loader image
July 17, 2024

Politika e Perëndimit: Një Ballkan me një Serbi të fortë

Nën drejtimin e dinastisë së Nemanjëve, perandoria serbe arriti shtrirjen e saj më të madhe duke u zgjeruar mbi kurrizin e popujve të tjerë të Ballkanit. Dinastia serbe mori në qafë shumë etni që ishin bërë pjesë e perandorisë serbe. Politika e vardisjes perëndimore duket e pasuksesshme dhe pa garanci se Serbia do të kthehet drejt Perëndimit. Një hapje kaq e madhe e Perëndimit me Serbinë është një poshtërim për vetë ata, që duke e ledhatuar Beogradin tregojnë standarde të dyfishta të diplomacisë perëndimore.

Shkruan: Selim Ibraimi, Uashington

Që me humbjen e statusit global të Britanisë së Madhe si fuqi dhe me zëvendësimin e saj nga SHBA-të në fillim të shekullit të 20 -të, marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë të njëjta. Bota vazhdon të qeveriset nga të fortit, duke iu imponuar shteteve të dobëta drejtësi sipas rregullave të Fuqive të Mëdha. Në të vërtetë, shtetet më me ndikim në sistemin ndërkombëtar për të mbajtur nën kontroll një rajon apo një varg shtetesh të vogla gjithmonë kanë përdorur dhe shfrytëzuar popullatën vendase si mall për të përmbushur kërkesat e shteteve fqinje dhe objektivat strategjike të aktorëve global. Rasti me Serbinë në Ballkanin Perëndimor nuk është aq i veçantë. Në Lindjen e Mesme kemi shembuj ku luftërat fetare dhe çlirimi nga kolonializmi perëndimor sollën gjithashtu një rend qeverisës të ri, duke shkaktuar edhe më shumë gjakderdhje e mosmarrëveshje në mes shteteve të Lindjes së Mesme. Në rajonet ku Britania e Madhe dhe Franca kanë pasur rolin kryesorë të negociatave, po atje për më shumë se një shekull ndarjet fetare dhe etnike kanë prodhuar konflikte të ngrira ose situata buzë shpërthimit. Të kthehemi përsëri në Ballkan, ku Serbisë që nga fillimi i vitit 1800 fuqitë e kohës i krijuan rrethana që shteti serb, që ishte për një kohë nën vëzhgimin e Perandorisë Osmane, më vonë të fitonte pavarësinë. Serbia e ndihmuar nga Rusia, e cila me orekse të shtrirjes në Ballkan, dalje në Detin Adriatik, i ndihmoi serbët që të fitojnë pavarësinë nga Porta e Lartë dhe paralelisht të bëhen shtet dominues në rajon me ambicie të shfarosjes së popujve vendas. Disa nga Fuqitë e Mëdha tentuan që Serbia të largohet nga Rusia Cariste, por pa sukses. Të njëjtën gjë po bëjnë sot disa shtete perëndimore që Beogradi të tërhiqet plotësisht nga Moska, por përsëri kjo politikë e vardisjes perëndimore duket e pasuksesshme dhe pa garanci se Serbia do të kthehet drejt Perëndimit.

Lëshimet e Perëndimit ndaj Serbisë

Aty para fillimit të Luftërave Ballkanike (1912-13), Perëndimi synonte që me anë të disa lëshimeve territoriale ta bënte Serbinë për vete. Siç dihet, kjo nuk ndodhi, sepse Serbia e mbajti anën e Rusisë. Kurse me një akt të balancës, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në kuadër të RSFJ-së, filloi të përfitonte ndihma të mëdha nga SHBA-Europa Perëndimore dhe nga BRSS-ja. Angazhimi diplomatik që po bëjnë SHBA-ja dhe BE-ja që Serbinë ta bëjnë pjesë të zonës perëndimore nuk duket se do të kenë efekte pozitive për popujt e tjerë në Ballkan. SHBA-ja dhe BE-ja e kanë bërë Kosovën pjesë të një loje të pakuptimtë, që duke dashur ta bindin Beogradin t’i bashkohet Perëndimit, po e dëmtojnë balancën e vendosur dy dekada më parë. Nga ana tjetër, Serbia për një dekadë ka arritur të forcojë ushtrinë dhe të përmirësojë ekonominë kombëtare. Gjithashtu, Serbia ka vazhduar forcimin e lidhjeve diplomatike më shtetet e botës së tretë dhe, natyrisht, me Kinën, duke marrë ndihma të jashtëzakonshme në teknologji dhe ka nënshkruar disa marrëveshje strategjike. Për habi, përkundër kritikave nga SHBA-ja dhe BE-ja, Serbia vazhdon me të njëjtat politika ndaj Rusisë dhe Kinës dhe pa u ndëshkuar nga Perëndimi. Historikisht, shtetet mesjetare serbe, para pushtimit nga Perandoria Osmane, zhvilluan marrëdhënie diplomatike me një numër shtetesh të Europës dhe shkuan deri në Lindjen e Mesme dhe të Largët. Nën drejtimin e dinastisë së Nemanjëve, perandoria serbe arriti shtrirjen e saj më të madhe, duke u zgjeruar mbi kurrizin e popujve të tjerë të Ballkanit. Dinastia serbe mori në qafë shumë etni, që ishin bërë pjesë e perandorisë serbe. Serbia vazhdon të ketë qëllime të shumta nacionaliste. Serbët, me ndihmën e rusëve dhe të fuqive europiane, arritën të bëjnë një zgjerim të madh territorial pas luftërave në Krime në mes Rusisë Cariste dhe Perandorisë Osmane. Serbët fituan një status si popull i privilegjuar dhe, më vonë, në vitin 1920 i gjithë shtetndërtimi përfundoi me krijimin e SKS-së. Kolonizimi i Ballkanit me serbë gjatë mesit të shek. të19-të ishte një shkas më shumë për Serbinë të mbajë të ndezur politikat e zgjerimit jashtë. Për më shumë, pushtimi i Bosnjës nga Austro-Hungaria në vitin 1908, krijoi përshtypjen tek serbët se territori i fituar po zvogëlohet. Kur jemi tek roli i Fuqive të Mëdha në përkëdheljen ndaj Serbisë, Vjena zyrtare në atë kohë ishte një ndër bllokuesit e Serbisë dhe Rusisë Cariste. Forcat nacionaliste serbo-maqedonase arritën ta vrasin Archduke Franc Ferdinandin në Sarajevë të vitit 1914 me idenë që të krijojnë një tronditje në perandorinë austriake. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore ishte një rast tjetër që Serbia të vazhdonte me shfarosjen e popullatës jo serbe.

