loader image
December 14, 2024

Mediat dhe intelektualët joparimorë

Qeveria e Kosovës ndoshta publikisht e injoron këtë shqetësim, por në vete nuk mund të jetë edhe aq indiferente. Qeverive, kudo në botë, gjithmonë u duhet një kritikë, në të cilën e shohin veten dhe rrugët kah mund të orientohen pa qenë në kundërshtim me vullnetin e popullit. Por, një kritikë e tillë udhërrëfyese në Kosovë nuk ekziston. Kritika në Kosovë ndaj politikës së qeverisë është tejet joparimore, sepse bëhet nga ata që e përkrahin qeverinë pa asnjë kusht dhe ata që e kritikojnë pa asnjë arsye.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Zhvillimet politike në Kosovë kanë marrë hov si asnjëherë më parë. Ngjarjet janë të shpeshta dhe të ,dendura saqë nuk përcillen pa një vëmendje të përqendruar. Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë qëndron në qendër si ngjarje kryesore. Për këtë gjë duhet të merret vendim në qeverinë dhe kuvendin e Kosovës në një të ardhme të afërt. Kjo gjë duhet të ndodhë për shkak të presionit ndërkombëtar, që u drejtohet palëve në bisedime për Kosovën. Pa hyrë thellë në analizën e kësaj teme, gjithnjë e më shumë po shihet se pala shqiptare është vënë nën presion nga ndërkombëtarët që e kanë rolin e ndërmjetësuesit mes Serbisë dhe Kosovës. Nga këndvështrimi i qytetarit të Kosovës shihet se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë janë duke e favorizuar Serbinë. Ky fakt është duke shkaktuar brenga dhe shqetësime në një masë të madhe të popullit në Kosovë. Si do të përfundojnë gjërat me Serbinë? Kjo është një pyetje legjitime dhe serioze, aq më shumë kur dihet që kreu politik i shtetit serb nuk e ka ndryshuar qëndrimin e as strategjinë qe e kishte Sllobodan Millosheviqi ndaj Kosovës.

Faktori ndërkombëtar ndoshta nuk e ka marrë anën e Serbisë, aq sa mendohet nga shumica e njerëzve në Kosovë, por, megjithatë, një anim shihet edhe nëse jemi të verbër, sidomos kur është fjala për dy ndërmjetësuesit, Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell, që të dy përfaqësues të Bashkimit Europian. Që të dy këta përfaqësues vijnë nga dy shtete, i pari nga Sllovakia, kurse i dyti nga Spanja, që refuzojnë ta njohin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo gjë ka krijuar një dëshpërim te qytetarët dhe shpesh është kritikuar edhe nga mediat. Por, dëshpërimi dhe kritikat përcillen edhe me një habi, pasi që është menduar (gabimisht) se bota ndaj Serbisë do ta mbajë gjithmonë qëndrimin që e kishte nga viti 1999 e deri vonë. Tashti, pyetja e shpeshtë është: si u bë që erdhëm në këtë gjendje?

Së pari, duhet ta kemi parasysh që bota e pranon gjendjen faktike. Gjatë dekadës së fundit, politika serbe ka shënuar sukses në arenën ndërkombëtare, por edhe në ekonominë e saj. Kreu politik serb në asnjë mënyrë nuk ka lëshuar pe para kërkesave që ka pasur ndaj Kosovës pas vitit 1999. Në anën tjetër, në Kosovë nuk ka pasur konsolidim politik, që do të prodhonte një strategji për t’i dalë përballë kësaj pozite që e ka paraqitur Serbia. Kreu politik i Kosovës deri te qeveria e sotme nuk ka pasur asnjëherë kërkesa të saj dhe ka shkuar rrugës që e kanë trasuar ndërkombëtarët. Por, kjo rrugë nuk ka qenë gjithnjë në favor të Kosovës dhe këtë gjë për herë të parë tashti po e bën me dije qeveria e tashme, e kryesuar nga Albin Kurti. Kjo është thyerje e një rruge politike të dëgjueshmërisë që nuk është dashur të themelohej dhe për këtë arsye vërehet një habi e përzier me shqetësim që shfaqet te ndërkombëtarët, por edhe te një masë e konsiderueshme e shqiptarëve.

Qeveria e Kosovës ndoshta publikisht e injoron këtë shqetësim, por në vete nuk mund të jetë edhe aq indiferente. Qeverive, kudo në botë, gjithmonë u duhet një kritikë, në të cilën e shohin veten dhe rrugët kah mund të orientohen pa qenë në kundërshtim me vullnetin e popullit. Por, një kritikë e tillë udhërrëfyese në Kosovë nuk ekziston. Kritika në Kosovë ndaj politikës së qeverisë është tejet joparimore, sepse bëhet nga ata që e përkrahin qeverinë pa asnjë kusht dhe ata që e kritikojnë pa asnjë arsye. Të parët e bëjnë për shkak se janë në pushtet, kurse të dytët për shkak se nuk janë në pushtet. Një “kritikë” e këtillë nuk e njeh dallimin mes shtetit dhe partisë politike. Këta nuk e kanë të qartë ende se partitë shkojnë e vijnë, por pushteti (shteti) mbetet aty ku është. Kemi të bëjmë me moshën foshnjore të mendimit dhe veprimit politik, që në Kosovë nuk është duke u zhvilluar në pjekur aq sa kërkohet.

