loader image
October 23, 2024

Kur do të kemi një qeverisje të drejtë?

Përzgjedhja e nëpunësve për të marrë në dorë drejtimin e punëve të qeverisjes, pasi ke marrë votëbesimin e numrave mbetet një nyje e rëndësishme ose e zgjidhjes së problemeve që dalin para qeverisjes ose e koklavitjes edhe më tepër të tyre. Përdorimi i meritokracisë si partiturë e një melodie të paqenë, por që tingëllon bukur në veshët e atyre që presin të marrin pjesën e tyre nga torta e pushtetit, është rruga që i zbukuron fasadat qeverisjes.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Pas shembjes butaforike të regjimit komunist, shqiptarët ëndërruan për një jetë që u ishte mohuar përdhunshëm për më se gjysmë shekulli. Një pjesë entuziazmin e shprehnin më sloganet “Liri-Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Të tjerë prisnin me ankth çdo të ndodhte, pasi e ardhmja e ndritur që u ishte propaganduar gjatë regjimit komunist kishte perënduar pa kthim. Të rënët nga pushteti nuk pajtoheshin dot me realitetin e ri. Shumë të tjerë iu drejtuan rrugëve të emigrimit për ta prekur Europën nga afër.

Në hapësirën shqiptare ende vazhdon të flitet për ndërtimin e shtetit demokratik, vlerat e demokracisë si sistemi më i mirë i qeverisjes, si sistemi ku shqiptarët do të arrijnë të ndërtojnë jetën që duan, pa u detyruar të largohen pa kthim nga trojet e tyre.

Tranzicioni i tejzgjatur ka krijuar një gjendje aspak të favorshme, madje shpesh mbytëse për ëndrrat rinore. Nuk jemi më në vitet e para të 1990-tës kur ende mund të besonim së njerëzit vuanin në vendet kapitaliste. Sot të rinjtë dhe të rejat, simboli i energjisë jetësore, i ëndrrave të mëdha që presin të realizohen shohin qartë disnivelin e standardeve jetësore mes tyre dhe bashkëmoshatarëve në vendet e zhvilluara ose edhe në vendet e rajonit. Premtimet për ndryshime të mëdha në shumicë kanë mbetur në letër. Ecuria drejt integrimit lëviz me hapin e breshkës. Ikja e të rinjve në kërkim të një jete më të mirë në Europën Perëndimore, Amerikën e Veriut apo dhe vende të tjera me mundësi për të ndërtuar dhe arritur shumëçka nga kjo jetë, është kthyer në një plagë të hapur që nuk dihet se kur mund të mbyllet.

Demokracia, ashtu si çdo sistem tjetër politik, nuk mund të jetë një e mirë absolute. Ajo ka nevojë për përmirësime të vazhdueshme, pasi edhe sfidat e shoqërisë ndryshojnë. Megjithatë, janë disa parime bazike, pa të cilat nuk mund të flitet për demokraci të prekshme dhe që të ndihet në jetën reale, si zgjedhje të lira e të ndershme pa tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve, konkurrencë e lirë dhe e ndershme në sipërmarrjen e lirë private, shtet i së drejtës dhe meritokraci. Nga mënyra sesi po zhvillohen ndryshimet demokratike rezulton se sot kemi gjithmonë e më tepër demokraci teorike sesa praktike.

Po cilat janë disa nga problemet që gërryejnë nga brenda demokracinë?

Demokracia si tirani e shumicës.

Njerëzit janë të lirë të votojnë ose jo kur të mbushin moshën e parashikuar me ligj. Nëse shumica e atyre që hedhin votën në kuti, ndërkohë që shumica reale as i qaset kutive të votimit, votojnë për një forcë të caktuar politike, atëherë pushteti i qeverisjes i takon kësaj force. Kësisoj vullneti i shumicës i imponohet pakicës, edhe pse kjo shumicë votuese në raport me shumicën jovotuese është pakicë. Në demokraci kemi pushtetin e shumicës së pakicës përkundrejt shumicës reale, që duke bojkotuar procesin e votimit, i jep dorë të lirë pakicës të formojë institucionet qeverisëse dhe, për rrjedhojë, të drejtojë jetën politike, ekonomike dhe socialkulturore.

