Intervistë me zëvendësministrin e Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, Abdylshyqyr Abedini
Një plan biznesi në bujqësi, shërbime këshillimore dhe bujqësi inteligjente janë vetëm një pjesë e masave të reja të parashikuara në programin për zhvillimin rural. Masa plan biznesi në bujqësi, është masë që do t’i ndihmojë fermerët në realizimin e investimeve të planifikuara për modernizimin e prodhimit.
Intervistoi: Enis MURTEZI
Abdylshqyr Abedini, me profesion matematikan, aktualisht është zëvendësministër i Bujqësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në kohën kur ka rënie të përgjithshme të interesit për bujqësinë, ai nga kjo detyrë përpiqet ta aktualizojë jo vetëm mundësinë e përfitimit ekonomik që e mundëson ky dikaster, por edhe të flasë për përparësitë që i ka kjo veprimtari për mirëqenien e jetës së njerëzve dhe për kujdesin ndaj natyrës. Duke qenë një personazh që me kaq përkushtim e kryen detyrën, revista “Shenja” e zgjodhi për një intervistë të shkurtër, ku ai i shpalos pikëpamjet e tij për zhvillimin e bujqësisë.
SHENJA: Na thoni fillimisht se a do të ketë ushqim të mjaftueshëm këtë dimër për qytetarët e Maqedonisë së Veriut? Cilat masa mbështetëse janë planifikuar?
A. ABEDINI: Qëllimi i të gjithë politikave që i krijojmë është të sigurojmë ushqim të qëndrueshëm dhe të rrisim prodhimin ushqimor vendor. Si vend që ka burime të mjaftueshme, jo vetëm tani, por edhe para krizës, ne kemi krijuar politika që kanë ndikuar në rritjen e prodhimit vendor. Një ndër masat që i ndërmorëm është krijimi i planit nacional për prodhimin e ushqimit, që ka ndikuar në rritjen e rendimentit të shumë kulturave.
SHENJA: Sa herë që flasim për bujqësinë, termi më i shpesh i përdorur është subvencioni. Ndonëse kjo është masë e ekonomisë së majtë, na thoni si u krijua modeli i ri i subvencionimit, çfarë është ndryshimi në modelin e ri të subvencionimit dhe cilat janë përparësitë e këtij modeli të subvencionimit për dallim nga modeli i vjetër?
A. ABEDINI: Me modelin e ri mbështetja për fermerët nuk ulet. Propozimi i ri për riorganizimin e sistemit të subvencionimit nuk do të përmbajë reduktim të fondeve që i marrin fermerët, por propozon rishpërndarjen e fondeve ekzistuese në disa programe mbështetëse. Ky model u jep përparësi kulturave dhe produkteve strategjike. Nëpërmjet këtij modeli, përparësi u jepet kulturave dhe produkteve me rëndësi strategjike për shtetin, për të cilat rritet mbështetja financiare. Synimi i tij është të sigurohet një rendiment më i lartë i kulturave. Të gjitha pagesat e mbështetjes financiare kushtëzohen me dorëzimin e prodhimit në objektet e përpunimit. Në këtë mënyrë rritet prodhimi vendas dhe zvogëlohet varësia nga importi. Unë jam i bindur se do të arrijmë rezultatet e pritura, sepse këtë model të propozuar po e krijojmë së bashku me fermerët, me përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në të gjithë këtë proces. Sistemi i mëparshëm i mbështetjes direkte financiare për fermerët është zëvendësuar nga një model i ri decoupling, ku fermerët marrin një subvencion bazë prej 30% për sipërfaqe për të mbajtur tokën në gjendje të punueshme dhe një mbështetje shtesë prej 70%, që është i lidhur me rendimentin.
Me këtë model të ri, ne inkurajojmë fermerët që të prodhojnë kultura dhe produkte bujqësore duke përdorur farëra të certifikuara dhe t’ua dorëzojnë prodhimin objekteve të regjistruara ose kooperativave bujqësore, pas së cilës mund të marrin një subvencion shtesë prej 70%. Çdo fermer që prodhon kultura dhe produkte të rëndësishme dhe e përdor prodhimin e tij bujqësor për nevojat e veta në prodhimin e një produkti final, do të ketë gjithashtu mundësi të marrë subvencionimin shtesë. Kontrolli do të jetë më i madh dhe do të mund ta dimë saktësisht se cila tokë bujqësore është kultivuar.