Nuk janë vetëm politikanët që e orientojnë politikën dhe shtetin, por janë edhe mediat, intelektualët dhe organizatat e ndryshme që luajnë rol të rëndësishëm, në fakt të pazëvendësueshëm, në këtë fushë. Ajo që shohim në media e që ka të bëjë me situatën politike nuk ndikon në përmbushjen e detyrës që kanë organizatat mediale, të cilat janë të ndara si edhe qytetarët në mënyrë joparimore në kritikën e tyre. Pos tjerash, mediat e kanë për detyrë që të luajnë edhe rolin e ndërmjetësuesit mes qytetarit dhe qeverisë. Rrallë e shohim këtë rol apo funksion të televizioneve të Kosovës. Në shumicën e rasteve, me debate të “analistëve” dhe “ekspertëve” të pakompetencë, televizionet më shumë luajnë rol negativ, pasi që e çorientojnë qytetarin. Në këtë ambient rrallë mund të shihet ndonjë analizë e mirëfilltë e situatës dhe ndonjë porosi valide për qeverinë. Kjo gjendje nuk lejon as plasimin e ndonjë propozimi alternativ.

Intelektualët janë kasta tjetër që duhet të luajnë rolin e tyre sqarues, që në fakt është borxh i tyre ndaj shoqërisë. Por, edhe roli i tyre mezi vërehet. Kjo është për shkak se shumë intelektualë injorohen nga televizionet me ose pa qëllim. Megjithatë, në kushtet e sotme televizioni nuk është media e vetme ku mund të paraqitet intelektuali. Me rolin, gjithnjë e më gjithëpërfshirës të mediave sociale, televizioni nuk është më mjet i pazëvendsueshëm për plasimin e informatave dhe ideve. Por, edhe në media sociale prezenca e intelektualëve nuk është e shpeshtë aq sa kërkohet.

Mungesa e zërit të një pjese të konsiderueshme të intelektualëve është për shkak se ata ndjehen të rehatuar dhe nuk rrezikojnë konfrontimin me pushtetin. Këta nuk dëshirojnë të prishen me “rehatuesin”. Pjesa tjetër, po ashtu, frikësohet që të mos konfrontohet me qeverinë, si punëdhënësin kryesor, për shkak se pret të rehatohet. Por, a është intelektual ai që e ka rehatuar qeveria dhe ai që pret të rehatohet po ashtu nga qeveria? Detyra e intelektualit është që t’i dëgjohet zëri dhe që të mos rehatohet nga kushdo qoftë.

Kjo rrugë na çon te Akademia, e cila kohëve të fundit është përfolur aq shumë. Pothuaj tërë problem i intelektualit të Kosovës mund të shihet duke e analizuar gjendjen e akademisë. Gati gjithkush e di se kjo akademi për anëtarë të saj ka edhe “shkencëtarë” që nuk dinë të shkruajnë në nivelin që kërkohet prej tyre. Prandaj, shumë prej tyre as që kanë ndonjë punim serioz të botuar as në revistat tona, e lërë më diku në ndonjë revistë tjetër të botës me renome të lartë. Prandaj, shumica e tyre nuk flasin e as nuk shkruajnë.

Nëse vendosin të flasin/shkruajnë, siç ishte rasti i udhëheqësit të saj, Mehmet Krajës, gjërat bëhen edhe më keq. Kjo është për shkak se u krijua më shumë huti se sqarim. Nuk ishte problemi te referencat, që u tha se i mungonin shkrimit të tij. Tekefundit, për udhëzime politike as duhen referencat. Problemi ishte më i madh. Po ashtu, doli që akademisë i mungon aktiviteti, organizimi dhe hierarkia. Mbi të gjitha, dhe gjithnjë e më shumë, po vërehet se në akademinë e Kosovës, që është ndikuar nga politika, ka anëtarë që aspak nuk e meritojnë të jenë aty, kurse janë lënë anash një numër i konsiderueshëm që njihen si shkencëtarë të vërtetë. Tashti pyetja që duhet të bëhet në këtë rast është sa ka ndikim kjo akademi duke qenë e këtillë?

Kjo gjendje nuk është karakteristike vetëm për Kosovën. Po kështu është edhe në qarqet akademike në Shqipëri, sidomos në Maqedoni të Veriut, ku me siguri është më keq se në Kosovë. Por, një gjë duhet të thuhet: intelektuali në hapësirën shqiptare nuk ka ndikim. Në Kosovë, megjithatë, është duke u shprehur një guxim për identifikimin e problemeve.

E tërë kjo situatë, që nga mediat e deri te intelektualët dhe kulmi i organizatës së tyre – akademisë – është rezultat i problemit që kemi në sistemin e arsimin tonë të ndërtuar mbi baza jodeakuate.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X