loader image
October 6, 2024

Pornografia vrastare – sëmundja e shekullit

Marrëdhëniet thellësisht të respektuara mashkull-femër, si modeli i parë i marrëdhënieve njerëzore, u bënë subjekt i industrisë pornografike dhe përmes kësaj “dritareje” krijuan një atmosferë hipokrizie rreth nesh, duke shkaktuar kështu një sëmundje tinëzake tepër të rrezikshme.

Shkruan: Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Portali Bitno.net [2020] ka botuar artikullin “Skllavëria ndaj pornografisë” të teologut Tomislav Shaguda, i cili duke u mbështetur kryesisht në kërkimet shkencore, e përshkruan pornografinë si një fenomen të përhapur pandemik, që shkakton një sërë pasojash jashtëzakonisht të dëmshme për trurin e njeriut dhe marrëdhëniet e shoqërisë në tërësi, por të cilat janë shumë pak të njohura dhe të debatuara për publikun e gjerë.

Në përkufizim, pornografia është një material erotik i ngarkuar me imazhe ose rrëfime të seksualizuara, të cilat ngjallin mendime e ndjenja të fshehura dhe godasin deri në pjesët më të ndjeshme njerëzore, duke ngjallur emocione dhe dëshira seksuale! Teknikisht, vetë termi “pornografi” është derivuar nga fjala greke “pornographos”, që ka kuptimin e një “shkrimi për prostituta” që e krijon imagjinatën erotike duke ngjallë ndjenjat seksuale. Thuhet se forma më e vjetër e kësaj “pandemie” ka filluar këtu e 28.000 vite më herët, me “Venusin e Willendorf-it” [Current Anthropology, #37/1996, f. 227–275], një skulpturë e një gruaje nudo, që hamendësohet të ketë shërbyer për rite të fertilitetit! Imazhe të tilla po zbulohen ende në vendin ku ishte Pompei (Sodoma e Perandorisë Romake) me bordello dhe pornografi, që u shkatërrua nga një shpërthim vullkanik rreth vitit 79 të erës sonë [Deem: 2017]!

Në kuptimin letrar, pornografia ishte një prezantim piktorial i seksit, që ka përvetësuar audiencën vetëm 200 vjetët e fundit, tejet e kufizuar deri me zhvillimin e shtypit, kur literatura pornografike u bë një industri më vete. Zbulimin e fotografisë më 1826 [McCauley: 1994], zbatimi i saj më 1860, fillimi i shtypjes gjysmëtonike më 1890 dhe zhvillimi i filmave më 1920 u dha mundësi paraqitjes së skenave erotike, por vetëm në dispozicion komercialisht dhe vetëm për shikim privat, relativisht e vështirë për t’u gjetur dhe e turpshme për t’u aksesuar.

Ndonëse pornografia, në mënyrat e veta, ekzistonte prej kohësh, ishte Hugh Hefner (1926-2017) ai i cili e mban “meritën” në hapjen e “derës së madhe” të industrisë pornografike, me fillimin e botimit të revistës “Playboy” (1953), që i hapi rrugë “revolocionit seksual”, kur u “normalizua” lakuriqësia, pornografia, masturbimi dhe forma të tjera të “shprehjes së seksualitetit” [Watts: 2009]! Kjo qe “dera” e degradimit njerëzor, e cila shpejt u bë element i pritshëm i serialeve televizive dhe filmave “të zakonshëm”!

Në tridhjet vitet e fundit, njerëzit kanë përjetuar më shumë përparime teknologjike në krahasim me gjithë pjesën tjetër të historisë sonë së bashku! Për mirë ose për keq, teknologjia, veçanërisht ajo digjitale, është themeli mbi të cilin mbështetet fuqimisht bota e sotme moderne. Nuk ka rëndësi a shprehet me një vizatim antik në grykën e një shpelle apo në një studio moderne filmike, gjithçka në shtëpitë tona arrin përmes kësaj teknologjie! Kutia “magjike” e quajtur VCR bëri të mundur daljen në treg të videokasetave pornografike, të cilat njerëzi mund t’i blinin (apo t’i huazonin) dhe t’i shikonin në privatësinë e shtëpive të tyre [PCComputing , #64/2000, f. 64]. Në radhë erdhi “televizioni kabllor”, që solli “porno” në orët e vona të natës [Campbell-Kelly & Aspray: 1996], por duke “avancuar” më pas me krijimin e kanaleve të veçanta “pay-per-view”.

