Në 112 vjet shtet, dy monarki, dy regjenca dhe tre republika, por edhe 33 kryeministra dhe 11 presidentë. Që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, Shqipëria rezulton të ketë praktikuar 7 sisteme qeverisëse, duke treguar paqëndrueshmëri në bërjen e shtetit, por edhe mungesën e një tradite dhe nivelin e ulët të demokracisë. Një guidë historike që tregon se populli ynë nuk është i një lartësie të tillë sa të kërkojë dhe të qeveriset demokratikisht.
Shkruan: Roland QAFOKU, Tiranë
Demokracia, si një formë qeverisëse, është një fjalë e re në fjalorin politik shqiptar. Ajo është fjala po aq e re edhe për shoqërinë shqiptare. Në 112 vjet shtet në vendin tonë janë instaluar pothuajse të gjitha sistemet qeverisëse, të cilat janë shtatë të tilla: Shqipëria ka qenë dy herë monarki, dy herë është drejtuar nga regjenca dhe tri herë ka qenë republikë. E para, principata e Wilhelm Von Wied dhe Mbretëria e Zog I; Dy herë ka qenë e drejtuar nga regjenca. E para në 1914 deri në 1920 dhe e dyta nga 1943 deri në 1944. Dhe tre herë në vend ka sunduar republika parlamentare. E para nga 1925 deri në 1928. E dyta nga 1946 deri në 1990 dhe e treta nga viti 1990 e në vijim. Por i vetmi sistem demokratik është ai i instaluar në dhjetor të vitit 1990 kur u vendos pluripartizmi, ndërsa të gjitha sistemet e tjera paraardhëse kanë qenë ose gjysmë diktatura, ose diktatura të plota. Pra, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë një traditë të mirëfilltë të demokracisë si shumë vende të tjera perëndimore. Vonesa jonë për të ndërtuar shtetin, ka qenë e lidhur edhe me vonesën tonë për të pasur demokraci. Pikërisht kjo mungesë tradite është arsyeja kryesore përse demokracia aktuale ka shumë defekte. Populli ynë nuk është i një lartësie të tillë sa të kërkojë dhe të qeveriset demokratikisht. Shpesh demokracia është ngatërruar me të qenit të lirë dhe pa detyrime ligjore. Dhe, ajo që është konstatuar kur shqiptarët kanë qenë të lirë, liria i ka shthurur.
112 VJET SHTET, 33 KRYEMINISTRA DHE 11 PRESIDENTË
Se sa e brishtë dhe i tallazuar ka qenë shteti shqiptar dhe niveli i demokracisë këtë e tregojnë edhe të dhëna të tjera. Kështu, në 112 vjet shtet, Shqipëria ka patur 33 kryeministra. Me një llogari të thjeshtë, i bie që mesatarisht një kryeministër ka qëndruar në detyrë 3.3 vjet. Por, brenda këtyre shifrave ka edhe disa të tjera që tregojnë shumë për demokracinë. Gjatë regjimit diktatorial komunist, Mehmet Shehu ka qëndruar në detyrën e kryeministrit për 27 vjet, 4 muaj e 28 ditë (20 korrik 1954-18 dhjetor 1981), që e bën atë jo vetëm rekordmen absolut në historinë e Shqipërisë, por edhe në Europë. Por, jo për botën. Ia merr kryeministri i Singaporit, Lee Kuan Yew, që e mbajti detyrën e kryeministrit për 31 vjet. Habia është se në vend të dytë për jetëgjatësi në detyrën e kryeministrit është kryeministri aktual, Edi Rama, që e mban këtë detyrë prej 10 vitesh e 9 muaj. Gjasat janë jo vetëm që kjo jetëgjatësi të shkojë në 12 vjet teksa është duke konsumuar mandatin e tretë, por nëse fiton edhe mandatin e katërt, ajo të shkojë në 16 vjet. Sigurisht që kjo shifër nuk tregon për nivelin e lartë të demokracisë. Por, vijojmë më tej. Në vend të tretë është Enver Hoxha, i cili qëndroi në detyrën e kryeministrit për 9 vjet, 9 muaj e 26 ditë. Në vend të katërt është Adil Çarçani me 9 vjet, 1 muaj e 6 ditë e kështu me radhë. Por, Shqipëria e ka pasur kryeministër edhe Qazim Koculin, që qëndroi në detyrë vetëm një ditë. Ndërsa, përsa i përket presidentëve, përjashtuar Ahmet Zogun dhe Sali Berishën, roli i tyre nuk ka qenë pa fuqi ekzekutuese. Në 112 vjet shtet, Shqipëria numëron 11 presidentë dhe ky numër tregon edhe formën qeverisëse të shtetit, por edhe paqëndrueshmërinë e tij, rrjedhimisht edhe të demokracisë.
