loader image
May 19, 2024

Vath Koreshi, shkrimtari që solli një filozofi të re në prozën shqipe

“Gjithë jetën kam kaluar këllëç më këllëç, syrin e kam pasur të ruhesha, të dredhoja, s’kam fjetur e s’jam qetuar një herë, por tërhiq e tërhiq atë qerre nëpër luftëra e intriga. Kam parë vetëm shëmti në këtë botë, s’kam ndjerë gjë në zemër veç urrejtje, inate, dëshpërime që mos ma kishin me hile, etje për hakmarrje dhe atë gazin e zi kur ndieja se i fusja të gjithë përfund”. (Fragment nga monologu i personazhit Ali Pashë Tepelena në novelën “Konomeja” të autorit Vath Koreshi, fq. 27).

Shkruan: Jolanda LILA, Tiranë

Nëse do të na duhej të gjenim një emërues të përbashkët motivor të të gjithë korpusit të veprave të Vath Koreshit, mund të themi se rrënimi i shpirtit njerëzor është lajtmotivi kryesor i veprave të tij. Kjo spikat sidomos pas viteve ’90-të, kur bashkë me lirinë e individit u shpërfaqën edhe problematikat kryesore dhe dramat e shumëfishta individuale e sociale në Shqipëri.

Ai, si vëzhgues i mprehtë i dukurive shoqërore dhe i vibracioneve të shpirtit njerëzor, ka qenë përherë në kërkim të ligjërimit të duhur artistik për t’i përçuar këto fenomene. Në veprat e veta ai ka operuar gjithnjë sipas logjikës së raportit që ekziston mes letërsisë dhe jetës shpirtërore të njeriut. Aktualizimin e problematikave dhe fatin universal të qenies njerëzore, ai i ka rrokur edhe kur ka trajtuar subjekte të kohës historike para shumëshekullore. Për këtë arsye, novelat, romanet, por edhe shkrimet e tij publicistike, lexohen me endje në çdo kohë, ndërsa skenarët e filmave të tij vijojnë të vlerësohen për galerinë e personazheve dhe të subjekteve, të cilat krijojnë shëmbëlltyrën e mendësisë shqiptare dhe të ndjesive njerëzore, që më tepër se me realitetin rrethues, lidhen me ekuilibrin e brendshëm që njeriu vendos ose zgjedh, përballë këtij realiteti.

Thellësia e interpretimit të emocioneve, ndjesive, mendimeve, mendësive dhe veprimeve të qenies njerëzore shqiptare, në veçanti, dhe universale, në përgjithësi, mbeten boshti i veprimtarisë së tij krijuese 40-vjeçare.

Gjatë këtyre 4 dekadave të punës krijuese ai ishte tepër aktiv e produktiv, duke lënë pas shumë vepra letrare, por edhe vepra të pashkruara në dobi të kulturës e shoqërisë shqiptare, të cilat i përkasin kohës kur shërbeu në pozicione drejtuese në sferën e kulturës ose si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

“Jetëgjati” që krijoi vepra të pavdekshme

 “U linda në Lushnjë me shtatë maj të vitit 1936. Emrin në të vërtet ma kanë vënë Ymri, pasi prindërve të mi u kish vdekur një djalë, Nevruzi, ai që kishte lindur para meje, kështu që Ymri do të thoshte Jetëgjatë. Por me këtë emër nuk më thirrën kurrë. Sipas një besëtytnie, në vesh më vunë një vëth argjendi, që të rroja sa ai metal dhe më thërrisnin Vath”.

