loader image
April 18, 2024

Simbole elitash kulturore: Mbizotëruesi dhe i padëshiruari

Në romanin satirik “Sërish ai”, të shkrimtarit gjerman Timur Vermes, Hitleri bie në gjumë në prillin e 1945. Kur zgjohet në verën e 2011, nuk sheh asgjë nga Gjermania e tij. “Unë jam ende këtu dhe këtë nuk e kuptoj”, thotë ai dhe beson se armiku është duke bërë pauzë. Në analogji: nëse Millosheviqi do të “rikthehej” si personazhi i sipërpërmendur, do të shihte se bashkëpunëtorët e tij janë në pushtet.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Mbizotëruesi

Para se të bëhej “autoriteti moral”, edhe pse kishte kryer vetëm një shkollë të lartë partiake, Dobrica Qosiqi (1921 – 2014) ishte partizani dhe komisari politik. Karrierën politike e filloi si agjitprop partiak, e vazhdoi si deputet dhe, pasi u përjashtua nga partia, në vitin 1968, e vazhdoi misionin politik si shkrimtar dhe akademik. Në vitet 90-të u ngjit në skenën politike si kryetar i Jugosllavisë së cunguar.

“Fshatari me syze”, që shfaqej çehrezymtë, për sa kohë nuk ishin realizuar “qëllimet kombëtare”, ishte njëri nga kundërshtarët e parë të autonomisë së Kosovës, kurse në vitet e ‘90-ta u bë ideatori i projektit për krijimin e “Serbisë homogjene”.

Simboli i “elitës mbizotëruese”, siç e quajti Latinka Peroviqi, merrej me politikë edhe kur ishte jashtë skenës politike. Ai ishte miku i Aleksandar Rankoviqit, këshilltari i Karaxhiqit dhe i Mlladiqit, himnizuesi i Millosheviqit (i cili, gjatë gjykimit në Hagë, e quajti si “shkrimtarin më të madh serb në mesin e të gjallëve“). Më vonë e këshilloi kryetarin e shtetit, Boris Tadiqin, kurse me kryeministrin serb, të ndjerin Zoran Gjingjiq, ranë në ujdi për ndarjen e Kosovës.

Qosiqi i fitoi çmimet më të rëndësishme për letërsi dhe u dekorua për trimëri. Madje, edhe në Rusi. Në vitin 2011 i besoi lajmit se ishte laureat i Çmimit Nobel për Letërsi. Ky ishte një rreng që ia kishin bërë televizionit publik serb. Fitues i Nobelit ishte poeti Tomas Transtromeri. Disa vite më vonë këtë çmim e fitoi Peter Handke – me mendime të ngjashme si Qosiqi dhe himnizues i Millosheviqit.

I padëshiruari

Antipodi i Qosiqit është Radomir Konstandinoviqi (1928 – 2011), autori i librit të njohur Filozofia e pallangës. Ai në fillim u kritikua nga shkrimtarët partizanë, kurse më vonë u akuzua se kishte ndikuar në bombardimin e Serbisë nga NATO-ja.

Konstandinoviqi nuk e honepsi Qosiqin. Tha se librat e Qosiqit nuk meritonin analizë letrare, por autopsi. Qosiqin e ironizoi edhe Danillo Kishi nëpërmjet poezisë “Shkrimtari i revolucionit në anijen e presidentit”. Kishi aludoi te Qosiqi, i cili lundroi dy muaj me anijen “Galeb”, si pjesë e delegacionit të Titos gjatë vizitës në disa shtete afrikane.

Konstandinoviqi, në librin Filozofia e pallangës, shkruan kundër shpirtit fisnor, shoqërisë së mbyllur dhe ideologjizimit të kulturës. Pallanga, thotë ai, nuk është as qytet, as fshat, por gjendje shpirtërore dhe kulturore (“Pallanga nuk është në botë, ajo është në shpirt, është gjithkund”). Prej aty buron infantilizmi shpirtëror, ksenofobia dhe narcizmi. Njeriu i pallangës beson në “religjionin e mbylljes” nga bota, i lufton përçmuesit e normave anakronike dhe, në vend se të turpërohet, ndjehet krenar kur kryen akte barbarie kundër të “tjerëve”. Për njeriun e pallangës është më e rëndësishme të jetë në linjë me traditat se të jetë personalitet. Njeriu i pallangës beson se bota tjetër” është e fëlliqur dhe duhet të luftohet me të gjitha mjetet. (“Ata janë ndryshe, pallanga është e pastër”).

Për shkak të qëndrimeve politike, Konstandinoviqi u shpall tradhtar. Varrimi i tij nuk u shënua nga mediumet.

Mbizotëruesi vs i padëshiruari

Nëse Qosiqi, sipas historianes Latinka Peroviq, ishte ideologu i “elitës mbizotëruese” në kulturë, shoqëri, politikë, Konstandinoviqi ishte pjesëtar i “elitës së padëshiruar”.

Konstandinoviqi ishte vetmitari dhe utopiku, që nuk e duroi tiraninë e turmës, kurse Qosiqi ishte i adhuruari i turmës dhe dirigjuesi i psikologjisë së saj.

