loader image
October 6, 2024

Sherret i bëjnë shqiptarët, ngatërresat ndërkombëtarët

Shumë shqiptarë nga shtresat më të ndryshme të shoqërisë, si gjithmonë, përpiqen ta lënë përshtypjen e mirë se kanë besim tek diplomacia ndërkombëtare, se e kuptojnë stilin e kësaj diplomacie, që ruhet të mos i acarojë në kulm serbët e tronditur nga shembja e ëndrrave të tyre mitike-historike dhe nga përmbysja e planeve të tyre politike pas rrëzimit të Millosheviqit. Kurse, shqiptarëve u nanurisin më shumë filozofinë “i duruari, i fituari” dhe “qengji i urtë pi dy nëna”, ndërkohë që i kanë lënë shpesh me gishtin në gojë.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Tek ky titull më çoi mendimi mbi pamundësinë e zgjidhjes së afërt të dy problemeve të mprehta nga ato që ka rekomanduar redaksia e “Shenja” për t’u trajtuar në këtë numër:
1) Normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë, si shtete të pavarura;
2) Vendosja e demokracisë së vërtetë zgjedhore në Shqipëri.
Të dyja këto çështje janë me natyrë të theksuar politike e diplomatike dhe kanë të bëjnë si me sherret që krijojnë vetë shqiptarët brenda shoqërive të tyre, ashtu dhe me trysnitë e shumta ngatërrestare që ushtrojnë mbi elementin shqiptar në Ballkan shtetet fqinjë Serbia, Greqia, Maqedonia e Veriut e tani, së voni, dhe Mali i Zi, Rusia, e deri në njëfarë mase diplomacitë perëndimore. Të gjitha këto çështje janë trajtuar në organet e shtypit dhe mjediset politike e akademike brenda e jashtë Shqipërisë, duke përfshirë edhe revistën “Shenja”. Prandaj, për konsekuencë pikëpamjesh këtu po mbështetem në disa shkrime të mia të mëparshme.
I. Në shkrimin “Ahtisari u matej serbëve dhe u binte shqiptarëve” (“Rimëkëmbja”, 14 nëntor 2006) trajtohej problemi se si pretendimet absurde grabitqare serbe rëndonin më shumë në peshoren e diplomacisë ndërkombëtare se të drejtat e nëpërkëmbura të shqiptarëve. Sot po vërejmë se kjo dukuri ka marrë sërish ngjyrime të theksuara në makinacionet diplomatike ndërkombëtare për t’i shtrënguar lakun në fyt Kosovës së pavarur që të përkëdhelet sedra revanshiste dhe politika hegjemoniste e Serbisë në Ballkan.
Nga ana tjetër, shumë shqiptarë nga shtresat më të ndryshme të shoqërisë, si gjithmonë, përpiqen ta lënë përshtypjen e mirë se kanë besim tek diplomacia ndërkombëtare, se e kuptojnë stilin e kësaj diplomacie, që ruhet të mos i acarojë në kulm serbët e tronditur nga shembja e ëndrrave të tyre mitike-historike dhe nga përmbysja e planeve të tyre politike pas rrëzimit të Millosheviqit. Kurse, shqiptarëve u nanurisin më shumë filozofinë “i duruari, i fituari” dhe “qengji i urtë pi dy nëna”, ndërkohë që i kanë lënë shpesh me gishtin në gojë. Përpjekjet e diplomacisë serbe e të miqve të Serbisë u përqendruan pikërisht në realizimin e këtij ndryshimi, që të nesërmen e nënshkrimit të marrëveshjes në Kumanovë, në mesin e vitit 1999.
Diplomacia perëndimore ende po sillet si e vonuar në kuptimin e realiteteve ballkanike, sidomos të realitetit në Kosovë. Mendje të ndritura e të drejta në Perëndim e kanë shpjeguar qysh para një shekulli shkakun themelor të ngatërresave që po bën edhe tani Serbia. Edit Durhami ka shkruar fare qartë: “Doktrina themelore e Serbisë së Madhe është mospranimi i faktit se historia ka ekzistuar edhe para krijimit të Perandorisë Serbe dhe se trojet e Ballkanit kanë pasur zotër edhe para ardhjes së serbëve”. Duhej të kishte mjaftuar kjo thënie që diplomacia perëndimore të kishte një pamje të qartë të problemit pse në Kosovë nuk ka vend të imitohet modeli boshnjak i (pseudo)zgjidhjes së problemit. Duhej të kishin mjaftuar këto fjalë të anglezes së shquar si njohëse e mirë e Ballkanit, që kjo diplomaci kushtetutën e re serbe ta dënonte si një projekt mesjetar për Serbinë e Madhe. Por, për paradoks askush nuk ngre stuhi zemërimi propagandistik e politik kur Serbia shpall ambicie të tilla për rikrijim të Serbisë së Madhe mesjetare. Ndërkaq kur shqiptarët e përmendin me zë të mekur të drejtën e tyre për bashkim kombëtar bien gjithandej kambanat e alarmit dhe goditjen në kokë e pësojnë shqiptarët. Tani vihen re përpjekje të shtuara dhe nga diplomacitë perëndimore që Plani Ahtisari të pasohet nga variante të reja europiane që përkeqësojnë edhe më pozitat e shtetit të pavarur të Kosovës, ndonëse vetë diplomacia perëndimore e ka pas cilësuar Planin Ahtisari si “variantin më të plotë dhe ezaurues të lëshimeve që mund të detyroheshin shqiptarët t’u bënin serbëve”. Për fat të keq, tani edhe politika qeveritare shqiptare është vënë më hapur se kurrë në mbështetje të projektit të Serbisë së madhe si Ballkan i hapur.
