loader image
April 15, 2026

“Shenja”, revistë me karakter identitar

Ndërtimi i kësaj revistës dhe mbijetesa 15-vjeçare e saj, nuk ka qenë vetëm një pasion i drejtuesve dhe autorëve të teksteve të botuara në këtë periudhë, por mendoj se ka qenë nevojë e lexuesit (edhe pse mund të mos jenë në numër një masë shumë e madhe), i cili është takuar me këtë pasion për informim, zbulim, sensibilizim dhe përgjigje të shumë pyetjeve për ngjarje, fenomene dhe personalitete që e prekin drejtpërdrejt jetën politike, sociale dhe kulturore të kombit tonë.  

Arben LABËNISHTI, Strugë

Shumë të vërteta historike, nën propagandën e literaturës së botuar dhe asaj të mediumeve, ishin (disa vazhdojnë të jenë edhe në ditët e sotme) të fshehura, të shtrembëruara dhe të trajtuara njëanshëm e pa objektivitet të realiteti të tyre, e të cilat prisnin të çmontoheshin si gënjeshtra, sepse ishte bërë e patjetërsueshme për t’u zbuluar e vërteta e ngjarjeve dhe figurave të rëndësishme të historisë, si domosdoshmëri për ta kuptuar realitetin e djeshëm dhe të sotëm të kombit tonë. Ne kishim dhe vazhdojmë të kemi një kastë politike, e cila me emra të ndryshëm përdor mendësi dhe metoda të njëjta, për ta mbajtur ose marrë pushtetin për interesa individuale dhe klanore, duke e dëmtuar kështu rëndë interesin kombëtar. Asaj, që ne e quajmë “elitë intelektuale”, i mungon integriteti moral dhe guximi qytetar. Sii e tillë, ajo nuk i ka përmbushur detyrat dhe misionin që i takon. Pjesa më e madhe e klasës që e njohim si “biznesore” është favorizuar dhe vazhdon të favorizohet, për t’u pasuruar në dëm të pasurive natyrore, resurseve kombëtare dhe në kurriz të shumicës së popullit. Shpesh, elitat tona, kanë dëshmuar, naivitet, bashkëpunim dhe mercenarizëm ndaj fqinjëve sllavë e grekë (edhe me disa më të largët), grabitqarë, dashakeqës dhe ziliqarë të trevave dhe kombit tonë. Brenda popullit është përvijuar dhe vazhdon të përvijohet një frymë që tenton ta tjetërsojë traditën, vlerat kombëtare, historinë, familjen… Fatkeqësisht, jemi një shoqëri që justifikon e miraton ose është indiferente karshi asaj që ndodh në jetën politike, sociale, kulturore dhe ekonomike të kombit tonë.  

Të gjitha këto kanë krijuar një shtrat ku sundonin dhe në masë të madhe vazhdojnë të sundojnë. Ato janë: propaganda dhe manipulimi i fakteve edhe nëpërmjet lajmit, opinionit dhe publicistikës; pushtete që nuk kanë pasur dhe nuk kanë për qëllim interesin kombëtar dhe shtetëror, por e kanë dëmtuar atë dhe s’ka forcë intelektuale opozitare që i sfidon; shfrytëzimi dhe dëmtimi i papërgjegjshëm, grabitqar dhe i ligë i kombit; ankesat e paorganizuara që s’bëhen kërkesa të qarta dhe të qëndrueshme; si dhe amnezia kolektive e nënshtrimi asfiksues; të cilat e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojë dinjitetin dhe mirëqenien e popullit tonë. Në përballjen me këto sfida, për të cilat qytetarët kanë përgjegjësi dhe duhet të jenë aktivë një gur ka vënë edhe revista mbarëkombëtare “Shenja”, të cilën para 15 vitesh një grusht shokësh dhe miqsh, me këto brenga dhe vullnet për t’i zbuluar dhe për t’iu kontribuar të vërtetave, për t’iu dhënë përgjigje shumë pyetjeve për ngjarje dhe probleme të ndryshme, e themeluan këtë atë, ndërsa ajo me tekstet e shumë autorëve, të botuara për një dekadë e gjysmë, ka ecur drejt pretendimeve të themelimit dhe i ka dhënë përgjigje pyetjes së parë dhe më të rëndësishme të themeluesve dhe anëtarëve të redaksisë së saj, të cilën ia bën gjithkush vetes kur vendos të ndërmarrë një aktivitet: “pse po e bëj(më) këtë?  

