Për dallim nga lufta në Bosnjë, në Kosovë janë nën hetim liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët Gjykata Ndërkombëtare i ka akuzuar për krime lufte. Përdorimi i dy ligjërimeve të ndryshme nga ana e Perëndimit përfaqëson edhe dy standarde politike të ndryshme të komunitetit ndërkombëtar kundrejt rastit të Bosnjës dhe të Kosovës.
Lulzim HOXHA, Tiranë
Në filmin Underground, të regjisorit serbo-boshnjak Emir Kusturica, paraqitet realiteti i një vendi të përjetshëm, të dënuar të jetojë në luftërat e vazhdueshme, që kanë sjellë përçarje mes vëllezërve. Për shkak të traumave nga vrasjet e së shkuarës, vendi duket si i mallkuar të jetojë një histori që vijon të përsëritet deri në pafundësi. Sigurisht që filmi u bën jehonë emocioneve të nacionalizmit serb dhe perceptimit të vetë shtetit serb mbi luftërat etnike që shpërthyen në Ballkan pas rënies së Jugosllavisë. Filmi përmbyllet me monologun e njërit prej protagonistëve dhe njëfarë premtimi për të ardhmen: “Këtu ne ndërtojmë shtëpi të reja. Me çati të kuqërremta dhe oxhaqe ku shpendët pushojnë. Me dyert gjithmonë hapur për komshinjtë tanë. Me dhimbje, trishtim dhe gëzim do ta kujtojmë gjithnjë vendin tonë kur t’u tregojmë fëmijëve historitë që nisin përherë si në përralla: ‘Na ishte njëherë një vend…’.” Por, pasi familja ndahet në parcela të ndryshme toke që duken sikur shkëputen nga dheu, heroi i filmit (Marko) jep premtimin “Vëllezër, do të vijë dita që do takohemi sërish… e do t’i kujtojmë kohët e vjetra”. Ky premtim, që në Serbi ka marrë petkun e një misioni universal dhe ka fituar përmasat e një religjioni laik, në politikën e jashtme të Serbisë në Ballkan vijon të trumbetohet ende sot në çdo ngjarje të rëndësishme politike, ku presidenti Vuçiq përballet me të shkuarën e masakrave të Serbisë. I tillë ishte qëndrimi i tij edhe ditën kur shumica e vendeve të botës dhanë miratimin e tyre për gjenocidin serb në Srebrenicë, ku Vuçiqi, i mbështjellë me simbolin kombëtar, e dënonte në heshtje padrejtësinë e radhës që po i bëhej vendit të tij nga ndërkombëtarët, njësoj si Marko, protagonisti i filmit Underground, i cili qëndronte i mbyllur brenda botës deluzive të bodrumit të shtëpisë ku ai mund t’i rikujtonte sekuencat heroike të një të shkuare të lavdishme po aq sa inekzistente.
Miratimi i rezolutës, më 23 maj, për njohjen ndërkombëtare të masakrës së Srebrenicës, shënon një moment historik në reagimet ndaj luftërave etnike në Ballkan por edhe në mohimin që u kanë bërë ndër vite ligjërimet zyrtare të shtetit serb masakrave të viteve 90’. Nga ana tjetër, kjo ngjarje demonstron një pikë kthese të rëndësishme sa u takon akuzave që i janë bërë Perëndimit për mbështetjen që po i jep Serbisë në lidhje me marrëveshjen me Kosovën. Tanimë shteti serb nuk mund të vazhdojë t’i projektojë imazhet viktimizuese të bombardimeve të NATO-s në Beograd, të vitit 1999, pa i ngjallur në perceptimin e ndërkombëtarëve ngjarjet e 11 korrikut të vitit 1995, ku roli i Serbisë si agresor tashmë dënohet edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e OKB-së. Por, a pritet që rezoluta e 23 majit të krijojë një efekt domino edhe për masakrat e tjera të Serbisë në rajon? Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta identifikojmë duke shqyrtuar dinamikat e zhvillimeve në Ballkan në raport me direktivat e komunitetit ndërkombëtar qysh nga problematikat e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë, Planit Ahtisaari në Kosovë, e deri te Plani për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe nxitjes së shtetit të Kosovës për zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Dejtoni si precedent negativ i diplomacisë perëndimore në Ballkan
Marrëveshja e Dejtonit, e firmosur në dhjetor të vitit 1995, ishte një kundërpërgjigje e Perëndimit kundrejt masakrave serbe në Bosnjë dhe asaj të Srebrenicës, që kishte ndodhur vetëm pak muaj më parë. Mirëpo, siç do të tregonin ngjarjet e mëvonshme, kjo marrëveshje vetëm sa do ta fuqizonte më tej pozitën e Serbisë në rajon, teksa do të ishte një dëm i pakthyeshëm për të ardhmen e shtetit të Bosnjës, që do të vinte në jetë pas Dejtonit.
