loader image
June 13, 2024

Nga polemika me profesorin deri te kumti për Kosovën e pavarur

Kosova, duke qenë pjesë e kufirit identitar, pra shumë afër dhe njëherësh edhe larg, ka qenë pjesë e pandashme e rrugëtimit tim jetësor dhe profesional. Në vitin 1994, sapo nisa studimet e gazetarisë, në një ligjëratë pyeta profesorin liberal “Pse e drejta e vetëvendosjes iu garantohet të gjithë popujve të botës dhe iu mohohet vetëm shqiptarëve të Kosovës?” Fati e deshi që në ditën e shpalljes së pavarësisë të jem redaktor, ndërsa bashkëshortja ime, Arta Tahiri, të moderojë lajmet e pavarësisë.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Kolegu i moçëm i gazetarisë, Ismail Sinani, kur më shkroi mbi temën e numrit të ri të revistës “Shenja”, i cili i kushtohet 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, telegrafikisht, m’u kujtuan disa ngjarje që janë tepër subjektive dhe që po i përshkruaj, jo për lavde, se në moshën që kam i kam thuajse të panevojshme, dhe as për t’i kapitalizuar në ndonjë  formë, sepse, edhe po të doja, është vonë!

Jam lindur e rritur në Radushë, një fshat që është në kufi me Kosovën, madje në vijë ajrore ka pak kilometra nga fshatrat e Hanit të Elezit! Pra, Kosova, duke qenë pjesë e kufirit, jo vetëm gjeografik, por edhe identitar, duke qenë shumë afër dhe njëherësh edhe larg, ka qenë pjesë e pandashme e rrugëtimit jetësor dhe profesional, në fushën e gazetarisë dhe vrojtimit e vëzhgimit të hollë të zhvillimit të saj, nga një krahinë e ish Jugosllavisë deri te arritja e shtetësisë.

Polemika mbi vetëvendosjen me profesorin liberal

Ishte viti 1994. Kisha filluar studimet në fushën e gazetarisë në Universitetin e Shkupit! Isha shqiptari i vetëm në gjithë grupin e gazetarisë, por nga kolegët maqedonas dhe të komuniteteve të tjera u pranova jashtëzakonisht mirë. Madje, e them me bindje, se shpesh më paragjykues dhe stereotipizues ishin disa nga mësimdhënësit sesa kolegët studentë.

Kishim filluar ligjëratat e para, ndërsa duke lexuar pjesën e parë të librit “Teoria e shtetit dhe së drejtës” në lëndën Fillet e së drejtës, hasa në sintagmën shumë mbresëlënëse “e drejta e vetëvendosjes”, mbase edhe pse ishte e nënvizuar në mënyrë të dallueshme.

Në ditën kur profesori Dimitar Bajallxhiev ligjëroi mbi temën “E drejta e vetëvendosjes”, isha i ulur nga fundi dhe me një zë të vrullshëm rinor, por me gjuhë të artikuluar, ngrita dorën dhe e pyeta profesorin “Pse e drejta e vetëvendosjes (në maqedonisht e shpjegova edhe me fjalën vetëpërcaktim) u garantohet të gjithë popujve të botës dhe u mohohet vetëm shqiptarëve të Kosovës?”. Në vend të përgjigjes, profesori, që diku në vitet ’70-ta, së bashku me disa profesorë të tjerë maqedonas kishte qenë pjesë e lëvizjes liberale, në përgjigjen e tij nënvizonte se nuk është arritje e vogël që shteti mua më ka garantuar të studioj në një universitet shtetëror, edhe pse nuk studioja në gjuhën amtare. Duke qenë se profesori në vitet 1992-1994 ishte ministër i Arsimit, si kuadër nga Fakulteti Juridik, i cili ishte rekrutuesi më i madh i kuadrove qeveritare, fliste për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe në arsimin fillor dhe të mesëm, që nëse e themi të vërtetën, kishin filluar në mandatin e tij, së bashku me zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, Hasan Jashari, po ashtu profesor universitar.

Ora kishte mbaruar, ndërsa profesori vazhdonte të shpjegonte mbi çështjet ndëretnike, ndërsa edhe pasi e mori çantën për t’u larguar nga klasa, i ndau disa minuta për të biseduar në këmbë dhe për të dhënë shpjegime shtesë mbi “Maqedoninë e së ardhmes”!

Netët e gjata kushtuar Kosovës

Edhe pse shumë i ri në moshë, që si 16-vjeçar, isha angazhuar politikisht, duke u bërë pjesë e partisë së parë shqiptare, Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD), ndërsa në vitin 1996 isha bërë pjesë e Forumit Rinor të PPD-së, por vetëm pak kohë më pas do të largohem nga politika, për të mos u marrë kurrë me të aktivisht, pra si pjesë e forumeve partiake, edhe pse si gazetar politik nuk kam mundur t’i shmangem edhe po të kisha dashur.