Për Uashingtonin Serbia është një shtet kyç në Ballkan

Armiku kryesor për Serbinë ishte Austria-Hungaria, e cila refuzoi me forcë pansllavizmin dhe politikat serbe. Si mbështetëse të fortë Serbia e kishte Rusinë Cariste dhe, më pas, atë të Stalinit dhe sigurisht edhe një pjesë të mirë të shteteve të Europës. Në vitin 1918, Rusia edhe pse e dobësuar nga ushtria gjermane, u involvua fuqishëm në përhapjen e pansllavizmit në Ballkan, një politikë e cila vazhdon me metoda të tjera në dy dekadat e fundit të këtij shekulli. Pas shembjes së Murit të Berlinit, Serbia nisi një proces tjetër të zgjerimit territorial, duke iu shpallur luftë republikave ish jugosllave dhe duke e promovuar spastrimin e popullsisë joortodokse dhe me përkatësi etnike joserbe. Përkundër të gjitha tragjedive që kanë përjetuar kombet e rajonit ballkanik nga Serbia, Perëndimi pas vitit 1999 ka lëvizur shpejt në përmirësimin e marrëdhënieve me Beogradin. Për Uashingtonin, Serbia është një shtet kyç në Ballkan. Departamenti i Shtetit thotë se “SHBA-ja kërkon të forcojë marrëdhëniet e tyre me Serbinë, duke thelluar bashkëpunimin bazuar në interesin dhe respektin reciprok”. “SHBA-ja dëshiron që Serbia të jetë pjesë e një rajoni të qëndrueshëm të Ballkanit, duke mbështetur integrimin e Serbisë në institucionet europiane, duke ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit, partneritetin në çështjet e sigurisë dhe promovimin e rritjes ekonomike”. Një qasje e tillë e SHBA-së dhe e BE-së detyrimisht do ta bëjë Serbinë më agresive në vitet që vinë. Një hapje kaq e madhe e Perëndimit me Serbinë është një poshtërim për vetë ata, që duke e ledhatuar Serbinë, tregojnë standarde të dyfishta të diplomacisë perëndimore. Kosova dhe shqiptarët në Ballkan po hyjnë në një fazë drejt shkapërderdhjes si faktor. Shqipëria, pavarësisht tensioneve të brendshme politike, do të mund të zhvillohet si demokraci, kurse Kosova po rrezikohet nga autonomia serbe dhe diplomacia e huaj. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojnë të mbajnë statusin e pakicës, pavarësisht lavdërimeve të partive shqiptare në pushtet. SHBA-ja, përmes përfaqësuesit special, Gabriel Escobar, ka bërë të njohur se me anë të Asociacionit dëshirohet të pengohet ndarja e Kosovës. Nga ana tjetër, është vështirë për një shtet të vogël si Kosova, me pak miq në arenën ndërkombëtare, të ekzistojë. A kanë aftësi shqiptarët që të bëjnë më shumë miq dhe më pak armiq?! I gjithë ky proces do të varet nga fuqia ekonomike, ushtarake dhe ajo e diplomacisë, pra nga investimet që do të bëjnë qeveritë shqiptare në këto tre fusha. Kërcënimet për shqiptarët do të jenë më të shpeshta në këtë dekadë dhe më pas. Kemi ndryshime të mëdha në politikën ndërkombëtare dhe në sistemin financiar, ku dominimi i dollarit amerikan po sfidohet nga shtetet e BRIC-ut. Dhe, në këtë kohë të keqe, Fuqitë e Mëdha nuk do të kenë kohë të merren me shtetet e brishta që kanë pak miq dhe punojnë sipas dëshirave dhe objektivave që nuk përputhen me ngjarjet aktuale. Disa kombe dhe shtete janë të destinuar që me kohë të bëhen jo të rëndësishëm. Në epokën e zhvillimit të inteligjencës artificiale disa do të bëhen edhe pjesë të historisë. Për t’i ikur kësaj tragjedie kombëtare, qeveritë shqiptare në Ballkan duhet t’i ndryshojnë politikat dhe t’i lexojnë më mirë lëvizjet e aktorëve globalë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X