loader image
July 17, 2024

Dilema: A e kemi qejf rendin demokratik?!

Demokracia në trojet shqiptare mbetet një rrugëtim i mbushur me sfida dhe paradokse. Shqiptarët duhet të kërkojnë më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga udhëheqësit e tyre. Është koha që ne, shqiptarët, të zgjohemi dhe të ndërtojmë demokraci të vërtetë, ku të drejtat dhe interesat e qytetarëve të jenë në qendër të çdo veprimi politik.

Besim NEBIU, Shkup

A ka demokraci në trojet shqiptarë? Si e përjetojmë dhe e praktikojmë ne demokracinë? A kemi ne shqiptarët kapacitet dhe apetit për demokraci?

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe përmes një periudhe të shkurtë të demokracisë së brishtë mes luftërave botërore, shqiptarët kishin krijuar një shtet skajshmërisht jostabil (1912-1939), por i cili i edhe tillë siç ishte, përsëri vendosi zanafillën e traditës sonë demokratike. Ishte formacioni i parë shtetëror shqiptar që i përngjante, në mos tërësisht së paku pjesërisht, një demokracie europiane. Në të votohej, zgjidhej dhe nderohej pushteti për më shumë se një dekadë. Ky ishte eksperimenti dhe praktika e parë demokratike shqiptare, e shkurtër ndoshta dhe e brishtë sigurisht, por ishte! Demokracia shqiptare e asaj kohe nuk dallonte shumë as nga ajo gjermane, as nga ajo çeke ose polake e asaj kohe.

Kjo demokraci primoridiale iku shpejt, lehtë dhe u tret shpejt në diktaturë dhe pastaj për një kohë të gjatë në një regjim komunist gjysmëshekullor si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi.

Demokracia për shqiptarët, se paku nominalisht, u ripërtëri vetëm pas një gjysmë shekulli, pra pas rënies së diktaturave komuniste të Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë! Atëherë ne shqiptarët u përballem me pyetjet qe ende sot ia bëjmë vetes – a kemi kapacitet dhe vullnet shoqëror të krijojmë shoqëri dhe formacione shtetërore që bota do i njihte dhe quante demokraci moderne.

Ne si popull, pa dyshim, kemi aftësi dhe dëshirë të luftojmë për liri! Historia jonë kombëtare e shekullit XX pa dyshim se dëshmon një gjë të këtillë. Kemi bërë luftëra, kemi përballuar robëri dhe kemi dhënë shumë për të pasur lirinë tonë. Të tillë janë edhe shumica e popujve tjerë në Europë, të cilët kanë pasur fatin historik të bëhen kombe bashkëkohore. Por, nëse demokracia është fryti kryesor i lirisë, atëherë parashtrohet pyetja e jemi në gjendje ta shfrytëzojmë lirinë për të cilën jemi në gjendje të luftojmë?

Edhe pse historia jonë qartësisht dëshmon se jemi një komb liridashës dhe mirë i organizuar, kur është në pyetje armiku dhe liria jonë, nuk na ka dhënë përgjigje në pyetjen sa e kemi qejf rendin demokratik Popujt liridashës të Europës idealin e shndërrojnë e lirisë në shoqëri dhe shtete demokratike që pastaj sjellin mirëqenie ekonomike, sociale, kulturore për banorët e saj.

A jemi po aq të aftë si ata, a kemi potencë që idealet e lirisë për të cilat kemi ditur të bëjmë sakrifica t’i konvertojmë në rend demokratik? A ka liria jonë domethënie pa demokraci apo ne veç dimë të luftojmë për liri e pastaj të krijojmë shoqëri të mbyllur në një rreth vicioz korrupsioni dhe mungesë transparence?

Në gjuhën moderne angleze demokracia dhe shteti shpesh përdoren si sinonime, kjo sepse shteti modern europian duhet patjetër të ketë tipare demokratike. Por, a janë shtetet shqiptare demokraci në kuptimin e plotë të fjalës?

Në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi, pas rënies së regjimit komunist, pritjet tona kanë qenë gjithnjë shumë të mëdha. Por, çfarë ndodhi në këto 33 vjet? Sado i dhimbshëm, verdikti është se akoma nuk arritëm si shqiptarë të ndërtojnë shoqëri në modelin e demokracive të qëndrueshme.

Politikanët shqiptarë vazhdojnë të përçahen, ndërsa korrupsioni dhe nepotizmi mbeten plagë të thella. Reformat demokratike shpesh mbeten në letër, ndërsa realiteti tregon një tjetër histori. Pse pas kaq shumë vitesh tranzicion, pse ende përballemi me sfida të tilla themelore, të cilat kontinenti europian i ka kaluar para 50 ose 100 viteve?

Në Maqedoninë e Veriut, situata është më së keqi!

Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 ishte një moment shpresëdhënës për shqiptarët, duke premtuar të drejta të barabarta dhe përfaqësim të drejtë. Por, a është përmbushur ky premtim? Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), për dy dekada partia udhëheqëse e shqiptarëve në RMV, në vend se ta luajë rolin e vet të ngritjes socio-ekonomike dhe kulturore të popullit të vetë, një premtim ky nga lufta e vitit 2001, kapitalin e vet të madh kombëtar dhe politik e harxhoi duke u bë shënjestra kryesore kritikave për mënyrën e saj të qeverisjes – nepotizëm, korrupsion dhe mungesë të skajshme transparence dhe llogaridhënieje.

“Partia e luftës” më shumë se çdo gjë tjetër në këtë çerek shekulli ishte dhe vazhdon të jetë në qendër të polemikave për mungesën e një vizioni afatgjatë për ta ngritur popullin e vet. Në vend për të arritura, ajo përmendet për kompromise që duket se janë bërë më shumë për të ruajtur pushtetin e tyre politik sesa për të avancuar interesat e komunitetit shqiptar. Pse shqiptarët duhet të pranojnë një situatë ku udhëheqësit e tyre janë më të interesuar për përfitime personale sesa për mirëqenien e popullit? Nëse BDI-ja është e vetmja alternativë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, atëherë ku janë frytet e premtimeve të tyre?

Kosova si shembull

Në Kosovë, megjithëse situata ka qenë më e disfavorshme gjatë 90-tave, duket se kosovarët kanë dëshmuar vitalitet më të madh kombëtar dhe demokratik. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka arritur të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke treguar një pjekuri demokratike që meriton vlerësim, duke ndërruar 4 parti qeverisëse për vetëm 15 vjet pavarësi. Ne radhitjet kryesore botërore për shkallën e lirisë dhe demokracisë (Freedom House, Transparency, Rerporters Without Borders, etj.) Kosova del me demokratikja në Ballkan. Këtë shkallë demokracie nuk e kanë shumica e shteteve të Europës Lindore! A është kjo e mjaftueshme? Natyrisht se jo – por është shumë më mirë se Maqedonia e Veriut – dhe po ashtu shumë më mirë se Serbia, shteti nga i cili Kosova u çlirua!

Demokracia në trojet shqiptare mbetet një rrugëtim i mbushur me sfida dhe paradokse. Shqiptarët duhet të kërkojnë më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga udhëheqësit e tyre. Është koha që ne, shqiptarët, të zgjohemi dhe të ndërtojmë demokraci të vërtetë, ku të drejtat dhe interesat e qytetarëve të jenë në qendër të çdo veprimi politik.

A jemi gati të marrim përgjegjësitë tona dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për vetveten dhe shoqërinë tonë?

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X