FORMAT E SHTETIT SHQIPTAR DHE NIVELI I DEMOKRACISË
28 NËNTOR 1912 – 14 MARS 1914
Dita që shpalli pavarësinë dhe shtetin shqiptar ishte njëkohësisht dita kur mori udhë edhe sistemi politik në Shqipëri. Por, ndonëse qeveria dhe gjithçka që funksionoi erdhi përmes një pleqësie me kandidatë të caktuar nga të gjitha trojet dhe pa qenë as monarki e as republikë, ishin Fuqitë e Mëdha që e përcaktuan formën e shtetit shqiptar për të ardhmen. Bashkë me njohjen e pavarësisë, ato vendosën si kusht që Shqipëria të ishte monarki e trashëgueshme dhe një principatë autonome neutrale e sovrane. Kjo ishte arsyeja e largimit të Ismail Qemalit, i cili dha dorëheqjen si kryeministër për t’ia lënë vendin një sistemi të ri qeverisës. Ndonëse kishte elementë të demokracisë me zgjedhjen e Pleqësisë, nuk mund të thuhet se gjithçka u zgjodh në mënyrë demokratike. Delegatët ishin një përfaqësim nga ato figura më të njohura dhe më me influencë dhe nuk është se u votuan. Përjashtim bëri Pleqësia dhe Senati, anëtarët e të cilëve u zgjodhën me votë në Kuvendin e Vlorës. Por ,vetëm Kuvendi i Vlorës nuk u zgjodh në mënyrë demokratike. Më shumë përfaqësuesit e tij nga të gjitha krahinat u përzgjodhën sesa u zgjodhën. Dhe, kjo sigurisht që ishte e justifikuar për shkak të rrethanave të asaj kohe.
14 MARS 1914 – 3 SHTATOR 1914 (Monarkia e parë)
Projektin e tyre si principatë Fuqitë e Mëdha e realizuan me anë të monarkut gjerman Wilhelm Von Wied. Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve shpalli “Statutin organik të Shqipërisë”, një dokument që e kthente vendin tonë në një lloj principate të tipit feudal, të drejtuar nga një princ i huaj me fuqi të plota. Kjo periudhë ishte edhe Monarkia e Parë. Por, kjo principatë do të ishte një kurorë e kufizuar. Kjo do të thoshte se Shqipëria do të ishte e kufizuar për sa i përket sovranitetit dhe do të vijonte të ishte nën një protektorat ndërkombëtar. Në pamje të parë dukej një përkujdesje e Fuqive të Mëdha, duke caktuar kryeministër Turhan Pashë Përmetin, të sjellë nga Stambolli, teksa po shijonte pensionin. Por, në fakt, e gjitha rezultoi një dështim. Wied-i nuk pati as kurajon dhe as fuqinë ligjore të vijonte mbretërimin e tij dhe më 3 shtator u largua nga Shqipëria, duke i dhënë fund edhe këtij sistemi qeverisës. Në këto rrethana, as që bëhej fjalë për demokraci.
14 MARS 1914 – JANAR 1920 (Regjenca e parë)
Edhe pse e njohur ndërkombëtarisht, qeveria pas largimit të princ Wied-it cilësohej si kalimtare. Shteti shqiptar drejtohej nga një regjencë e njohur edhe kjo ndërkombëtarisht, ndërkohë që kryeministër ishte Turhan Pashë Përmeti, i njëjti ai që ishte në kohën e Wied-it. Ajo quhej Këshilli i Naltë i Regjencës dhe përbëhej nga: Aqif Pashë Biçaku Elbasani, Omer Pashë Vrioni, Xhaferr bej Ypi, Luigj Bumçi, Ndoc Pistuli, Gjon Çoba, Abdi bej Toptani, Refik bej Toptani, Mihal Turtulli dhe Sotir Peci. Kjo formë qeverisëse vijoi deri në Kongresin e Lushnjës dhe as bëhej fjalë për të diskutuar nivelin e demokracisë.
