Për lexuesit e saj, “Shenja” ka qenë dhe mbetet një hapësirë ku mund ta kuptosh më mirë aktualitetin shqiptar dhe global, ngjarjet historike, zhvillimet ekonomike dhe personalitetet që kanë lënë gjurmë në histori. Në fakt, lista e temave që kjo revistë ka trajtuar përgjatë 15 viteve është shumë e gjatë. Ajo i ka ofruar lexuesit një perspektivë tjetër, një këndvështrim më të thellë, për të kuptuar më mirë dhe më qartë ngjarjet.
Teuta BUÇI, Shkup
Shkrimtari i njohur botëror, Umberto Eco, duke folur për rrezikimin e librit si objekt nga epoka digjitale, në dialogun me Jean-Claude Carrière, thekson se libri është një shpikje që nuk mund të zëvendësohet lehtë, pavarësisht zhvillimeve teknologjike. Pra, ai na jep një lloj shprese se, përkundër formave dhe mjeteve të shumta digjitale të leximit, njerëzimi gjithnjë do të ketë nevojë për një mjet më elastik të leximit, që nuk varet nga elektriciteti.
Mjeshtri italian i semiotikës, derisa flet me admirim për magjinë e fjalës së shkruar në letër, na paralajmëron: “mos mendoni se do të shpëtoni nga libri”. Kjo na inkurajon të mos e konsiderojmë veten të çmendur kur e shohim leximin si diçka të shenjtë dhe refuzojmë ta zëvendësojmë atë me forma digjitale. Dhe, jo vetëm librin, por fjalën e shkruar në përgjithësi. Kjo na kthen pas në kohë, kur ishim nxënës të shkollës fillore dhe të mesme, kur ishte shumë “cool” të lexoje revista. Edhe pse shpesh ishin të papërballueshme për moshën që kishim, ato pak që na binin në dorë rastësisht i ruanim si një pasuri të paçmuar.
Sot, ne ia lejojmë vetes t’i blejmë revistat, por fatkeqësisht ato janë gjithnjë e më pak të disponueshme. Në të njëjtën kohë, njerëzit gjithnjë e më shumë zgjedhin të konsumojnë informacione dhe lajme brenda sekondave, përmes videove sa më të shkurtra dhe shpesh mjaftohen vetëm me leximin e titullit. Nuk është e lehtë të thuhet nëse mediat e krijuan këtë trend apo iu përshtatën shprehive të reja të lexuesve që po lexojnë gjithnjë e më pak. Ajo që dihet me siguri është se digjitalizimi u bë zgjidhja më e lehtë për shumë media.
E, megjithatë, përballë këtyre sfidave bashkëkohore, revista “Shenja” u ka rezistuar trendeve që përhapen shpejt e ndërrohen shpesh. Ajo mbetet ndër revistat e rralla shqiptare, dhe ndër të paktat në formë të shtypur, që ka zgjedhur që, në vend të përmbajtjeve sipërfaqësore e pa sens, t’u ofrojë lexuesve analiza të mirëfillta dhe të thella. Për lexuesit e saj, “Shenja” ka qenë dhe mbetet një hapësirë ku mund ta kuptosh më mirë aktualitetin shqiptar dhe global, ngjarjet historike, zhvillimet ekonomike dhe personalitetet që kanë lënë gjurmë në histori.
Në fakt, lista e temave që kjo revistë ka trajtuar përgjatë 15 viteve është shumë e gjatë. Ajo i ka ofruar lexuesit një perspektivë tjetër, një këndvështrim më të thellë, për të kuptuar më mirë dhe më qartë ngjarjet. Nga pavarësia e Kosovës, 100–vjetori i pavarësisë të Shqipërisë, identiteti kombëtar, tensionet ballkanike, trazirat në Lindjen e Mesme, e deri në lundrimin e epokave historike, të cilat, duke i rianalizuar, kanë sjellë në dritë detaje të reja që ndoshta kanë bërë që lexuesit ta ndryshojnë perceptimin mbi ngjarje të caktuara.
Prandaj, revista “Shenja” mund të jetë krenare që i ka mbijetuar komercializimit të informacionit dhe ka zgjedhur të mbetet në anën e profesionalizmit dhe mendimit të thellë, edhe në një kohë kur kjo nuk premton shumë financiarisht. Sepse, shpesh ndodh që mediat të harrojnë se roli i tyre nuk është thjesht informimi, por edhe edukimi i masës. E, përtej kësaj, roli i medias është ta nxisë mendimin kritik te qytetarët. Por, ata që e kanë të qartë këtë dhe e kanë për mision kauzën shoqërore para përfitimit material e kapjes së dinamikës së kohës, janë pikërisht ata që do t’i rezistojnë pluhurit të harresës.
E, ndoshta, kur lexuesit ta shfletojnë ndonjërin nga numrat e revistës “Shenja” pas ca vitesh a dekadash, do të pajtohen me Eco-n se megjithatë fjalët e shkruara në letër kanë një ndjesi tjetër, duken më serioze e janë më të besueshme. Prandaj, mund të themi se revista “Shenja” mbetet një simbol i mendimit kritik, i thellësisë dhe i përkushtimit ndaj fjalës së shkruar.









