loader image
December 11, 2024

Tradhtia intelektuale dhe robërimi modern i shqiptarëve

Tradhti intelektuale është kur i shërben politikanit. Kurse tragjedi është kur politikani bën intelektualin. Nëse zgjuarsi është politikani të kërkojë mendim prej intelektualit, mizori është kur intelektuali kërkon shpëtim te politikani.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Suficiti demokratik i shqiptarëve – “shumë popull”, por pak elita intelektuale, ekonomike e akademike në politikë. Pse elitat intelektuale ngurojnë ta thonë mendimin e tyre? Pse janë kaq të zhurmshme studiot televizive të dominuar nga mediokriteti e tellallët e zëdhënësit partiakë? Pse heshtin intelektualët? Këto dhe shumë pyetje të ngjashme më shtrohen çdo ditë nga studentët, miqtë e dashamirët. Cila është përgjigjja ime?

Besoj se e kemi të qartë se jetojmë në kohën “gaslighting” (ndezja e llambave me gaz) për të cilën flet Moisés NAÍM-i. Kjo ishte fjala më e kërkuar në fjalorin amerikan Merriam Webster në vitin 2022, me rritje prej 1.742% në krahasim me një vit më parë. “Gaslighting” është term bisedor që u referohet trukeve të përdorura për ta bërë një person të dyshojë në realitetin e tij dhe të vërë në dyshim atë që ndjen, beson dhe bën. Qëllimi është të dobësohen psikologjikisht viktimat për të ndikuar mbi perceptimet, sjelljet dhe vendimet e tyre. “Gas Light” është historia e një çifti ku burri manipulon gruan e tij duke e bërë të mendojë që është e çmendur për t’ia marrë paratë, përmes një sistemi që kishte instaluar për të ndezur dhe fikur llambën e gazit në shtëpi.

Në rastin tonë, përmes këtij shembulli dhe rrëfimit të profesorit grek Varoufakis për feudalizmin modern të “cloud-it” në aspektin ekonomik, por edhe piramidën e Maslow-it për nevojat njerëzore, do të mundohemi ta shpjegojmë se si politika e ka deformuar gjykimin tonë racional.

Derisa Maslow-i ka ndërtuar piramidën e nevojave pesë nivelesh, të cilave më vonë ua shton edhe një, ku në bazën e saj qëndron plotësimi i kërkesave ekzistenciale të mbijetesë, menjëherë mbi te siguria dhe pastaj dashuria e përkatësia, që të mbarojë me vlerësimin e vetaktualizimit, Yanis Varoufakis flet për psikologjinë e konsumatorit, të bazuar në nostalgji. Sipas këtij të fundit, njerëzit nuk blejnë çokollatë për ta shijuar atë, sa për të rikthyer ndjenjën e të qenit i dashur, që e kanë përjetuar kur babai ua ka blerë si fëmijë, kur ai kosiste barin e oborrit. Fenomeni psikologjik u identifikua në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, që ndihmoi në komercializmin masiv të nostalgjisë. Por, zbulimi i inteligjencës artificiale (IA) krijon një klasë të re pasanikësh, që ai i quan feudal modernë, të cilët posedojnë cloud-in (retë). Si ndodhi që shërbëtori ynë personal, i cili përdorë IA, të na robërojë neve për llogari të poseduesit të cloud-it (reve)?

Si shërbëtorë shtëpie, mund ta urdhërojmë robotin të fikë dritat, të porosisë qumësht, të na kujtojë të thërrasim nënat tona dhe ngjashëm, bile edhe të dijë se picat na i ka ëndja. Derisa ne bisedojmë në telefon, lëvizim dhe bëjmë gjëra nëpër shtëpitë tona përmes postimeve të fotove dhe komenteve në Facebook ose kur lëvizim nëpër qytet me telefonat mobil, ai i mëson sjelljet dhe zakonet tona. Të dhënat futen në cloud (re), me çka poseduesi i këtij rrjeti e pasuron bankën e tij të të dhënave që është feudal modern. Sa më tepër na njeh makina, aq më tepër zhvillon aftësi për të na befasuar me rekomandime dhe ide të mira që na intrigojnë. Në fund makina e fiton fuqinë për të na udhëhequr në zgjedhjet tona, bile edhe për të na komanduar, duke përdorë algoritmin që është krijuar përmes informatave të marra prej neve. Kështu nga pronarë shndërrohemi në rob të tij.

Por kush është poseduesi i cloud-it (reve) në rrethanat tona, që na ka robëruar duke përdorë njohuritë mbi nevojat dhe nostalgjinë tonë? Poseduesit e cloud-it (reve) janë partitë politike, që tridhjetë vjet me radhë dalin në zgjedhje për t’i regjistruar kërkesat e qytetarëve. Ato tanimë kanë krijuar bazën e të dhënave, sa për kërkesat, aq për nostalgjinë tonë. Aktorët politikë e dinë saktësisht se shoqëria shqiptare mbi të gjitha është e preokupuar me nevojat ekzistenciale dhe sigurinë. Këto janë nevojat tona, por janë edhe nostalgjia jonë. Në pamundësi që t’ua plotësojnë këto nevoja, sa ato ekzistenciale, aq edhe ato të sigurisë, për tridhjetë vjet partitë politike si alternativë ua ofrojnë BE-në dhe NATO-n.

