loader image
May 21, 2024

Arsyet e mungesës së mendimit shqiptar

Në vitet 1950-60-të, historianët e përgatitur në shkollat e regjimit komunist të Tiranës dhe ato sovjetike, punonin për krijimin e një teksti historie të Shqipërisë në bashkëpunim me historianë sovjetikë e bullgarë. Rezultati ishte ky: sot e kësaj dite shqiptarët e mësojnë historinë e tyre nga këndvështrimi rus e bullgar.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Komunizmi në Shqipëri (e kudo) goditi, qysh në fillimet e tij, dy gjëra: pronën dhe dijen. Dy shtyllat bazë të sigurisë për lirinë e një personi. Sa më i pasur të jetë një individ, aq më e madhe është mundësia që ai të jetojë në përputhje me vullnetin e tij. Thënë ndryshe: sa më i pasur një individ, aq më e madhe mundësia që ai të bëjë atë që do. Në gjithçka.

Për komunizmin, një person i tillë paraqet rrezikshmëri. Ai e ka të vështirë të pranojë diçka të imponuar nga jashtë, kundër vullnetit të tij. Pra, ai është subjekt i vështirë për t’u nënshtruar dhe sunduar. Madje, jo vetëm kaq. Një individ i pasur është i rrezikshëm për sunduesit totalitarë, siç ishin (dhe janë) sundimtarët ideologjikë, sepse ai zotëron burimet e nevojshme të mbajë qëndrim. Ai ka mundësi edhe të kundërvihet, nëse e shikon të arsyeshme.

Një shoqëri që ka shumë individë të tillë është e vështirë të nënshtrohet nga një ideologji e caktuar. Për rrjedhojë, është e vështirë të sundohet dhe, për rrjedhojë, binte ndesh me qëllimin e komunistëve.

E njëjta gjë, pak a shumë, është e vlefshme të thuhet dhe për individin e ditur. Një person i ditur e ka të vështirë të gëlltisë një ideologji në mënyrë automatike. Ai do përpiqet ta njohë, por njohja sjell me vete mundësinë e kundërshtimit të saj. Sunduesit nuk duan njerëz të tillë. Ata janë të vështirë për t’u nënshtruar e, për rrjedhojë, të pamundur për t’u sunduar.

Një person i lindur në skllavëri, i cili arriti të fitonte lirinë duke u arratisur, e ka sintetizuar në përputhje me fatin e tij një maksimë, përmbajtja e së cilës shfaqet në Bibël e shkon deri te Sokrati. Sipas tij, “dija e bën njeriun të papërshtatshëm për të qenë skllav”. Autori i këtij sintetizimi është Frederick Douglass (1818-1895), një person që u arratis nga skllavëria dhe iu kushtua abrogimit të skllavërisë në SHBA.

Në Bibël, konteksti është i ndryshëm, por mesazhi i Jezusit për dishepujt e tij është i njëjtë, kur u thotë: “E vërteta do t’iu bëjë të lirë”. Ashtu siç ishte edhe pesë shekuj më herët, mesazhi i thënies që i atribuohet filozofit të lashtë grek, Sokratit: “Dija të bën të lirë”.

Duke goditur pasurinë dhe dijen, komunizmi goditi bazën mbështetëse të lirisë. Në krye të institucioneve dhe gjithçkaje u vendosën fukarenjtë dhe injorantët. Analfabeti – një njeri që nuk dinte as shkrim as këndim, në kuptimin literal të fjalës – më i lartë në hierarki ishte Myslim Peza, një ish i dënuar nga gjykata për vrasje, i cili e mbajti postin e zëvendëskryeministrit (1944-1946) dhe ishte deputet e nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë (1946-1982).

Më 1945 gjyqi i parë i madh politik ishte gjyqi i quajtur Gjyqi Special (1 mars-14 prill 1945), i cili dënoi 60 persona. Në grupin e të akuzuarve për krime lufte, prej të cilëve u ekzekutuan 17 vetë, pavarësisht se asnjërit nuk iu vërtetuan krimet e luftës, kishte më shumë persona që kishin studiuar jurisprudencë sesa në trupin gjykues, i cili nuk kishte asnjë. Hendeku mes të diplomuarve (drejtësi plus në fusha të tjera) të trupit gjykues dhe atij të grupit ishte edhe më i thellë. Në trupin gjykues nuk kishte njerëz me universitet – kryetari i tij ishte me fillore, me profesion teneqexhi.

Në përgjithësi, njerëzit e shkolluar u mënjanuan: u vranë, u burgosën, u internuan ose u detyruan të tërhiqeshin nga jeta publike. Marrja e pushtetit në Shqipëri nga dështakët historikë e përcaktoi karakterin e shoqërisë në dekadat që pasuan. Edhe sot ndihen pasojat e kësaj katastrofe.

Komunizmi ishte kundër dijes racionale, jo kundër arsimit. Dija, për komunizmin, ishte e kushtëzuar nga ideologjia. Ajo nuk ekzistonte jashtë marksizmit. Ajo dije që ekzistonte jashtë ideologjisë, ishte reaksionare, e huaj. Komunizmi nuk ishte kundër njerëzve të arsimuar per se, por ai ishte kundër njerëzve të arsimuar në shkolla josovjetike.

