loader image
December 13, 2024

A po e hap inteligjenca artificiale Kutinë e Pandorës?

Fotoja e pazakontë virale e Papa Françeskut, e portretizuar me një xhup të bardhë shumë në modë, e ngjashme me ato të prodhuara nga kompania luksoze italiane “Moncler”, bëri xhiron e botës në një kohë shumë të shkurtër. Fotoja e gjeneruar është rezultat i inteligjencës artificiale “Midjourney”, i cili e krijoi foton me kërkesë të një përdoruesi në Twitter.

Shkruan: Arjanita HAVOLLI, Podujevë

Disa fjalë kyçe, stile të mjegullta, ide dhe, në fund, një klikim i një butoni. Kaq specifika i duhen inteligjencës artificiale (IA), e cila përdor të dhënat masive me të cilat ushqehet, duke lënë të hapur mundësinë për përdorimin e saj për të gjeneruar përmbajtje të caktuara. Krahas përmbajtjeve të caktuara (tekst, imazh dhe video), që mund të krijohen nga inteligjenca artificiale, disa praktika kanë treguar se kjo mund të ndikojë edhe në shpërndarjen e përmbajtjeve të rreme, duke e relativizuar kështu besueshmërinë në informacionin. Falsifikimet e fuqizuara nga AI mund të krijojnë dhe shpërndajnë lajme dhe propagandë të rreme në një shkallë dhe shpejtësi të paparë, të cilat mund të ndikojnë në opinionin publik dhe ta minojnë besimin në atë që shohin dhe lexojnë në media.

Shumë prej nesh janë të njohur me lajmet e rreme. Megjithatë, duke përdorur inteligjencën artificiale, jo vetëm imazhet, por edhe videot dhe tingujt, mund të manipulohen, ashtu që këto “falsifikime të thella” të duken autentike. Si rezultat, figurat publike përfundojnë duke bërë deklarata të rreme ose, edhe më keq, fytyrat e tyre u mbivendosen në video pornografike. Por, çfarë pasojash kanë këto manipulime për sa i përket besueshmërisë së videove në një shoqëri që është kaq e ndikuar nga përmbajtja audio-vizuale?

Për shkak se ato janë kaq realiste, falsifikimet e thella mund ta përleshin kuptimin tonë të së vërtetës në mënyra të shumta. Kështu, një imazh i krijuar nga IA nga fansat e këngëtares dhe aktores së bujshme amerikane Selena Gomez, e cila nuk u shfaq në eventin “Met Gala” të majit 2023, u bë viral në platforma të ndryshme të mediave sociale, duke marrë më shumë pëlqime sesa pamja e vërtetë e kujtdo tjetër që ishte në të vërtetë pjesëmarrës në atë ngjarje. Megjithëse rrjeti social Twitter shtoi kontekstin e kontrollit të fakteve në postim, mbi 24,7 milionë njerëz e panë imazhin e rremë dhe mbi 405 mijë njerëz e pëlqyen atë, gjë që nxjerr në pah shkallën e zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe shpërndarjes masive të imazheve dhe videove deepfake në media sociale.

Fotoja e pazakontë virale e Papa Françeskut, e portretizuar me një xhup të bardhë shumë në modë, e ngjashme me ato të prodhuara nga kompania luksoze italiane “Moncler”, bëri xhiron e botës në një kohë shumë të shkurtër. Fotoja e gjeneruar është rezultat i inteligjencës artificiale “Midjourney”, i cili e krijoi foton me kërkesë të një përdoruesi në Twitter. Si shkak i ndikimit të inteligjencës artificiale në prodhimin e përmbajtjeve deepfake, e vërteta në vetvete bëhet e pakapshme, kjo për arsye se ato e minojnë besimin tonë në të gjitha përmbajtjet, përfshirë ato që janë origjinale, duke bërë që ne të mos jemi më të sigurt se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo.

