loader image
November 21, 2024

Partia në duart e liderit, demokracia në duart e partisë

A janë në Maqedoninë e Veriut demokratët e deklaruar antidemokratë? Si e suspendon “partitokracia” sistemin demokratik? Sa ka liderokraci në partitë politike shqiptare dhe sa ato janë sulltan parti? Pse shpesh shteti nuk dallon nga partia dhe anasjelltas?

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Vacllav Havell, lideri popullor demokrat, simboli i rezistencës antikomuniste në Çeki, por edhe në Europë, i njohur për “Revolucionin e kadifenjtë” dhe kontributin e tij kolosal për rënien e “perdes së hekurt komuniste”, ka përdorur sintagmën “komunisti antikomunist”, që më pas ndër vite është transformuar në citat “Komunisti më i zi është vetëm antikomunisti”. Pavarësisht se konteksti i të qenit “komunist antikomunist” është portretizimi i njeriut i cilit kishte bërë jetë politike si komunist dhe në pushtetin e ri demokratik dëshironte të ngjitej si antikomunist, për objektivat e trajtesës sonë, me analogji, i bie që “antidemokrati më i madh është demokrati i deklaruar”!

Demokraci me fjalë, “partitokraci” në vepër

Që nga fillimet e viteve të ‘90-ta, kur u formua Partia e Prosperitetit Demokratik, kulti i liderit ka qenë në nivel të lartë. Nevzat Halili, nga një profesor i shkollës së mesme brenda një kohe të shkurtër u bë lider i popullarizuar, i dashur dhe i respektuar nga shqiptarët, një lider që zbriti në Tetovë me kalë të bardhë, një lider i fuqishëm, ndonëse pa njohuri të thella teorike politologjike. Jo shumë autonom në vendimmarrjen partiake, pasi nuk ishte as deputet e as zyrtar, Halili edhe sot kujtohet si lider pozitiv, i cili duhet thënë se nuk manifestonte sjellje dhe qasje autoritare në parti, gjë që ndikoi në shkarkimin e tij.

Një lider i pakontestueshëm me ndikim në skenën politike shqiptare ka qenë Arbër Xhaferi. Ndonëse jo tërësisht i shkëputur nga ndikimi i zëvendëskryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, Xhaferi edhe pse pa ndonjë tendencë për protagonizëm lidershipi, si doktrinar ekselent i koncepteve të reja teorike të politikës shqiptare, në analet e historisë mbahet mend si lider i fuqishëm, që ka kontribuuar në formësimin dhe zbatimin e konceptit të liderokracisë.

Ngjashëm ka qenë edhe me liderin tjetër të Partisë së Prosperitetit Demokratik, Abdurrahman Aliti, i cili gjithashtu ka qenë liderokrat, njeri që ka drejtuar partinë sipas parimeve të “partitokracisë”, duke e vënë atë në shërbim të një grupi apo klani të caktuar, edhe pse kishte dije politike dhe shtetmenaxhuese.

Ali Ahmeti, liderokrati i integristëve të bashkuar demokratik

Lufta e vitit 2001, përveç që prodhoi Marrëveshjen e Ohrit, shqiptarëve ua projektoi liderin e ri politik, i cili më shumë se dy dekada e drejton partinë e tij politike, por edhe përfaqëson shqiptarët në qeverisje. Një lider i prodhuar nga rrethanat politike të epokës së ndryshimeve tektonike të sistemit juridik-kushtetues dhe atij politik, Ahmeti është lider, fjala e të cilit në Bashkimin Demokratik për Integrim është e para, por edhe e fundit. Figura e tij tek një pjesë e anëtarësisë dhe simpatizuesve të këtij subjekti politik merr përmasa mitike (legjendare), në të cilin proces kontribuojnë edhe një pjesë e Kosovës, kryesisht eksponentë të Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë, kryesisht eksponentë të Partisë Socialiste.

