loader image
December 4, 2024

Mbi korrupsionin dhe politikën

Një aleat i politikës që përbën shtyllën mbajtëse të korrupsionit janë korportatat dhe kompanitë biznesore. Biznesi e sheh politikën si parakusht për stabilitet e për ngritje e zgjerim pune e fitimi, ndërsa politika e sheh biznesin si prenë e parë dhe më dobiprurëse në aspektin financiar. Politika dhe biznesi, prandaj, janë binomi më i favorshëm për aktivitet korruptiv ngase mundësojnë e furnizojnë njëra-tjetrën.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Vendet e Ballkanit Perëndimor po kalojnë nëpër një fazë të zgjatur të transformimit të gjithmbarshëm shoqëror e politik. Përderisa shumica e qasjeve mbi gjendjen e popujve dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor e kanë pikënisje politikën, një kundrim më i thellë e më serioz do ta hidhte lehtë në pah se ngërçi i zhvillimit dhe mbarëvajtjes në këtë pjesë të Europës lidhet edhe me disa deformime morale, me krizë vlerash e huti botëkuptimesh në nivel shoqëror.

Korrupsioni është një nga problemet kryesore, pengesë reale e normalizimit dhe zhvillimit të gjithmbarshëm. Politika është fusha ku korrupsioni është më i pranishëm, kjo për faktin se ofron shumë dhe mundësia e përfitimit nga ai është shumë e madhe. Këtë e lehtëson dhe e forcon më tej lidhja e politikës me biznesin dhe median. Politika, duke qenë njëkohësisht taktikë e etablimit kolektiv të një ideali, kauze a vizioni, bëhet e gjithëpranishme dhe pikërisht kjo gjithëpërfshirshmëri i jep asaj terren dhe potencial të madh korruptimi. Nga ana tjetër, politika përmes mjeteve të kontrollit, posedon kapacitetin real praktik për ta bërë këtë.

Në arealin politik shqiptar, ekziston një fakt i cili është shndërruar në mënyrë mendimi e formulë veprimi. Kjo është “urgjenca dhe nevoja për të ecur më shpejt drejt integrimit europian”. Rreth këtij formulimi gjendet alfa dhe omega e politikës shqiptare. Në njëfarë mënyre, kjo urgjencë i legjitimon jonormalitetet e tjera. Në nivel diskursiv, politikanët janë të vendosur e të qartë për integrimin euroatlantik e vizionin perëndimor, ndërsa prapa kësaj fshihen shumë kamuflime për përfitime personale. Ndërkombëtarët, Perëndimi dhe Europa, në sensin manipulativ, shërbejnë si referencë pragmatike e politikbërjes. Aty legjitimohet bëma jonë. Nuk është që populli nuk e di, por edhe ai është i bindur se, sidoqoftë, duhet një integrim e pastaj rregullohen gjërat. Nuk ka ose nuk ka arritur të ngrihet në nivel legjitimiteti kolektiv ndonjë referencë tjetër, morale, qytetare ose shpirtërore, për të gjykuar se çka është mirë e çka është keq. Në një farë mënyre, pragmatikja i ka mundur disa principe themelore humane.

Burimi i vetëm i korrupsionit nuk është politika. Mund të ketë edhe burime sociale të korrupsionit, të cilat përkojnë me mënyrën se si e perceptojnë njerëzit paranë, pasurinë, kapitalin. Korrupsioni është mënyrë e shpejtë për t’u pasuruar dhe për shumëkë kjo është mënyra më e duhur, konform formimit personal e tipareve të tyre psikologjike e morale. Dhe, kur ekziston një masë e tërë njerëzish me një prirje të tillë, korrupsioni rrezikon të mos ketë më pengesë vlerore, por – përkundrazi – të shndërrohet në tregues epërsie, se kush mund ta bëjë, është më i zoti ndër ne.

Një aleat i politikës që përbën shtyllën mbajtëse të korrupsionit janë korportatat dhe kompanitë biznesore. Biznesi e sheh politikën si parakusht për stabilitet e për ngritje e zgjerim pune e fitimi, ndërsa politika e sheh biznesin si prenë e parë dhe më dobiprurëse në aspektin financiar. Politika dhe biznesi, prandaj, janë binomi më i favorshëm për aktivitet korruptiv ngase mundësojnë e furnizojnë njëra-tjetrën.

Tek shkaqet e shfaqjes së korrupsionit duhet vështruar edhe një element tjetër, që është karakteristik për shoqëritë post-konfliktuale e transitore. Mungesa ose mbarimi idealeve, i kauzës, i ndonjë vizioni përparimtar a qytetar me referencë morale. Në kushte të tilla, politika bëhet arena e akomodimit të një kategorie njerëzish me interesa pasurore, karakteristikë e të cilëve është mendësia provinciale. Madje, politika bëhet strehë dhe, njëkohësisht, kuptimësim i pozicionit të tyre shoqëror, ndërsa në rastin më fatal, ndoshta edhe jetësor.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X