loader image
May 21, 2024

Eksperimenti i radhës me Serbinë e Madhe, kësaj radhe nga SHBA dhe BE?

SHBA dhe Bashkimi Europian kanë marrë përsipër ta realizojnë de facto projektin e Serbisë së Madhe, kësaj here brenda “Ballkanit të Hapur”, pra si një projekt i negociuar dhe paqësor, nga i cili llogaritet se Serbia do të mund të denacifikohej e të deputinizohej.

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Ndryshimi i kursit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian ndaj Serbisë, duke e shndërruar Serbinë në palë të favorizuar në turbulencat ballkanike, është evident dhe tashmë po prodhon ndryshime drastike edhe në terren. Kësisoj, Mali i Zi tashmë është përfshirë në projektin e “botës serbe”, si me Marrëveshjen Themeltare të shtetit malazez me Kishën Ortodokse Serbe, ashtu edhe me humbjen e Millo Gjukanoviqit në zgjedhjet presidenciale, nga kandidati i bllokut serb dhe Kishës Serbe. Nëse blloku serb i fiton edhe zgjedhjet parlamentare që tashmë janë shpallur, atëherë finalizohet futja e Malit në Zi në “botën serbe”, përkatësisht rifillimi i procesit të dirigjimit të politikës së Podgoricës nga Beogradi. Synimi strategjik i SHBA-së dhe BE-së është që rolin e xhandarit në rajon ta ketë prapë Beogradi, por tash një “Beograd europian”, pra i koordinuar me Perëndimin.

Abazoviqi si brend i “botës serbe” edhe në Kosovë

Pse ndodhi ky ndryshim në rastin e Malit të Zi? Ndërmjet rrezikut nga një konflikt civil në Malin e Zi dhe një Mali të Zi të mbikëqyrur nga Serbia, por nga një Serbi e afruar me Perëndimin, Perëndimi ka zgjedhur ta përkrahë mbikëqyrjen e Serbisë mbi Malin e Zi. Nuk është pa simbolikë dhe pa peshë konkrete politike e psikologjike edhe fakti që ky proces është realizuar nga një shqiptar në krye të qeverisë së Malit të Zi, nga Dritan Abazoviqi. Perëndimi e nxori Malin e Zi nga pat-pozicioni, ku rreziku i konfliktit civil ishte real, duke e instaluar në krye të qeverisë malazeze Dritan Abazoviqin. Ky i fundit e firmosi Marrëveshjen Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe, të cilën nuk guxoi ta firmoste as ish kryeministri proserb, Krivokapiq. Abazoviqi e firmosi dhe e legalizoi edhe rolin politik nacionalist të Kishës Serbe në Malin e Zi, të riserbizuar. Abazoviqi e ndihmoi me sa mundi edhe fitoren e bllokut serb në zgjedhjet presidenciale, ku u mposht Millo Gjukanoviqi. Abazoviqi vazhdon të jetë për një kohë të gjatë në krye të një qeverie teknike, jo vetëm i patrazuar nga askush, por i ndihmuar nga të katër anët, veçmas nga SHBA-ja, BE-ja dhe nga Serbia.
Mua më duket se, në stilin e karambollit që vlen në lojën e biliardos, futja e Malit të Zi në projektin e “botës serbe”, me angazhimin dhe kontributin kritik të shqiptarëve, do të ketë efekte politike, por edhe psikologjike për zhvillimet e radhës në Kosovë. Pse? Vizita e Abazoviqit në Kosovë, në mes të prillit 2023, ku ai manifestoi një sjellje arrogante dhe pothuajse përçmuese ndaj Vjosa Osmanit dhe Albi Kurtit, është shenjë e qartë se si do të rrjedhë procesi i futjes së Kosovës në “botën serbe”. Vizita e Abazoviqit në Kosovë ishte e organizuar nga një subjekt ekonomik, ndërsa pritja që iu bë nga presidentja Vjosa Osmani dhe nga kryeministri Albin Kurti, atyre thjesht iu imponua. Jo vetëm që iu imponua ta prisnin e sajdisnin, po ata as nuk kanë guxuar ta hapin fare temën e demarkacionit në takimet me të! Për opinionin tim, kjo tregon se goditja e radhës në favor të projektit serb për ridizajnimin e “Serbisë së Madhe”, nën eufemizmin “bota serbe”, do të realizohet kundër Kosovës, duke e maskuar a zbutur edhe me influencën dhe prezencën e fenomenit Abazoviq. Sigurisht edhe më shumë me rolin e Edi Ramës, por roli i Ramës do të forcohet në projektin që pason, në “Ballkanin e Hapur.”