Teknologjia e radhës erdhi në vitin 1991, kur u krijua “World Wide Web”, e cila vetëm në gjashtë vitet e para (1997) kishte rreth 900 faqe pornografie në Web. Studimet flasin për 260 milionë faqe të tilla me një rritje marramendëse. “Crawler”, që është e specializuar në programet kompjuterike, ka identifikuar njëzet kompani amerikane që posedojnë më shumë se 70 për qind të të gjitha porno-lidhjeve kompjuterike! Profiti i industrive pornografike botërore arrin në 97 miliardë të të ardhurave vjetore, 13 miliardë vetëm në SHBA. Në çdo sekondë shpenzohen $3.075.64 në pornografi, 28.258 shikime pornografike, 372 përdorues të internetit janë në kërkim dhe në çdo 39 minuta publikohet një video e re pornografike në SHBA. Në krye qëndron platforma “Pornhub”, e cila në vitin 2007 kishte mesatarisht një milion vizita ditore, kurse në vitin 2018 ishin rritur në 92 milionë, përkatësisht 33.5 miliardë shikime vjetore dhe me një rritje prej 169 për qind. Në vitin 2021 ishte më e kërkuara në kategorinë “XXX” [New York Post, 15.12.2021]. Kjo industri e madhe pornografike vlerësohet se vetëm në SHBA arrin në 16.9 miliardë të ardhura vjetore.

Marrëdhëniet thellësisht të respektuara mashkull-femër, si modeli i parë i marrëdhënieve njerëzore, u bënë subjekt i industrisë pornografike dhe përmes kësaj “dritareje” krijuan një atmosferë hipokrizie rreth nesh, duke shkaktuar kështu një sëmundje tinëzake tepër të rrezikshme. Një studim mbi të shikuarit e pornografisë gjeti se ajo që i “ndez” ata nuk është thjesht lakuriqësia, por risia e saj. Kur subjektet i shihnin skenat që nuk i kishin parë më parë, eksitimi i tyre rritej ndjeshëm [https: //sciencedirect.com]. Thënë ndryshe, “konsumatori i pornografisë” nuk bëhet aq i varur nga përshkrimet e lakuriqësisë dhe seksit, por nga mënyrat e reja, të paprecedentë, të paraqitjes së tyre. Kjo është ajo që quhet “sjellje e përshkallëzuar”, që fillon me diçka “të moderuar” dhe pas një kohe përfundon në “humbje të plotë të kontrollit”! Gjatë një studimi, gjysma e të anketuarve deklaruan se fillimisht nuk kishin interes ose u ndjen të neveritshëm [https: //academia.edu], por pastaj kërkesa me përmbajtje të tilla u rrit dukshëm!

Sot, pornografia është bërë një sëmundje shumë e përhapur, që prek rreth 5-8 për qind të të rriturve! Këta shpenzojnë të paktën 11 deri në 12 orë në javë duke parë pornografi dhe janë bërë të varur prej saj! Rreth 35 për qind e të gjitha shkarkimeve në internet janë pornografike! Lehtësia e qasjes në internet rezulton në aksesin e pornografisë edhe tek të miturit. Sipas “Media Mtrix”, vetëm në muajin gusht (2005) kërkuesit e pornografisë përbënin 42.7 për qind të audiencës së internetit, 71për qind meshkuj dhe 29 për qind femra. “Sex” është subjekti më i kërkuar në internet [Washington Times, 26.1.2000]. Një grafik studimor i vitit 2012 tregon se 506 milionë përdorues kanë kërkuar “sex”, 185 milionë “love” (dashuri) dhe vetëm 25 milionë “marriage” (martesë).

