loader image
December 11, 2024

Tebdil si Rama

Në demokraci, një lider, për të siguruar fitoren, mbase duhet t´ia krijojë përshtypjen shumëkujt se ai është si ata. Të majtëve duhet t´u duket pak progresist, të djathtëve pak konservator, liberalëve pak menaxher, grave pak feminist, burrave pak burrnor e kështu me radhë.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Në ballë të Muzeut Kombëtar në Tiranë qëndron mozaiku i famshëm. Për disa vite me radhë ai ka qenë i mbuluar, në proces restaurimi, e së mbrami kur u zbulua nisi një debat. Mozaikut i qenë hequr disa yje, simbole të periudhës së komunizmit, ndërsa një libër i Enverit është hequr prej dorës së figurës së punëtorit – proletar, njërës prej tre figurave qendrore të mozaikut. Shumëkush tha, me të drejtë, se s´pati nevojë t´i bëheshin këto kozmetika mozaikut, i cili është dëshmi e një periudhe të caktuar që duhet mbajtur mend ashtu siç ishte. Ka që thonë se mozaiku duhet hequr fare, sepse është vepër e ngarkuar ideologjikisht me bindjet e një sistemi që nuk është më (ka që thonë edhe se Muzeu Kombëtar duhet hequr krejt për të njëjtën arsye). Pati të tjerë që thanë se, në fakt, ndërhyrjet në mozaik janë bërë qysh në 1993, kështu që debati qe ca i vonuar. Po sikur ta shtronim pyetjen: si ka mundësi që për kaq vite me radhë nuk u vunë re ndërhyrjet në mozaik? Dihej që ishin bërë disa ndërhyrje edhe më përpara, dihej që ylli nga flamuri qe hequr, për shembull, por të tjerat, me përjashtim të ndonjë specialisti, nuk është se diheshin në opinionin e gjerë.

Përgjigjet mund të jenë të shumta, por unë do të jap veç njërën, duke shpresuar që bart edhe kjo ndonjë grimcë të së vërtetës: ne tashmë jemi përshtatur me shumëfytyrësinë e njerëzve dhe gjërave, me një lloj travestie të gjithandejshme. Një travesti neutralizuese, që i zhvesh gjërat prej specifikave të tyre përmbajtjesore teksa ua toleron mbase një farë vijueshmërie në dukje. Ndaj, mbase nuk na bën shumë përshtypje që një vepër me përmbajtje të fortë majtiste e nacionaliste të zhvishet nga majtizmi i vet e, në një të ardhme, edhe nga nacionalizmi i vet. Mbase edhe nga patriarkalizmi i vet, e kështu me radhë. Pse jo, të mbetet përmbajtësisht i bardhë, neuter, gjë që do ta bënte krejtësisht të parëndësishme (apo krejtësisht çështje interpretimi individual) çkado që do të mbetej në paraqitje.

Kjo lloj travestie gjen një nga shprehjet e saj më evidente te kryeministri aktual dhe shefi i përgjithshëm i Shqipërisë, Edi Rama. Aktualisht Edi Rama, përveçse kryetar i qeverisë, është edhe kryetar i PS-së, e cila ka 74 deputetë në Kuvend apo 52.85 për qind të vendeve. Përveç këtyre, ai gëzon edhe mbështetjen sa herë qe i duhet prej 3 deputetëve që i ka PSD-ja e Tom Doshit, pra rrafsh 55 për qind të legjislativit. Tom Doshi është një multimiliarder, që zotëron segmentë të rëndësishëm të industrive të ndërtimit e të farmaceutikës në Shqipëri, që është vendosur në listë të zezë nga SHBA-të. Lista e zezë amerikane ka qenë një nga argumentët më të përdorur nga Rama në fushatën e fundit zgjedhore, në 14 maj 2023. Rama e paraqiti veten si kalorësi i bardhë kundër listës së zezë, meqenëse në të njëjtën listë është shpallur edhe emri i udhëheqësit opozitar, ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës. Që Rama nga njëra anë vetëdeklarohet se lufton kundër atyre që janë në listë të zezë, e në anën tjetër e mbështet pushtetin e vet (dhe ndan sektorë të rëndësishëm) me ca nga ata që janë në të njëjtën listë të zezë, është vetëm një sekuencë e travestisë. Sekuencë me plot efekt, megjithatë. Rama deri para zgjedhjeve të 14 majit kontrollonte 98.3 për qind të 61 bashkive, pra të gjitha veç Shkodrës, ndërsa pas zgjedhjeve të 14 majit mbajti nën kontroll 86.9 për qind syresh, por çka është me shumë rëndësi, mori edhe Shkodrën, që s´e kishte pasur kurrë. Rezultati i garës për këshilltarë bashkiakë tregon se instrument i rëndësishëm për fitoren e kandidatëve të Ramës, sidomos në Shkodër, Lezhë e në disa bashki të tjera të rëndësishme, ka qenë pikërisht PSD-ja e Tom Doshit të listës së zezë.