Shqiptarëve po u mbetet edhe një herë të kapërdijnë shijen e hidhur që u le zhgënjimi nga mosvërtetimi i filozofisë së tyre popullore “urtë e butë e plot tigani”. Tani shqiptarët e shohin veten në pozitën e të vonuarit edhe në zbatimin parimit të reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë. Kurse serbët treguan se dinë t’i përshtaten më mirë një tjetër filozofie “sherr e shamatë e plot sahani”. Serbët nuk ia kursyen paralajmërimet diplomacisë ndërkombëtare se po nuk mbeti Kosova nën Serbi kurrë Serbia nuk do të njohë status tjetër për Kosovën, se ngatërresat në Ballkan nuk do të pushojnë, madje paralajmëruan hapur botën se Serbia është gati të marshojë sërish me ushtri kundër Kosovës. Dhe, pas gjithë kësaj çmendurie politiko-diplomatike dhe këtij vringëllimi armësh, diplomacia ndërkombëtare heshti me mospërfillje, në vend që ta paralajmëronte si duhej Serbinë se NATO nuk ishte shpërbërë ende, se shqiptarët do të ndihmoheshin të përgatiteshin më mirë kësaj radhe për të zbatuar rregullin “dy duart për një kokë”. Diplomacia ndërkombëtare u buzëqeshi serbëve, nisi njërin funksionar pas tjetrit në Kosovë që të bënin raporte pas raportesh, që askush nuk arrin t’i kuptojë e t’i zbatojë.
Ithtarët shqiptarë të realpolitikës me siguri edhe kësaj here do të përdorin argumentin: po ç’mund të bënin tjetër shqiptarët, qoftë kur gatuhej “Plani Ahtisari”, qoftë më vonë ose edhe tani, veçse të shpresonin tek ndërkombëtarët, t’u shprehnin miratim për gjithë këshillat e taktikat e tyre se vetëm kështu mund të dilte ndonjë gjë, pasi ne nuk jemi të fortë si serbët? Kjo psikologji e paralizoi politikën shqiptare në Kosovë për shumë kohë, derisa në skenë doli UÇK-ja, që disa e etiketuan madje si aventurizëm ose si punë agjenture serbe. Por, koha dëshmoi se punët qëndronin ndryshe. Edhe atëherë, edhe më vonë, të paktën shqiptarëve t’u thuhej më hapur si po shkonin punët, të zbuloheshin para tyre intrigat, të mos mbyllej politika shqiptare në një guaskë sekreti për natyrën e bisedimeve shqiptaro-serbe, që nuk ishin aspak teknike, siç cilësoheshin publikisht, por ishin bisedime të mirëfillta politike, që i dhanë mundësinë Serbisë të dalë këtu ku ka dalë sot, nëpërmjet “bisedimeve teknike” ka arritur tashmë të imponojë një shkallë të lartë boshnjakëzimi të Kosovës në përpilimin e projekteve që priten të vihen në jetë.
U përsërit procesi i Rambujesë. Serbët siguruan shumë lëshime në rregullimet praktike për Kosovën dhe tani bëjnë sikur nuk kanë marrë asgjë, se paskan dalë të humbur dhe do të tentojnë zgjidhjen e fortë, siç bëri Millosheviqi kur erdhi puna për të vënë firmat mbi tekstet e Rambujesë. Mos po e teprojmë me pesimizëm? Edhe po të jemi më pesimistë sesa duhet e keqja nuk do të vijë nga kjo. E keqja do të vijë nëse jemi optimistë në hava, nëse gjykojmë me sy mbyllur e me veshët të shtupuar para asaj që bëhet e thuhet. I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor ka deklaruar në mënyrë të prerë se Kosova duhet të dërgojë deri më 2 maj 2023 projektin e saj për krijimin e Zajednicës së komunave serbe. Pse u dashka që një projekt të tillë ta paraqesë Kosova e jo diplomacia perëndimore nëse ai qenka i pashmangshëm? Duket se edhe në këtë rast duan ta përsërisin modelin e krijimit të Gjykatës për Krimet e Luftës në Kosovë, që më vonë të thuhet se vetë shqiptarët e menduan Zajednicën si deshën dhe nuk ua imponoi njeri.
