loader image
January 27, 2026

E para partia, pastaj shqiptaria

“Së pari partia, pastaj Shqipëria”! Kjo ishte deklaratë e Taulant Ballës, një eksponent i Partisë Socialiste. Koncepti i funksionimit të partisë (partive) në pluralizëm nuk dallon shumë ose dallon fare pak nga ai në monizëm. Po të kesh afinitete të puthadorllëkut partiak, më lehtë bëhesh aktor, mësues, profesor, akademik, madje edhe doktor (mjek ose i shkencave). Si në monizëm, edhe sot, nuk nis asnjë takim, tubim, konferencë ose kongres pa fjalët “I nderuari kryetar”.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Partia politike në radhë të parë!

“Së pari partia, pastaj Shqipëria”! Kjo ishte deklaratë e Taulant Ballës, një eksponent jetëgjatë i Partisë Socialiste, pasardhëse ideologjike e Partisë së Punës së Enver Hoxhës, e thënë në vitin 2016, kur në garë për kreun e socialistëve ishin kryeministri i sotëm shqiptar, lideri socialist, Edi Rama, dhe shkrimtari kontrovers, ish politikani Ben Blushi. Edi Rama, duke dashur ta zbusë qëndrimin e fortë të Ballës se partia është mbi të gjitha, kishte thënë “Shqipëria dhe partia, janë si nëna e bija”!

Në vitin 1998 kam qenë në zyrën e një eksponenti të lartë të Partisë Demokratike Shqiptare, i cili duke folur me një zyrtar të partisë së tij, në një moment i tha “Porosit 200 flamuj partiakë dhe 50 kombëtarë”! Pra, njësoj si Balla, edhe ky mendonte se është “Së pari partia, pastaj shqiptaria”!

E bëmë këtë prolog, pa teorizime politologjike, sociologjike e psiko-sociale, për të përdëftuar se sa e rëndësishme në shoqërinë shqiptare është partia dhe ideologjia! Ndonëse shpesh partitë shqiptare të pluralizmit “demokratik”, në veçanti në Maqedoninë e Veriut, me ndonjë përjashtim të vockël, nuk kanë projektuar dhe ndërtuar qartësisht profil të përkufizuar dhe të determinuar ideologjik, njësoj siç kishte partia (komuniste) në monizëm.

“Parti-shtet” ose “shtet-parti”

Partia në monizëm ishte shteti dhe shteti ishte partia. Koncepti i funksionimit të partisë (partive) në pluralizëm nuk dallon shumë ose dallon fare pak nga ai në monizëm, me dallimin që pluralizmi dhe demokracia e mundësojnë rotacionin pushtetar mes partive. Natyrisht edhe ky është koncept relativ në hapësirën pluraliste të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, sepse rotacioni ka qenë tepër i ngadaltë. U deshën dy dekada të plota që të ndodhë rotacioni partiak-politik, që Bashkimi Demokratik për Integrim të bie nga froni i pushtetit absolut dhe i “kontrollit” të sferës publike, ndërsa rotacionit të partisë në monizëm iu deshën katër dekada e gjysmë. Po të mos kishte ndodhur pushtimi i kështjellës (partiake integriste) nga brenda, gjasat që të përsëritej monizmi në pikë të pluralizmit ishin tepër objektive. Kjo ndodh, sepse partia në pluralizëm, si edhe në sistemin e kaluar, ndonëse jo në aspektin normativ-juridik, de fakto mbetet institucion i rëndësishëm publik, i cili e dikton dinamikën shoqërore në të gjitha segmentet e saj: pushtetin ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor e shumë shtylla tjera të shoqërisë. Partia edhe sot, si në epokën e njëmendësisë, natyrisht jo me potencialin e njëtrajtshëm, vazhdon të shërbejë si ent punësimi e avancimi jo vetëm në dimensionin e karrierës politike (deputet, ministër, drejtor, kryetar komune, ambasador e lloje tjera të “aparatçikëve” administrativë), por mund të shërbejë edhe si urë ose trampolinë edhe për karrierë në drejtësi, kulturë, arsim, shkencë, sport e fusha tjera! Nuk them se në shtet nuk bëhesh dot avokat, noter, prokuror, përmbarues, gjykatës pa pasur librezë ose proteksionizëm partiak, sepse përjashtime ka, megjithatë nëse qëndron në relacione të afërta me partinë (partitë) e pushtetit, mund të emërohesh ose zgjidhesh me lehtësi në çdo pozicion të pushtetit të “drejtësisë”.

