Ismail SINANI
Në kohën kur në historinë moderne të kombit shqiptar po ndodhin zhvillime të hovshme, disi është krijuar bindja se debati nga dhe si duhet të orientohen proceset politike, nevojitet të zhvillohet vetëm në rrafshin politik, si dhe përmes studiove televizive.
Nëse politika, për çështjet e mëdha përplaset përmes “koncepteve” politike me ngjyrime pushteti, gjegjësisht opozite, kampi tjetër, ai i analistëve të studiove televizive, me përjashtime, më shumë i ngjan vokaleve përcjellëse të solistit sesa të personave të kualifikuar që ofrojnë zgjidhje alternative. Me një fjalë, në gjithë këtë mish-mash, mungon fjala e vërtetë e intelektualëve. Si provë më e mirë për këtë, është shterja e debatit, ende pa ia nisur, për pamfletin e Akademisë së Shkencave të Kosovës të publikuar ditë më parë. Edhe pse ai dokument nuk ishte me qasje plotësisht shkencore, nuk u dëgjua fort mendimi i “mendimtarëve” shqiptarë, të cilët i kemi të rreshtuar nëpër universitetet e institutet e shumta gjithandej.
Pa dashur të merremi me dokumentin e Akademisë, thuajse aspak deri më tani nuk është diskutuar akademizmi ndër shqiptarët, qofshin ata në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni të Veriut? Apo se pse gjithë këto elita intelektuale ngurrojnë ta thonë mendimin e tyre? Ose pse në një kohë kur kemi kaq shumë institucione “intelektuale”, na mungon mendimi intelektual dhe ai zëvendësohet me zhurmën e studiove televizive? Dhe, a heshtin intelektualët për shkak të frikës apo për shkak të konformizmit?
Dilemat janë të shumta, por edhe habia është shumë e madhe. Motori shoqëror disi nuk po funksionon. Ndonjëherë krijohet përshtypja se gjithandej po shfaqet një mendjemadhësi intelektuale. Mirëpo, kjo tezë nuk mban, sepse njeriu i ditur duhet të jetë si kalliri i mbushur, që e mban kokën të ulur. Pra, mendjemadhi, vetvetiu, është bosh. Atëherë çfarë është? A është arsyeshmëria e tyre e lartë e prirë nga bindja se kjo është kohë për të heshtur, ngase askush nuk dëgjon? Edhe kjo si tezë nuk mban. Teknologjia moderne sot, me kusht që të mos t’i fyesh “ndjenjat” e atyre që në aspektin gjinor “ndjehen më ndryshe”, ta ofron çdo mundësi komunikimi. Prandaj, në këto çaste ndjeshmërie politike, gjeopolitike, arsimore, sociale, ekonomike, fjala e thënë në publik, të paktën të bën të rreshtohesh në një taraf. E për intelektualin e mirëfilltë, tarafi i së vërtetës duhet të jetë imperativ mbi imperativët.
Ai që vërtet e ndjen veten të tillë, e që në fakt vërtet është i tillë, e di historinë, e di edhe domethënien e heshtjes, i di edhe pasojat nga mosthënia e së vërtetës.
Kjo shoqëri, e cila me hapa gjigantë po kalon nga komunizmi në neoliberalizëm ekstrem, pa kaluar asnjë fazë të ndërmjetme (sepse ashtu po na sugjerohet nga miqtë dhe “miqtë”), është duke përjetuar një krizë. Duke qenë gjendja e këtillë, mendimtarët shqiptarë po sillen sikur dikush duhet t’ua japë letrat kredenciale për ta thënë mendimin e tyre. Ndërkaq, në anën tjetër, çdo ditë e më shumë po shuhet ngazëllimi për të qëndruar këtu. Shtëpitë e zbrazëta, bankat shkollore pa fëmijë, kriza e thellë ekonomike… këto janë vetëm pasoja nga keqmenaxhimi politik dhe heshtja kolektive, posaçërisht e “të përndriturve”.
Sot, në kohën e granatimit masiv me informacione, individi është bërë shumë më i hutuar se kurrë më parë. Prandaj intelektuali, në këtë rast ai shqiptar, duhet ta shfrytëzojë jashtë mase kapitalin e tij të dijes.
Për të mos rënë në pesimizëm, duhet të themi se nëse në hapësirat shqiptare, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut, pa e lënë anësh Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, kemi rreth 10 mijë punonjës intelektualë. E nëse prej kësaj shifre marramendëse vetëm 100-200 e shprehin mendimin e tyre, çfarë i bie kjo? Në variantin më të keq, ata që heshtin janë njerëz të paditur, që marrin paga kot e kot. Na variantin pak më pak pesimist, ata janë frikacakë. Në variantin më të nderë, janë njerëz me poli-identitete. Në të kaluarën ata janë cilësuar si poli-agjentë.