loader image
May 21, 2024

Komunizmat shqiptare!

Procesi i ashtuquajtur i lustrimit në gjithë Ballkanin Perëndimor ishte skandaloz dhe askund nuk u krye ashtu siç duhet. Ai proces këtu filloi shumë-shumë vonë, dhjetëra vite pas ndryshimeve demokratike dhe gjatë asaj kohe shumica e të inkriminuarve patën mundësi ta “pastrojnë” figurën e tyre të ndotur në mëkatet e së kaluarës. 

Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Tri dekada pas rrëzimit të komunizmit, hijet e tij ende performojnë mbi shoqërinë shqiptare, duke e ndotur skenën gjithkah! Ato janë të shtrira në politikë, në ekonomi, në arsim, në kulturë, në shkencë, në media, kudo. E bëjnë punën e tyre të nisur mbrapshtë tani e më se shtatë dekada më parë. Janë breza të tërë, gjenerata të njëpasnjëshme të kontaminuara me atë ideologji antihumane. Janë trashëguar vese e praktika të mbrapshta në emër të materializmit dialektik, duke prodhuar figura njerëzish që kanë probleme themelore me njohjen e ligjeve kryesore të ekzistencës njerëzore. Dhe, si rrjedhojë, humb kuptimin koncepti i familjes, i solidaritetit ndërnjerëzor dhe i kohezionit shoqëror.

Komunizmi shqiptar dhe komunizmi jugosllav

Shqiptarët, si një nga popujt më të shtrirë gjithandej gadishullit të vjetër ballkanik, dhe njëkohësisht si një nga popujt më fatkeq në historinë e njerëzimit, për më se një shekull po jetojnë të ndarë në disa njësi politike shtetërore. Si të tillë, edhe njollosjen ideologjike e kanë parciale, meqë diku komunizmi ishte më i ashpër në raport me religjionet e diku tjetër me nacionalizmat.

Menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësi i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, nisi fushata me retorikë dhe veprime konkrete antifetare, përmes presionit sistematik ndaj drejtuesve fetarë në vend. Çmenduritë e tij kulmuan në vitin1976, kur Shqipërinë e shpalli vendin e parë ateist në botë! (Paramendo, Shqipëria përmendet në historinë botërore për këtë çmenduri). Kështu, në nenin e 37-të të Kushtetutës së Shqipërisë decidivisht thuhej: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe mbështet dhe zhvillon propagandë ateiste…” Pas kësaj nisi prishja e mijëra xhamive e kishave, vrasja, burgosja e internimi i priftërinjve e hoxhallarëve që nuk hiqnin dorë nga predikimi i besimeve të tyre.

Në këtë mënyrë, komunizmi i egër në Shqipëri e ndryshoi kodin e vlerave pozitive shoqërore. Ai mundësoi rritjen e disa gjeneratave, që në mungesë të edukimit të nevojshëm shpirtëror, ushqyen veten me iluzione dhe shpresa të kota. Ai sistem politik antinjerëzor, i mbyllur hermetikisht brenda kufijve të vetvetes, në mënyrë të pashmangshme stimuloi krimin, degradimin, kaosin, vjedhjen, korrupsionin dhe padrejtësinë në mes njerëzve. Pretendimi propagandistik për barazinë mes klasave ishte vetëm maskë për mashtrim dhe asgjë tjetër.

Prandaj, sado që kanë kaluar tri dekada nga dalja prej atij sistemi primitiv diktatorial, shihet qartë se shoqëria shqiptare ende nuk është pastruar nga hipotekat e saj të kaluara. Mbase do të duhet të kalojë edhe aq kohë, në mënyrë që të dekodifikohen vlerat e panumërta negative të rrënjosura thellë në atë shoqëri.

Në anën tjetër, për shqiptarët e ngelur padrejtësisht nën Jugosllavi, sado që ishin po ashtu nën një regjim të poshtër komunist, ai jugosllav në dukje ishte më liberal në politikat kundrejt ushtrimit të së drejtës së besimit. Prandaj, jorastësisht sot bëhen dallime të qarta mes shqiptarit të Shqipërisë dhe atij të ish-Jugosllavisë. Shqiptarët e këtushëm, sado të shtypur e të diskriminuar, patën një zhvillim paksa më normal shoqëror, meqë nuk qenë të detyruar dhunshëm t’i shkëpusin lidhjet me Zotin, ashtu siç u ndodhi vëllezërve të tyre në Shqipëri. Komunizmi jugosllav më tepër e luftoi nacionalizmin shqiptar sesa fetarizmin e tyre. Madje, në raste të caktuara, këtë të fundit edhe e stimuloi, duke pandehur në prapambeturi, por në fakt përfitimet ishin të mëdha në pista afatgjata. Shqiptarët, me praktikimin e besimeve të tyre, nuk e shkëputën lidhjen me Krijuesin e tyre dhe, njëkohësisht, i kontribuuan kohezionit më të madh shoqëror, gjë që rezultoi lehtësisht edhe me bashkimin e forcave në përgatitjen dhe realizimin e rezistencës çlirimtare në fund të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar.