Duke qenë politikan në tentativë, në vendbanimin tim, nuk mungoja në asnjërën nga mbledhjet partiake ose jopartiake, në të cilat pa dyshim se diskutohej për tema të ndryshme. Por, në memorie kanë ngelur bisedat e gjata, deri në orët e vona të natës, që kryesisht temë dominuese kishin Kosovën.

Në vitin 1998 kisha filluar punën në gazetën e përditshme “Fakti”. Në vitin 1999, pikërisht në fshatin tim, do të ndërtohet kampi i refugjatëve, ashtu që tashmë e kisha afër Kosovën, e “prekja” një pjesë të saj. Si gazetar, por mbi të gjitha si njeri që bashkëjetonte me këta njerëz që kishin ikur nga zjarri i luftës, në fytyrat e zbehta e të venitura të tyre që refuzonim t’u thoshim refugjatë, lexoja fate të panumërta tragjike, lexoja dilemat pa fund mbi të ardhmen e tyre, e shikoja me sy tragjedinë e Kosovës!

Kosova dhe gazetaria ime rrugëtonin krah për krah   

Në gazetarinë time, me siguri i ndikuar nga fëmijëria dhe studimet, nuk jam shmangur asnjëherë nga tema e Kosovës. Nuk ka pasur intervistë, midis të cilave me liderët e partive shqiptare, atë të Partisë Demokratike Shqiptare – Arbër Xhaferi, atë të Partisë së Prosperitetit Demokratik – Abdurrahman Aliti, e shumë të tjerë, në të cilat një pjesë e pyetjeve nuk ia kushtoja çështjes së Kosovës. Me të drejtë, sepse ashtu duhej dhe interesi publik e diktonte një qasje të tillë intervistuese, ndërsa kështu ka ndodhur jo vetëm në intervistat, por edhe në raportimet, qoftë për radion “Evropa e Lirë” në vitet 2001-2011 dhe në Programin në Gjuhën Shqipe të Televizionit Shtetëror në vitet 2000 – 2006.

Kosova ishte në proces të shtetndërtimit, ndërsa edhe në TV ALSAT, në të cilin isha transferuar në vitin 2006, në lajme dhe në emisionet debutuese, i kushtonim asaj hapësirë të konsiderueshme, ndërsa në Prishtinë kishim edhe zyrën e korespondenturës, të drejtuar nga gazetari Bul Salihu, së bashku me bashkëshorten e tij, Edona Demaj.

Kumti televiziv për pavarësinë e Kosovës

Pas shumë peripecive, mundimeve, vuajtjeve e sakrificave të popullit të Kosovës, pas luftës së lavdishme çlirimtare me shumë viktima, të plagosur e, për fat të keq, edhe me shumë gra të përdhunuara, ndaj të cilave shoqëria nuk duhet të sillet me mospërfillje, sepse lufta për ta, siç pohojnë, është e pambaruar, erdhi çasti i shumëpritur i orës historike shqiptare. Erdhi 17 shkurti i vitit 2008, kur Kosova do të mëvetësohej si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Kosova po shpallej shtet!

Fati e deshi, që atë ditë të isha redaktor i lajmeve të ditës në TV ALSAT. Së bashku me bashkëshorten time, Arta Tahiri, shumë herët u nisëm në mënyrë festive drejt punës, si në ato këngët “Sa me qejf po shkoj në punë”. Nuk e thamë zëshëm, por sikur ndjenim një lloj krenarie, se po përgatisim së bashku lajmet në një ditë të veçantë për historinë e shqiptarëve.

Kolektivin e televizionit e kishte mbërthyer një atmosferë e papërshkruar gëzimi. Erdhi momenti i leximit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, që transmetohej drejtpërdrejt në Radiotelevizionin e Kosovës, të cilin unë dhe Arta e përcollëm të përqafuar, në njërën nga sallat e montazhit, pasi edhe Kosova, duhet dashur njësoj, pa kushte, por me reciprocitet. Uruam mes vete dhe me kolegët tjerë, ndërsa meqë ALSATI është televizion shumetnik dhe shumëkulturor, kolegët tanë maqedonas, por edhe disa kolegë nga Shqipëria që punonin me ne, mbase nuk e kuptonin deri në fund kontekstin e gëzimit që reflektohej edhe me ndonjë lot. Nuk e thoshin me zë, por mbase maqedonasit mendonin se “Kosova është shtet fqinj dhe pse gjithë ky gëzim”, ndërsa të dytët se “Ju jetoni në Maqedoni (tani e Veriut), ky është shteti juaj dhe s’duhet shumë entuziazëm për Kosovën”!

Erdhi ora 16.00, ora e transmetimit të lajmeve. Arta ishte në studio dhe kumtoi “Sot Kosova u shpall shtet i pavarur”! Kosova nisi historinë e saj të re si vend i lirë. Ky ishte lajmi i ditës dhe ky nuk ishte vetëm lajm, por edhe mrekulli.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X