Ky model synon të inkurajojë shfrytëzimin e të gjithë potencialit të tokës bujqësore të punueshme si burim për rritjen e prodhimit ushqimor dhe nivelin e vetëmjaftueshmërisë në furnizimin me ushqime, si dhe disponueshmërinë e produkteve ushqimore bazë për popullatën.
SHENJA: Cilët janë ndryshimet në programin për zhvillim rural 2023 dhe cilët janë masat e reja që i përmban ky program?
A. ABEDINI: Masa të reja parashikohen në programin për zhvillimin rural, i cili shndërrohet në një program investimi dhe ku prioritet u japim atyre fermerëve që kanë aktivitet kryesor pikërisht bujqësinë. Një plan biznesi në bujqësi, shërbime këshillimore dhe bujqësi inteligjente janë vetëm një pjesë e masave të reja të parashikuara në programin për zhvillimin rural.
Masa plan biznesi në bujqësi, është masë që do t’i ndihmojë fermerët në realizimin e investimeve të planifikuara për modernizimin e prodhimit. Thirrja do të jetë e hapur gjatë gjithë vitit dhe fermeri do të jetë në gjendje që kur të jetë gati të bëjë një plan biznesi dhe të zgjedhë se çfarë lloj investimi do të bëjë. Kjo masë ka për qëllim fermerët e vërtetë, aktiviteti kryesor i të cilëve është bujqësia.
Një tjetër program i ri që kemi krijuar është programi për blerjen e frutave të freskëta, perimeve, qumështit dhe produkteve të qumështit. Nëpërmjet këtij programi, ne mbështesim dhe inkurajojmë blerjen e produkteve bujqësore vendore dhe ofrojmë një meze të lehtë për nxënësit tanë në shkollat fillore. Në vitin e kaluar filluam zbatimin e këtij programi, për të cilin janë siguruar 20 milionë denarë, për blerjen e mollëve tona vendase, të cilat u shpërndanë në 350 shkolla fillore, për 186.000 nxënës. Me buxhetin e këtij viti në këtë program janë planifikuar 40 milionë denarë, ku përveç mollëve do të blihen edhe produkte të tjera dhe do të shpërndahen nëpër shkolla.
Një masë e re është edhe bujqësia e zgjuar (intelegjente). Objektivat kryesorë të kësaj mase janë mundësia e pajisjes së traktorëve, kombinateve dhe makinerive më të vjetra me teknologji udhëzimi gjatë kryerjes së të gjitha operacioneve të aplikuara në bujqësi.
Ministria e Bujqësisë zhvillon një politikë afatgjatë për ta mbështetur bujqësinë dhe zhvillimin rural në Maqedoninë e Veriut. Programet nacionale për mbështetjen financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural për vitin 2023 i mbulojnë të gjitha fushat e prodhimit bujqësor, me theks të veçantë në mbështetjen e fermerëve të rinj me qëllim të kthimit të të rinjve në zonat rurale, si dhe mbështetjen e grave fermere, roli i të cilave në zhvillimin e bujqësisë po zë një vend më të madh.
SHENJA: Çfarë masa ka ndërmarrë Ministria e Bujqësisë për t’u ballafaquar me krizën pas pandemisë Covid-19, por edhe pas Luftës në Ukrainë?
A. ABEDINI: Si ministri morëm vendime shumë të rëndësishme politike dhe prezantuam masa të reja që synojnë zvogëlimin e pasojave të krizës pas-Covid dhe ndërprerjeve të tregut të shkaktuara nga lufta në Ukrainë. Në këtë drejtim, Ministria e Bujqësisë e miratoi një fond ndërhyrjeje për të zbutur efektet e goditjeve ekonomike, veçanërisht për prokurimin e plehrave për grurë, elb, misër dhe luledielli, sigurimin e foragjereve, çmimet e të cilave janë rritur ndjeshëm në bursat evropiane, mbështetjen për mbarështuesit e deleve si një potencial i rëndësishëm eksportues i Maqedonisë së Veriut, mbështetjen financiare për prodhuesit e qumështit, si dhe mbështetjen financiare për mbjelljet vjeshtore për të siguruar rritje të rendimentit për vitin e ardhshëm.
Nëpërmjet fondit ndërhyrës siguruam deri në 40% mbështetje për furnizim me plehrat artificialë për prodhuesit e drithërave. Me këtë fond është e paraparë mundësia e pagesës më të shpejtë të mjeteve në një periudhë më të shkurtër kohore, pastaj parashikohet që pagesa për prodhuesit e qumështit të bëhet rregullisht në fund të muajit, si dhe mundësia e mbështetjes financiare për blerjen e plehut artificial dhe gjethor.