Teologu Shaguda na sjell në kujtesë studimin e biologut dhe ornitologut holandez Nikolaas Tinbergen (1907-1988), i cili në vitin 1973 mori çmimin “Nobël” për kërkimet e tij mbi sjelljen e kafshëve. Duke studiuar çiftëzimin e fluturave gri, ai vuri re se shumëllojshmëria e ngjyrave dhe formave të modeleve në krahët e fluturave i imitonte fluturat mashkullore dhe i inkurajonte ata të çiftëzoheshin. Meshkujt ishin më të interesuar për femrat që kishin ngjyra dhe modele më ekspresive në krahët e tyre. Pasi vizatoi një flutur me ngjyra të ndezura mbi një letër, vuri re se flutura e tij e vizatuar tërhoqi shpejt vëmendjen e të gjithë fluturave meshkuj dhe disa u përpoqën të çiftoheshin me të, duke injoruar plotësisht femrat e vërteta që fluturonin rreth tyre! Eksperimenti i Tinbergenit zbuloi mundësinë e manipulimit të trurit në botën e kafshëve, një funksion shumë i ngjashëm me trurin njerëzorë, i pajisur me një sistem të rëndësishëm shpërblimi në motivimin dhe funksionimin e përgjithshëm, por që është baza e të gjitha varësive.

Një tjetër eksperiment me minjtë, i quajtur efekti Coolidge”, rezultoi se pas çiftëzimit me një femër, mashkulli e humb interesin për çiftëzimin e mëtejshëm me të njëjtën femër, por kur një femër e re u vendos më pas në kafaz, miu rifilloi menjëherë çiftëzimin dhe e injoroi femrën me të cilën kishte qenë më parë. Përmes këtij eksperimenti, shkencëtarët erdhën në përfundim për krijimin e një varësie, se mashkulli ka një rritje të papritur të niveleve të dopaminës kur një femër e re vendoset përpara tij, ndërsa me çiftëzimin e përsëritur me të njëjtën femër, niveli i dopaminës është shumë më i ulët dhe koha e nevojshme për ejakulim është dukshëm më e gjatë. Ky eksperiment, që jep shpjegime edhe mbi fenomenin e pornografisë, kur pohon se shikuesit e pornografisë – të cilët në fakt janë të varur nga dopamina – kërkojnë forma të reja pornografie pas një kohe, ndërkohë që të vjetrat bëhen të mërzitshme dhe joemocionuese për të!

Kur studiuesit bënë disa studime me përdoruesit e pornografisë, ata u befasuan kur panë se të tillët nuk e kishin një pjesë të trurit të zhvilluar, posaçërisht atë që është përgjegjëse për marrëdhëniet seksuale, por një tjetër – atë që është përgjegjëse për varësitë! Për ata që nuk e dinë, dopamina është një neuro-transmetues që ndihmon në dërgimin e sinjaleve në tru. Neuro-transmetuesit janë kimikate të prodhuara nga qelizat nervore, të quajtura neurone. Ato përdoren për të komunikuar mesazhe nëpër pjesë të ndryshme të trurit dhe midis trurit dhe pjesës tjetër të trupit. Megjithatë, proceset neurologjike kanë treguar për pjesët e caktuara të trurit që nuk mund të bëjnë dallim ndërmjet fantazisë dhe realitetit, ndërmjet aktrimit dhe jetës reale! Prodhimi i pamjaftueshëm i dopaminës në një pjesë të trurit mund të çojë në sëmundjen e parkinsonit, një çrregullim i pashërueshëm i sistemit nervor, që ndikon në lëvizje dhe njihet për shkaktimin e dridhjeve të pakontrollueshme. Varësia është psikologjike, fizike dhe emocionale. Ajo ndryshon neuro-transmetuesit, që do të thotë se truri do të varet nga valët kimike të shkaktuara nga shikimi i materialeve seksualisht eksplicite, ndërkohë që përgjigja e trurit ndaj stimujve të tjerë do të reduktohet. Është varësi e ngjashme me përdorimin e substancave narkotike (alkooli, droga, etj.) deri në masën kur trupi bëhet i varur për të funksionuar [htto: //cam.ac.uk]!

