicë që aktualisht administron 10 nga 38 komunat e vendit (më shumë se 25%) për një popullsi që përbën më pak se 5% të numrit total të popullsisë. Gjithashtu, meqenëse nisma të tilla si asociacionet etnike ndërmerren me qëllim të rritjes së shkallës së integrimit të pakicave në shoqëri, vullneti i deritanishëm i pakicave serbe, pavarësisht të drejtave të tyre të zgjeruara, ka qenë më tepër për t’u kthyer në një instrument të qeverisë serbe (e cila jo vetëm i përkrah, por i ka krejtësisht nën kontroll deputetët e Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës) sesa për t’u integruar në vendin e tyre. Për më tepër, pavarësisht Marrëveshjes së Ohrit, që diplomatët europianë po e paraqesin si një hap progresi në marrëdhëniet mes dy vendeve, partia më e madhe e serbëve të Kosovës (Lista Serbe) vetëm dy ditë pas takimit në Ohër deklaroi se nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj në mosmarrjen pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit. Prandaj, edhe nëse neni 7 i Planit për Normalizimin e Marrëdhënieve nuk e shpreh fort qartë mënyrën se si do të realizohet Asociacioni, qëndrimet e Aleksandër Vuçiqit (që pas takimit e ritheksoi: “njohja e Kosovës mbetet në vijën e kuqe”) dhe ato të Listës Serbe e tregojnë shumë më qartë se cilave qëllime u përgjigjet zbatimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. E përderisa problemi më emergjent i Kosovës aktualisht mbetet konsolidimi i sovranitetit dhe autoritetit shtetëror dhe jo zgjerimi i mëtejshëm i të drejtave të minoritetit serb (minoriteti që përbën pengesën kryesore për sovranitetin) pranimi i marrëveshjes do t’i shtonte më tej pasiguritë për të ardhmen e vendit. Nga ana tjetër, meqenëse për lidershipin serb, Asociacioni është kushti kryesor për zbatimin e marrëveshjeve të tjera, pavarësisht se në propozimin franko-gjerman nuk është saktësuar konkretisht çfarë e si do të zbatohet, të paktën për njërën nga palët është më se e qartë se çfarë përfaqëson i ashtuquajturi “vetëmenaxhim i pakicave” në një shtet me pakica tashmë de facto të vetëmenaxhuara. Në këto kushte, nëse e ardhmja europiane e Kosovës varet nga zgjerimi i të drejtave të pakicave etnike që e shohin si armiqësor shtetin ku bëjnë pjesë, shtyrja në kohë e anëtarësimit nuk është veçse e keqja më e vogël. Edhe në rast se Asociacioni në një të ardhme do të pranohej, mbetet ende për t’u përcaktuar se cilin nga modelet e ndryshme të Asociacioneve të zbatuara në Europë do të merret si referencë për rastin e Kosovës, ndonëse në asnjërin nga modelet e propozuara nga Miroslav Lajçak (pakicat suedeze në Finlandë, austriakët e Italisë ose 26 kantonet e Zvicrës etj.) deputetët përfaqësues të pakicave nuk kontrollohen nga qeveria e shteteve fqinje.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X