II. Në Shqipëri sherri e shamata janë përqendruar tani tek fushata dhe prognozat për rezultatet e zgjedhjeve administrative që do të mbahen më 14 maj 2023. Në shkrimin “Zgjedhjet në Ramazan, bekim apo…” (“Shenja”, korrik 2017) kam pas trajtuar problemin se “Pse në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme?” duke arsyetuar si në vijim:
“Sepse zgjedhjet në Shqipëri shërbejnë për të ngritur tensionin politik. Për të mashtruar opinionin publik se tashmë kemi demokraci të mirëfilltë dhe punët po bëhen në rregull. Për t’u krijuar mundësinë politikanëve shqiptarë të shfrejnë egërsinë e tyre me akuza e propagandë kundër njëri-tjetrit. Për t’u dhënë mundësi propagandistëve në Shqipëri të shprehin pasionet e tyre vulgare për acarimin e nervave të njerëzve. Për t’u dhënë mundësi mekanizmave europiane të bëjnë pallavra e eksperimente për ‘demokracinë zgjedhore’. Për t’u dhënë raste politikave e agjenturave të huaja të ngatërrojnë më shumë punët në Shqipëri. Për një mori marifetesh të tjera që njerëzve nuk u sjellin ndonjë dobi të madhe, as përmirësojnë pushtetin e administrimin, as nuk zgjidhin hallet parësore individuale e të përbashkëta…”.
Në muajin e Ramazanit të këtij viti, prill 2023, dhe në muajin e votimeve, maj 2023, të gjitha këto dukuri janë shumë më të theksuara e më të shëmtuara se më parë. Atëherë përse shërbejnë “sherret e tanishme për zgjedhjet? Sepse janë shumë sherretë që merren me këtë punë. Sepse ata që bëjnë të tilla sherre nuk shqetësohen për qeverisjen e administrimin e Shqipërisë, por për të zënë karrige që u mundësojnë të zhvasin sa më shumë në emër të pushtetit (Tani edhe kjo dukuri po bie në sy më shumë se kurrë). Bëhen përpjekje që pazaret partiake t’i venë mbi ligjin. Kur bëhet kështu, zgjedhjet humbin vlerën e forcën ligjore, krijojnë pushtet të paligjshëm. Kur marrëveshjet e partive vihen mbi normat themelore ligjore nuk ka më shtet të organizuar, por arbitraritet e anarki të një politike të çorganizuar.” Kështu vepron prej vitesh në Shqipëri pushteti i bandokracisë.
Në shkrimin “Pastrohet bulevardi, ndotet politika” (“Shenja”, qershor 2017) shkruhej: “Në Shqipëri nuk ekziston përvojë e fitimit të zgjedhjeve nëpërmjet një ‘Fair Play’ (loje të pastër). Zgjedhjet e para (1921) në shtetin e pavarur shqiptar nuk ishin zgjedhje të mirëfillta. Ato për Asamblenë Kushtetuese (1923) shërbyen vetëm si shkas që të niste “revolucioni (grushti i shtetit) demokratik” i qershorit 1924. Nën autokracinë zogiste zgjedhjet ishin procedura për legalizimin e rregullimeve nga lart. Gjatë viteve 1944-1991 Shqipëria njohu vetëm farsa zgjedhore, ku vota ishte thjesht dëshmi e qytetarit për t’iu nënshtruar diktaturës komuniste. Shpresat për të krijuar një sistem zgjedhjesh të lira e të drejta pas vendosjes së pluralizmit politik u venitën shpejt. Zgjedhjet e manipuluara të 31 marsit 1991 lanë në fuqi pushtetin komunist, që dështoi menjëherë dhe u detyrua të kërkonte koalicion me opozitën. Zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit 1992 nuk ishin zgjedhje, por ishin në fakt një plebishit për ndryshimin e formës së regjimit. Në fuqi erdhi Partia Demokratike, që nuk kishte përvojën, as idenë, as aftësitë e duhura për të ndërtuar e drejtuar një shtet.
