loader image
May 24, 2024

Pranvera e vonuar shqiptare

Shoqëria shqiptare më se 100 vjet është bërë pre e invadimit ideologjik, duke bërë përpjekje maksimale për të qenë gjithmonë tjetri. Krijimi i shtetit shqiptar në vitin 1912 apo, më saktë, i asaj që ne kemi dëshirë ta quajmë shtet shqiptar, në këtë mes, nuk solli edhe një koncept të qartë se çfarë në të vërtetë duam, si e duam dhe ku duam të arrijmë.

Në fakt, dëshmitarët e asaj kohe që në fillim e kanë ndjerë dhe parë këtë katrahurë. Ndërsa ne, “të mëvonshmit”, jemi vetëm viktima të interpretimeve të rrejshme historike, duke ndërtuar kështu narracionin e gabuar se duke qenë bijtë e pellazgo-ilirëve, ne jemi më të mirët, më të diturit dhe, natyrisht, edhe më europianët…, pretendime këto që nuk shpijnë gjëkundi, përpos se në një megalomani patetike.

Para më shumë se një shekulli ne kishim vetëm një copëz Shqipëri, që po ta dinin brezat e sotëm se sa ishte ajo tokë arbërore e asaj kohe, do të qeshnin me zë se kujt i paskëshim thënë ne shtet.

Nejse! E ngjizëm shtetin me dy mendje: disa me “ata” e disa me “këta”. E vazhduam me shumë tradhti e përmbysje qeverish… E “ngritëm” shtetin me shumë aleanca absurde, e pastaj – ashtu të copëtuar – përfunduam nën robëri e okupime. Kjo histori, kuptohet për ata që e dinë të vërtetën e asaj kohe, e zbeh entuziazmin e “pellazgëve” të sotëm, sepse e njëjta na mëson se krijimi i shqiptarisë në konturet e sotme gjeografike ka kaluar përmes shumë përplasjeve dhe tradhtive prej atyre që i kemi pandehur si miq të përjetshëm. Në të vërtetë, historia na mëson se asnjë “miqësi e përhershme” e shqiptarëve nuk ka zgjatur më shumë se tri dekada. Por, megjithatë, sot janë të paktë ata që duan të përballen me këtë të vërtetë.

Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si tri vende ku më së shumti janë përqendruar shqiptarët, në këtë periudhë po përballen me shqetësime të natyrave të ndryshme si pasojë e (gjeo)politikave të gabuara.

Pika më nevralgjike e shqiptarisë, që nga koha e tërheqjes së Perandorisë Osmane, po përpëlitet në ndërtimin e shtetësisë. Ndonëse e fituar me gjak, ajo sot po e paguan çmimin e triumfit historik të vitit 1999, kur pas shumë vuajtjesh e persekutimesh i dha fund okupimit serb. Edhe pse e plagosur dhe plandosur, njëjtë sikurse Shqipëria e Ismail bej Vlorës para një shekulli e më shumë, po detyrohet që shtetësinë e saj ta paguajë përmes deshtetëzimit që po ia imponojnë ata që e ndihmuan ta krijojë sovranitetin. Procesi në Hagë kundër bartësve të projektit të lirisë, kërkesa për Asociacionin dhe “marifetet” tjera rreth Kishës Serbe në Kosovë, po ngjallin një ndjenjë të çuditshme te shqiptari ordiner, duke krijuar tek ai përshtypjen se dikush po përpiqet të rivendosë një farë Serbie në tokën e çliruar.

Në Maqedoninë e Veriut, me shqiptarët e saj, edhe pas 32 vjetësh nga mëvetësimi i këtij vendi, flasim për tema që kanë si paradigmë barazinë. Kur në vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta të shekullit të kaluar dëgjonim dikë nga shqiptarët që i arsyetonte veprimet antishqiptare të Beogradit, atë e quanim “të ndershëm”. Ndërkohë që sot, “partia e luftës” u thotë bashkëkombëse të vet se “nuk është koha që shqiptarët të kërkojnë heqjen e sintagmës ‘gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës’”. Gjithë kjo bëhet me arsyetimin se “tani duhet t’i vendosim bullgarët në kushtetutë dhe se çështjet tona kombëtare duhet të presin ditë më të mira”. Kjo sjellje dëshmon për një transformim të thellë me pretekste shumë të çuditshme që prekin kufijtë e mazohizmit etnik.

Dhe, Shqipëria… “Nëna e kombit”, e cila në këto 30 vjet nga gjiri i saj e ka përjashtuar një të tretën e popullsisë, po shkon në zgjedhje me politikanë dhe me një kryeministër që mund ta celebrojë fitoren që në mëngjesin e ditës së votimit më 14 maj përballë një opozite, e cila ka si bartës dy personazhe që i kanë plakur 33 breza shqiptarësh dhe shqiptaresh të pluralizmit politik. Ky pushtim i skenës politike shqiptare, që nuk ka prodhuar thuajse asgjë të re, sot në vitin 2023 ka ngjallë edhe një konflikt të fuqishëm mes diplomatëve amerikanë dhe padronëve të opozitës shqiptare. E gjithë kjo nuk nënkupton arsyetimin e brutalitetit diplomatik me mendësi guvernatori, por paralelisht kjo i bie të nënkuptohet se mosndryshimi në skenën politike ka sjellë figura të korruptuara dhe lehtë të shantazhueshme për “kaubojët” e diplomacisë.

Si përfundim, sot shqiptarët, ku me fajin e tyre, ku me atë të huajve, po e paguajnë koston e papjekurisë dhe besimit të verbër ndaj secilit që ua ka rrahur supet.

Marrëdhëniet mes shteteve dhe kombeve bazohen vetëm në interes, kurse ata që rrahin temat gjeopolitike nëpër studiot televizive, natyrisht me përjashtime, janë mercenarë të kohës moderne, të cilët nuk e vrasin fort mendjen për viktimat e gjakun e derdhur. Ata apo ato paguhen për ta thënë “të vërtetën e tyre”, e cila në të shumtën e rasteve është në drejtim të kundërt me interesin kombëtar.

Pritja e gjatë për të ndërtuar dhe forcuar shtetin/shtetet, me gjasë do të na marrë ende kohë. Në fakt, nëse vazhdojmë kështu me politikat e zbrazjes së shtetit/shteteve, nuk dihet se kujt do t’ia ndërtojmë atë/ato?!

Ismail SINANI

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X