loader image
December 11, 2024

Midis mbinjeriut dhe nënnjeriut

Pikturat e Bacon-it mund të shihen edhe si rania e mbinjeriut të Nietzsche-s, si provat e pashmangshme të kësaj ranieje, madje prova që klithin. Barra që i vendosi Nietzsche njeriut ishte e papërballueshme.

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Nuk është kollaj me i pa pikturat e Bacon-it. Ndoshta duhet ma shumë me i dëgju.
Siç e shpreh edhe vetë autori, “ma shumë se horrorin, du me pikturu britmën”.

Për ç’britmë është fjala? Nga vjen? Kujt i drejtohet? Mos ndoshta është nji klithmë e mbytur, drejtuar vetvetes? Apo nji rebelim ndaj dorëzimit?

Ka diçka tronditëse në ato vepra, nji pështjellim të ngulmët. Shfytyrim. Nga fjalori lexojmë: “SHFYTYROJ kal. Prish formën e rregullt të fytyrës a të trupit; shtrembëroj. Dhembja ia kishte shfytyruar tiparet.” Ma saktë, dhimbja.

Pse autori zgjedh me ua çartë apo zhubrosë fytyrën personazheve të tij? Ndoshta ngaqë “fati është i shkruar në fytyrë”? – siç thotë Fellini. Ngaqë nuk u jep dot nji fat personazheve? Apo kërkon me ua fshehë atë?

Në fakt, ka diçka ma shumë se sa thjesht shfytyrimi që ai u ban personazheve, e me shumë gjasë kjo diçka është shndërrimi i njeriut vetëm në trup, në kurm, në mish. Pra, ky mund të jetë njeriu, kaq mund të jetë: nji copë mishi që pret dekompozimin. Mishnajë.

Nëse personazhet e Botticelli-t vijnë nga nji botë mitike, si frymë që e sfidojnë me ngazëllim realitetin; personazhet e Bacon-it janë rreptësisht të kësaj bote, të sfiduar deri në dorëzim nga realiteti. Ata nuk kanë asgja ma shumë se mishin, të cilin nuk e transcendojnë dot. Dëshmia ma e madhe për këtë është se autori ua fsheh fytyrën, i shfytyron, duke bjerrë kështu identitetin e mëvetshëm që ka secili; ngaqë ky identitet është i mundur për aq sa është e mundur liria, dhe liria është e mundur për aq sa njeriu nuk e humb vetëdijen se është ma shumë se mish, ma shumë se shtazë. E nëse kjo vetëdije vdiret, atëherë mbeten vetëm rropullitë dhe kockat e tulatur gjer në fosfor; mbetet vetëm nji aksident, ose ka ndodhë nji aksident.

Ja si e sheh Kundera: “Për ndjesinë që ngjallin këto tablo, nuk ka një fjalë të saktë. Çka ngjallin ato tablo nuk është lemeria që njohim nga marrëzitë e Historisë, që lidhen me torturën, me përndjekjen, me luftën, me masakrat, me vuajtjen. Jo. Te Bacon-i është një tjetër soj lemerie ajo buron nga natyra aksidentale e trupit njerëzor, që zbulohet befasisht nga piktori.” (Kundera, Një takim, f. 22-23)

Francis Bacon-i u qaset personazheve të tij edhe me nji devocion ikonografik, ma konkretisht në mënyrën se si pikturon mjedisin ku ata ndodhen: në qendër të kuadrit (si nji mishnajë që ka ra prej diku), me nji sfond të pastër (gati steril) dhe të rrethuar nga nji siluetë katrore, si nji lloj aureole e përmbysur, që nuk mbron, që mbase gjakon rikthimin. Duke mbajtë parasysh veçantinë e kësaj siluete të kudogjendur, mund të përcaktohen si trupa brenda në katror. Për shembull, kjo ndodh me tablotë Studime të trupit njerëzor, Tre studime mbi Lucian Freud-in, Studim për portret etj.

Duket sikur Bacon-i ia merr hua “Katrorin e zi” Maleviçit (nji vepër që përfaqëson fundin e pikturës), për me ba vend aty për personazhet e tij, të cilët, sapo kalojnë pragun e këtij Katrori, shperren nga çdo cilësi, duke mbetë kështu vetëm trupa.

Pikturat e Bacon-it mund të shihen edhe si rania e mbinjeriut të Nietzsche-s, si provat e pashmangshme të kësaj ranieje, madje prova që klithin. Barra që i vendosi Nietzsche njeriut ishte e papërballueshme. Njeriu nuk u ba mbinjeri. E pse duhet me u ba? A nuk mjafton me qenë njeri? Jo vetëm që nuk u ba mbinjeri, por kaloi në skajin tjetër: nën-njeri, duke u tjetërsu në nji masiv mishi.

Bash këtë nënnjeri – që mbeti nga përpjekja për me u ba mbinjeri – ka “dokumentu” Bacon-i në tablotë e tij, dhe është krejt bindës në këtë shtegtim ku ekzistenca dhe hiçi ndërrojnë vendet në kërkim të nji përkatësie.

Në disa vargje të Kuranit kumtohet: “Nuk ka mëdyshje se Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer, mandej e kthyem në gjendjen më të ulët; përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira…” (Kurani, 95: 4-6)

“Trajta më e përkyer” dhe “gjendja më e ulët” duket sikur korrespondojnë me mbinjeriun dhe nënnnjeriun.

Qiellorja dhe tokësorja, e epërmja dhe e ulëta, zemra dhe mendja, tragjikja dhe komikja, utopia dhe distopia janë pjesë e natyrës sonë. Përpjekja për me asgjësu njërën (zakonisht “të keqen”) për me jetu vetëm me tjetrën është kundër natyrës njerëzore, dhe për pasojë sjell vetëm monstruozitete, shpërfytyrime.

Vetëm besimi për ma të mirën dhe përpjekja e vazhdueshme mundet me e mbajtë “të keqen” nën fre.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X