Si rrjedhojë e marrëveshjes së Dejtonit, shteti i Bosnjës do të ndahej në dy entitete politike të përveçme: Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, me shumicë boshnjake dhe kroate, si dhe Republika Serbe, me shumicë serbe. Kjo ndarje ka sjellë një përçarje të brendshme të vendit, ku përfaqësimi i etnive i është mbivendosur përfaqësimit të unifikuar shtetëror. Gjithashtu, roli i presidentit të Bosnjës është i organizuar në formën e një “triumvirati”, ku secila nga tri etnitë kryesore e ka presidentin e saj me një sistem rotacioni çdo tetë muaj. Nga ana tjetër, të tri grupet etnike e kanë të drejtën e vetos dhe në këtë mënyrë përfaqësuesit politikë të njërës etni mund ta shfuqizojnë çdo vendim të marrë nga dy grupet e tjera etnike nëse perceptohet si cenim i interesave të tyre. Kësisoj, Marrëveshja e Dejtonit e ka sanksionuar një përfaqësim etnik të barabartë për tri grupet etnike, por duke e bërë këtë, ka krijuar një shtet të dobët, të karakterizuar nga disa qendra pushteti dhe nga mungesa e një autoriteti qendror në vendimmarrje. Në ditët tona Bosnja vijon të mbetet një shtet stagnativ, ku procesi i integrimit europian po ecën me hapa më të ngadaltë se vendet e tjera të rajonit dhe Republika Serbe po funksionon si një zëdhënëse e qeverisë së Beogradit, duke mbrojtur interesa politike që bien në kundërshti me shtetin e Bosnjës. Për këto arsye, një ndër kritikat që i janë drejtuar Marrëveshjes së Dejtonit është se në vend që të sillte një integrim të përbashkët të grupeve etnike të ndryshme që përbëjnë vendin, në fakt vetëm sa e ka ndërtuar një kornizë institucionale për ruajtjen e konflikteve etnike në një gjendje “të ngrirë”, duke i paralizuar kësisoj të gjitha veprimtarinë e aparatit shtetëror, veçanërisht në politikën e jashtme. Kjo marrëveshje, e firmosur nga Millosheviqi dhe Alija Izetbegoviqi, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, vetëm sa ka shërbyer në fundin e konfliktit në Bosnjë, por ka dështuar në dhënien e një zgjidhjeje afatgjate për qëndrueshmërinë politike të qeverive të Bosnjës dhe ndërtimin e sovranitetit shtetëror të vendit në këto tri dekada. Për pasojë, votimi për njohjen e gjenocidit të Srebrenicës, më 23 maj, nga vendet e Perëndimit, vetëm sa i risjell në vëmendje dështimet e diplomacisë perëndimore në Dejton, për shkak se ata që e shkaktuan Srebrenicën tashmë u bënë faktor politikë në qeverisjen e Bosnjës dhe do të pajiseshin me të gjitha instrumentet e nevojshme politike për ta orientuar të ardhmen e vendit kah interesat e Serbisë.