Ahtisaristani po kthehet në Albinistan

Para se të përdoren edhe me efekte psikologjike esencialisht antikombëtare këta dy figurantë të politikave të Uashingtonit e të Brukselit në projektin e afrimit të Serbisë me Perëndimin, rruga është shtruar me Planin Franko-Gjerman dhe me Planin e Zbatimit. Plani Franko-Gjerman, i akorduar në Bruksel, dhe Plani i Zbatimit, i akorduar në Ohër, u jep serbëve të Kosovës një status të ri brenda Kosovës. Pazari është evident: me këto aranzhmane të imponuara me presione kundër qeverisë së Kosovës, serbëve në Kosovë u janë dhënë katër llojet ekzistuese të autonomisë, me çka ata realisht bëhen subjekt ndërkombëtar, për të participuar pastaj legalisht në “botën serbe”. Me këto marrëveshje, serbëve fillimisht u është dhuruar autonomi territoriale-politike, me Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe (Zajednicën). Përtej kësaj, u është dhënë edhe autonomi funksionale, me formalizimin e Kishës Ortodokse Serbe me një Marrëveshje Themeltare, me siguri të ngjashme më atë që i është imponuar Malit të Zi, nëse jo edhe më shumë, me eksterritorialitetin, mbase edhe me kthimin eventual në selisë së Patrikanës në Pejë. Serbëve, me Planin Franko-Gjerman, u është çimentuar edhe autonomia kulturore, duke e lënë të lidhur arsimin e kulturën e serbëve të Kosovës me Beogradin. Serbëve në Kosovë u është dhënë si ofertë e re edhe autonomia personale (VETËMENAXHIMI), pra një status i privilegjuar në bazë të përkatësisë nacionale. Sikundër po shihet, në javët dhe muajt në vijim, pritet të operacionalizohet Plani Franko-Gjerman dhe Plani i Zbatimit, me çka Kosova e Ahtisarit do të pësojë ndryshime esenciale. Kosova e Ahtisarit (Ahtisaristani) ka rrezik të dizajnohet ngjashëm me federatën kroato-boshnjake, natyrisht pa e proklamuar si të atillë. Qëllimi i fshehtë i këtij ridizajnimi ka të bëjë edhe më qëllimin që ka udhëhequr strategët e Marrëveshjes së Dejtonit: të mbajë të bllokuar me një element tjetër – qëllimet eventuale të muslimanëve në këto dy shtete. Bile edhe formimi i Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe e ka atë funksion, sepse ai formacion tumoroz ndërpret lidhjet e shqiptarëve me Saxhakun e me Bosnjën. Pra, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe e ndërpret të ashtuquajturën “transversalja e gjelbër”, e cila është antkh i qarqeve ekstremiste islamofobike në Europë. Përveç paragjykimeve të vjetra që kanë shumë qarqe europiane ndaj Islamit ndër shqiptarë, këtu është ndërfutur edhe praktika e keqpërdorimit të Islamit politik nga Albin Kurti në dy palë zgjedhjet e fundit. Aleancat e fshehta të LVV-së me disa nga krerët fetarë, pas asaj traume me vajtjen e shumë të rinjve si mercenarë në Siri e në Irak, si duket ua ka mbushur kupën. Dyshimi në “qëllimet e fshehta të muslimanëve shqiptarë” tashmë është shndërruar në politikë të Perëndimit për ta rifutur Kosovën nën kontroll më rigoroz. Pra, nën kontroll të orkestruar ndërmjet Perëndimit dhe Serbisë. Kjo Kosovë e rifutur nën kontroll të tillë, me ndarjen e sferave të interesit pak a shumë siç ishte ndarja e interesave dikur në Jaltë (30-70), më nuk mund të quhet Kosova ahtisariane ose Ahtisaristan. Kjo po modelohet si Kosovë albiniane ose Albinistan. Këtë ndryshim kursi të Perëndimit e kanë provokuar lojërat me Islamin politik, në njërën anë, si dhe qëndrimi i maskuar antiamerikan i LVV-së, në anën tjetër.
Pas albinizimit të Kosovës, përkatësisht lidhjes së saj me disa fije të forta me “botën serbe”, në radhë do të jetë Bosnja e Hercegovina, për një ridizajnim të saj, por brenda projektit të “botës serbe”. Gjasat janë që nuk do të lejohet shkëputja e Republika Serpska, por fuqizimi i saj brenda shtetit të Bosnjes, tashmë si subjekt i moderuar e properëndimor, në linjë me Beogradin. Një orientim i atillë do të ishte me shumë interes për ta lehtësuar anëtarësimin e BeH në NATO.