Studiuesit e krahasojnë me pirjen e vazhdueshëm të alkoolit – sa më shumë pi, aq më pak dehet, që mund të krahasohet me pornografinë dhe performancën seksuale. Ndërsa keni nevojë për më shumë stimulim, duke pasur konsumim kronik të pornografisë, stimulimi bëhet gjithnjë më i paarritshëm sepse kjo do të shkaktojë një ndryshim në kimikatet e trurit, gjë që do të kontribuojë në mosfunksionimin e organit erektil. Për më tepër, ilaçet që përdorin burrat për të arritur një ereksion, nuk janë trajtim, sepse problemi nuk është organi gjenital, por “lidhjet e dobëta me trurin” [Mann: 2014].

Në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, në një eksperiment shkencor në Itali, shkencëtarët lidhën elektroda në kokën e majmunit, për të matur kështu aktivitetin e trurit të tij gjatë kryerjes së disa aktiviteteve motorike, për shembull kur merrte objekte ose kur hante. Në një moment, në skajin tjetër të dhomës majmuni pa një nga shkencëtarët duke ngrënë një kikirik dhe pajisja matëse tregonte sikur majmuni po e hante atë! Në bazë të këtij studimi, ata erdhën në përfundim se përgjegjës të këtij fenomeni janë neutronet. Duke vëzhguar njerëzit, ata panë se në veprime të caktuara, reagimet ndodhin në trurin tonë sikur ne vetë ta bënim të njëjtën gjë! Është pikërisht kjo arsyeja pse është më e lehtë të mësosh një gjë nga një shembull i demonstruar përkundër një studimi dhe shpjegimi tekstual! Shembull i këtillë është reagimi trupor i një shikuesi në një ndeshje boksi. Studimet kanë treguar fenomenin dhe mënyrën se si truri mëson duke shikuar dhe, në një farë mase, edhe e imiton atë që sheh. Ndërkaq truri reagon në të njëjtën mënyrë edhe kundrejt gjërave të këqija dhe ky proces është më i fuqishëm nëse shohim diçka emocionuese [https: //blog.cognifit.com].

Në rastin e pornografisë, shikimi na shpie tek mendimi se “ajo që shohim është realitet që duhet imituar” dhe në këtë mënyrë krijon rrethana për vendimmarrje të këqija në një mjedis të helmuar. Në këtë mënyrë, kur një person shikon pornografi, truri i tij fillon të imitojë emocionet e njerëzve që i sheh në ekran. Studimi i këtij fenomeni ka gjetur se 88 për qind i skenave të tilla përmbajnë dhunë fizike ndaj grave të cilat paraqiten sikur e shijojnë këtë dhunë. Agresioni, kryesisht nga meshkujt dhe në masë dërmuese ndaj femrave, është i zakonshëm! Në mesin e 27 grave të intervistuara që gjenin kënaqësi në shikimin e pornografisë, thuajse të gjitha ndjenin se po merrnin ide dhe preferenca të reja seksuale dhe kjo u dukej krejtësisht normale! Megjithatë, kur flisnin për kënaqësinë seksuale, fokusi i tyre nuk lidhej me vetëkënaqësinë, por me plotësimin e dëshirave dhe pritshmërive të partnerit mashkullor! Për to ishte më e rëndësishme të bënin atë që ato mendonin se dëshironin partnerët e tyre ose, thënë ndryshe, e shndërronin veten në objekte për t’u vepruar nga një person tjetër.