Numrat si kriter i së vërtetës.

Duke pasur në dorë numrat 50+1, shumica e konsideron këtë si shenjë vlerësuese të programit të saj qeverisës. Madje, mund të shkojë edhe më tej dhe të propagandojë tek masa e njerëzve sikur ky program është si vetë e vërteta përderisa shumica e ka votëbesuar. Por, a mund ta përcaktojë sasia vlerën e cilësisë? Fakti që shumica të votëbeson nuk do të thotë se je në anën e së drejtës, në anën e së mirës. Bota ka njohur shumë regjime që kanë pasur numrat dhe kanë përfunduar si diktaturat më të egra, ashtu sikundërse ka njohur dhe forma regjimi ku një pakicë ka drejtuar me drejtësi. Pasja e numrave në dorë nuk është domosdoshmërisht kriter dallues i së vërtetës dhe, për më tepër, shenjë e drejtësisë së forcës politike që merr në dorë qeverisjen. Kush ka numrat, mund të dakordësohet edhe për të miratuar ligjet më kundërnjerëzore. A i bën kjo ligjet të drejta? A e bën kjo qeverisjen të drejtë?

Gjykimi me akull të mendjes i elektoratit.

Një nga sfidat më themelore të demokracisë mbetet vërtetësia e vullnetit të votuesit. Nuk mund ta përgjithësojmë, por a është çdo votues i kthjellët në gjykim? A është çdo votues edhe analizues i programeve qeverisëse të forcave politike që synojnë të ngjiten në fronin e pushtetit? Sa lehtësisht e manipulueshme mund të jetë masa e votuesve? A mund të mos tjetërsohet vullneti i zgjedhësit përmes mekanizmash që ushqejnë interesat meskinë? Në ndodhtë që të tjetërsohet vullneti i zgjedhësit, a do të sjellim në krye një qeveri që do të qeverisë me drejtësi, ndërkohë që rrugën drejt pushtetit e ka hapur me hajni? Duke qenë se çdokush ka të drejtën e votës, a mund të barazohet vota e të urtëve me votën e të dehurve, idhnakëve dhe të pavetëdijshmëve? Po nëse të urtët janë pak dhe pjesa tjetër shumë, a do të duhet t’u binden numrave? E nëse ligji e do që t’u bindemi numrave, a është kjo qeverisje e dalë nga një mendje e kthjellët? Mos duhet që edhe të urtët t’i hedhin hi syve elektoratit? Po nëse do ta bënin këtë, a do të ishin më të tillë? Ta flasësh të drejtën dhe ta mbrosh të mirën apo të mashtrosh pa fund dhe ta marrësh në dorë skeptrin e zjarrtë të pushtetit me dredhi? Kjo është ndoshta prova më e vështirë e demokracisë.

Mëson rrugës.

Përzgjedhja e nëpunësve për të marrë në dorë drejtimin e punëve të qeverisjes, pasi ke marrë votëbesimin e numrave, mbetet një nyjë e rëndësishme ose e zgjidhjes së problemeve që dalin para qeverisjes ose e koklavitjes edhe më tepër të tyre. Përdorimi i meritokracisë si partiturë e një melodie të paqenë, por që tingëllon bukur në veshët e atyre që presin të marrin pjesën e tyre nga torta e pushtetit, është rruga që i zbukuron fasadat qeverisjes. Mjafton të jetë i yni dhe mëson rrugës, ndërkohë që të tjerë më të zotë dhe më profesionistë shpërfillen, lihen në harresë dhe nuk u hapen dyert për të qenë aty ku e meritojnë. Kjo mënyrë e përzgjedhjes së nëpunësve është shkatërruese për funksionimin e shtetit të së drejtës. Në u vazhdoftë në këtë udhë, kush do t’i kryejë funksionet jetike të shtetit?

Shqetësimit se kur do të kemi një qeverisje të drejtë, njerëzit duhet t’ia japin vetë përgjigjen. Në qofshin me shpirt të mirë e të drejtë shumica, do të vijë dita që kështu do të jetë dhe qeverisja. Në qofshin mbushur me ligësi shumica, edhe qeverisja kështu do të vazhdojë të jetë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X