21 JANAR 1920 – 16 QERSHOR 1924
Në Kongresin e Lushnjës u kthye sërish pleqësia si më 1912 dhe ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm për politikën tejet fragjile të Shqipërisë. Nga ky moment, për herë të parë në vendin tonë, nisi parlamentarizmi dhe kryesuksesi i kësaj periudhe ishte mbajtja më 21 prill 1921 e zgjedhjeve të para në historinë e shtetit shqiptar. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe dallohen edhe elementë të republikanizmit, por pa u shpallur si formë qeverisjeje. Edhe pse shteti kishte elementë kaq modern të qeverisjes, gjatë kësaj periudhe Shqipëria nuk ishte një republikë e shpallur. Duhet theksuar se Kongresi i Lushnjës është shfaqja e parë e demokracisë në vend.
13 QERSHOR 1924 – 24 DHJETOR 1924
Ndonëse erdhi në pushtet me anën e një kryengritjeje të armatosur, qeveria e Fan Nolit kishte në programin e saj mekanizma për të thelluar republikanizmin dhe parlamentarizmin. Por, një gjë e tillë nuk u arrit, sepse qeveria e Nolit pati jetë vetëm gjashtë muaj. Kthimi i Ahmet Zogut në pushtet, pas një sulmi me armë edhe nga ana e tij, solli largimin e Nolit dhe një ristart të pushtetit të Ahmet Zogut dhe mbështetësve të tij. Ndonëse u premtua, demokracia mbeti një fjalë e huaj edhe për Fan Nolin, i cili erdhi në pushtet me armë dhe u largua po me armë.
25 SHTATOR 1925 – 1 SHTATOR 1928 (Republikë e parë) (sistem parlamentaro-presidencial)
Pasi forcoi pozitat, Ahmet Zogu u zgjodh president dhe për herë të parë Shqipëria u bë një republikë parlamentare me president me fuqi ekzekutive. Ahmet Zogu ishte edhe president, por edhe kreu i ekzekutivit dhe këtu nis ngritja e tij drejt një pushteti absolut. Nuk ka një përcaktim shumë të saktë të formës së qeverisjes, sepse ishte diçka mes republikës presidenciale e tipit amerikan dhe republikës parlamentare. Pavarësisht kësaj, kjo periudhë është Republika e parë e shpallur në historinë e shtetit shqiptar. Gjatë kësaj kohe elementët e demokracisë nisën të zbehen shumë.
MBRETËRIA 1 SHTATOR 1928 – 7 PRILL 1939 (Monarkia e dytë)
Më 1 shtator 1928 Parlamenti e shpalli si formë të qeverisjes monarki të trashëgueshme dhe Ahmet Zogun me titullin Mbreti Zogu I. Formalisht monarkia ishte parlamentare, por në fakt ishte një pushtet absolut i Zogut. Forma qeverisëse solli përpjekje të mëdha për stabilitetin politik në vend dhe, në një farë mënyre, ai ia arriti. Legjislacioni dhe zhvillimi ekonomik nuk ishte parë në Shqipëri në asnjë periudhë tjetër që kur ishte themeluar shteti. Megjithatë, forma qeverisëse u dëmtua rëndë pas nënshkrimit të një traktati me Italinë, me të cilin asaj i jepej e drejta t’i mbronte interesat e saj në Shqipëri. Kjo vijoi deri më 7 prill 1939 kur Italia e pushtoi ushtarakisht Shqipërinë. Ndonëse formalisht kishte elementë të demokracisë, kjo periudhë ishte pothuajse një diktaturë.
7 PRILL 1939 – SHTATOR 1943 (Protektorat monarkik)
Monarkia vijoi edhe pas pushtimit nga Italia. Me plot gojë mund të themi se ky është protektorati i dytë monarkik. Shqipëria në prill 1939 u bashkua me Italinë nën kurorën e mbretit Vittore Emanuelle III dhe një mëkëmbës në Tiranë, i njëjtë me pozitën princërore të Wied-it në vitin 1914. Kurora iu dhurua në Romë mbretit të Italisë dhe ajo që mori si këmbim politika shqiptare ishte krijimin e Shqipërisë etnike. Nuk bëhej fjalë për demokraci në një vend të pushtuar.
