loader image
October 14, 2024

A na duhet shkolla?

Në këtë gjendje ku është mbërritur, nuk është mbërritur pa shkak. Indiferenca nuk është përgjegjësi vetëm e nxënësve dhe prindërve. Është njësoj si të ngarkosh me përgjegjësi lëndën e parë kur fabrika nuk punon si duhet. Nuk ka nxënës ose student që t’i mungojë inteligjenca. Në kushtet ku gjendemi u mungon hapësira për ta shprehur si duhet inteligjencën dhe për ta marrë vlerësimin e duhur që e nxit dhe e shtyn ta zhvillojë më tej atë.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Revolucioni informatik, shndërrimi i botës në një fshat global, shpejtësia e marrjes dhe përcjelljes së informacionit, ndryshimi i tregjeve tradicionalë, zgjerimi i vazhdueshëm i hapësirës virtuale në komunikim dhe më gjerë janë disa nga ngjarjet që jo vetëm na bashkëshoqërojnë, por edhe sfidojnë.

Një nga detyrat themelore të jetës është puna, si shkak për të pasur të ardhura në arritjen e standardeve për një jetë cilësore, jo vetëm në rrafshin material, por edhe atë shpirtëror. Revolucionet industriale dhe revolucioni informatik solli nevojën për fuqi punëtore të arsimuar e kualifikuar. Nevoja për fuqi punëtore të arsimuar e kualifikuar ka prekur çdo pore të zhvillimit të sotëm ekonomik, si kyçi dhe çelësi për të mbajtur në këmbë të gjitha shërbimet që kërkon shoqëria.

Përballë rritjes së kërkesave për fuqi punëtore të arsimuar e kaulifikuar, dëshira e nxënësve ose studentëve për të pasur arritje cilësore në arsim ka pësuar rënie të dukshme. Kjo shprehet qartë përmes indiferencës që tregojnë ndaj studimit një shumicë e konsiderueshme nxënësish dhe studentësh, sepse ata që sot janë nxënës, nesër do të jenë studentë.

Rënia e lirë vazhdon. Indiferenca thellohet dhe duket se arsyet e këtij dështimi gjithmonë e më tepër po lidhen me mospërshtatjen e nxënësve apo studentëve me programet shkollore apo universitare. Fakti është fakt dhe nuk mund të mohohet e as të mos vihet re nga institucionet përgjegjëse për hartimin dhe ndërtimin e programeve shkollore. Po a është e lidhur kjo indiferencë përgjegjësi vetëm e nxënësve dhe prindërve?

Në këtë gjendje ku është mbërritur, nuk është mbërritur pa shkak. Indiferenca nuk është përgjegjësi vetëm e nxënësve, prindërve. Është njësoj si të ngarkosh me përgjegjësi lëndën e parë, kur fabrika nuk punon si duhet. Nuk ka nxënës apo student që t’i mungojë inteligjenca. Në kushtet ku gjendemi, u mungon hapësira për ta shprehur si duhet inteligjencën dhe për të marrë vlerësimin e duhur që e nxit dhe e shtyn ta zhvillojë më tej atë.

Ndërkohë që bota bëhet një fshat global dhe nxënësi ose studenti është shumë më tepër dinamik në raport me teknologjinë e informacionit, sistemi arsimor mbetet kokëfortë për ta pranuar prapambetjen në aftësinë për t’iu përshtatur ritmit dhe dinamikës së brezave të rinj. Në vend që të zbrazim kritika pa fund ndaj nxënësve e studentëve, duhet ta shohim ndryshe problematikën. Mos vallë është shkolla që duhet t’u përshtatet kërkesave dhe dinamikës së nxënësve dhe jo nxënësi t’i përshtatet shkollës?