Nga studimi i vitit 2017, i quajtur “Superfans porno”, i bërë me një grup prej 294 burrash, entuziastë të pornografisë në nivel pandemik në Los Vegas, rezultoi për një krizë të shëndetit publik. Ata gjetën se si pornografia ka ndikuar negativisht në inkurajimin e “urrejtjes së grave” dhe në “toksicitetin seksual! Derisa mosha mesatare e tyre ishte 44 vjeç, 47.3 për qind e tyre shikonin pornografi “më pak se një herë në ditë, por më shumë se një herë në javë”, 36.1 për qind shikonin “çdo ditë”, 34.1 për qind e tyre ishin të martuar dhe 60.5 për qind e tyre kishin së paku një diplomë universitare. 80 për qind e tyre nuk u pajtuan që burrat dhe gratë duhet të kenë role tradicionale gjinore brenda një familjeje [https: //theconversation.com]. Nëse shikojmë vazhdimisht seks të dhunshëm, truri ynë fillon ta pranojë si një sjellje të pranueshme dhe të pritshme. Prandaj konsumuesit e pornografisë janë më të shpeshtë për abuzime seksuale, duke besuar se një grua dëshiron gjithmonë seks dhe se çdo refuzim e interpretojnë si ftesë për t’iu afruar asaj në mënyrë më agresive.

Për shkak të stimujve të mbinatyrshëm, shikimi i pornografisë e stimulon sekretimin e sasive shumë të mëdha të dopaminës dhe, për rrjedhojë, krijon një ndjenjë euforie, e cila, si me të gjitha varësitë, është shumë e shkurtër! Me kalimin e kohës, lidhjet sinaptike në tru, që aktivizohen në konsumimin e pornografisë, bëhen më të forta, ndërsa ato që janë aktive gjatë seksit aktual mbeten më të dobëta. Këto reagime të ndryshme ndaj seksit të vërtetë dhe konsumimit të pornografisë i shohim në pjesën e përparme të trurit, në lobin frontal, i cili sinjalizon pjesën e poshtme, d.m.th. sistemin limbik për të filluar sekretimin e dopaminës. Sistemi limbik nuk dallon nëse ai sinjal është rezultat i konsumimit të pornografisë ose kryerjes së aktit seksual, ashtu siç nuk e dallon sheqerin me shije artificiale nga frutat e vërteta! Meqenëse në të dyja rastet kemi të njëjtin reagim, mbetet përshtypja se pornografia dhe marrëdhëniet seksuale janë i njëjti stimul dhe jo të ndryshëm, siç tregojnë hulumtimet. Në përgjithësi, kur flasim për punën e trurit, nëse një aktivitet na pushton së tepërmi, pjesët e tjera të trurit dobësohen!

Është e rëndësishme të theksohet se, gjatë adoleshencës, truri është në kulmin e neuroplasticitetit dhe trazirave të dopaminës dhe pikërisht atëherë është më i ndjeshëm ndaj ndryshimeve dhe ndikimeve të jashtme. Kjo është mosha kur varësitë, përfshirë edhe pornografinë, më së shpeshti fillojnë. Studimet e tilla na tregojnë qartë ngjashmërinë me “fluturat e Tinbergenit”, kur njerëzit shpenzojnë forcën e jetës në gënjeshtra dhe mashtrime. Një marrëdhënie seksuale me stimujt e saj natyralë nuk mund të konkurrojë me pornografinë dhe sasinë e panatyrshme të dopaminës që ajo e shkakton, kështu që bëhet jointeresante. Si me çdo varësi, truri ynë nuk është më i yni: ai është rrëmbyer dhe ne jemi skllevër të dëshirave të tij. Prof Jeffrey Satinover, në një fjalim drejtuar Senatit Amerikan, tha: “Duket sikur ne kemi zhvilluar një version njëqind herë më të fortë të heroinës që mund të merret në privatësinë e shtëpisë dhe të injektohet direkt në tru përmes syve.”