Ato gjithashtu e dinë se mbi këto dy oferta mund të na sundojnë vetëm nëse na e turbullojmë gjykimin dhe vullnetin për ndryshime. Kjo do të thotë se nevojitet një “gaslight”. Fatkeqësisht, rolin e “gaslight-it” në mënyrë perfekte e luan kyçja dhe shkyçja, sinonimi për kallje-fikje të llambës, në rrugëtimin tonë për në Europë. Kjo gjendje na ka sjellë në pozitën e gruas që manipulohet nga burri për tʼia grabitur pasurinë. Tanimë ne kemi humbur besimin dhe nuk mund as të gjykojnë drejt e ku më të bëjmë një kritikë ose të ofrojmë alternativë. Një kombinim i hatashëm i këngës me çifteli, që na e ngjallë nostalgjinë për babanë që e lëmë pas në rrugën për në Europë, me shpresë se atje garantojmë ekzistencën, është recetë fantastike për ta ndrydhur deri në fund aktivizimin, vetëbesimin, përkushtimin, mendimin e pastër kritik, me çka robërimi bëhet i pashmangshëm.

Çka bëjnë intelektualët dhe bota akademike? Ata ndajnë fatin e popullit. Kanë humbur besimin në vetvete dhe kapacitetin e shoqërisë për t’u ndryshuar. Pa besim në vetvete, në vend se të studiojnë, të zhvillojnë mendim kritik, të jenë më kreativë në kërkim të zgjidhjes brenda shoqërisë ku veprojnë, ata vazhdojnë të mësojnë histori të huaja, t’i kopjojnë ato dhe assesi t’i shfrytëzojnë për rrethanat tona. Ata nuk nxisin interesim për mendim kritik, pasi shumë më tepër duan të besojnë se sa të mendojnë. Në këtë mënyrë intelektuali në vend se t’u ndihmojë të rinjve të ngrihen në nivelin e gjashtë të piramidës së Maslow-it, ta tejkalojnë vetveten, duke u ngritur përtej vetvetes, përmes altruizmit dhe spiritualitetit, ai si gjithë të tjerët bëhet rob i politikës dhe i shërben asaj. Si i tillë, ky intelektual është rrezik në vetvete. I rënë në dëshpërim, në vend se t’u ndihmojë studentëve, të ngjallë kureshtjen për njohuri të reja, t’i inkurajojë në mendim kritik, t’ua qartësojë gjykimin, ai ua zhvatë vullnetin, ua ulë besimin në fuqitë e tyre dhe e drejton gishtin ka parajsa e premtuar e quajtur Europë. Në këtë mënyrë përgatit material perfekt për robërim për politikanët e shkathtë.

Çka duhet bërë? Duhet të ndërgjegjësohemi se nga kjo spirale llumi në të cilin fundosemi nuk mund të na shpëtojnë mediokritët, poltronët, e aq më pak ata që adaptohen në situatë, por të ndriturit, të guximshmit me arsye të pastër e vullnet të fortë. Duhet ta kuptojmë se status quo-ja vetëm sa na fundosë në relativizmin dhe depresionin, që e ka mjegulluar deri në tërbim mendimin racional. Ne duhet të kuptojmë se kemi nevojë ta ndjekim teorinë e Kopernikut që bëri kthesën historike në mendimin njerëzor, duke deklaruar se toka rrotullohet rreth diellit e rreth vetes dhe jo e kundërta. Për këtë arsye kemi natën dhe ditën. Kjo e përcakton ku lind e ku perëndon dielli. Kur ta kemi kuptuar këtë, shpresoj të ndërgjegjësohemi se jemi hutuar, saqë vërtet besojmë se dielli “lind” në Perëndim. A ka mënyrë më të mirë për të kuptuar turbullimin e mendjes dhe robërimin tonë mental e intelektual sesa të mundohemi t’i japim përgjigje pyetjes se pse jemi të bindur se dielli “lind” në Perëndim? Pse kemi ndërmarrë një hap aq të rrezikshëm që ta rrezikojmë logjikën për simbolikën? A nuk është më mirë që për ta treguar orientimin tonë pro europian ta ngremë sintagmën “nëse dëshiron të shkosh drejt perëndimit, ndiqe rrugën e diellit”. Një sintezë e racionales me simbolikën. Kështu e tregojmë saktë drejtimin pa turbulluar gjykimin.

Fatkeqësisht, nuk kam bindje se do të bëjmë një kthesë serioze në mënyrën e të menduarit dhe të gjykuarit, andaj së paku edhe për një kohë do të vazhdoj të ngrihet spiralja e robërimit tonë modern. Unë nuk besoj në një revolucion si ai borgjez francez, që e prishi rendin feudal mesjetar, por besoj në revolucionin informativ, të teknologjisë, të virusologjisë, të gjenetikës e robotikës, që mund t’i ndërrojë rrjedhat shoqërore. Por, një teknologji e avancuar në një shoqëri të deformuar dhe të dezorientuar në vend se ta qartësojë mendimin, vetëm sa mund ta thellojë dëshpërimin. Prapë pyetja: a heshtin intelektualët? Fatkeqësisht intelektualët nuk heshtin, por bëjnë tradhti. Heshtja intelektuale nuk është tradhti, por klithma më e madhe për veshët që duan të dëgjojnë. Tradhti intelektuale është kur i shërben politikanit. Ndërkaq tragjedi është kur politikani bën intelektualin. Nëse zgjuarsi është politikani të kërkojë mendim prej intelektualit, mizori është kur intelektuali kërkon shpëtim te politikani. Si rezultat i gjithë kësaj, sot përjetojmë robërimin që na e bëjnë politikanët dhe tradhtinë e intelektualëve.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X