Ndërtimi i kësaj revistës dhe mbijetesa 15vjeçare e saj, nuk ka qenë vetëm një pasion i drejtuesve dhe autorëve të teksteve të botuara në këtë periudhë, por mendoj se ka qenë nevojë e lexuesit (edhe pse mund të mos jenë në numër një masë shumë e madhe), i cili është takuar me këtë pasion për informim, zbulim, sensibilizim dhe përgjigje të shumë pyetjeve për ngjarje, fenomene dhe personalitete që e prekin drejtpërdrejt jetën politike, sociale dhe kulturore të kombit tonë. Ajo nuk e ka bërë këtë me propagandë, por me analizë dhe fakte që dokumentohen, sepse ky është synimi, mendësia dhe filozofia e saj.  

Gjatë leximit të teksteve të “Shenjës”, autorët e të cilave janë nga të gjitha trevat shqiptare, e kupton se shtylla filozofike e saj ka pretenduar zbardhjen e së vërtetës për përparimin e kombit, pa e nxitur përçarjen. Ajo nuk është përpjekur që të gjithë të mendojnë njësoj, por që të gjithë shqiptarët si komb t’i ruajnë vlerat e trashëgimisë së tyre dhe të ndërtojnë vlera të përbashkëta në përputhshmëri me identitetin e tyre kombëtar; të kenë mendim politik të unifikuar për çështjen kombëtare dhe për përparimin e kombit e shtetit, duke u ndërgjegjësuar për nevojën e dekomunistizimit edhe si mendësi të drejtuesve të shtetit, pushteteve, institucioneve të tjera dhe një mase të popullit me këtë mendësi; ta ruajnë gjuhën si themeli i identitetit shqiptar; të kujdesen për harmoninë ndërfetare, si një shtyllë e fuqishme e unitetit kombëtar; të përpiqen për unifikimin dhe përparimin arsimor e shkencor dhe të një tregu të përbashkët për zhvillimin ekonomik; si dhe të kenë ndjesinë dhe qëndrueshmërinë për të mos i pranuar, por për t’i flakur fenomenet, veset dhe devijimet që e dëmtojnë natyrshmërinë dhe përparimin e kombit tonë. Ajo e ka bërë këtë e bindur se këto vepra janë forcat e natyrshme që i fshijnë kufijtë artificialë dhe e forcojnë kohezioni mes Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Preshevës dhe Ulqinit, për të sotmen dhe për një të ardhme me dinjitet dhe të mirëqenë të shqiptarëve. 

Një media e ruan pavarësinë e saj duke mos u bërë altoparlant dhe armë e verbër e një partie politike dhe as e një klani me interesa të caktuara të tij, në dëm të interesit të përgjithshëm. Vetë tekstet e “Shenjës”, nga të cilët një pjesë e kënaqshme e tyre flasin me autoritet dhe seriozitet, e dëshmojnë frymën dhe hapësirën e saj mbi interesat e partive. Edhe pse qëllimi i kësaj reviste nuk është provokues në kuptimin dashakeqës dhe as rebel, ai në një kornizë morale dhe estetike është në kundërshtim dhe e sfidon drejtimin dhe përfaqësimin politik, si dhe devijimet me të cilat është përballur kombi ynë në jetën e tij politike, socio-kulturore dhe ekonomike dhe kështu ka synuar kthjellimin edhe rritjen e ndërgjegjësimit për dëmin që sjellin ato.  

Te ndonjë numër i “Shenjës” mund të gjesh të botuar edhe ndonjë shkrim “egjër”, i cili nuk është dashur të zë vend tek ajo, por, pavarësisht kësaj, nuk është devijuar a dëmtuar mendësia dhe synimi i saj. Në 15 vite jetë të pandërprerë botimi, pa mëdyshje mund të thuhet se kjo revistë i ka qëndruar besnike frymës dhe misionit që ia kishte ngarkuar vetes.   

Revista “Shenja”, pas 15 vitesh botimi, me tekstet e disa autorëve të angazhuar tek ajo, të cilët kanë trajtuar e shënjuar çështje dhe ngjarje me peshë për të sotmen dhe të nesërmen e kombit tonë, është bërë një minibiblotekë, ku mund të gjesh shkrime me të cilat hartohet një busull, që orienton te shqiptaria, te dinjiteti dhe te mirëqenia kombëtare.  

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X