Prodhimi i videove deepfake, me ndihmën e IA, tashmë po përdoret edhe për qëllime politike. Qarkullimi i fundit i një videoje të falsifikuar dhe manipuluar rëndë e përshkruan presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, duke u thënë ushtarëve të tij “të ulnin” armët dhe të dorëzohen në luftën kundër Rusisë. Kjo video, e cila më pas u hoq nga platformat e kompanisë “Meta” dhe nga Youtube, i ekspozon rreziqet e aktorëve të kërcënimit që i shfrytëzojnë falsifikimet e thella dhe forma të tjera të përmbajtjes audiovizive të gjeneruar nga AI në një sërë sulmesh të ndryshme, duke përfshirë fushatat e ndikimit, zhvatjen dhe vjedhjen e identitetit.

Që andej, shumë nga imazhet e krijuara nga mjetet e inteligjencës artificiale treguan në mënyrë të rreme arrestimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili mund të përballet me padi për pagesën e parave të heshtura ndaj një gruaje me të cilën dyshohet se kishte lidhje, kurse ai ende nuk është akuzuar për një krim. Nëse dhe kur ish presidenti Trump të përballet me akuza, arrestimi i tij do të jetë lajmi kryesor në mbarë botën. Përkundër kësaj, shumë nga ata që shpërndanin imazhet theksuan se ishin të rreme, por disa dukej se ishin mashtruar.

Për më tepër, Komiteti Kombëtar Republikan (RNC) iu përgjigj njoftimit të kandidimit për rizgjedhje të Presidentit Joe Biden, me një reklamë të re sulmi, me një video të krijuar nga IA që përshkruan një version distopian se si mund të duket bota nëse Biden-i e fiton përsëri mandatin më 2024. Videoja ishte vetëm shembulli më i fundit i inteligjencës artificiale që mjegullon kufirin midis të vërtetës dhe imagjinatës. Ndërkaq reklama është një kambanë kthjelluese e asaj që mund të shohim më shumë nga fushatat politike në muajt dhe vitet në vijim.

Ethan Mollick, një profesor biznesi në Shkollën “Wharton” të Universitetit të Pensilvanisë, përdori një foto të tij në një platformë të inteligjencës artificiale duke gjeneruar fjalët, zërin dhe imazhin e tij lëvizës. Megjithëse goja e tij lëvizte pak çuditshëm, nëse nuk njihet mirë profesori në fjalë, nuk do të mendohej dy herë vërtetësia e asaj videoje. Mollick-u shpenzoi 11 dollarë dhe vetëm tetë minuta për ta bërë atë, duke e postuar më pas eksperimentin e tij në LinkedIn si një demonstrim dhe një paralajmërim, se rreziqet nga ky lloj i inteligjencës artificiale nuk janë në të ardhmen e largët.

Ashtu si shumë njerëz që kanë ndjekur nga afër përshpejtimin e shpejtë të teknologjisë, ana e errët e saj shpërtheu në popullaritet kur pornografia e rreme dhe imazhet e rreme nudo të  krijuara duke përdorur inteligjencën artificiale, u publikuan në një mori faqesh interneti. Përdorues të shumtë të Reddit kanë shpërndarë klipe që i vendosnin fytyrat e femrave të famshme mbi supet e aktorëve porno. Dhe disa ua kanë ofruar përdoruesve mundësinë për të krijuar imazhet e tyre, në thelb duke lejuar këdo që të kthejë kë të dojë në fantazi seksuale pa pëlqimin e tyre ose të përdorë teknologjinë për të dëmtuar ish-partnerët.

Këto shqetësime, me vështrime më të afërta, dëshmojnë edhe një herë se përmbajtja sintetike po zhvillohet me një ritëm të shpejtë dhe hendeku midis përmbajtjes autentike dhe asaj të rreme po bëhet më i vështirë për t’u deshifruar. Por, një gjë është e sigurt – teknologjia do të vazhdojë të përhapet, do të vazhdojë të zhvillohet dhe do të vazhdojë të bëhet po aq e lehtë sa shtypja e butonit. Këto zhvillime në inteligjencën artificiale do ta demonstrojnë fuqinë e teknologjisë në fushën e imazhit dhe kreativitetit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X