Në fushën e menaxhimit të ujërave është miratuar një program për financimin e sistemeve të ujitjes për fermerët, veçanërisht mbështetja për blerjen e sistemeve moderne të ujitjes me pika dhe për ndërtimin e puseve dhe shfrytëzimin e ujërave sipërfaqësore, pastaj mbështetja financiare për fermerët e vegjël për shitje në prag me qëllim nxitjen e prodhimit të produkteve vendore cilësore.
SHENJA: Maqedonia e Veriut është shfrytëzuese e shumë fondeve nga vendet e jashtme. Ju, si ministri, një ndër fondet kryesore e keni edhe programin IPARD, të financuar nga Bashkimi Evropian. Sa është vlera e arritur e këtij fondi këtë vit?
A. ABEDINI: Ministria jonë realizon shumë projekte përmes programeve IPA/IPARD, Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet lider në rajon sa i përket shfrytëzimit të fondeve përmes programit IPARD, duke shfrytëzuar mbi 97% të mjeteve në dispozicion. Përmes Programit IPARD ne financojmë me sukses zhvillimin rural të Maqedonisë së Veriut, ndërsa për shkak të shfrytëzimit të plotë të fondeve dhe politikës së suksesshme dhe transparente ndaj fermerëve, në mars 2022 Komisioni Evropian ka miratuar e programin IPARD III për Maqedoninë e Veriut me buxhet më të madh për 60%. Buxheti aktual i programit IPARD III është 97 milionë euro. Së bashku me bashkëfinancimin nga shteti dhe pjesën e bashkëfinancimit të disponueshëm për investime, vlera totale e programit IPARD III arrin në 210 milionë euro. Në IPARD III do të ketë mundësi paradhënie të mjeteve prej 50% të mbështetjes financiare.
Në kuadër të objektivave të përgjithshme IPARD, si dhe objektivave të Strategjisë Kombëtare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 2021-2027 dhe Kornizës Programore IPA III dhe Reagimit Strategjik, u përzgjodhën edhe objektivat e programit IPARD 2021-2027, si: rritja e qëndrueshmërisë së fermës dhe konkurrueshmërisë së bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit; rivendosja, ruajtja dhe rritja e ekosistemeve të varura nga bujqësia, peshkimi dhe pylltaria; promovimi i zhvillimit të ekuilibruar territorial në zonat rurale; transferimi i njohurive dhe inovacionit në bujqësi, pylltari dhe zonat rurale; dhe prioritetet horizontale dhe ndërsektoriale, të tilla si mbështetja e projekteve të promovuara nga gratë dhe sipërmarrësit e rinj bujqësorë.
Pritjet janë që në vitet në vijim ta përsërisim suksesin dhe të jemi sërish lider në vend për sa i përket shfrytëzimit të këtyre fondeve që i kemi në dispozicion për investime përmes programit IPARD.
SHENJA: Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian, Maqedonia është mesatarisht e pazhvilluar në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Fakti që marrja e fondeve të BE-së është përmirësuar, kjo shihet si një progres pozitiv, por sugjerohet nevoja për burime shtesë të personelit dhe zgjerimi i IPARD III për t’i shfrytëzuar plotësisht mundësitë e financimit. Në cilën pjesë të vlerësimeve keni bërë më shumë progres dhe ku keni hapësirë për përmirësime të mëtejshme?
A. ABEDINI: Kjo reformë madhore në bujqësi, që ne po e propozojmë, ka për qëllim afrimin e bujqësisë tonë me rregulloret dhe përvojat evropiane. Sistemi i ri decopling, që propozohet, është një sistem që tashmë ka dhënë rezultate të shkëlqyera në të gjitha vendet evropiane. Është ky një sistem që udhëhiqet nga fakti se shteti e drejton mbështetjen në atë që e kërkon tregu. Përqindja e madhe prej 90% e fondeve të realizuara nga programi IPARD është vlerësuar mirë edhe nga Bashkimi Evropian dhe, në këtë drejtim, na janë miratuar fonde shtesë evropiane për programin e ri IPARD III. Është e vërtetë se raportet e Bashkimit Evropian e kanë vënë në dukje nevojën për staf shtesë në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe nevojën për hapësirë adekuate administrative për Agjencinë. Qeveria tashmë është në dijeni të këtyre dy situatave të konstatuara dhe po punon për zgjidhjen e plotë të këtyre pikave të vërejtura nga raportet. Stafi profesional shtesë, që do të sigurohej në Agjenci do të mundësonte akreditimin dhe zbatimin e masave të reja, që synojnë masën nga programi IPARD për mbështetjen e infrastrukturës publike rurale, por edhe masat për LEADER – masat agroekologjike dhe masat për mbrojtjen e pyjeve.
