loader image
December 12, 2024

Përse shqiptarët dhe përgjithësisht ballkanasit janë të përçarë?

Lindja e kombit shqiptar, kroat e boshnjak mund të konsiderohet hakmarrje gjermane ndaj kombit serb. Në lindjen e kombit shqiptar (1913), përveç gjermanëve (Austro-Hungarisë), hisen kryesore e kanë anglezët, ndërsa më pak edhe italianët.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Që kombet ballkanike të futen në Bashkimin Europian së pari duhet të pajtohen mes vete. Në këtë drejtim, Perëndimi po investon shumë mund. Ndoshta shumë më shumë mund sesa që Fuqitë e Mëdha kanë investuar gjatë shekullit XIX e XX për t’i grindur mes vete kombet e Ballkanit.
Lindja e kombit të parë modern në Ballkan, atij grek, më 1829, është rezultat i investimeve politike ruse, angleze e franceze. Mu për këtë, partitë në parlamentin e atëhershëm grek janë quajtur: Partia Ruse (në krye me Theodor Kollokotroni), Partia Angleze (në krye me Aleksandros Maurogordatos) dhe Partia Franceze (në krye me Janis Koletis). Beteja për mbizotërim të ndikimit të këtyre fuqive zhvillohet edhe sot brenda kombit grek.
Hisen e vet për lindjen e kombit rumun (1859/1878) e kanë rusët, francezët dhe gjermanët. Ndërkaq lindja e kombit bullgar (1878/1908) është rezultat i investimeve politike ruse e gjermane.
Kombi serb, në këtë aspekt, është pak më specifik nga të tjerët, sepse më 1903 i nxjerr gjermanët (Austro-Hungarinë) nga jeta e vet politike. Përndryshe, gjermanët dhe rusët ishin krijuesit e kombit serb (1804/1835/1878). Vendin e zbrazur të gjermanëve (Austro-Hungarisë) në rastin e komit serb e plotësuan anglezët dhe francezët.
Lindja e kombit shqiptar, kroat e boshnjak mund të konsiderohet hakmarrje gjermane ndaj kombit serb. Në lindjen e kombit shqiptar (1913), përveç gjermanëve (Austro-Hungarisë), hisen kryesore e kanë anglezët, ndërsa më pak edhe italianët.
Nëse do t’i ngjyrosnim hartat e vendeve ballkanike me ngjyrat e Fuqive të Mëdha, që i kanë krijuar ato, gjithnjë duke i pasur parasysh marrëdhëniet mes Fuqive të Mëdha, mund ta kemi fotografinë e qartë të aleancave dhe armiqësive mes vendeve ballkanike gjatë shekullit XIX e XX.
Për arsye se Luftën e Parë Botërore e fituan anglezët, francezët e rusët, pra protektorët/aleatet e kombit serb, Serbia u zgjerua nga Vardari deri në Trigllav dhe nga Gjerdapi deri në Adriatik.
Protektorët/aleatët e kombit shqiptar, gjermanët dhe anglezët, luftuan mes vete dhe Shqipëria në fund të Luftës së Parë Botërore as nuk u zvogëlua e as nuk zgjerua. Derisa rreshtimi i shqiptarëve përkrah gjermanëve rrezikonte që, me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, Shqipëria të zhdukej nga faqja e dheut, anglezët (dhe amerikanët) e mbajtën atë duke e konsideruar atë investim të tyrin politik.
Në përfundim të shekullit XX, fati i kombit serb i ngjason atij shqiptar gjatë dy luftërave botërore, pra që aleatët/protektorët e tij të jenë në anët e kundërta ndërluftuese. Meqë fituesit e Luftës së Ftohtë (Perëndimi) kërkonin që serbët të heqin dorë nga politika “edhe me Perëndimin edhe me Rusinë”, të cilën ata e ndiqnin me kokëfortësi, u desh që të bombardohet Beogradi dhe të rrudhet Serbia (Jugosllavia), për t’iu dëshmuar se Perëndimi është fitues i Luftës së Ftohtë dhe se Serbia nuk është më tampon zonë mes Perëndimit e Rusisë.
Kur është fjala për konfliktet brenda vetë kombeve ballkanike, këto janë më të shprehura në rastin bullgar, të cilat më së miri i ka përshkruar prof. dr. Anton Panchev-i. Progermanizmi dhe prorusizmi në Bullgari luftojnë për dominim mes vete për më se një shekull.
Përderisa gjatë dy luftërave botërore dominuan forcat progjernane, fundi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Bullgarinë nën ndikimin e forcave proruse. Tani Bullgaria është në NATO dhe BE, por kriptorusizmi është akoma i fuqishëm tek shtresat e ulëta të popullsisë, ashtu sikur që është edhe tek grekët e rumunët, të cilët po ashtu janë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Ndarja në prorusë dhe progjermanë shprehet edhe në vetë mitologjinë e prejardhjes së etnisë bullgare. Derisa progjermanët pohojnë se bullgarët janë josllavë, të cilët e kanë përvetësuar gjuhën sllave, prorusët pohojnë se bullgarët nuk janë asgjë tjetër, veçse sllavë.