Nëse sot e shohim realitetin në sy, fryma (neo)komuniste ende është e pranishme kudo në trojet etnike shqiptare në Ballkan e më gjerë. Me rënien e diktaturave komuniste në bllokun europianolindor dhe me krijimin e sistemeve politike pluraliste, partitë komuniste brenda natës ndërruan logot dhe u shndërruan në parti socialiste, socialdemokrate e të ngjashme. Por, në fakt, sado që kishin ndërruar emër, figurat politike që i drejtonin ato parti politike ishin po të njëjtit. Madje, edhe nëpër partitë me profile të djathta politike (me shtesën “demokratike”), gjithandej u infiltruan figura me të kaluar të errët gjatë periudhës së komunizmit. (E djathta shqiptare u eliminua tërësisht menjëherë pas mbarimit të LDB-së dhe faktorizimi i saj përbënte dhe edhe sot e kësaj dite përbën një proces shumë të vështirë politik).

Kështu, edhe sot e kësaj dite, nëpër të gjitha partitë politike shqiptare ka figura politike që janë shkolluar e indoktrinuar sistematikisht nëpër shkolla politike komuniste. Prandaj, të tillët nuk mund ta bëjnë kurrë ndryshimin e shumëpritur shoqëror. Këtë ndryshim mund ta bëjnë vetëm gjenerata e pastër e djemve dhe vajzave të lindur në vitet e ‘90-ta e këndej nëpër familje me taban të shëndoshë antikomunist.

Dosjet policore dhe “pastërtia” e figurave publike

Një problematikë shumë e ndjeshme historike-politike, e cila shpesh aktualizohet nëpër debate të ndryshme publike, ka të bëjë me pastërtinë e figurave të sistemit komunist që vazhdojnë të shërbejnë edhe tani në sistemin demokratik. Fatkeqësisht, procesi i ashtuquajtur i lustrimit në gjithë Ballkanin Perëndimor ishte skandaloz dhe askund nuk u krye ashtu siç duhet. Ai proces këtu filloi shumë-shumë vonë, dhjetëra vite pas ndryshimeve demokratike, dhe gjatë asaj kohe shumica e të inkriminuarve patën mundësi ta “pastrojnë” figurën e tyre të ndotur në mëkatet e së kaluarës.

Në Shqipëri u sollën disa projekte ligjore për verifikimin e pastërtisë së figurave publike, por ato u bënë sa për sy e faqe dhe kryesisht në llogari të politikës ditore. Pretendimi i para një viti i Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, lidhur me përfshirjen e ish presidentit Ilir Meta si agjent i Sigurimit, ende nuk ka asnjë përfundim juridik. Afera e shfaqur nga partia në pushtet (PS) u përdor për nevojat e fushatës elektorale dhe tani gjithçka u fashit.

Në Maqedoni, gjatë viteve 2008-2015, botërisht u shpallën si bashkëpunëtorë të sigurimit shtetëror rreth 200 persona, kryesisht kundërshtarë të partive qeveritare, konkretisht anëtarë të LSDM-së (si pasardhëse e PKM-së) ose edhe të PPD-së. Disa prej tyre më pas e “dëshmuan” “pastërtinë” e tyre nëpër gjykatat e vendit ose edhe në ato ndërkombëtare.

Nëpër dosjet e publikuara policore shlyheshin shumë emra informatorësh, gjë që e bënte procesin edhe më të rënduar. Ligjërisht nuk guxohej të publikoheshin dosjet e plota, edhe pse disa veprimtarë e kanë bërë një gjë të tillë, duke i botuar dosjet e tyre jashtë vendit. Fatkeqësisht, shumë spiunë e informatorë të pushtetit edhe sot e kësaj dite paturpësisht bëjnë jetë publike aktive, duke shitur mend nëpër media të ndryshme e rrjete sociale.

Në Kosovë një proces i tillë as që ka nisur. Për shkak të luftës së fundit atje dhe sfidave gjatë ndërtimit të shtetit ri me protektorat ndërkombëtar, kjo temë rrallëherë është problematizuar. Në mënyrë individuale janë publikuar disa dosje të Sigurimit Shqiptar ose UDB-së jugosllave, kryesisht për veprimtarinë e Lëvizjes ilegale shqiptare, por është një pikëpyetje e madhe edhe besueshmëria e tyre. Shërbimet sekrete jugosllave shpeshherë kanë infiltruar brenda Lëvizjes njerëz të tyre, të cilët e kanë luajtur rolin e “patriotit” të dirigjuar nga spirancat e pushtetit. Për më tepër, në shesh dolën shumë patriotë të tillë, të cilët kishin dhënë me qindra faqe deklarata kundër Lëvizjes Ilegale Shqiptare, pastaj i bënë ndonjë shërbim të vogël luftës çlirimtare dhe u rehabilituan sa çel e mbyll sytë. Kështu, luftërat e fundit, të zhvilluara me karakter çlirimtar nën siglën e UÇK-së, përpos kryerjes së detyrimit primar kombëtar, ato në disa raste shërbyen edhe si lavatriçe për “larjen” e shumë figurave të komprometuara gjatë sistemit komunist.

Prandaj, edhe sot skenën politike shqiptare gjithandej e dominojnë politikanë me pikëpamje ideologjike majtiste. Megjithëse veprimtarët dhe luftëtarët më të spikatur të çështjes kombëtare “ideologji” të vetme e kishin dhe e kanë lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X