Nuk e kemi dëgjuar rrallë frazën se “kryesia apo partia për këtë apo atë çështje ka autorizuar liderin”, që do të thotë se lideri i ka duart e lira në vendimmarrjen partiake. Listat e fundit të kandidatëve për deputetë nga BDI-ja janë dëshmi se Ahmeti është lider autoritativ.

Ahmetit edhe me statut partiak i është dhënë pushtet absolut. Në nenin 58 të statutit të BDI-së thuhet se kryetari i partisë “i propozon Këshillit të Përgjithshëm zgjedhjen e nënkryetarëve, sekretarin e përgjithshëm, sekretarin organizativ si dhe funksionarëve të tjerë të partisë; propozon zgjedhjen e anëtarëve të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm”.

Prandaj kur nisi të funksionojë “Grupi i Zjarrit”, i cili u shua shpejt, Ahmeti shkarkonte dhe ngarkonte funksionarë degësh ose institucionesh kur t’i tekej, sepse vendimet i ka legale, edhe pse duken shumë jolegjitime dhe anakronike në një sistem i cili mëton të jetë demokratik!

Partitë liderokratike suspendojnë demokracinë

Edhe Aleanca për Shqiptarët e vendos liderin partiak mbi organet tjera partiake.

Në nenin 71 të statutit të ASH-së thuhet: “Në rast të vërtetimit të shkeljeve statutare dhe programore nga ana e degëve ose nëndegëve, kryetari  i partisë i propozon kryesisë së partisë suspendimin e tyre dhe në të njëjtën  kohë i rekomandon kuvendit të partisë shpërndarjen dhe emërimin e përbërjes së përkohshme të re të tyre”. Ngjashëm ishte edhe me statutin e partisë LR PDSH-së, pararendëse e ASH-së, i cili liderit Ziadin Sela i mundësonte kompetenca të gjera në parti.

Partitë tona, siç po shihet, janë subjekte autoritare ose, siç do të shpreheshim me fjalorin analogjik me një sistem të kaluar historik, “sulltan parti”! Sistemi partiak funksionon nga lart poshtë, e jo si te partitë demokratike, tek të cilat është e kundërta.

Shteti dhe partia bëhen tok njëri me tjetrën

Duke pasur partitë të këtilla, jorastësisht në menaxhimin me institucionet e shtetit mbizotëron “partitokracia”, e cila e zëvendëson demokracinë. Kjo do të thotë se sistemi politik dhe shtetëror vihet në funksion të partive në pushtet, të cilat gjatë ushtrimit të kompetencave institucionale-shtetërore dhe ligjore nuk nisen nga parimi i meritokracisë, por nga ai i përshtatshmërisë ideopolitike. Në raportet e shumta të organizatave ndërkombëtare, sidomos të Komisionit Europian, por edhe të ekspertit Pribe, ishte mosndarja e shtetit nga partia ose partitë në pushtet. Në fushatën zgjedhore, edhe pse jemi në vitin 2024, ende debatohet se vallë resurset shtetërore përdoren për nevoja të fushatës partiake.

Lideri ose shpesh një klan rreth tij vendos se kush do të jenë deputetët, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët shtetërorë, drejtorët, zëvendësdrejtorët, anëtarët e bordeve drejtuese e “shkamxhinjë” e tjerë, disa prej të cilëve të përjetshëm.

Ndërkaq lideri i degës ose klani rreth tij vendosin për udhëheqësit e sektorëve, drejtorët e shkollave e drejtues të niveleve më të ulëta administrative dhe, mbi të gjitha, për punësimet në institucionet e administratës shtetërore dhe publike.

Kjo do të thotë se në Maqedoninë e Veriut nuk kemi demokraci të mirëfilltë ose sistem të etabluar politik, që funksionon mbi parimet dhe standardet demokratike, por kemi versione të saj të zbehta, që shpesh shpijnë drejt diktaturës totalitariste ose drejt “demokraturës”, një sistem simbiotik i demokracisë me tipare ose postulate të diktaturës ose njëmendësisë në menaxhimin dhe veprimin konkret politik dhe institucional.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X