Edhe pse Shqipëria në Luftën e Parë Botërore u deklarua formalisht neutrale, gati të gjithë politikanët e saj ishin në anën e Fuqive të Boshtit, përveç Esad Pashë Toptanit, i cili me ushtrinë e tij u pozicionua me serbët përkrah fuqive që e fituan luftën. Por, Toptani u vra në Paris më 1920 dhe sot e kësaj dite konsiderohet tradhtar i kombit shqiptar.
Përçarja e kombit shqiptar filloi pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Me atë rast shqiptarët ishin të ndarë në 5 grupime politike:
1. Lidhja e Dytë e Prizrenit, që tubonte kryesisht nacionalistët progjermanë nga Kosova, Maqedonia Perëndimore e Sanxhaku i Novi Pazarit;
2. Blloku Kombëtar Indipendent, që tubonte kryesisht nacionalistët proitalianë nga Shqipëria Veriore;
3. Zogistët, përkrahësit e Mbretit Zog, kryesisht nga Shqipëria e Mesme, orientimi i të cilëve ishte proanglez;
4. Ballistët, përkatësisht nacionalistët republikanë, kryesisht nga Jugu i Shqipërisë, orientimi i të cilëve ishte proanglez; dhe
5. Komunistët/partizanët, kryesisht të përqendruar në Jug të Shqipërisë, të orientuar si prorusë (prosovjetikë).
Luftën civile në Shqipëri e fituan komunistët, ngaqë ata ishin më makiavelistët nga të gjithë grupimet e atëhershme në Shqipëri, njësoj siç ndodhi edhe në Serbi (Jugosllavi).
Triumfi i partizanëve serbë (jugosllavë) është Beteja e Neretvës, thelbi i së cilës, sipas historianit kroato-amerikan Jozha Tomasheviq, është bashkëpunimi i partizanëve dhe gjermanëve për t’i vënë në kurth çetnikët. Pas Betejës së Neretvës, lëvizja çetnike, e cila deri atëherë merrte ndihma nga anglezët e amerikanët, pothuajse u shkatërrua. Në vend të çetnikëve, ndihmën angleze e amerikane filluan ta marrin partizanët serbë (jugosllavë).
Si fitues të luftës civile, komunistët si në Shqipëri, po ashtu edhe në Serbi (Jugosllavi), i shpallën për bashkëpunëtorë të okupatorëve të gjithë kundërshtarët e vet – edhe ata që vërtet ishin të tillë, por edhe ata që koketuan me gjermanët me pak se ata vetë. I akuzuan për krime të luftës derisa vetë bënë krime shumëfishin e tyre.
Dallimi mes komunistëve shqiptarë dhe atyre serbë ishte ajo që komunistët shqiptarë ofronin një Shqipëri më të vogël nga të gjithë rivalët e vet, ndërsa komunistët serbë ofronin një Serbi më të madhe nga të gjithë rivalët e vet – nediqevacët dhe çetnikët (Mbreti).
Me rënien e komunizmit në Shqipëri, pasardhësit e partizanëve u grumbulluan rreth Partisë Socialiste, kurse pasardhësit e të gjithë forcave të tjera politike nga Lufta e Dytë Botërore u grumbulluan rreth Partisë Demokratike.
Situata është e ngjashme në Bullgari e Rumuni, ku prorusizmi shprehet më shumë në formën e kriptorusizmit sesa që është i artikuluar politikisht si në Serbi përmes radikalëve të Sheshelit dhe demokratëve të Koshtunicës.
Lidhja mes kombit serb e kombit shqiptar janë anglezët, sepse ata siç e pamë më lart, ata kanë hisen e tyre (bashkë me gjermanët) edhe tek kombi shqiptar dhe (bashkë me francezët e rusët) edhe tek kombi serb, prandaj nuk është për t’u habitur përse Toni Bler ishte këshilltar edhe i Aleksandar Vuçiqit edhe i Edi Ramës. Ajo që është interesante është fakti se Edi Rama udhëheq partinë, paraardhësit e së cilës kanë qenë prorusë (prosovjetikë), kurse Vuçiqi është një ish radikal (ish prorus).
Pajtimi qenësor mes ballkanikëve, megjithëkëtë, nuk mund të bëhet vetëm me lëvizje politike të krerëve të shteteve, por me ballafaqimin me të vërtetën historike dhe kërkimfalje jo vetëm mes kombeve ballkanike, por edhe brenda vetë këtyre kombeve.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X