loader image
November 5, 2024

Të ectë mbarë!

Të ectë mbarë! Urim që të jep forcë që përpjekjet e tua të mos jepen përballë çasteve të vështira. Nuk të vendos në gjumë dhe të të gënjejë me lugën bosh se suksesi vjen vetëm prej fjalëve. Në rrugëtimin e nisur, pengesat, shkopinjtë nën rrota, do të shfaqen me patjetër. Duke dëgjuar këtë urim e duke e kujtuar shpesh më pas, do ta kuptosh edhe urtësinë njerëzore.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Jeta është e bukur, sepse e ardhmja mbetet gjithmonë një mister sado përllogaritje të bëjë njeriu në ëndërrimet e tij ose duke u bazuar në faktet e së kaluarës dhe të së tashmes. Bukuria e saj nuk fshihet vetëm tek e ecura mbarë në kuptimin e ngushtë material, por është shumë më e thellë se kaq.

Të ectë mbarë! Urim që shumë njerëz i bëjnë dikujt që ka nisur një shkollë, një biznes, që ka marrë rrugën e emigrimit, që përpiqet të ndërtojë diçka në jetë me ndershmëri dhe pa i hyrë në hak askujt, shpreh shumëçka mbi perceptimin e së ardhmes dhe dashurinë që një pjesë njerëzish kanë ndaj së mirës.

Të ectë mbarë! Teksa dëgjon këtë urim që vjen nga njerëz që i njeh apo nuk i njeh drejtpërdrejt, ndikon pozitivisht në shpirtin njerëzor. Rrit besimin për të qenë më këmbëngulës në punën e nisur, më sakrifikues. Këmbëngulja dhe sakrifica vijnë kur shpirti është plot jetë, sepse tek shpirtrat e lodhur dhe të nxirë nga bloza e veseve, dembelizmi dhe përtacia janë mysafirë të përhershëm. Ky urim nuk mund të shkojë për askënd që është i zhytur në botën e veseve, sepse nuk mund të gjesh të mira aty. Po edhe sikur ta gënjejë mendja njeriun e të shpresojë të fitojë diçka materiale, a mund t’i bëhet ky urim që mbart kaq shumë dashuri për të mirën, dikujt që tenton të zhytet në botën e veseve?

Të ectë mbarë! Sa shumë dashuri përcjell ndaj njeriut të punës, ndaj njeriut të angazhuar që duke djersitur i sjell të mira jo vetëm vetes, por edhe familjes e kombit, pse jo dhe njerëzimit. Shpesh na duket sikur njerëzit kanë hequr dorë nga përkrahja e së mirës, por heshtja e tyre në shumë raste flet më shumë se zhurma e së keqes. Njerëzit e duan të mirën. Nuk i detyron askush të urojnë mbarësi. Nuk kanë asnjë përfitim të shpejtë apo të mëvonshëm material. Është urim që tregon dashuri për ata që kanë guxim për të çarë dhe hapur një rrugë të re në jetë, të pandotur me hile, mashtrim, gënjeshtra e vese.

Të ectë mbarë! Urim që të jep forcë që përpjekjet e tua të mos jepen përballë çasteve të vështira. Nuk të vendos në gjumë dhe të të gënjejë me lugën bosh se suksesi vjen vetëm prej fjalëve. Në rrugëtimin e nisur pengesat, shkopinjtë nën rrota do të shfaqen me patjetër. Duke dëgjuar këtë urim, e duke e kujtuar shpesh më pas, do të kuptosh dhe urtësinë njerëzore. Të ectë mbarë, do të thotë që jo vetëm të mbërrish atje ku je nisur, por në gjithë rrugën që do të përshkosh me mund, me përpjekje, me zemër të ngrirë nga rezultati i pritshëm, të mos shkurajohesh e të heqësh dorë, sepse triumfi i së mirës nuk mund të vijë po nuk u përball me të keqen, me dobësitë, me dështimet.

Të ectë mbarë! Përtej nxitjes për të punuar fort që të arrish t’i bësh të prekshme ëndrrat, ky urim mbart edhe urimin për të pasur fat. Puna dhe fati janë binom i pandashëm. Nuk është mençuri të besosh se gjithçka që e arrin në jetë është vetëm në sajë të sakrificës personale. Arritjet janë begati, prandaj shpesh edhe ti vetë çuditesh se si ke mbërritur aty ku je. Teksa sheh kohën që ke harxhuar, apo energjitë e paratë që ke shpenzuar nuk të dalin llogaritë me të mirat që ke përfituar. Janë shumë më tepër se sakrifica jote këto mirësi të arritura. Duhet t’i ruash jo vetëm duke punuar, por edhe duke falënderuar.

Të ectë mbarë! Jo vetëm që të arrish suksese, por mbi të gjitha të ectë mbarë me veten, me qenien tënde, që të mos kthehesh në qenie së prapthi, ndërkohë që ke arritur mjaftueshëm sukses. Të mos dehesh nga të mirat. Të mos biesh viktimë e vetëkënaqësisë, mosmirënjohjes, hedhjes poshtë të miqve, arrogancës. Të mos braktisësh qëllimin e kahershëm mbi të cilin e nise rrugëtimin. Të mos heqësh dorë nga virtytet dhe të pushosh në tenda rehatie, duke shkelur kufijtë që duhen ruajtur.

Të ectë mbarë! Urim që nuk kufizohet vetëm tek ai/ajo që i bëhet urimi, edhe pse në pamje të parë ashtu duket. Shpreh dashuri ndaj gjithë njerëzimit, sepse kushdo që punon në rrugën e mbarësisë, mbjell fara mirësie prej të cilave çelin lule aroma e të cilave shpërndahet në gjitha drejtimet. Erërat e mbara do t’i çojnë farat e mirësisë larg e më larg. Bletët do të thithin nektarin prej luleve dhe helmi i thumbave të tyre do të jetë ilaç për zemrat e dobëta e të sëmura. Prej të mbarit vjen vetëm mbarësi. Të tjerët ndihen të qetë në shoqërimin e tij. Mjafton kjo qetësi në praninë e të mbarëve për të kuptuar se ç’vlerë kanë këta njerëz për njerëzimin.

Prandaj i urojmë çdokujt: Të ectë mbarë!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X