SHTATOR 1943 – NËNTOR 1944 (Regjenca e dytë)
Pushtimi gjerman në shtator 1943 vijoi me qeverisjen e Shqipërisë nën drejtimin e një regjence. Kjo quhet edhe regjenca e dytë në historinë e shtetit shqiptar. Këtë e vendosi një asamble kushtetuese që zgjodhi edhe Këshillin e Lartë të Regjencës si kreu i shtetit dhe që kryesohej nga Mehdi Frashëri dhe në përbërje të saj ishte Lef Nosi, Anton Harapi dhe Fuat Dibra. Ndërsa qeveria kryesohej në fillim nga Rexhep Mitrovica, më pas nga Fiqiri Dine dhe në fund nga Ibrahim Biçaku. I gjithë ky sistem politik qeverisës diktohej nën pushtetin e Gjermanisë. Nuk bëhej fjalë për demokraci në një vend të pushtuar.
11 JANAR 1946 – 8 DHJETOR 1990 (Republika e dytë)
Më 11 janar 1946 komunistët e ardhur në pushtet themeluan republikën dhe rrëzuan monarkinë. Ishte një Asamble Kushtetuese, që u mblodh në fund të vitit 1945, e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit dhe që çoi në zhbërjen e çdo forme regjimi paraardhës. Asambleja dominohej nga komunistët, por në të kishte dhe një opozitë modeste. Kështu, Shqipëria u shpall Republikë Popullore dhe kjo vijoi deri në vitin 1976 kur u shpall kushtetua e re. Në të Shqipëria shpallej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë që ishte vijim i së parës. Shteti drejtohej nga presidiumi i Kuvendit Popullor me disa anëtarë dhe që kishin një kryetar. I pari ishte Omer Nishani që qëndroi në detyrë nga 10 janar 1946 deri më 31 korrik 1953 dhe i dyti Haxhi Lleshi, që qëndroi në detyrë nga 1 gusht 1953 deri më 21 nëntor 1982. Ishte Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 që mori vendimin. Por, zgjedhjet në fakt ishin ato që sanksionuan se Shqipëria do të shndërrohej jo vetëm në një republikë dhe do të hidhte poshtë monarkinë, por do të sanksiononte edhe regjimin komunist nën emrin Republikë Popullore. Asambleja u mbajt me praninë e 82 deputetëve që votuan pro. Në Asamble ishin prezent edhe përfaqësues të huaj, mes tyre përfaqësues të Bashkimit Sovjetik, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe. Në vendimin e Asamblesë, të firmosur nga Tuk Jakova në cilësinë e kryetarit, shkruhej: “Shqipëria emërohet republikë popullore me emrin Republika Popullore e Shqipërisë. Me këtë vendim në emër të popullit shqiptar hiqet përgjithmonë Monarkia në Shqipëri. Ahmet Zogu dhe trashëgimtarët e tij humbasin të gjitha të drejtat që kishin pasur dhe u ndalohet përgjithmonë hyrja e tyre në Shqipëri”. Vetëm dy muaj më pas, më 14 mars 1946, e njëjta Asamble miratoi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që çimentoi regjimin komunist, i cilësuar më i egri në të gjithë Europën Lindore, duke shkatërruar njëkohësisht çdo element të demokracisë të arritur më parë.
1991 E NË VIJIM… (Republika e tretë)
Shpallja e pluralizmit më 8 dhjetor 1990 u shoqërua praktikisht edhe me rrëzimin e komunizmit. Mbajtja, ndërkohë, më 31 mars 1991 e zgjedhjeve të para pluraliste bëri që parlamenti të miratonte një paketë kushtetuese sipas së cilës Shqipëria do të shpallej Republikë Parlamentare me institucionin më të lartë parlamentin dhe kreun e shtetit, Presidentin e Republikës. Më 28 nëntor 1998, përmes një referendumi, u miratua edhe Kushtetuta që sanksionoi këtë sistem politik. Kjo quhet republika e tretë. Por, më rëndësishme është që ky është sistemi demokratik mbi bazën e modelit të shteteve perëndimore. Por, a ka pasur vërtet demokraci në këto 34 vjet? Në këto më shumë se tre dekada demokracia ka përshkuar një kurbë herë të ulët dhe herë në ngjitje. Dhe, ka vetëm një togfjalësh që e përkufizon këtë: Demokraci e brishtë.