loader image
July 27, 2024

Për 14 fjalët e fonetizuara në KDGJSH-1972

Për të thënë diçka më saktë për vokalitetin e gjuhës standarde të shqipes duhet sjellë dhe përligjur rregullat e drejtshqiptimit, për të vendosur, njëherë e përgjithmonë, këtë problem (mendohet në drejtshqiptimin) të drejtshqiptimit përgjithësues, të cilin e kërkonin disa pjesëmarrës në Kongresin e drejtshkrimit në krye me Menela Totonin.

Shkruan: Haki Ymeri-Bina

Shënimi 1. në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”, Prishtinë, 1974, f. 44 & 5b, e shënon listën e 14 fjalëve të fonetizuara si përjashtim nga rregulla e drejtshkrimit të fjalëve të prejardhura të përbëra dhe të përngjitura, me arsyetim: “Për shkak të ngulitjes prej kohësh, të shqiptimit dhe shkrimit në gjuhën letrare shkruhen pa [ë] në temë fjalët: “amtar (nga amë), besnik (besë), fillestar (fillesë), furrtar (furrë), kishtar (kishë), lojtar (lojë), meshtar (meshë), nevojtar dhe nevojtore (nevojë), ngatërrestar (ngatërresë), pishtar (pishë), rojtar (rojë), zyrtar (zyrë), atdhe (atë)”. Vetëm kaq, e asnjë fjalë më tepër, me një arsyetim të paqëlluar sikur në shqipen e kohës së Kongresit të Drejtshkrimit nuk u gjetën më tepër se 14 fjalë të tjera, që duhej fonetizuar për shkak të lehtëshqiptimit të tyre. Ky numër i vogël fjalësh të fonetizuara flet sheshit për mospërfillje të mendimit të shumicës së kandidatëve të KDGJSH-së dhe punës pesëvjeçare të njerëzve të praktikës për zbatimin mbizotërues të parimit fonetik (në paradigmatikë) në drejtshkrimin e gjuhës standarde. Ja edhe tani, dëgjojeni një avaz të njëjtë. Flitet që kësaj bashkësie fjalësh t’i shtohen edhe format e fonetizuara: gojtar e jetestar nga gojëtar (me temë gojë) dhe jetesëtar (me temë jetesë). Normalisht se këto 2 forma fjalësh pa [ë] në temë, tani për tani, janë ende të papërligjura në mënyrë institucionale, prandaj siç e do rregulli (rendi), duhet pritur deri sa të organizohet një tubim shkencor me tagër për ta bërë këtë. Ja pas 5 dekadash kemi gjasa t’i “amnistojmë” edhe dy fjalë të tjera, që do të thotë se, gjeneratë pas gjenerate, nëse vazhdohet me këtë temp fonetizimi, do ta zvogëlojmë, sado pak, frekuencën e përdorimit të zanores [ë] krahasuar me frekuencën e përdorimit të zanores [e]. Nuk ma merr mendja se këto dy fjalë mund të bëjnë diçka për të rënë zanorja [ë] nga kreu i tabelës së vendit të parë që “udhëheq”me frekuencë në “garë” me 6 zanoret e tjera të gjuhës standarde shqipe. Vallë, a duhet në çdo 5 dekada të fonetizohen vetëm nga dy fjalë për ta zmadhuar këtë numër “përjashtimesh” në 16, pastaj në 18 e 20 fjalë,… që pas 100 viteve kjo bashkësi fjalësh si përjashtime të na zmadhohet në 20 fjalë. Kështu e ka kjo punë, kur rregullshkruesit bëjnë rregulla, pa hezituar se kjo punë e tyre nuk e ndihmon aq sa duhet popullin e tërë shqiptarë. Mirëpo, besoj se nuk do të jetë ashtu në të ardhmen. Jam më se i sigurt se ndonjërës prej gjeneratave do t’i kujtohet një ditë të shohë dhe të mendojë më shtruar se çka u bë me atë frekuencë të madhe të [ë]-së në veprën e Buzukut.

