loader image
October 14, 2024

Mes ftohtësisë së gjeostrategjive dhe vlerave të lirisë

Sigurisht, në gjithë këtë situatë të mjegulluar, në gjithë këtë situatë intrigash tipike për politikën e elitave serbe të paçliruar nga mendësia e elaborateve dhe miteve të sajuara, në gjithë këtë situatë kur akoma në korridoret e politikës serbe qarkullojnë protagonistë politikë të ideve gjenocidale, mbetet shumë e vështirë që të ketë një fund normal, një fund që e nënkupton pavarësinë e papenguar të Kosovës, një fund që do të nënkuptonte një paradigmë europiane dhe perëndimore. Në gjithë këtë situatë duket se Perëndimi ndodhet përpara një sprove të madhe që herë-herë shfaqet me shumë ngërçe, tolerime në dëm të konceptit të vetë të lirisë, të gjithë asaj që nënkupton vlerë europiane. Duket si një betejë e trishtë mes ftohtësisë së gjeostrategjive dhe zjarrit të vlerave të lirisë të kultivuara me shekuj në kontinentin e vjetër.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Marrëdhëniet ndërkombëtare në një kontekst të caktuar kohor shpeshherë shfaqen të komplikuara dhe paradoksale. Varësisht nga konteksti determinohen ndërvarësi që mund të na duken të pashpjegueshme dhe të pakapshme për atë që jemi mësuar ta quajmë logjikë e shëndoshë. Duket se edhe lëvizjet, qëndrimet dhe shumëçka që i nënkupton marrëdhëniet ndërkombëtare shpesh determinohen nga ligjësi të “padukshme” historike, që vijnë dhe shfaqen në një moment të caktuar, në realitet në një kohë historike tjetër, me gjithë ngatërresat dhe deprimimet e mundshme. Kontekstet e caktuara ndërkombëtare fuqizojnë ose zbehin aspirata të caktuara.

Beteja e Kosovës me Serbinë është shekullore. Rrënjët e kësaj beteje shkojnë thellë në histori, në vitin e largët 1912, në kohën kur shteti serb okupoi në mënyrë klasike Kosovën edhe me “bekimin” e fuqive të mëdha të atëhershme, shteteve që shumë pak e njihnin realitetin ballkanik, gjithë realitetin historik të vazhdimësisë territoriale shqiptare të Kosovës. Ky ishte aksidenti më i madh historik i një okupimi që thirrej në ngjarje dhe fakte të paqena historike. Vetëm më vonë do të vërtetohej edhe nga historianë botërorë që Kosova historikisht kurrë nuk kishte qenë pjesë e Serbisë, e pretendimit për ta quajtur tokë serbe.

Sigurisht, gati një shekull propaganda serbe kishte ushqyer mitin e Kosovës si pjesë e territorit të vetë, ndërkohë që e ndodhur në një robëri klasike, në rrethana krejtësisht të disfavorshme, Kosovës, popullit të saj, nuk i kishte mbetur asgjë tjetër, përveçse që të rezistojë, të rezistojë në format më epike të mundshme, të sakrifikojë pafundësisht për qenësinë e saj shqiptare, për legjitimitetin e vetë historik që siç e kanë dokumentuar tashmë historianët shkon thellë në Dardaninë e lashtë, në gjeografinë dhe historinë e kësaj trashëgime që i dha botës latine mbi dhjetë perandorë.

Pikërisht, kjo thellësi historike që gradualisht filloi të shfaqet edhe në historiografinë botërore i dha udhë një aspirate lirie Kosovës që në kohën e komunizmit, e artikuluar denjësisht nga gjenerata të tëra krijuesish dhe mendjesh të përshqiptarshme. Ky përbrendësim historik, që tashmë po kristalizohej si vetëdije kulturore dhe politike, po hapte një kohe tjetër për shqiptarët e Kosovës, që përveç dimensionit të rezistencës kishte edhe dimensionin e artikulimit politik të idesë së pavarësisë, të çlirimit nga regjimi serb, nga kthetra shekullore të një propagande asgjësuese, që po legjitimonte brutalisht asgjësimin e një populli të tërë.

Në rrethana izolimi thuajse total, në rrethana të një propagande të tmerrshme të legjitimimit të dhunës, vrasjeve dhe ideve për shfarosje, një popull i tërë po rezistonte me durim të jashtëzakonshëm epik, me një urtësi gati primordiale të papërsëritshme në historinë njerëzore. Në emër të një legjitimiteti të shpifur, të sajuar nga elitat akademike serbe po përgatiteshin plane për shfarosje të një populli. Janë plane të dokumentuara, plane të përligjura deri në detaje nga një elitë me mendje kriminale që ushqehej me mitin po ashtu të krijuar nga ata që Kosova është tokë serbe. Ishin plane ogurzeza kundër shqiptarëve të Kosovës, njësoj si planet naziste kundër hebrenjve. Dhe, gjithsesi, i përdorën të gjitha strategjitë për shfarosje dhe shpërngulje, njësoj siç i kishin përdorur nazistët kundër hebrenjve.