Në qoftë se pretendojmë se shkolla i mëson dhe përgatit nxënësit për jetën, atëherë si do të përgatiten për jetën prej një shkolle që nuk po gjen dot veten në dinamikën e revolucionit informatik? Çdo të thotë t’i përgatitësh nxënësit për jetën? A duhet t’u mësosh që sfidat e jetës zgjidhen më diskutim, dialog idesh, principe etike e morale, mbi të gjitha, apo duhet t’u mësosh që t’i binden verbazi forcës detyruese të programit, mësuesit, pedagogut? A është i drejtë vlerësimi që u bëhet nxënësve dhe studentëve, duke u mbështetur vetëm në aftësitë për të mbajtur mend përmendësh mësimet dhe leksionet, pa krijuar hapësirat e tjera të nevojshme që të shprehin potencialin e tyre pa u ndjerë të rrezikuar në vlerësimin real të aftësive të tyre?

Mos vallë edhe trupa pedagogjike duhet ta rishikojë pozicionin e vet në këtë det sfidash, që të mos vazhdojë të diktojë qëndrime, metoda, që burojnë nga autoriteti institucional dhe që nuk marrin aspak në konsideratë natyrshmërinë e nxënësit dhe studentit? Po institucioni përgjegjës kryesor për mbështetjen financiare të zhvillimit të arsimit, çfarë përpjekjesh bën për ta përmirësuar infrastrukturën shkollore, në mënyrë që nxënësi dhe studenti të gjejnë një mjedis mikpritës dhe gjallërues të gjendjes së tyre shpirtërore?

A u duhet të kemi një ridimensionim të sistemit arsimor që të reflektojë dinamikën e zhvillimeve bashkëkohore apo do të mbajmë në këmbë një sistem arsimor sa për të thënë që kemi një të tillë? Përse e gjithë vlera e një nxënësi apo studenti është e lidhur patjetër me mesataren e lartë? Po a nuk ka me dhjetëra, qindra e mijëra raste kur të shkëlqyerit e sistemit, ngecin në përballjen me jetën praktike apo janë më shumë se intrigantë e hileqarë, pa reflektuar as minimalen e vlerave etike e morale që duhet të ketë njeriu? Përse të pashkëlqyerit duhen përndjekur dhe paragjykuar vetëm sepse nuk shkëlqejnë në mësime sipas kushteve që kërkon mësuesi, pedagogu e programi mësimor?

Në gjendjen kur shkolla nuk është më kushti për të siguruar të ardhura dhe jetë më me standarde, por vetëm një nga alternativat e shumta, shpesh alternativa më e dobët në raport me alternativat shumë më fitimprurëse, atëherë si do të arrijë trupa pedagogjike, institucionet përgjegjëse të arsimit e familja ta mbajnë ndezur zjarrin e pasionit për studime?

A nuk duhet që shkolla të ribëhet vlerë që nuk duhet shpërfillur nga nxënësit dhe studentët? Nëse duhet, nuk mund të ndodhë pa u kthyer njeriu tek etika dhe morali më së pari. Së këndejmi ribërja e programeve mësimore sipas zanateve e profesioneve që kërkon tregu aktual i punës dhe natyrshmërisë së nxënësit e studentit në mënyrë që shkollimi t’i shërbejë jetës së tyre dhe thjesht funksionimit të sistemit. Paskëndaj trajnim intensiv i trupave pedagogjike për të kuptuar më drejt rëndësinë e misionit që kanë marrë mbi supe dhe për t’u njohur më mirë me ndryshimet bashkëkohore të të menduarit, sepse shumë prej tyre kanë pushuar së lexuari prej kohësh.

Nëse nuk shqyrtohet seriozisht çështja e arsimit cilësor dhe nuk lëvizet as maja e gishtit për të bërë atë që duhet bërë, ankesat në adresë të nxënësit e studentit që nuk di e nuk bën nuk kanë për të zgjidhur gjë dhe indiferenca e nxënësve e studentëve do të thellohet, aq sa përgjigjja e vetme ndaj pyetjes “A na duhet shkolla?”, do të mbetet: nuk na duhet, sepse kemi plot mënyra të tjera për të siguruar të ardhura; nuk na duhet, sepse nuk kemi pse të dëgjojmë mësime e leksione që nuk do na shërbejnë asnjëherë; nuk na duhet, sepse edhe ata që shkëlqejnë, nuk është se po bëhen njerëz më të mirë në aspektin e vlerave.

Kambanat bien për ata që kanë veshë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X