Një profesor i dashuruar në fonemën [ë], drejtshkrimi i së cilës rregullohet me 85% të rregullave të drejtshkrimit të shqipes nga 100% sosh, përfshi edhe 6 zanoret e tjera, këtë hamulli rregullash e arsyeton me faktin se edhe Buzuku e paska përdorur shumë [ë]-në“ në veprën e tij Meshari”. Paramendoni çfarë “zbulimi” dhe arsyetimi përdor ky profesor, për të arsyetuar diçka që nuk ”pi ujë në shkencën linguistike” kur bëhet fjalë për perfeksionim të gjuhës dhe ndryshueshmëri të vazhdueshme të saj si organ i gjallë. Buzuku, me siguri, s’ka përdorur më shumë [ë] se Lekë Matrënga, mirëpo po ju garantoj se shumë më tepër se rilindësit në punimet e tyre. Prandaj, le të pyetën ata që s’mendojnë kështu: “Pse populli shqiptar, gegë e toskë, që jetoi me qindra vjet pas këtyre shkrimtarëve i fonetizoi mijëra fjalë vetë, pa ndihmë të ndonjë institucioni, të cilin nuk e kishte? Pse nuk i ruajti ato morfoforma, në numër dhe në formë siç i kishte atëherë? Pse ne nuk i ruajtëm format që i volëm nga “Meshari” i Buzukut, si: “Vepëratë e Krishtit”; “ndë vetënë”;të velëtë”;të korrëtë”; “duhetë”; “punuarë”; “shkuamë”…? Pse fjalët e Naimit “luletë” dhe “verësë” u bënë lulet dhe verës? T’i ruanim këto forma fjalësh të Buzukut e të Naimit, apo jo?! Normalisht se jo. Edhe ata vetë, sikur të jetonin në këtë kohë, do t’i kishin shndërruar këto fjalë me shumë rrokje në fjalë me më pak rrokje, si p.sh. “vepëratë”veprat; “vetënë” veten;të velëtë” të vjelat;të korrëtë” të korrat; “duhetë” duhet etj. Lidhur me këtë Prof. Beci, në punimin e tij “Rreth parimit tradicional-historik”, të lexuar në KDGJSH, shkruan: ”...është thënë se me përdorimin e [ë]-së do ta ruajmë traditën e shkrimit, se vetëm në bazë të kësaj tradite mund të sigurojmë një ortografi gramatikore të drejtë dhe pa lëkundje…” Asnjeri nuk do ta përshëndeste sot ruajtjen e [ë]-së fundore në fjalët proparoksitone të tipit Luletë e verësë, “meqenëse kështu shkruhej në kohën e Rilindjes”.

Në këtë drejtim do të parashtroj pyetjen se pse populli nuk e ruajti strukturën trerrokëshe, por një mori fjalësh të këtilla i bëri dyrrokëshe? Populli e dinte më mirë se çdokush tjetër ç’duhej të bënte, meqenëse ishte i vetëdijshëm se pas rënies së [ë]-së nuk “fundoset bota”, e as nuk “shkatërrohet kalaja”, ashtu si nuk pësuan asgjë serbishtja e maqedonishtja dhe qindra gjuhë të tjera indoevropiane që u liruan nga shvaja, e cila ende ruhet e motivuar nga tradita në disa gjuhë indoevropiane. Mbetën edhe bota edhe kalaja, fatmirësisht të ndryshuara, meqenëse asgjë nuk mbetet pa u ndryshuar, pasi njëherë është krijuar.