Portretizimi i një trupi të zhveshur njerëzor në mënyrë të panatyrshme të lë përshtypjen se të vetmin qëllim ka “kënaqësinë seksuale”. Aktoret femra, gjithmonë të etura për seks, me këdo, në çdo kohë, ndjekin gjithmonë ritmin që e imponon një mashkull. Sado agresiv të jetë ai, ato janë jashtëzakonisht të zhurmshme, të emocionuara dhe në ekstazë. Ato nuk lodhen asnjëherë dhe as nuk kanë nevojë për pushim! Konsumatori i këtyre pamjeve fillon të vërejë se nuk është në gjendje të konkurrojë me të. Për më tepër, fillon ta krahasojë partnerin me aktorët dhe të krijojë presion mbi të, që nuk po i jep të njëjtën “kënaqësi”. Duke mos qenë i vetëdijshëm se një person normal nuk mund të konkurrojë me skenat mashtruese të pornografisë, marrëdhënia e tij intime mbetet një “film i keq pornografik”, që duhet të ndërpritet dhe të gjendet një “aktor më i mirë”!

Sipas kreut të Shoqatës Italiane të Andrologjisë të Mjekësisë Seksuale dhe Hulumtimeve të Shkollës së Shëndetit Publik “Johns Hopkins Bloomberg” në Baltimore [SHBA], ndikimet negative të shikueshmërisë së pornofilmave janë varësia ndaj tyre dhe ndaj masturbimit, ulja e zgjimit seksual dhe rritja e disfunksionit erektil, që ndikon negativisht në intimitetin bashkëshortor. Rreth 18 milionë meshkuj amerikanë kanë probleme erektile, që nuk janë në gjendje të arrijnë ose mbajnë një ereksion të mjaftueshëm për një marrëdhënie intime. Natyrisht, problemi i kësaj natyre mund të jetë fizik, mund të jenë sëmundjet e zemrës, të diabetit etj., por 15-20 për qind të rasteve kanë të bëjnë drejtpërdrejt me konsumuesit e pornografisë. Për më tepër, kjo e shumëfishon mundësinë e tradhtisë dhe divorcit, e dëmton kuptimin e vlerës së martesës dhe e zvogëlon kënaqësinë me jetën e vet intime. Më shqetësues është faktori që sa më shumë njeriu kënaqet me pornografinë, aq më shumë priret të largohet emocionalisht nga njerëzit e vërtetë. Ai e kupton se ka një problem ndjenje, turpi dhe inferioriteti, por duke qenë gjithnjë një temë tabu, në vend që të kërkojë ndihmë, ngushëllohet me shikimin e pornografisë!

Hulumtimet tregojnë se nga shfaqja e pornografisë në internet, frekuenca e çrregullimeve të disfunksionit erektil tek rinia është rritur me 1000 për qind, ndërsa kërkimet në kapërcyellin e mijëvjeçarit të ri thanë se ky çrregullim shfaqet në vetëm 2 deri 5 për qind të meshkujve nën moshën 40-vjeçare, por në rritje prej 14 deri në 35 për qind. Incidenca e epshit të ulët (d.m.th, humbja e dëshirës për seks) luhatet nga 16 në 37 për qind, kjo në varësi prej studimit. Një studim tregon se në mesin e meshkujve seksualisht aktivë midis moshës 16 dhe 21 vjeç, deri në 26 për qind kishin probleme me disfunksionin erektil. Studimi që përfshinte nxënës të shkollave të mesme italiane zbuloi se 16 për qind e atyre që konsumonin pornografi të paktën një herë në javë, ndjenin një dëshirë anormalisht të ulët për marrëdhënie, ndërsa mes atyre që nuk shikonin pornografi nuk kishte të tilla anomali. Studimi shqetësues vjen nga Japonia, ku pothuajse një në tre të rinj nuk tregojnë interes për seksin ose ndihen të neveritur prej tij. Në fjalët e Dr. David B. Samadi-t, që mban pozitën e kryetarit të departamentit të urologjisë dhe shefit të kirurgjisë robotike në spitalin “Lenox Hill” në New York, “ky është një problem në tru, jo në organin gjenital”!

