loader image
December 12, 2024

Armiq të shqiptarisë – vetë shqiptarët!

Shqiptarët nuk duhet trajtuar me xhelozi avancimin e marrëdhënieve SHBA-Serbi, sepse ajo mund të jetë vetëm në favor të stabilitetit rajonal. Duhet kuptuar se në politikë s’ka armiqësi dhe miqësi të përhershme, por fakt është se shqiptarët në Ballkan janë miq natyrorë të SHBA-së. Por, nuk duhet harruar se kjo superfuqi ka nevojë që edhe armiqtë e deridjeshëm t’i bëjë miq. Fundja, kjo është punë e diplomacisë.

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Presioni i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare, duke potencua në veçanti SHBA-në, për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë duket se e ka arsyen shumë më të gjerë sesa zgjidhja e një mosmarrëveshje rajonale. Madje, mu ata që popullit të vet jetën ia bënë test jetese, tani shpërndajnë bindjen se SHBA-ja mban më tepër llogari për interesat serbe në rajon dhe sesa për Kosovën dhe se më tepër i bëhet presion Kosovës sesa Serbisë. Shumë analistë mendojnë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e balancuar mirë që të jetë e qëndrueshme dhe se një gjë e tillë tani determinohet ende më shumë nga situata luftarake mes Rusisë dhe Ukrainës.

Pra, fjala është për momente jashtëzakonisht delikate për Ballkanin dhe kjo assesi nuk duhet nënvlerësuar. Duket se këtu edhe SHBA-ja edhe BE-ja ndajnë përgjegjësi dhe nuk mund ta drejtojnë gishtin vetëm nga Serbia dhe Kosova, të cilat natyrisht se kanë përgjegjësi kritike. Por, edhe SHBA-ja dhe BE-ja kanë përgjegjësi të rëndësishme dhe nuk mund t’ia lejojnë vetes të dështojnë. Është e njohur se marrëveshjet jo të balancuara më vonë kanë lindur lëvizje ekstreme, siç ka qenë dikur Gjermania e Versajit.

Po ashtu, tani shihet se Rusia dhe Kina në vazhdimësi kanë një koordinim dinamik mes vete për shumë rajone në botë, duke përfshirë edhe Ballkanin në tërësi. Nuk ishte e rastit vizita treditore kineze në nivelin më të lartë në Moskë. Pa dilemë se temë bisede ka qenë edhe Ballkani, i cili paraqet një zonë gri për ta, ku ata seriozisht mund ta provokojnë SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.

Para disa kohësh, ambasadori amerikan në Serbi, Kristofer Hill pat shprehur keqardhje për bombardimin e Serbisë nga NATO-ja në vitin 1999. Hilli i përdori saktësisht po të njëjtat fjalë që Bajdeni i kishte përdorur si nënpresident i presidentit Obama kur e vizitoi Beogradin më 2016. “Në botë duhet bërë shumë për problemet që janë të rëndësishme, si për Serbinë, ashtu edhe për SHBA-në. Është e nevojshme të ndalet agresioni rus kundër Ukrainës dhe të rivendoset paqja.” – kishte thënë Hill, duke shtuar se kjo duhet të bëhet së bashku me udhëheqjen e Serbisë. Lidhur me bombardimet nga, siç quhet “agresori NATO”, ai pat shtuar: “Më duhet t’ju kujtoj se kjo ka ndodhur 23 vjet më parë. Është njësoj sikur në vitin 1968 të flisnim për ngjarjet e vitit 1945. Mua personalisht më vjen shumë keq që kjo ka ndodhur në historinë tonë dhe nuk jam i lumtur për këtë”, ka thënë Hilli. Stërvitjet ushtarake të NATO-s në Serbi, para do kohe, kanë bërë përjashtim nga moratoriumi për mbajtjen e tyre me partnerë të huaj. Stërvitja “Ujku i Platinit 23” ishte një stërvitje taktike ndërkombëtare, në të cilën morën pjesë edhe anëtarët e aleancës së NATO-s, përfshirë SHBA-në. Ambasadori amerikan në Beograd, Hill, pat thënë se SHBA-ja dhe Serbia janë në të njëjtën faqe sa u përket shqetësimeve për shumicën e problemeve në botë. Këtu duhet theksuar se SHBA-ja është një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Republikën e Serbisë, krahas investimeve më të mëdha të kompanive “Philip Morris”, “Pepsi Co”, “Coca Cola”, “Ball Corporation” etj.