Populli e pa të arsyeshëm thjeshtëzimin e gjuhës, sepse këtë ia detyroi ligji i ekonomisë gjuhësore, i cili zbatohej edhe atëherë, në mënyrë të pavetëdijshme, sepse përdoruesi nuk ia dinte as emrin këtij ligji. Ai mbështetej në kërkesën imanente për të bërë sa më tepër punë me sa më pak mund. Ja këto 14 fjalë të përligjura pa [ë], të Buzukut e Lekë Matrëngës, si dhe të rilindësve, i fonetizoi njeriu gjeni, pa “prishur e pa rrënuar” asgjë. Paramendoni të kishim pasur gjuhë standarde në kohën e Buzukut e të Matrëngës, me kërkesë që të ruhej forma e fjalës së shkruar! Vallë, a do të na kishte gëzuar sot kjo gjë?! Mos pyet hallin që do ta kishim pasur. Me siguri jo sa të anglezëve, frëngjve, gjermanëve e shumë popujve të tjerë me kulturë shkrimi të hershme, të cilët nuk intervenuan me kohë dhe tani nuk mund të kthehen 10-15 shekuj prapa për ta bërë ndonjë fonetizim të vogël. Sigurisht edhe ne, me një histori shkrimi 5-shekullore, do të hezitonim të ktheheshim prapa. Falë gjenialitetit të popullit, ne nuk e kemi atë peshë siç e kanë të tjerët, që nuk intervenuan me shekuj për ta rregulluar anën pamore të fjalës, do të thotë shkrimin, sa herë që ana dëgjimore (fjala e shqiptuar) largohej nga pamorja (forma e shkuar). Populli ishte i mençur, pavarësisht se ishte i pashkolluar. Megjithatë, ai kontribuoi në aspekt të kërkimit të formës më të lehtë për komunikim më praktik, duke përcjellë zhvillimin dhe ndryshimin e gjuhës si organ të gjallë. Prandaj, Prof. Çabeji, me aksiomën nr. 3 të referatit “Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe drejtshkrimit të shqipes” në KDGJSH f. 119, jorastësisht qëndrimin e tij e mbështet në këtë aftësi të popullit, duke porositur: “Gjuha e shkrimit ka dalë nga gjuha e gjallë e popullit, sipas kësaj edhe rregullat gjuhësore duhet të dalin nga të dhënat e këtij realiteti gjuhësor. Gjuha popullore në mënyrë të pareshtur ushqen gjuhën e shkrimit…”. Kam frikë të them se shokët e tij pjesëmarrës në këtë Kongres e bënë veshin të shurdhur ndaj kësaj porosie dhe hezitimit të këtij plaku gjenial, që atë kohë e tha edhe këtë: “Kam frikë se po bëjmë gjuhë letre”. E, nëse ky standard i yni ka ndonjë element që e përcakton atë si të letrës, atëherë nuk duhet të “trishtojmë” nga ndonjë intervenim i vogël për t’ia përshtatur kërkesës së popullit. Unë garantoj se ka. Këtë që po e pohoj mund ta shohim, nëse duam, si qëndron puna me funksionimin e këtyre 14 fjalëve “të amnistuara” pesë dekada pas rënies së [ë]-së nga tema e tyre? Çka u prish nga rënia e këtij elementi përcaktues në këto fjalë: amtar, besnik, fillestar, furrtar, kishtar, lojtar, meshtar, nevojtar, nevojtore, ngatërrestar, pishtar, rojtar, zyrtar, atdhe dhe në këto dy të tjera (gojëtar dhe jetesëtar), që do të amnistohen në gojtar, respektivisht jetestar? Vallë, heqja e [ë]-së në këto fjalë të bashkësisë 14-fjalëshe shkaktoi humbje të funksionit fjalëformues dhe formëformues që e kishin para “prishjes” së strukturës rrokjesore të tyre nga një këmbë anapesti (dy rrokje të shkurtra me një të gjatë), në këmbë jambike (një rrokje e shkurtër me një të gjatë)?

Këto [ë] të rëna në këto fjalë ishin të temës së tyre (sipas përkufizimit). Ato nuk kishin funksion të caktuar të nevojshëm. Me rënien e [ë]-së së temës, këto fjalë trerrokëshe u shndërruan në fjalë dyrrokëshe, duke e ruajtur funksionin e mëparshëm, pa krijuar grupe bashkëtingëlloresh që e rëndojnë shqiptimin e fjalëve. Përkundrazi, tani këto fjalë dyrrokëshe: amtar, besnik, fillestar, furrtar, kishtar, lojtar, meshtar, nevojtar, nevojtore, ngatërrestar, pishtar, rojtar, zyrtar dhe atdhe, me shënimin 1 të rregullës së drejtshkrimit të fjalëve të prejardhura, kryejnë të njëjtin funksion, edhe më mirë, pa këtë [ë] të temës, sesa me të. Fjalët nga “amëtar” e deri te fjala “atëdhe”, para KDGJSH-së, kishin strukturë-këmbësh anapesti (me dy rrokje të para të shkurtra dhe një të tretë të gjatë), ndërsa me rënien e [ë]-së u formuan struktura këmbësh dy rrokjesh – jambike (me rrokje të parë të shkurtër dhe të dytën të gjatë), duke krijuar grupe bashkëtingëlloresh të ndara në dy pjesë të fjalës, pa asnjë vështirësi shqiptimi. Më në fund edhe faktet e metrikës antike, të harruara shekuj me radhë, madje edhe në poezi, e mbështesin këtë realitet që e kemi pranë.

