loader image
April 15, 2026

“Shenja”, revistë e lirisë dhe platformë e demokracisë

“Shenja” e ka zbatuar me përpikmëri thënien latine “scripta manent, verba volant” ose “ajo që shkruhet mbetet, fjalët fluturojnë”. Shkrimi në letër, për dallim nga shkrimi në etër ose në hapësirën onlajn, tek një autor krijon ndjesi të veçantë, pasi e di, e ka parasysh dhe e imagjinon se publiku e lexon e ndjek në mënyrë të thelluar, sistematike, analitike, por edhe ka mundësi të sendërtojë qasje kritike ndaj veprës autoriale – shkrimit.  

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup   

Revista “Shenja”, përveç ndikimit të saj ndaj mendimit politik shqiptar dhe në kultivimin e pluralizmit të mendimeve dhe qëndrimeve politike dhe shoqërore, ka lënë gjurmë personale si një media, e cila më ka mundësuar të përjetoj dy arritje substanciale dhe sublime, që ndërlidhen me gazetarinë si profesion i imi i zgjedhur bazik.  

E para, më ka mundësuar ta ruaj vazhdimësinë me “galaksinë” e Gutenbergut, me gazetarinë e shkruar ose të shtypit, të cilën e fillova në vitin 1998 dhe në të cilën qëndrova deri në vitin 2000, por që e rivazhdova me daljen e numrit të parë të revistës “Shenja”. 15 vite më ka mbajtur të lidhur me gazetarinë që preket. Kjo revistë e veçantë edhe për kah karakteri i saj, duke kaluar kufijtë tematikë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, më ka mundësuar të rikrijoj dhe të ruaj një ndërlidhje me gazetarinë që botohet në letër, jo vetëm si instrument i teknologjisë së transmetimit të fakteve/informacioneve, mendimeve/komenteve, interpretimeve/analizave, por mbi të gjitha si ruajtje e traditës së botimit të saj si media e parë, edhe pse tashmë për shkak të ndikimit të teknologjisë dhe internetit ndoshta në ikje, në zhdukje.  

“Shenja” e ka zbatuar me përpikmëri thënien latine “scripta manent, verba volant” ose “ajo që shkruhet mbetet, fjalët fluturojnë”. Shkrimi në letër, për dallim nga shkrimi në etër ose në hapësirën onlajn, tek një autor krijon ndjesi të veçantë, pasi e di, e ka parasysh dhe e imagjinon se publiku e lexon e ndjek në mënyrë të thelluar, sistematike, analitike, por edhe ka mundësi të sendërtojë qasje kritike ndaj veprës autoriale shkrimit. 

E dyta, revista “Shenja” ka lënë shenjë tek unë si njëra ndër mediat e rralla shqiptare, në të cilat kam punuar dhe në të cilat asnjëherë nuk më është kufizuar, reduktuar ose cenuar liria e shprehjes së mendimit mbi zhvillimet politike, por edhe për tema tjera jopolitike. “Shenja” nuk më ka sugjeruar kahe orientuese mbi tezat e shkrimit. Shkurt e shqip, nuk më ka censuruar, pavarësisht se mendimi ose qasja ime analitike ka përkuar apo jo me linjën editoriale të revistës. Ky fakt ia shton vlerën si platformë e lirisë mediatike, e pluralizmit ideor, por edhe më gjerë, e demokracisë autentike, siç e quante mendimtari i politologjisë dhe sociologjisë, Ukshin Hoti. 

“Shenja”, si revistë, i është përkushtuar hapësirës politike mbarëshqiptare, duke mos lënë anash as fushat e tjera, në fillimet e saj duke u lënë autorëve ta përzgjedhin temën dhe qasjen trajtuese të çështjeve aktuale dhe me interes publik, e më pas duke u tematizuar. Kontributi i saj i veçantë është në drejtim të kultivimit të gazetarisë profesionale, etike dhe jospekulative, por edhe të publicistikës si një shkallë më e avancuar e shtjellimit zbërthyes dhe sintetizues të temave dhe problemeve shqiptare, rajonale dhe globale.   

“Shenja” nuk është thjesht vetëm një revistë periodike e shtypit publicistik, por është një simbiozë, një in medias res ekselent, e cila siç i tejkalonte kufijtë gjeografikë dhe shtetërorë – i tejkalonte edhe ato të gazetarisë, duke u bërë revistë e cila bën ndërthurje të mendimit publicistik dhe shkencor. Ajo ka përdëftuar se brenda faqeve të saj është ngritur edhe si profil i dukshëm hulumtues-akademik, duke marrë për bazë autorët, bekraundin e tyre akademik dhe kontributet e tyre, të cilat në të ardhmen me siguri se do të jenë pika reference për hulumtimet shkencore shoqërore dhe humanistike. 

Në linjën e ndjekjes së strukturimit të revistës, kontributi im modest ka qenë në drejtim të kontekstualizimit të temave të mëdha, përkatësisht ndërkombëtare, ose e tejkalonin perimetrin e gjeopolitikës rajonale me realitetin shpesh të zymtë dhe jo shumë shpresëdhënës politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht me atë që e bënte dhe sidomos me atë që nuk e bënte politika shqiptare. Uroj t’ia kem arritur sadopak. Lexuesi është gjykatësi më i mirë!  

P.S Ky shkrim, si edhe në fillimet e “Shenjës”, u shkrua në minutat e fundit para mbylljes së numrit të revistës!   

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X