Ballkani i Hapur si “Serbi e Madhe” por properëndimore

Paralelisht me këto akomodime të interesave serbe në Malin e Zi, në Kosovë e në BeH, po fuqizohet projekti “Ballkani i Hapur”, ku shumë më me marifet mund të kontrabandohet zgjidhja e çështjes serbe brenda projektit të “botës serbe”. Serbia e Madhe tashmë ka kaluar si projekt në duart e Uashingtonit e të Brukselit, demek si projekt për një Serbi europiane, të integruar në Bashkimin Europian, por edhe në partneritet strategjik me NATO-n.
Një Serbie të konceptuar si europiane dhe miqësore ndaj NATO-s po i jepen favore të cilat para disa vitesh kanë qenë të paimagjinueshme. Po pse? Nëse na interesojnë shkaqet e këtij ndryshimi strategjik, atëherë mund të përmendim dy prej tyre: e para, përpjekja e Perëndimit për ta shkëputur Serbinë nga influenca ruse e për ta mbyllur disi vrimën e zezë gjeopolitike që paraqet Serbia rusofile në Ballkanin Perëndimor. Fakti që Serbia është i vetmi vend në Europë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, bashkë me ekzistencën e Qendrës Humanitare ruso-serbe në Nish dhe me varësinë e madhe të Serbisë nga gazi rus, paraqet rrezik për NATO-n. Serbia gjendet në zemër të shteteve të Aleancës Veriatlantike dhe ka rrezik se mund të përdoret si bazë nga Rusia si për spiunim nga Qendra Ruso-Serbe e Nishit, si edhe për aksione destabilizuese në shtete e NATO-s me anën e mercenarëve rusë, që mund ta përdorin si bazë Serbinë. (Nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, në Serbi kanë marrë strehim 200.000 rusë. Kush mund të garantojë që në mesin e tyre nuk ka terroristë të Putinit?) Nëse ashpërsimet në relacionin Rusi-NATO përshkallëzohen, kjo e rritë urgjencën e shkëputjes së Serbisë nga influenca ruse. Shkëputja mund të bëhet duke i dhënë favoret, që tashmë po i jepen bujarisht. E dyta, disa nga shtetet ballkaniko-perëndimore, si Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, kanë mbetur shtete të dobëta e me tendenca që të shndërrohen në shtete të dështuara, nëse nuk menaxhohet politika destabilizuese e Serbisë kundër tyre. Rrjedhimisht, është kalkuluar se një Serbi e afruar me Perëndimin mund të zbutet më lehtë dhe të menaxhohet më lehtë politika e saj destabilizuese ndaj shteteve të dobëta. Natyrisht, jo pa një çmim. SHBA-ja dhe Bashkimi Europian kanë marrë përsipër ta realizojnë de facto projektin e Serbisë së Madhe, kësaj here brenda “Ballkanit të Hapur”, pra si një projekt i negociuar dhe paqësor, nga i cili në fund llogaritet se Serbia do të mund të denacifikohej e të deputinizohej.
A është projekt i mundshëm europianizimi dhe atlantizimi i Serbisë? Se a është projekt i mundshëm, për këtë mund të na japë leksion përvoja se si e kanë trajtuar europianët çështjen serbe dhe çka kanë prodhuar ato projekte:
1. Në sfondin e luftërave ballkanike, nga Konferenca e Londrës, u lejua krijimi i Serbisë së Madhe, ndonëse e krijuar me gjenocid.
2. Edhe pse Serbia e shkaktoi Luftën e Parë Botërore, shkaku i atentatit në Sarajevë, që ishte organizuar nga shërbimet sekrete të Serbisë, Serbia prapë u shpërblye, në vend se të ndëshkohej për kasaphanën që provokoi.
3. Mbretërisë SKS iu lejua politika e aneksimit dhe e bashkimit të dhunshëm ndaj Malit të Zi, Kroacisë, Vojvodinës, Sllovenisë, Kosovës dhe “Serbisë Jugore” (Maqedonisë).
4. Jugosllavinë e AVNOJ-it e bënë britanikët së bashku me sovjetikët. Karakteri i panatyrshëm i saj u pa menjëherë pas mbarimit të luftës, duke filluar me krizën e Triestës, me konfliktin me Stalinin, me rolin në të ashtuquajturën lëvizje e mosinkuadrimit (ku herë i shërbente Lindjes e herë Perëndimit!) e deri të shpërbërja me një konflikt të përgjakshëm.
5. Jugosllavia e Zhablakut (1991) ishte krijesë e kriminelit Slobodan Millosheviqit, por prapë u njoh.
6. Serbia e sotme, së cilës i është pranuar kontinuiteti me Jugosllavinë, ende e mban në preambulën e kushtetutës së vet Kosovën, ndonëse Kosova ka proklamuar pavarësinë e saj në vitin 2008.
Duke lejuar gjithë ato eksperimente me Serbinë, Perëndimi e ka lejuar gjenocidin. Prapë po e ndjek të njëjtën skemë. Prapë do të përfundojë në një katastrofë. Pyetja njëmilionëdollarëshe është: a mos Perëndimi po e programon katastrofën e radhës në Ballkan, që të jetë e gatshme për eksplodim pas mbylljes së luftës në Ukrainë? Nëse veprimet që po bëhen mund të lexohen si sinjale, kjo është e mundshme, sepse të gjitha eksperimentet e deritashme me Serbinë e me Jugosllavinë atë përfundim e kanë pasur.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X