Profesoresha e sociologjisë pranë Universitetit Salford të Bostonit, Gail Dines, e specializuar në studimin e pornografisë, ka pohuar se: “Ne jemi në mes të një eksperimenti masiv social që po i jep formë të fuqishme jetës së të rinjve në mbarë botën. Asnjëherë më parë fëmijët dhe të rinjtë nuk kanë pasur akses falas në pornografinë kaq të fortë, e cila bazohet në degradimin, zhvlerësimin dhe poshtërimin e grave” [Dines: 2010]. Të dhënat studimore janë të frikshme! Hulumtimet e 2017-tës kanë gjetur se 2/3 e djemve 13-vjeçarë dhe të vajzave 14-vjeçare kanë parë pornografi. Nga 4.2 milionë faqe pornografike, rreth 100.000 ofrojnë pornografi për fëmijë! Vetëm një faqe pornografike ka 115 milionë vizita në ditë, duke ofruar gjithsej 4.3 miliardë orë shikime të përmbajtjes. Ky është 500.000 vjet material pornografik në vetëm një faqe! 10 për qind e këtyre konsumatorëve janë në varësi të plotë, ndër të cilët një nga tre vizitorët është një grua! Dhomat e bisedave pornografike i vizitojnë dy herë më shumë gratë sesa burrat! Përveç që fjala më e kërkuar në Google është “seksi”, pothuajse 1/3 e trafikut të internetit është me përmbajtje pornografike!

Njeriu, si krijesa më e përsosur e kësaj bote, nuk është rezultat i mutacioneve të rastësishme të molekulave, por një krijesë me një arsye për të ekzistuar dhe me qëllim brenda vetes për të realizuar. Në Bibël thuhet: “Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua, sesa të hidhet në Gehenën gjithë trupi” [Mateu 5: 28]. Tri kategoritë kryesore të mëkatit në Bibël janë: epshi i mishit, epshi i syve dhe krenaria e jetës [1 Gjonit 2: 16]. Pornografia, pa dyshim, na inkurajon ta lakojmë trupin. Ky është epshi i syve, sepse “turpi nuk është për kurvëri” [1 Korintasve, 6: 13]. Vetë dëshira për njerëzit e tjerë në mendjen tonë (që është thelbi i pornografisë) është një neveri për Perëndinë: “Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet” [Mateu 5: 28], sepse një burrë që mban një zjarr në gji nuk mund të shpëtojë pa djegur rrobat e trupit dhe as një burrë që ec mbi prush pa djegur këmbët: “kështu është ai që shkon tek gruaja e një tjetri, kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar [Fjalët e Urta, 6: 27-29].

Edhe Kurani na paralajmëron që të mos ndjekim hapat e djallit që nxit për gjëra të turpshme [Kuran, 24: 21], që të ndalim shikimin dhe të ruajmë pjesët e turpshme [Kuran, 24: 30-31]. Një profeci thotë se shikimi i gjërave të ndaluara është “zinaja e syrit”. Martesa është gjysma e besimit, sepse të mbron nga shthurja, që gjithsesi të shpie në krim. Nuk kanë thënë kot se “besimi e bën njeriun njeri”.

Shumë regjime demokratike kanë nisur së fundmi një ofensivë kundër pornografisë në internet. Në Korenë e Jugut, për shembull, nga viti 2008 ka njësi speciale të ngarkuara për të shtypur të gjitha llojet e pornografisë në internet. Shpërndarja e saj atje është e paligjshme dhe të gjithë motorët e kërkimit duhet ta respektojnë ligjin. Në vitin 2016, Rusia e ndaloi shfaqjen e pornografisë, që përfshinte përmbajtje të paligjshme. India ndaloi 857 faqe pornografike në të njëjtin vit, siç bënë edhe Filipinet më 2017. Në vitin 2018, Nepali e ndaloi pornografinë në internet, sepse normat e përdhunimeve atje u trefishuan në dhjetë vitet pas futjes së internetit me shpejtësi të lartë. Në shumicën e vendeve muslimane ajo jo vetëm që nuk u legalizua, por sot është interesant fakti se këto vende statistikisht nuk figurojnë fare në përdorimin e pornografisë!

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X