  1. Pse të “derdhet lot” për një strukturë “formale” këmbësh anapesti, që e kishin fjalët trerrokëshe para fonetizimit të tyre? Them formale, meqenëse këto struktura-këmbësh-anapesti rrokjen e dytë të shkurtër e formonin me [ë]-në e temës, e cila e motivuar nga tradita, nuk duhej shqiptuar. Kështu bëhet fjalë për këmbë formale anapesti vetëm në drejtshkrim, e jo edhe në aspekt drejtshqiptimi, e aq më pak ritmi, sepse shqiptohen vetëm dy rrokje, një e shkurtër e tjetra e gjatë, d.m.th. me strukturë jambike. Prandaj kërkesa e ruajtjes së [ë]-së në temë (në fjalë të prejardhura, të përbëra dhe të përngjitura) është pa funksion fjalëformues ose formëformues, por më tepër funksion sipërsegmentar (funksion shenje diakritike), sepse mosleximi i saj mundëson një pauzë të vogël për t’i dhënë forcë theksit të rrokjes së theksuar (të gjatë): –nik, -tar, -dhe në shembujt: bes(ë)nik, am(ë)tar, furr(ë)tar, kish(ë)tar, loj(ë)tar, mesh(ë)tar, pish(ë)tar, roj(ë)tar, zyr(ë)tar dhe at(ë)dhe.
  2. Nga shkaku i heqjes së saj formohen grupe bashkëtingëlloresh lehtësisht të shqiptueshme. Në raste të kundërta, po të krijohen grupe bashkëtingëlloresh që e rëndojnë shqiptimin, atëherë mund të përdoret [ë]-ja mbështetëse për ta lehtësuar shqiptimin ose leximin e rënduar. Kjo ndodhë në rastet e grumbullimit në grupe prej tre, katër e më tepër bashkëtingëlloresh.
  3. Ruajtja e [ë]-së së temës krijon një mund të vogël në leximin e fjalës nëse ajo bëhet duke zbatuar (gabimisht) parimin fonetik në bashkëveprim me parimin morfologjik, meqenëse [ë]-në e temës e shqiptojnë pa nevojë. Kjo mënyrë shqiptimi, veçanërisht leximi, është karakteristikë e një numri nxënësish, po edhe mësuesish, të cilët fjalën e lexojnë të segmentizuar, rrokje për rrokje, duke e theksuar edhe [ë]-në e temës, të motivuar nga tradita. Një mosshqiptim ose moslexim duhej përligjur që në vitin 1975, tre vjet pas sjelljes së rregullave të drejtshkrimit, fatkeqësisht mbetën të mësohen nga drejtshkrimi (!!!???). Në këso rastesh, për të mos e segmentizuar rrjedhën e leximit, duhet të zbatohet parimi morfologjik në gërshetim me parimin tradicional, normalisht nëse nuk ka kushte për ta hequr [ë]-në e temës nga fjala.
  4. Në aspekt kohor struktura dyrrokëshe e fjalës duhet të ketë përparësi ndaj strukturës trerrokëshe, sepse shkruhet dhe shqiptohet më lehtë dhe më shpejt se një strukturë trerrokëshe, pa humbur asgjë. Siç shihet, fjala e prejardhur funksionon si më mirë edhe pa këtë [ë] të temës, normalisht me një rrokje më pakë, me këmbë jambike: amtar, besnik, furrtar, kishtar, lojtar, nevojtar, nevojtore, ngatërrestar, meshtar, pishtar, rojtar, zyrtar, atdhe.
  5. Mendimi se me shndërrimin e strukturës rrokjesore nga këmba trerrokëshe anapesti në strukturë rrokjesore – me këmbë dyrrokëshe jambike gjuha humb në vokalitet, nuk qëndron. Bie një vokal i errët, i cili duke qenë i motivuar nga tradita as që duhet shqiptuar ose lexuar. Nga fjalët me kuptim leksikor të plotë mbizotërojnë dyrrokëshet (shih: A.Dodi, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, 2004, Tiranë f. 206). Vokalitetin e një gjuhe nuk duhet vlerësuar në bazë të numrit të vokaleve, por përkundrazi në bazë të cilësisë dhe frekuencës së madhe të përdorimit të tyre. Në disa gjuhë numri i vokaleve është i vogël, mirëpo me frekuencë përdorimi të madhe gjuha del me cilësi vokalike të lartë. P.sh. sanskritishtja kishte skemë me pesë vokale, ndërsa disa gjuhë semite përdornin skemën me tre vokale (a, u, i), mirëpo në sistemet e tyre vokalike nuk kanë pasur vokal të shurdhët, të cilin me kohë e kanë zëvendësuar me vokal tjetër me cilësi vokalike. Le të shohim si qëndrojnë me cilësi vokaliteti p.sh. bullgarishtja, maqedonishtja dhe serbishtja? Fjalët e bullgarishtes: sënce (diell,-i), pëllzi (zvarritet), pët (rrug/ë,-a), e kanë vokalin [ë] . Këto fjalë në maqedonishte: sonce dhe pollzi dalin me “o”, ndërsa fjala pat me “a”, ndërsa në serbishte të tria fjalët: sunce, puzi dhe put dalin me “u”. Po ta krahasojmë vokalitetin e këtyre tri gjuhëve sllave, vetëm në bazë të këtyre fjalëve maqedonishtja (me o; o; a) ndaj serbishtes (me u; u; u) dhe bullgarishtes (me ë; ë; ë) prinë me vokalitet para serbishtes dhe bullgarishtes.