Nuk është se Rama dëshiron ta fshehë këtë travesti. Një nga gjestet e para që ai ka bërë si kryetar i Partisë Socialiste ka qenë ndërrimi i ngjyrave partiake. Nga të kuqe, siç rëndom janë ngjyrat e socialistëve e socialdemokratëve europianë, ai shkoi drejt vjollcës. Çdo fëmijë që ka filluar të ngjyrosë nga pak në fletoret e vizatimit e di se vjollca është rezultat i përzierjes së të kuqes me blunë. Në vitin 2008 Edi Rama asokohe opozitar doli me slloganin “Përtej së majtës dhe së djathtës”. E kuqja e socialistëve, bashkuar me blunë e demokratëve, prodhon vjollcën e Ramizmit. Shumëkush asaj ngjyre i thotë edhe me turqizmin “mavi” dhe harta e prodhuar nga zgjedhjet lokale tregon një Shqipëri të mavijosur rëndë. Fjalori i shqipes me fjalën “mavijosje” nuk shënon grimin, makiazhin me ngjyrë mavi, por hematomat e mbetura prej rrahjes apo ndonjë përplasjeje a rrëzimi të dhunshëm.

Do thotë dikush ç´lidhje ka slogani i PS-së në 2008 dhe ngjyra e logove e flamurëve partiakë me rezultatin elektoral?! Fundja rrallëkush voton ngjyrat apo sloganët. Por, travestia në fjalë, paraqitja si as i majtë e as i djathtë apo kur duhet si i majtë e kur leverdis si i djathtë, nuk mbaron te sloganet apo te ngjyrat dhe nuk i përket të shkuarës. Ende mund të gjendet në internet një emision i shfaqur disa ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023, në një media private me licencë kombëtare, me titullin “Benet Beci kandidati i djathtë që garon për t´i kthyer mirënjohjen Shkodrës”. Pra, kandidati i Partisë Socialiste na u paraqitka si “kandidati i djathtë” për Shkodrën. Benet Beci, pra, ose qenka i djathti që ka hyrë tebdil brenda të majtëve ose i majti travestit si i djathtë, ose… Travestisë, pra mashtrimit, ia përforcon efektin fakti se emisioni prezantohej nga një ish-deputete e së djathtës, Grida Duma. Shumëkush mund të mendojë se ajo di diçka kur e paraqet Benet Becin si të djathtë.

Për Ramën pak rëndësi ka. Nëse duhet të jesh i djathtë për të fituar Shkodrën, ai është i gatshëm të shfaqet i tillë. Nëse duhet të çosh bustin e leninistit Antonio Gramshi në Gramsh për të fituar në atë zonë, edhe atë e bën. Pushteti është e vetmja gjë që i hyn në sy.

Ai është konsistent në travestinë e tij edhe në situata të tjera. Për shembull, në raport me Kosovën. Ndër deklaratat e para që Rama dha, kur vizitoi më së pari Beogradin, ishte se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Po të qe thënë si qëndrim i mirëfilltë, atëherë do të mund të pritej nga Rama një politikë konsistente e presionit ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën. Por, në vijim erdhën vetëm politika përafruese të Serbisë me Shqipërinë, duke akomoduar interesat serbe në Shqipëri dhe duke i përforcuar ato rajonalisht, shpesh përkundër protestave me zë të ulët nga ana e Kosovës, e cila nuk dëshiron assesi ta ngrejë zërin ndaj Shqipërisë. Si travesti e radhës, kërkesa për njohjen e Kosovës që u tha në Beograd, ngjan më shumë si një lloj formule për marrëveshje: “më lejo ti mua këtë moment lavdie, e pastaj të lejoj unë vazhdimin e pashqetësuar të projekteve të tua”. Pilati duart i lau para se të kryqëzohej Krishti, apo jo?!