Rast i mirë për të vënë themelet e një tradite zgjedhjesh të drejta e të lira u paraqit në zgjedhjet e 26 majit 1996. Këtë mundësi e shpërdoruan të dy partitë e mëdha, PD qeverisëse dhe PS opozitare, pa i thirrur mendjes, se kështu u hap varri i zgjedhjeve të lira e të drejta në Shqipëri, ku ra jo vetëm politika partiake, por tërë Shqipëria. Më 1997 PS-ja me rebelim të armatosur e përmbysi pushtetin e PD-së dhe votimet që pasuan më 29 qershor 1997 nuk ishin as të drejta, as të lira, as të ndershme. Ato ishin si zgjedhjet që i organizonin dikur juntat ushtarake në Amerikën Latine pasi merrnin pushtetin me grusht shteti. Mirëpo, bota demokratike për rehati i shpalli ato zgjedhje “të pranueshme për momentin”. Zgjedhje të manipuluara nga PS-ja, e kryesuar nga Fatos Nano e Ilir Meta, janë bërë në vitet 2000 (lokale) dhe më 24 qershor 2001. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, në saje të makinacioneve ndërkombëtare, PD-ja erdhi sërish në pushtet me një shumicë të papërfillshme. Rolin e xhambazit në këtë ndryshim e luajti Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e krijuar prej tij si shemër e PS-së në krahun e majtë të spektrit politik. Në zgjedhjet e vitit 2009 edhe një herë Ilir Meta me partinë e tij bënë punën e xhambazit dhe e mbajtën PD-në në pushtet; por, kësaj radhe si parti bashkëqeverisëse, me shumë përfitime pushtetore.
Në prag të zgjedhjeve të vitit 2013 Rama e joshi dhe tërhoqi në anën e tij Ilir Metën. PD-ja e Berisha i humbën zgjedhjet. Rama e Meta u bënë bashkëkryetarë të koalicionit qeverisës dypartiak, njëri me post shtetëror si kryeministër, e tjetri kryetar i parlamentit. Por, përsëri, sipas instinktit të grabitqarit, e vështronin me zili e dyshim njëri-tjetrin. Kjo e mbajti gjithnjë të acaruar gjendjen politike në Shqipëri. PD-ja nuk i ndali intrigat për ta prishur ortakërinë Rama-Meta, që ta bënte xheloz Metën e ta tërhiqte në anën e saj. Por, më 17 maj 2017, si “papritmas” PD hyri në pazare me Ramën, duke i dhënë një shqelm të fortë Metës, që më parë kishte marrë të shtyrën mënjanuese të Ramës, kur e bëri “President të Republikës”. Pazarllëku Rama-Basha nuk ia mbylli rrugën ballafaqimit të madh ndërkombëtar në Shqipëri, midis rivaliteteve amerikano-ruse e as lakmive agresive të politikës së boshtit ortodoks Beograd-Athinë. Protagonistët shqiptarë në këtë ndeshje u gjendën në rrugë pa krye. Manipuluesit e tyre ndërkombëtarë çmuan se një fitore përfundimtare e njërës ose tjetrës palë ishte e vështirë, prandaj duhej vendosur një “armëpushim” për manovrim. Për këtë sihariq më të ngazëlluar e të lehtësuar se shqiptarët u ndjenë politikanët dhe burokratët diplomatikë europianë e amerikanë. Ata ishin të parët që e përshëndetën arritjen e ujdisë Rama-Basha, pra fillimin e zbatimit të skemës së ndërkombëtarëve.
Opinioni publik shqiptar u shushat nga ujdia e papritur Basha-Rama, por nuk reagoi nga frika se mos ndodhte ndonjë katrahurë më e madhe. Prandaj, politikanët shqiptarë e ndjenë veten të çliruar nga kufizimet e moralit politik dhe vepruan sipas postulatit të tyre se “ky popull ka qejf ta gënjesh”. Edhe shtabet e interesuara ndërkombëtare mbetën të shushatura dhe nisën një fushatë të madhe për të rindërtuar skemat e skenat politike në Shqipëri. Por, tani, në vitin 2023 duken të pafuqishëm të ndërtojnë ndonjë strukturë zgjedhore shqiptare që të ringjallë besimin e dikurshëm të shumicës së shqiptarëve tek mrekullitë e demokracisë zgjedhore. Prandaj këto mendime parapëlqej t’i mbyll me fjalët nga shkrimi i qershorit 2017 në “Shenja”: “Dikur kam shkruar artikullin ‘Të ndalet yryshi Rama’. Rama nuk e ndali yryshin, por tani është më shumë në pozicione mbrojtëse, pas dëmit që i ka bërë vendit. Tani duhet thënë ‘Të ndalet marrëzia Basha’ drejt pushtetit; t’i jepet fund ‘ligësisë Berisha’ dhe ‘bishtdredhjes Meta’ në politikë dhe të pastrohet politika nga parazitët kryepartiakë, që lëpihen e lavirosen qysh nga viti 1991, pas bishtit e nënbishtit të ‘partive të mëdha’. Duhet, vërtet, një ristrukturim i thellë i gjithë thurjes politike shqiptare. Po kush mund ta bëjë?! Për shumë kohë në Shqipëri do të jetë e vështirë të dalë ndonjë forcë politike serioze që të përmbushë një mision të tillë.”

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X