Vath Koreshi lindi në qytetin e Lushnjës dhe siç e dëshmon edhe vetë, prindërit i vendosën emrin Ymër ose Jetëgjatë. Ai vërtet nuk pati një jetë shumë të gjatë, siç e shënjonte profecia e emrit të vet, por përgjatë 70 vjetëve të jetës së tij, ai la pas një veprimtari të gjerë në fushën e letërsisë dhe të kinematografisë. Veprat “Ulku dhe Uilli”, “Konomea”, si dhe skenarët e filmave “Dasma e Sakos”, “Rrugë të bardha”, “Gjeneral gramafoni”, “Liri a vdekje”, sipas këndvështrimit tonë, mbeten krijimet e pavdekshme të tij, të cilat do të rrojnë sa një “vëth prej ari”, duke mos e humbur shkëlqimin, edhe pse pluhuri i viteve mund të përpiqet t’i mbulojë. Çdo shkrimtar përfshihet nga ambicia për të krijuar vepra të pavdekshme, por Vath Koreshi duket sikur e ka pasur me tepri këtë dëshirë sqimatare, jo për famën, por për të dëshmuar tiparet e talentit të vet. Fjala e magjishme dhe kompozicioni, narracioni shumëfish i shtresëzuar dhe kodet e krijimit të figurës janë tregues jo thjesht i aftësive të tij krijuese, por edhe i punës së jashtëzakonshme rishikuese e përpunuese të tekstit. Frazat e latuara me pasuritë leksikore e frazeologjike të shqipes ta krijojnë qartë shëmbëlltyrën e përpjekjeve të tij titanike për të mbërritur në stadit e vetëpërsosmërisë së të shkruarit. Është pikërisht ky tipar ai që i dallon shkrimtarët e talentuar nga të patalentuarit, sepse veçanërisht në këtë fushë të veprimtarisë shoqërore talenti nuk vlen asgjë pa punën këmbëngulëse e të palodhur.

Që në fëmijëri, Vath Koreshi fitoi aftësitë e punës këmbëngulëse, nën shembullin e prindërve të vet. Studimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa më pas u zhvendos drejt Tiranës, për të mos u ndarë më prej kryeqytetit.

Në vitin 1955 e përfundoi politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë, ndërsa në vitin 1960 nisi studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë.

Përfundimi i studimeve universitare, pikërisht viti 1964, shënjon edhe përcaktimin e drejtimit të tij jetësor, pasi ai emërohet gazetar në gazetën “Zëri i rinisë”. Në vitin 1973 do të zhvendoset në gazetën letrare “Drita”, e cila do të shërbente si tribunë për pasqyrimin e krijimtarisë së tij artistike, por edhe për botimin e shkrimeve publicistike dhe analizave letrare për vepra të ndryshme të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Emërimi i tij në shtypin periodik letrar të kohës nuk erdhi thjesht për faktin se ai i përfundoi studimet e larta për gjuhë-letërsi, por sepse ai bashkë me diplomën universitare u prezantua përpara lexuesve me vëllimin me tregime: “Kur zunë shirat e vjeshtës”. Kjo “vjeshtë” e parë e sprovës së tij krijuese qëlloi mjaft produktive, sepse në vitet 1964-1975 ai do të botonte edhe disa libra të tjerë në prozë: “Tregime të zgjedhura”, “Ndërrimi i qiejve”, “I dashuri i saj i parë”, si dhe romanet “Mars”, “Dy të shtunat e Suzanës” dhe “Mali mbi kënetë”.

Kultura e tij e thellë dhe narracioni i shkëlqyer artistik që spikatën në këto libra u bënë shkas që ai të shkëputej nga gazetaria aktive dhe të emërohej si skenarist në kinostudion “Shqipëria e re”. Gjatë viteve të punës në Kinostudio (1977-1983) ai do të hartonte skenarë filmash me metrazh të gjatë, mjaft të suksesshëm dhe të pëlqyer nga publiku, të tillë si: “Rrugë të bardha” (1974), “Liri a vdekje”(1978), “Nga mesi i errësirës” (1978). Punën si skenarist filmash do ta vijonte edhe në vitet e demokracisë, duke sjellë filma të pavdekshëm si: “Dasma e Sakos” (1998), “Porta Eva” (1999) dhe deri te filmi i fundit “Syri Magjik” në vitin 2005, pra një vit para se të ndahej nga kjo botë.

Pas disa viteve si shkrimtar në profesion të lirë, kohë në të cilën ai shkroi disa prej veprave më të bukura prozaike, ai emërohet drejtor i Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Kulturës dhe në vitin 1992 bëhet ministër i Kulturës, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 1993. Gjatë kësaj kohe ai u zgjodh edhe deputetet në legjislaturën e 16-të të Kuvendit të Shqipërisë. Angazhimi i tij në politikë ishte i lidhur ngushtësisht me veprimtarinë aktive për mbështetjen dhe zhvillimin e kulturës dhe të artit shqiptar, në përgjithësi, gjë të cilën e dëshmojnë edhe fjalimet e tij parlamentare.