Historia e marrëdhënieve SHBA-Serbi

Pesë vite më parë, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd kishte publikuar një reklamë të quajtur “Ti je bota”, kjo për nder të Serbisë me rastin e 100-vjetorit të valimit të parë të flamurit serb në Shtëpinë e Bardhë. Dukej se ajo ishte faza e marrëdhënieve më të mira mes këtyre dy shteteve. Mirëpo, që nga Lufta e Parë Botërore e deri më sot, marrëdhëniet serbo-amerikane kanë kaluar nëpër periudha të shumta turbulente, veçanërisht gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar dhe ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në hapjen e ekspozitës lidhur me evenimentin e valimit të flamurit në Shtëpinë e Bardhë tha se në 30 vitet e fundit marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së kanë qenë të vështira, porse Serbia duhet të përpiqet për marrëdhënie më të mira me atë fuqi të madhe. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta respektojnë sovranitetin, pavarësinë dhe lirinë e Serbisë, ashtu siç Serbia e vlerëson lirinë, forcën dhe pavarësinë e SHBA-së.”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në hapjen e ekspozitës “Mbretëria e Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Në prag të njëqindvjetorit të ngritjes së flamurit serb në Shtëpinë e Bardhë, ambasadori i atëhershëm amerikan në Serbi, Kyle Scutt, pat thënë se SHBA-ja dhe Serbia kanë më shumë se një miqësi afatgjate dhe pat shtuar se Uashingtoni i mbështet përpjekjet e Serbisë për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.

Pas përkeqësimit të marrëdhënieve gjatë shpërbërjes së RSFJ-së, madje edhe ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike për shkak të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, marrëdhëniet, në nivel ambasadorësh, u rivendosën më 17 nëntor të viti 2000. Sot, marrëdhëniet dypalëshe janë përmirësuar dhe janë dukshëm më të mira se në vitet e mëparshme.

Lufta hibride ruse

Rusia edhe tani, kur ka batisur në baltën ukrainase, nuk kursen financa për destabilizimin e Ballkanit. Darko Trifunoviq, një profesor i shkencave të sigurisë në Beograd, me orientim të fuqishëm pro-perëndimor, i cili për nga analizat e qëlluara e pat fituar çmimin “Urdhrin е Agjencisë së Sigurisë Ushtarake”, i ka analizuar në detaje qëllimet ruse nga Ukraina e deri në Ballkan. Ai mendon se Rusia ka plane ogurzeza për Ballkanin. Sipas tij, Rusia, me logjikën e okupimit të Krimesë, e më herët të Hungarisë (1956) e Çekoslloakisë (1968), mendonte se për disa ditë do ta okuponte tërësisht Ukrainën. E më pas, me ndihmën e Orbanit fare lehtë do ta vasalizonte Hungarinë dhe do të dilte në Serbi dhe Mal të Zi, duke siguruar jo vetëm dalje në detet e jugut, por edhe kontrollimin e tërësishëm të Ballkanit. Paraprakisht, Putini, e pat copëtuar Gjeorgjinë, duke ia shkëputur asaj Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, ndërsa më pas bëri një ndarje faktike edhe në Moldavi (duke nxitur Pridnestrovljen). Ai ka gisht edhe në shumë ngjarje të disa ish republikave të Bashkimit Sovjetik.

Ndërkaq, për Ballkanin ka interes të veçantë. Mos ta harrojmë tentimin për puç në Maqedoni në vitin 2017 me ndihmën e Gruevskit, i cili për pak nuk pati sukses. Po ashtu, një vit më herët kemi tentativën për “grusht shteti” në Mal të Zi, pikërisht në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, kur ishte përgatitur atentat ndaj presidentit Gjukanoiq. Të kujtojmë se në vitin 2019 Putini e pat vizituar Beogradin me një pritje aq madhështore, saqë Kisha Ortodokse Serbe e pat ulur në fronin shpirtëror bizantin të Sveta Gorës, ku shekuj më parë ishte ulur Car Dushani. Simbolika dukej se ishte që Putini të paraqitet si një “mbret shpirtëror” edhe i Serbisë!