Më tregonte njëri nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor Republikan se si një jurist kishte shkuar për ta pyetur për konkursin për gjykatës dhe ky pa një pa dy, e kishte orientuar drejt selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël. Me sinqeritet e pranonte se në punën e tij funksionon sipas ligjit, por përzgjedhjen e njerëzve që ndajnë drejtësi e bën partia (lideri), ndërsa pikërisht puna e tij ishte filtrimi dhe zgjedhja e gjykatësve mbi bazën e nivelit arsimor, profesionalizmit, kompetencës, rezultateve në karrierë, ndershmërisë, integritetit etj.

Partitokracia para meritokracisë!

Po të kesh afinitete të servilosjes dhe puthadorllëkut partiak më lehtë bëhesh edhe aktor, mësues, profesor, akademik, madje edhe doktor (mjek ose i shkencave) e çfarë të dojë shpirti. Që të jemi objektiv, edhe njëherë themi, që ka profesionistë të fushave të ndryshme që me shpatullat e tyre janë shkolluar, punësuar e avancuar, por nuk po flasim për talentet e rrallë, por për fenomenin e partizimit të shoqërisë në përmasa të gjera dhe të ngjashme si në sistemin njëpartiak.

Kulti i liderit në pluralizëm si në monizëm!

Ngjashëm sa partia, ndoshta edhe më shumë ndër shqiptari, peshë ka udhëheqësi, të cilit me gjuhën moderne politike i themi lider. Edhe pse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, njësoj si ata të Kosovës, Malit të Zi, Luginës së Preshevës në Serbi, kanë jetuar në ish-sistemin komunist jugosllav, afirmiteti ndaj liderit u kultivua në mënyrë asimetrike. Ky afirmitet ndaj liderëve “demokratikë” kultivohet si ndaj liderit komunist Enver Hoxha, pa dyshim me intensitet më të dobët, sepse tani lajmet nuk fillojnë dhe mbarojnë me të bëmat e shokut Enver, edhe pse sot shpesh liderët i prodhojnë lajmet, ndërsa mediat u shkojnë pas. Kulti i liderit të Shqipërisë komuniste ndër shqiptarët e këtushëm mbindërtohej fuqishëm, sepse shpesh Shqipëria identifikohej me Enver Hoxhën dhe anasjelltas. Si në monizëm, ashtu edhe sot, asnjë takim, tubim, konferencë apo kongres nuk kalon pa nisur me fjalët “I nderuari kryetar”! Liderit, sidomos atij historik (termi ka të bëjë me jetëgjatësinë në krye të partisë), Ali Ahmeti, në tubime të llojeve e formateve të ndryshme i thuren vargje të bukura, këndohen këngë për trimërinë dhe vizionin e tij, në ndeja e oda të burrave ose në dasma këndohen këngët që ai i këndon. Kjo do të thotë se edhe folklori instrumentalizohet, përkatësisht vihet në shërbim ideopolitik.

Për Arbër Xhaferin, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin janë botuar libra. Vepra mbi Thaçin ngërthen intervistat e tij mbi çështjet e ndryshme politike. “Mbi çështjen shqiptare – bashkëbisedim me Arbën Xhaferin” është vepra e autorit Musli Krasniqi nga Kosova, ndërsa “Arbën Xhaferi rrëfen – në Tetovë, në kërkim të kuptimit” e autorit, gazetarit shqiptar në Zvicër, Enver Robelli. Janë botuar edhe 5 vëllime me mbi 2000 faqe që përmbledhin shkrimet e Arbën Xhaferit. “I vërteti: (Ali Ahmeti, si e njoha unë)” është libër biografik, në të cilin autori, Bedri Islami, e përshkruan figurën e liderit integrist. Në këto vepra në mënyrë afirmative lartësohen figurat dhe kontributi i tyre në veprimtarinë e gjatë politike, e ndërlidhur me çështjen kombëtare. Për shokun Enver gjithsesi se janë shkruar më shumë vepra “letrare” e “publicistike” me sfond propagandues e “shkencor” me bazë ideologjike. Madhështimi i liderit, në të dy sistemet, nuk ka munguar, pavarësisht se shqiptarët në trojet e tyre shekullore janë dhe vazhdojnë të jenë të pakësuar.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X