Përgjatë viteve të tranzicionit iu rikthye edhe dashurisë për shtypin e shkruar, duke themeluar dhe drejtuar revistën “Art”, qysh në vitin 1991. Nga viti 1995-2000 ka qenë edhe drejtues i Shtëpisë Botuese “Onufri”.

Tre dimensionet e jetës: Mes letërsisë, kinematografisë dhe politikës

Autori i sa e sa personazheve në veprat e tij artistike, parakuptohet se ishte një zhbirilues i psikikës njerëzore edhe në jetën reale. Gjetja e kuptimin mbi jetën e njeriut dhe mbi atë se çka e rrënon qetësinë e tij shpirtërore e kishte bërë një bashkëbisedues të shkëlqyer në jetën reale. Sipas dëshmive mediatike të miqve që e kanë njohur nga afër, pohohet njëzëri se ai kishte aftësi të shkëlqyera për të krijuar marrëdhënie njerëzore me miqtë e kolegët. Në këtë drejtim, ishte i pangjashëm me askënd tjetër. Natyra e tij e qetë dhe babaxhane, si dhe forca e karakterit që kishte, arrinte madje deri aty, saqë edhe armiqtë t’i kthente në miq.

Ai u shfaq në skenën letrare shqiptare në vitet kur era e liberalizmit kishte feksur në letërsinë shqipe, duke shënuar një kthesë të rëndësishme cilësore në rrjedhat e saj. Ishin vitet e ’60-ta, të njohura ndryshe edhe si vitet e novatorizmit, për shkak të formave të reja artistike e këndvështrimeve të ndryshme tematike, që sollën një grup autorësh të rinj, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Vedat Kokona, Zija Çela, Fatos Arapi, etj. Shumë shpejt këtij grupi do t’i bashkohej edhe djaloshi 22-vjeçar, duke botuar për herë të parë, më 1994, librin “Kur zunë shirat e vjeshtës”.

Në total ai shkroi rreth 20 tituj skenarësh me metrazh të gjatë e të shkurtër, filma të cilët spikasin për zhbirimin e thellë të personazheve dhe ndërtimin e figurave arketipore. Nën prizmin e filozofisë ekzistencialiste, personazhet që ai i krijon janë të shumëfishta dhe jetojnë në disa dimensione, mes realitetit dhe imagjinatës, mes shqisores dhe vegimit, mes botës së jashtme dhe asaj të brendshme. Këto specifika të personazheve dalin në pah në të gjitha veprat e tij, ku në total shkroi 10 romane, 4 vëllime me novela, 4 përmbledhje me tregime dhe dhjetëra e qindra artikuj mbi problemet e gjuhës, të artit dhe të letërsisë në përgjithësi.

Gjithashtu, ai ka qenë tepër aktiv edhe në veprimtarinë e tij gazetareske e politike, duke treguar se di ta administrojë më së miri jo vetëm kompozicionin e veprave të veta, por edhe problemet e artit dhe të kulturës në përgjithësi.

Ai shquhet jo vetëm për gjetjet mjaft interesante në fushën e prozës, por edhe për ndërtimin e romanit midis pikturës, muzikës dhe filmit, të cilat e ndezin imagjinatën vizive të lexuesit. Për ta ilustruar këtë po paraqesin vetëm një fragment të shkurtër nga romani i tij “Ulku dhe Uilli”: “Dëgjohej rënkimi i shpirtit të Vranës, që frynte e shfrynte dhe zhaullima e zileve që ngrihej e ulej tallaz-tallaz. Ku po shkonte ai ashtu nëpër atë dritë hëne dhe nëpër shtegun e Gurit të Shugjanit gjithmonë e më përpjetë malit? Pastaj diku pat ndalë dhe qe kthyer përsëri poshtë”…

Aliteracioni ose përsëritjet e tingujve të njëjtë gjatë fjalisë krijojnë muzikalitetin e frazës, por edhe të shpien në atmosferën shpirtërore të personazhit. Një atmosferë e tillë mbizotëron në të gjithë prozën e Vath Koreshit, e cila mbetet ende për t’u studiuar dhe interpretuar.

Si përfundim, vlen të theksojnë gjithashtu se ky narrator me talent të spikatur nuk është vlerësuar sa duhet nga kritika shqiptare dhe pothuajse nuk është përkthyer në asnjë gjuhë të botës, në mënyrë që vepra e tij të bëhet universale, ashtu si mesazhet dhe vlerat gjithësore që bart brenda vetes.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X