Lufta kibernetike ruse në Ballkan vazhdon akoma me tempo dinamike dhe tejet të koordinuar, edhe pse duket se tanimë Rusisë i vyshken lulet në Ukrainë. Megjithatë, sot në Ballkan akoma fuqishëm e kemi propagandën e Sputnik-ut, kjo përmes shumë mediumeve, bllogjeve, faqeve të internetit dhe me ndihmën e një rrjeti të zhvilluar spiunimi.

Regjimi i Putinit, për një kohë të gjatë, është i fokusuar në përhapjen e luftës në Ballkan, fillimisht si luftë hibride, e më pas si reale, me qëllim dalje në detet e jugut, kurse tani e ka fokusin shtesë edhe në defokusimin e dështimit të tij në Ukrainë! Njëherazi, po të realizohet konflikti këtu në Ballkan, Putini do të kishte ambient të favorshëm manovrimi dhe tregtimi lidhur me Ukrainën. Andaj, ata që këtu lavdërohen me çizmet në tra, nëse u zvogëlohen mijëra eurot, në fakt janë vetëm në shërbim të djallit që banon në Kremlin.

Vetë shqiptarët rrezikojnë shqiptarinë!

 Shqiptarët nuk duhet trajtuar me xhelozi avancimin e marrëdhënieve SHBA-Serbi, sepse ajo mund të jetë vetëm në favor të stabilitetit rajonal. Duhet kuptuar se në politikë s’ka armiqësi dhe miqësi të përhershme, por fakt është se shqiptarët në Ballkan janë miq natyrorë të SHBA-së. Por, nuk duhet harruar se kjo superfuqi ka nevojë që edhe armiqtë e deridjeshëm t’i bëjë miq. Fundja, kjo është punë e diplomacisë. SHBA-ja hodhi bomba atomike mbi Japoninë, por sot këtë shtet e ka ndër aleatët më të ngushtë në planet. Ata luftuan në Vietnam për 20 vjet, por tani kanë lidhje tejet të përafërt edhe me këtë shtet. Ata e shkatërruan dhe më pas e copëtuan Gjermaninë, por sot e kanë aleatin kryesor në BE dhe më gjerë. Pra, qëllimi i diplomacisë efikase s’ka rol tjetër. Andaj, në këtë kontekst duhet trajtuar edhe afrimin SHBA-Serbi. Nëse s’jemi më të fortit në rajon, së paku duhet të tentojmë të jemi më të mençurit, që ta kuptojmë se gjithë kjo është edhe në interesin shqiptar.

Revolta kosovare për Zajednicën është boshe. Është budallaki të kërcejmë në ujë vetëm për atë se nuk na pëlqen ura! Së pari, në Kosovë s’ka më tepër se 80 mijë serbë, ku 60% janë të moshës së mplakur. Nesër do jenë të përgjysmuar. Mos të harrojmë se po mos të ishte SHBA-ja si aleat natyror i shqiptarëve në Ballkan, as “Sh” nuk do mbetej këtu nga shqiptarizmi.

Madje, vetë shqiptarët më së shumti e rrezikojnë shqiptarinë këtu në Ballkan, me krimin e organizuar, me korrupsionin, me padijen, me eliminimin e merito-sistemit në çdo pore. Aty ku djalli s’ka mundur vet, punën ua ka besuar disa udhëheqësve të këtij kombi. Sot shqiptarët udhëhiqen nga struktura partiake dhe shtetërore që edhe dy dele t’i humbin! Ata duan vetëm pushtet, sepse pa të as që dinë gjë tjetër! Kur gomari hyn në pallat, ai nuk bëhet mbret, por pallatin e shndërron në stallë! E si do ia zgjedhin problemin popullit ata që s’dinë çka bëjnë me veten e tyre?! Kjo nuk shkruan në asnjë libër të Zotit. Andaj xhehenemi është dhurata më e mirë për ata që e përkrahin djallin, e jo librat e Zotit! Madje, sipas një dijetari të famshëm islam, mbajtja e funksioneve pa merita është baras me rolin që kanë shërbëtorët e Iblis-it (një udhëheqës i djajve që të bën të përfundosh shumë keq)!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X