SHENJA: Një problem prej dekadash për fermerët është dilema se cilën kulturë të mbjellin për të shmangur pasojat katastrofike, ku për shkak të blerjes dhe vendosjes së pashmangshme, ata detyrohen t’i shesin produktet e tyre me çmime jashtëzakonisht të ulëta ose t’i lënë të kalben në fusha. Si do të udhëzohen fermerët më tutje se çfarë produkte duhet të rriten?
A. ABEDINI: Nëpërmjet modelit të ri të subvencionimit që ne propozojmë, ne e ofrojmë pikërisht atë. Ne udhëzojmë në mënyrë strategjike fermerët që ta prodhojnë atë që është e rëndësishme për shtetin, pra atë që kërkohet në treg. Nëpërmjet grupeve të nënsektorëve kemi përcaktuar një listë me rreth 24 kultura dhe produkte të rëndësishme për të cilat themi se po e rrisim mbështetjen, andaj nëse fermerët i prodhojnë, do të marrin subvencione shtesë.
Është një sistem i ndërlidhur që duhet të bashkëpunojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin. Qumështoret ose fabrikat e duhanit janë të kota nëse nuk kemi prodhues të vegjël ose prodhues të duhanit. Kjo është arsyeja pse ne duam ta zhvillojmë konceptin e prodhimit me kontratë, në mënyrë që të kemi ushqim të mjaftueshëm për t’i përmbushur nevojat e brendshme, të shpërndara me një çmim të mirë në objektet vendase, por edhe të mund të eksportojmë produkte dhe ta forcojmë ekonominë shtetërore. Ne gjithashtu sigurojmë vendosjen e sigurt të produkteve tona vendase përmes marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit që ne i nënshkruajmë, siç është marrëveshja e bashkëpunimit me Mbretërinë e Jordanisë, pastaj protokollet e rishikuara të marrëveshjes me Ukrainën. Me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, gjegjësisht bashkëpunimit në bujqësi, ne po krijojmë bazë për intensifikimin e shkëmbimit të produkteve ushqimore dhe bujqësore, veçanërisht në drejtim të rritjes së eksportit të frutave, perimeve dhe mishit të qengjit nga Maqedonia e Veriut në Jordani. Protokollet e rishikuara të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës lejojnë që prodhimet bujqësore të Maqedonisë së Veriut të eksportohen në Ukrainë lirisht dhe pa detyrime doganore. “Ballkani i Hapur” është një mundësi tjetër me të cilën ne hapim tregje të reja për produktet tona bujqësore.
Kemi lansuar edhe një Kornizë të re programi pesëvjeçar me FAO-n për bashkëpunim, me të cilin i ndjekim dy qëllime strategjike – zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës ekonomik dhe social me fokus në ekonomitë e vogla bujqësore dhe menaxhimin e aktiviteteve klimatike.
SHENJA: Me buxhetin e ri të Maqedonisë së Veriut për vitin 2023, më së shumti para merr Ministria e Bujqësisë, rreth 12 miliardë denarë. Një mesazh ambicioz është se do të ketë një zbatim të plotë të reformës më të madhe në bujqësi.
A. ABEDINI: Në kushtet e krizës botërore, sektori i bujqësisë është një nga shtyllat kryesore të sigurisë që do të ketë ushqim të mjaftueshëm për të gjithë. Pas nesh është një vit në të cilin kemi tejkaluar me sukses të gjitha sfidat, kemi zbatuar shumë masa intervenuese për të mbështetur fermerët dhe rezultatet janë të shkëlqyera. Këtë vit do të vazhdojmë me një politikë bujqësore të fortë dhe progresive. Për vitin 2023, buxheti i përgjithshëm për sektorin e bujqësisë është në vlerë prej rreth 12 miliardë denarë, që paraqet rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin 2022. Buxheti i vitit 2023 është vendosur në 5 shtylla kryesore, konkretisht reformat në bujqësi, bizneset e vogla familjare, investimet kapitale në ujë, tranzicioni i gjelbër dhe modernizimi.