Vokaliteti i shqipes, krahasuar me vokalitetin e këtyre tri gjuhëve sllave, qëndron më keq, madje edhe shumë më keq se situata e bullgarishtes, kjo për shkak të frekuencës së madhe në funksion fjalëformues, formëformues dhe mbështetës të [ë]-së, krahasuar me funksionin fjalëformues të shvasë bullgare. Shqipja ka mundësi ta zvogëlojë këtë frekuencë të madhe të]-së edhe në formëformim. Sa për ilustrim, le ta marrim këtë shembull. Në shqipen standarde formanti [ë] i shumësit të emrit mollë të jetë molla, ashtu si edhe shumësi i emrit dardhë që bën dardha, normalisht duke e hequr formantin e dytë (shumë dardhë) e ta ruajmë vetëm të parin me “a” (dardha). Pse duhet pasur dy forma shumësi me [ë] dhe me “a” për dardhën? Këtë nuk e kam të qartë?! Do të ishte pa probleme që shumësi i emrave mollë dhe dardhë të rrafshohet në një model. E nëse nuk mundet rrafshimi i modelit të bëhet me mbaresën “a”, atëherë le të merrej, në të dyja rastet, mbaresa e shurdhët ]. Edhe kjo mënyrë rrafshimi do të ndihmonte që këto dy forma të ndryshme dhe të paarsyeshme të shumësit të memorizohen më lehtë.

Për të thënë diçka më saktë për vokalitetin e gjuhës standarde të shqipes duhet sjellë dhe përligjur rregullat e drejtshqiptimit, për të vendosur, njëherë e përgjithmonë, këtë problem (mendohet në drejtshqiptimin) të drejtshqiptimit përgjithësues, të cilin e kërkonin disa pjesëmarrës në Kongresin e drejtshkrimit në krye me Menela Totonin.

Në fund mund të pyetemi se a duhet prekur vallë drejtshkrimi?! Përgjigjja e kësaj pyetjeje është PO. Unë jam për intervenime të vogla, por jo edhe për intervenime që prekin në strukturë të gjuhës standarde. Për ta vërtetuar këtë po e citoj një referencë të një fonetike, ndër më të mirat që janë botuar gjer tani. Prof. Rami Memushaj në “Fonetikën e shqipes standarde” (Toena Tiranë, 2010, fq. 190) shkruan: “Nuk ka dyshim se në të ardhmen drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi do të zhvillohen me ritme të ndryshme. Shqiptimi do të ecë përpara më shpejt, ndërsa drejtshkrimi do të mbetet prapa, pasi shkrimi është më konservator. Kjo do ta bëjë të nevojshme rishikimin e drejtshkrimit të shqipes dhe reformën e tij, me qëllim për ta afruar me shqiptimin. Nevoja për rishikimin e drejtshkrimit është bërë e ndjeshme në ditët tona…”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X