Travestia në raport me Kosovën nuk mbaron me kaq. Në vitin e shkuar Rama nisi një fushatë kundër Gjykatës Speciale. Në qershor të 2022 ai tha se do të njoftonte presidentin amerikan Biden për Gjykatën Speciale, e cila qenka një “grackë e Rusisë”. Në shtator të po atij viti, në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Rama tha se “Gjykata Speciale është dështim monumental i politikës ndërkombëtare”. Në dy vitet e fundit, kur në Hagë po mbahen nga Gjykata Speciale katër ish-anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rama vetë, por edhe thuajse secili deputet e ministër i tij, ka shkuar si për pelegrinazh atje. Më së shumti përmendet Hashim Thaçi, si figurë për të cilën socialistët mavi janë përmalluar (nderet kthehen – Endrit Thaçi, i biri i Hashimit, e mbështeti publikisht Ramën dhe Erion Veliajn në zgjedhjet lokale të Shqipërisë). Por, sa të sinqerta janë pelegrinazhet në Hagë dhe thirrjet për zhbërjen e Gjykatës Speciale? Në vitin 2015, kur në Kuvendin e Kosovës bëhej presioni për ta votuar këtë trupë të pazakontë gjyqësore, Edi Rama e vizitoi Prishtinën dhe dha deklarata të forta mbi domosdoshmërinë për ta futur në fuqi Gjykatën Speciale.

Dikush mund të thotë se kjo travesti e radhës i bie që Rama hallin e paska pasur vetëm te Thaçi, se kur Thaçi ishte pro Speciales, edhe Rama ishte pro Speciales, por kur Thaçi u fut në burg nga Specialja, Rama menjëherë u bë kundër Speciales. Mirëpo, as kjo nuk qëndron deri në fund. Kur Thaçi më 2017 foli për një iniciativë parlamentare, që ta abrogonte Specialen që e kishte bërë vetë, Rama u angazhua që ajo të mos prekej. Madje, më 2018 në Davos u shpreh se Gjykata Speciale është realitet i pakthyeshëm. Katër vite më vonë realiteti i Gjykatës nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar realiteti i Ballkanit, për shkak se në Kosovë ka fituar Vetëvendosja dhe Albin Kurti. Në këtë kuptim, Ramës i duhet një “twist” patriotiko-thaçist, nga njëra anë, sepse një realitet thaçist në Kosovë e favorizon projektin Rama-Vuçiq për Ballkanin, nga ana tjetër, sepse çdo lider i bazuar në travesti e ka frikë suksesin e një modeli të bazuar në vlera të majta e kombëtare, siç është Vetëvendosje. Nga njëra anë, Rama shpreson që herët a vonë edhe Vetëvendosja të zbrazet nga vlerat e majta e kombëtare, nga ana tjetër shpreson që në Kosovë të forcohet thaçizmi. Prandaj nuk e ka problem të dalë sot kundër Gjykatës Speciale me të njëjtin zell e energji që dilte dje pro saj, e që nesër mund të dalë sërish pro, varësisht sipas leverdisë në raport me interesin e pushtetit të tij.

Travestitë e tij janë të shumta: nga një anë ai paraqitet si perëndimorizues i Shqipërisë, nga ana tjetër shtrëngon miqësinë me Erdoganin; nga njëra anë punon fort edhe me një sërë hoxhallarësh të rinj për të marrë votat e myslimanëve, nga ana tjetër paraqet agjenda antikonservatore e sorosiane; nga njëra anë lëshon pe te territori detar i Shqipërisë që mëtohet nga Greqia, nga ana tjetër paraqitet si nacionalist i madh kundër kryetarit grekofil të Bashkisë së Himarës. Por, të gjithë ata që e njohin realitetin e Himarës e dinë se himariotët votuan grekofilin Alfred Beleri vetëm për shkak të frikës dhe të presionit që u është bërë nga qeveria Rama, e cila pronat e bregdetasve nga Saranda e deri në Velipojë po i rrëmben për t´ua dhënë multimiliarderëve që do të hedhin aty beton të shëmtuar. Si mund ta luajë nacionalistin ai kryeministër që banorëve të Himarës u lë si opsion të vetëm për mbrojtjen e pronave të tyre votimin e një grekofili? Si tjetër, pos përmes travestisë?!

Në demokraci, një lider, për të siguruar fitoren, mbase duhet t´ia krijojë përshtypjen shumëkujt se ai është si ata. Të majtëve duhet t´u duket pak progresist, të djathtëve pak konservator, liberalëve pak menaxher, grave pak feminist, burrave pak burrnor e kështu me radhë. E natyrisht, lufta politike krijon nevojën për strategji e taktika, doemos edhe për kamuflazhe. Por, kuptimin lufta e merr nga ajo çfarë ndodh pas fitores së saj. Fitoret e Ramës kanë prodhuar një intensifikim të zbrazjes së Shqipërisë jo vetëm nga punëtorët e krahut, por edhe përgjithësisht nga të rinjtë dhe nga profesionistët e shtresës së mesme. Në këtë kuptim, ato janë thjesht travesti e fitores.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X