loader image
December 13, 2024

Si të fitohet lufta kundër korrupsionit?

Për të fituar luftën një shtet kundër korrupsionit, duhet ta bëjë këtë aktivitet jolegal jofitimprurës. Për ta arritur këtë situatë, kur një funksionar lakmitar të thotë “nuk ia vlen”, nevojitet ngritja e vetëdijes te qytetarët dhe konfiskimi i pasurisë së fituar nëpërmjet veprimtarisë jolegale. As vetëdija kolektive e as konfiskimi te ne nuk funksionojnë ose janë në nivel jo të kënaqshëm.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Kultura korruptive

Ka një kulturë korruptive te gati të gjithë popujt e Ballkanit, e cila buron nga vetëdija e ulët për këtë dukuri. Çdo gjë që nuk është e tij, pra është pronë publike apo shtetërore, kjo vetëdije thotë se mund të keqpërdoret. Kjo logjikë e shndërron garën politike në luftë për të arritur te fuqia, pushteti, i cili të mundëson qasje te e mira publike ose financat shtetërore. Nëse një politikan arrin të pasurohet brenda një mandati apo dy, ai llogaritet i aftë dhe anasjelltas.

Kjo vetëdije ka krijuar kultin për korrupsionin si rruga më e shpejtë për t’u bërë i pasur. Ka krijuar kultin për të korruptuarin si njeri i aftë, pas të cilit duhet të ecin njerëzit tjerë. Dhe ka krijuar traditën që qytetari në çdo palë zgjedhje të marrë kompensim për votën e dhënë.

Ngritja e vetëdijes nënkupton edhe aspektin etik të luftimit të korrupsionit. Ky aspekt kërkon definimin e korrupsionit si një aktivitet i keq, që sjell pasoja të rënda për shtetin dhe shoqërinë. Vetëm shihni listat e vendeve më të pasura dhe listat e pranisë së korrupsionit në nivel global. Sa më pak korrupsion të ketë një vend, aq më i pasur është. Ndërsa sa më shumë korrupsion të ketë, aq më i varfër është. Vendet që kanë korrupsion kronik zakonisht janë në konflikt të vazhdueshëm, me grusht shtete dhe diktatura.

Vetëdija është gjyqi publik që mund t’i bëhet një zyrtari që ka keqpërdorë detyrën. Karriera e një ministri në Danimarkë përfundoi pasi kishte përdorur makinën për nevoja private. Të njëjtin fat kishte edhe një ministër në Britani të Madhe, i cili banesën zyrtare ia kushte dhënë në shfrytëzim partneres së tij. Këto aktivitete korruptive mund të mos jenë vepër penale që sanksionohet me ligj apo kod penal, por gjithsesi se sanksionohen me kod etik, me gjyq publik. E ky gjyq ua ka përfunduar karrierën shumë zyrtarëve europianë dhe amerikanë.

Pse te ne, në rajon, karriera politike e një zyrtari nuk përfundon as edhe kur ka vendim gjyqësor për vuajtje dënimi me burg? Pikërisht për shkak të kësaj kulture korruptive, të mungesës së vetëdijes për dëmet që sjell korrupsioni dhe të kultit që turma ngrit për “të fortit”, për ato që janë mbi ligjin.

Konfiskimi i pasurisë

Vetëm katër personave në Maqedoninë e Veriut deri më tani u është konfiskuar pronë për shkak se është fituar me rrugë korruptive: Ljube Boshkovskit, Sllobodan Bogoevskit, Sasho Mijallkovit (të tre pjesë të strukturave policore) dhe biznesmenit Sead Koçan.

Bogoevski u arrestua në vitin 2013 për shkak të dyshimit se ka kryer veprën “Pastrimi i parave, shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autorizimit dhe evazioni fiskal”. U dënua me 2 vite burg, ndërsa i janë konfiskuar para dhe prona.

Përveç Bogoevskit, prona i është konfiskuar edhe liderit të partisë “Të bashkuar për Maqedoninë”, Ljube Boshkovski. Ai u dënua për veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare”, kështu që ka marrë një dënim me burg me kohëzgjatje prej 7 vjetësh.

Boshkovski u arrestua një ditë pas zgjedhjeve parlamentare në vitin 2011, pas takimit me një njeri, për të cilin mendohet se ia ka dhënë qesen e letrës, brenda së cilës ka pasur 100 mijë euro. Këto para janë konfiskuar nga organet kompetente.

Së fundmi, një pjesë e pasurisë iu konfiskua edhe Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të DSK-së.

Problemi për mosfunksionimin e pasurisë korruptive është edhe mungesa e Ligjit për konfiskim dhe mosfunksionimi i sistemit gjyqësor dhe organeve hetimore.

Të gjitha hulumtimet tregojnë se, përveç gjyqit publik ose vetëdijes në opinionin, konfiskimi është një mjet efikas që i dekurajon zyrtarët lakmitarë dhe ua ndërron qëllimin.

Nëse një vend nuk ka as vetëdije të ngritur e as sistem efikas të konfiskimit, çdo zyrtar mund të bëjë një kalkulim të thjeshtë: do të vuaj dënim me burg 3 vjet, por në fund do të më ngelin 3 milionë euro. Pra, i paguhet. Aq më tepër kur si i pasur do të gëzojë edhe më shumë respekt në shoqëri, pa marrë parasysh se si ka arritur deri te ajo pasuri.

Për t’i plotësuar dy kushtet për luftë efikase kundër korrupsionit, rajonit, në përgjithësi, dhe shoqërisë shqiptare, në veçanti, i nevojitet europanizimi në kuptimin e instalimit të një sistemi të shëndoshë vlerash. Në këtë sistem do të çmohej njeriu i ndershëm, që i respekton ligjet, që mban llogari për të mirën publike…

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X