Me vendosjen e kontrollit mbi gjithë Shqipërinë, komunistët i shpallën luftë analfabetizmit, duke e shfrytëzuar faktin që pjesa dërrmuese e popullsisë së Shqipërisë ishte analfabete. Regjimit të ri i interesonte që populli të ishte i aftë të lexonte, sepse kështu mund të lexonte gazetën e partisë dhe tekstet e tjera ideologjike. Me kontrollin ideologjik të kurrikulave, arsimi u kthye në instrument për shpëlarjen e trurit të qytetarëve. Gjatë regjimit komunist, arsimi fillor dhe tetëvjeçar u bë i detyrueshëm, arsimi i mesëm u masivizua, u hapën disa universitete, ndërsa sërish regjimi komunist shkoi drejt shembjes për shkak të dështimit ekonomik. Pavarësisht investimit të madh në fushën e arsimit, regjimi nuk formoi dot një elitë kulturore që ta shpëtonte.

Në vitet 1950-60-të, historianët e përgatitur në shkollat e regjimit komunist të Tiranës dhe ato sovjetike, punonin për krijimin e një teksti historie të Shqipërisë në bashkëpunim me historianë sovjetikë e bullgarë. Rezultati ishte ky: sot e kësaj dite shqiptarët e mësojnë historinë e tyre nga këndvështrimi rus e bullgar.

Periudha e Perandorisë Osmane në trojet shqiptare paraqitet vetëm me ngjyra të errëta, pavarësisht se ardhja e saj në Ballkan i dha fund dominimit sllav, përfshi trojet shqiptare. Gjurmët e atij dominimi gjenden ende në toponimet e shumta sllave në gjithë territorin shqiptar. Gjatë regjimit komunist u hoqën shumë toponime me origjinë myslimane, por jo ato sllave.

Në fillim të viteve 1970-të, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, i cili mbahej si institucion elitar i mendimit, përgatiti draftin e vëllimit të parë të librit “Historia e luftës nacionalçlirimtare e popullit shqiptar”. Drafti iu shpërnda për dhënie mendimi rreth 400 vetëve, studiues dhe drejtues të formacioneve partizane gjatë luftës. Hartuesit e tekstit ishin në dilemë nëse kreu i parë i draftit, “Pregatitja e pushtimit fashist të Shqipërisë”, duhej quajtur “Hyrje” apo të lihej si kapitull i parë i librit. Mendimi i masës së studiuesve dhe drejtuesve të luftës që kthyen përgjigje ishte që ai kapitull duhej lënë më vete “për të treguar se pushtimi italian i Shqipërisë nuk ndodhi rastësisht, se ai ishte pasojë e 1) synimeve dhe veprimtarisë së fuqive imperialiste për ndarjen e rindarjen e botës, në përgjithësi, dhe 2) e planeve grabitqare të imperializmit italian, në veçanti, gjithashtu ishte 3) përfundim i politikës antikombëtare dhe antipopullore të regjimit çifligaro-borgjez të Zogut”.

Tre konkluzionet e mësipërme tregojnë se komunizmi kishte përgatitur një elitë mendimtarësh që nuk arrinin të kuptonin se në pushtimin e Shqipërisë nuk mund të rreshtoheshin në të njëjtën anë edhe regjimi fashist italian, i cili ishte agresori, ashtu dhe mbretëria shqiptare, e cila ishte viktima. Ata nuk arrinin të kuptonin se ishte e pamundur të punonin për të njëjtin qëllim dy entitete me interesa diametralisht të kundërta, për sa i përket sovranitetit të shtetit shqiptar.

Arsyeja e këtyre paradokseve komike ishte fakti që shkolla ideologjike nuk prodhonte mendimtarë. Regjimit nuk i duheshin mendimtarët. Ideologjia ishte fikse. Supozohej se gjithçka që duhej krijuar, në aspektin teorik, e kishte krijuar Marksi dhe Lenini dhe vija ideologjike ishte e shenjtë.

Disa nga institucionet e ideologjizuara të komunizmit vazhdojnë të ekzistojnë akoma, pavarësisht ndonjë grimi të lehtë në sipërfaqe. Një prej tyre, ndoshta më autoritari, është Akademia e Shkencave. Nuk ka asnjë lëvizje në historinë e Shqipërisë përgjatë gjysmë shekullit të fundit, që prej krijimit të Akademisë (1972), që të jetë paraprirë nga mendimi i prodhuar prej këtij institucioni. Institucione të tilla nuk janë krijuar të paraprijnë, por të krijojnë argumente “shkencore” në shërbim të sunduesve.

Përmbysjen e madhe kulturore në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore, e dirigjuan sllavët (komunistët rusë, serbë, bullgarë) dhe ata vazhdojnë të përfitojnë nga ruajtja e rendit komunist të vlerave kulturore.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X