Konstandinoviqi ishte me humbësit, me pakicën, me të margjinalizuarit e historisë, kurse Qosiqi ishte me fituesit, me shumicën, me turmën.

Konstandinoviqi ishte “tradhtari”, kurse Qosiqi ishte “i lavdishmi” i çdo pushteti, i cili të tjerët i damkosi si “tradhtarë” dhe vetes ia rezervoi të gjitha çmimet, dekoratat dhe medaljet shtetërore.

Konstandinoviqi ishte individualisti, kozmopoliti, mbikombëtari, kurse Qosiqi ishte kolektivisti, etnocentriku, ksenofobi, provinciali, ekskluzivisht kombëtari.

Konstandinoviqi u rebelua kundër filozofisë së pallangës, filozofisë së mbylljes, kurse Qosiqi ishte pjesë e mentalitetit të pallangës.

Konstandinoviqi ishte për alteritetin – shumësinë e identiteteve dhe të kulturave, kurse Qosiqi ishte i kufizuar në identitetin kombëtar.

Konstandinoviqi ishte për hapje ndaj Tjetrit dhe përçmues i kodeve fisnore anakronike, kurse Qosiqi mbeti i lidhur me traditën, kurse Tjetrin e shihte si rrezik.

Konstandinoviqi ishte babai i veprave të tij, kurse Qosiqi u shpall “baba i kombit”.

Konstandinoviqi nuk e kërkoi te shkrimtari pedagogun, edukatorin, misionarin, kurse Qosiqi, më shumë se shkrimtar, ishte “misionar i kombit”.

Konstandinoviqi ishte për “art autonom dhe pa detyrime ideologjike”, kurse Qosiqi bëri politikë edhe nëpërmjet letërsisë.

Konstandinoviqi nuk shkroi për njeriun dhe klimën serbe (megjithëse në veprën e tij e gjejmë jo vetëm njeriun dhe ambientin serb, por edhe atë ballkanas dhe jo vetëm), kurse Qosiqi e ka në qendër të krijimtarisë letrare njeriun dhe ambientin serb.

Konstandinoviqi nuk moralizoi, kurse Qosiqi ishte njëri nga kodifikuesit e “etikës kombëtare”. 

Konstandinoviqi ishte rrënuesi i miteve kombëtare, kurse Qosiqi ishte himnizues dhe keqpërdorues i këtyre miteve për qëllime politike.

Konstandinoviqi ishte kundër keqpërdorimit të historisë, kulturës së martirologjisë dhe hiperproduksionit të historiografisë, kurse Qosiqi ishte për monumentalizimin e së kaluarës.

Konstandinoviqi ishte denoncuesi i krimeve dhe u angazhua për “një Serbi që nuk do të pajtohej me krimin”, kurse Qosiqi ishte nxitës i krimeve dhe mohuesi i tyre.

Konstandinoviqi ishte intelektuali properëndimor, kurse Qosiqi e urrente Europën.

Konstandinoviqi u quajt “ishulli i kulturës”, kurse Qosiqi u quajt “deti i banalitetit”.

Konstandinoviqi u varros në heshtje, kurse Qosiqi u varros me nderimet më të larta shtetërore, pasi ishte shpallur i përjetshëm ende pa vdekur.

Konstandinoviqi do të kujtohet si mendimtar, shkrimtar dhe si njëri nga zërat e vetmuar në shkretëtirën e banalitetit, kurse Qosiqi do të kujtohet si nxitës i urrejtjes kombëtare.

Në shoqërinë serbe, mjerisht, janë të padëshiruara idetë e Konstandinoviqit (i cili ishte kundër ksenofobisë), të Danilo Kishit (që nacionalizmin e quajti “ideologji e kiçit dhe e banalitetit”), të arkitektit dhe shkrimtarit Bogdan Bogdanoviqit (që ishte kundër “ristalinizimit të gjuhës”), të Mirko Kovaçit (që tha se “nacionalizmi keqpërdoret nga shkrimtarët impotentë”), të Filip Davidit (për të cilin të qenit tradhtar gjatë histerisë nacionaliste ishte më e pakta që mund të bënte njeriu i ndershëm).

Shkrimtarëve që ishin kundër “modelit Qosiq” dhe u angazhuan për paqe u shkon vargu i Millosh Cernjanskit: “Ec rrugëve të Beogradit si arnaut i mërdhirë, i përjashtuar nga fisi”. Qosiqi i përçmoi paqësorët. Në vitin 1991 ai bëri thirrje për luftë dhe i shpalli “tradhtarë” protestuesit kundër luftës.

Në romanin satirik “Sërish ai”, të shkrimtarit gjerman Timur Vermes, Hitleri bie në gjumë në prillin e 1945. Kur zgjohet në verën e 2011, nuk sheh asgjë nga Gjermania e tij. “Unë jam ende këtu dhe këtë nuk e kuptoj”, thotë ai dhe beson se armiku është duke bërë pauzë. Në analogji: nëse Millosheviqi do të “rikthehej” si personazhi i sipërpërmendur, do të shihte se bashkëpunëtorët e tij janë në pushtet. Sërish ai… Bashkë me gjeneralët që promovojnë libra dhe i ndotin ekranet.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X