Historia e Kosovës mbetet njëra nga historitë më të dhimbshme në historinë e njerëzimit. Një histori me shumë viktima, me shumë dëbime dhe me trauma asgjësimi që shkojnë përtej logjikës njerëzore. Por, një horizont drite ishte shfaqur për Kosovën. Bota përfundimisht e kishte kuptuar këtë plan asgjësimi dhe më në fund ishte rreshtuar me Kosovën, me “gjakun që nuk falet”. Kosova më në fund pas gati një shekulli dhimbje dhe rezistencë epike e kishte fituar lirinë, pavarësinë si shtet, që në fakt ishte rrumbullakim i një gjakimi historik brezash të tërë.

Serbia, ky shtet i elitave që përpilonin elaborate, nuk mund të qetësohet me faktin që Kosova tashmë është një shtet i pavarur. Serbia, ky shtet që fytyrën gjithnjë e ka pasur nga Rusia, nuk mund të qetësohet me faktin historik që Kosova ka rrumbullakuar tashmë aspiratën shekullore të lirisë dhe sovranitetit në tokën e vetë historike. Ky shtet i elitave me mendësi bizantine nuk mund të qetësohet me shtetin e pavarur të Kosovës dhe vazhdon sot e kësaj dite të përdorë të njëjtat intriga shekullore për ta dëmtuar pavarësinë e Kosovës, për të atakuar vazhdimisht dhe brutalisht subjektivitetin shtetëror të Kosovës.

Loja në dy karrige e Serbisë konsiston pikërisht në këtë logjikë anakronike elaboratesh që tash po shfaqet me tone politikash të dyzuara që në esencë ka pretendimin për ta mbajtur peng rrumbullakimin e pavarësisë së Kosovës në OKB dhe për të krijuar dominim në Ballkan, përsëri me ide atakimesh dhe jo me ide që njohin realitetin e pakontestueshëm të pavarësisë. Serbia po servon vazhdimisht orientim të dyzuar për të përfituar sa më shumë nga Perëndimi, cili tashmë pas agresionit rus në Ukrainë, kërkon me çdo kusht që në gjeostrategjinë e vet të ekuilibrave ndërkombëtare ta ketë edhe Serbinë.

Sigurisht, në gjithë këtë situatë të mjegulluar, në gjithë këtë situatë intrigash tipike për politikën elitave serbe të paçliruar nga mendësia e elaborateve dhe miteve të sajuara, në gjithë këtë situatë kur akoma në korridoret e politikës serbe qarkullojnë protagonistë politikë të ideve gjenocidale, mbetet shumë e vështirë që të ketë një fund normal, një fund që e nënkupton pavarësinë e papenguar të Kosovës, një fund që do të nënkuptonte një paradigmë europiane dhe perëndimore. Në gjithë këtë situatë duket se Perëndimi ndodhet përpara një sprove të madhe që herë-herë shfaqet me shumë ngërçe, tolerime në dëm të konceptit të vetë të lirisë, të gjithë asaj që nënkupton vlerë europiane. Duket si një betejë e trishtë mes ftohtësisë së gjeostrategjive dhe zjarrit të vlerave të lirisë të kultivuara me shekuj në kontinentin e vjetër.

Pa diskutim, gjithë kësaj situate nganjëherë i ndihmojnë edhe klasa politike në Kosovë, me inatet tipike dhe me gjithë ato ndërkëmbëza që nuk lejojnë të formësohet një paradigmë e mirëqenë lirie dhe pavarësie në gjithë dimensionin historik dhe demokratik. Një pluralitet i bashkuar rreth një situate emergjente dhe dramatike do të ishte përgjigjja ndaj tendencave të elitave të pareformuara serbe për ta penguar dhe për ta mbajtur peng Kosovën. Janë mijëra argumente europiane që mund t’i kenë në duar përfaqësuesit e Kosovës për t’iu kundërvënë politikave anakronike, dinake dhe thellësisht ahistorike të elitave politike serbe. Nëse e thjeshtojmë gjithë situatën e tanishme, nëse e analizojmë në të drejtën historike që si metaforë mund të ngritët si një betejë mes viktimës dhe xhelatit, pa diskutim që edhe gjithë argumentimi duhet të procedohet nëpërmjet një diskursi politik dhe diplomatik që i nënkupton këto dy entitete si një tragjedi historike, si një golgotë biblike për Kosovën që Europa e ka njohur me nazizmin si ideologji tmerruese, e përsëritur me regjimin e Millosheviqit dhe trashëgimtarët e tij, që si fantazma nga e kaluara e elaborateve shëtisin nëpër korridoret e diplomacisë së pavendosur deri në fund europiane.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X