Plani Ahtisaari dhe politikat për decentralizimin e shtetit të Kosovës
Për dallim nga Bosnja, ku ndërtimi i shtetit të pavarur do të realizohej vetëm përmes brendësimit të konflikteve etnike në institucionet e reja përfaqësuese, çka do të sillte pashmangshmërisht përçarje të brendshme dhe një pushtet me disa qendra, në Kosovë gjithashtu decentralizimi i pushtetit ishte togfjalëshi kyç në shtetin e ri, që do të ndërtohej, veçse në këtë rast BE-ja dhe SHBA-ja e zëvendësuan modelin “dy shtete brenda shtetit” me një shtet të vetëm, por me një shkallë aq të zgjeruar decentralizimi, saqë kushti kryesor për të ardhmen e vendit do të ishin negociatat me Serbinë. Pavarësisht se shqiptarët në Kosovë ishin një grup etnik shumë më homogjen (mbi 90% e vendit) sesa muslimanët në Bosnjë, shkalla e përfaqësimit të serbëve në parlamentin e Kosovës do të ishte shumë më e lartë sesa popullsia serbe në Kosovë. Në bazë të Planit Ahtisaari, Kosova do të konsiderohej një shtet multietnik e, në këtë mënyrë, simbolet kombëtare të etnisë dominuese duhet të sakrifikoheshin në emër të respektimit dhe bashkëpunimit me pakicat etnike, të cilat sipas censusit të parë të zhvilluar në Kosovë nuk përbënin më tepër se 8 për qind të popullsisë së përgjithshme. Gjithashtu, Plani Ahtisaari parashikonte një shkallë të gjerë decentralizimi, duke u dhënë shumë pushtet komunave të administruara nga pakicat etnike. Në një ndër pikat e këtij plani theksohet se “Komuniteti serb në Kosovë do të ketë një shkallë të gjerë vetëqeverisjeje, duke përfshirë autonomi financiare nga shteti i Kosovës, mund të pranojë fonde nga Serbia, si dhe të marrë pjesë në partneritete të organizuara në bashkëpunim mes komunave të ndryshme me shumicë serbe në Kosovë.” Siç duket qartë, këmbëngulja e vazhdueshme e SHBA-së dhe BE-së mbi zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është në përputhje të plotë me Planin Ahtisaari, i cili është iniciuar gjithashtu nga Perëndimi, duke u parë si një zgjidhje afatgjate për të ardhmen e Kosovës. Sot, politika e jashtme e Kosovës është pothuaj krejtësisht e bllokuar për shkak të zbatimit të Asociacionit si kusht thelbësor i kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-ja për të ardhmen e vendit në organizatat ndërkombëtare. Objektivi i qeverisë së Kosovës për ta forcuar sovranitetin bie haptazi ndesh me synimin e fuqive perëndimore për thellimin e decentralizimit dhe zgjerimin e kompetencave vetëqeverisëse të pakicave serbe. Sikurse mund të vërehet në rastin e Dejtonit, në Planin Ahtisaari ose në Paktin për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, prioriteti i Perëndimit gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit ka qenë dhe vijon të mbetet balanca e fuqive në rajonin e Ballkanit, ku në çdo rast konflikti shtetet e reja, të sapokrijuara pas konfliktit me Serbinë, vijojnë të mbeten të përçara e të pafuqishme, ndërsa zhvillimi i tyre qëndron përherë i kushtëzuar nga lëshimet që duhet t’i bëjnë Serbisë.
A mund të presim njohjen e gjenocidit në Kosovë pas rezolutës për Srebrenicën?
Në ligjërimin politik të BE-së dhe SHBA, gjenocidi serb në Srebrenicë dhe ai ndaj shqiptarëve të Kosovës janë trajtuar si dy raste të ndryshme. Nëse masakra e Srebrenicës është paraqitur si një plan i paramenduar për shfarosjen e mbi 8300 muslimanëve të Bosnjës, krimet e serbëve në Kosovë janë konsideruar si krime lufte dhe si përgjegjës për krimet e luftës janë hetuar të dyja palët ndërluftuese. Kësisoj, në dallim nga lufta në Bosnjë, në Kosovë janë nën hetim liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët Gjykata Ndërkombëtare i ka akuzuar për krime lufte. Përdorimi i dy ligjërimeve të ndryshme nga ana e Perëndimit i përfaqëson edhe dy standarde politike të ndryshme të komunitetit ndërkombëtar kundrejt rastit të Bosnjës dhe të Kosovës. Kësisoj, pavarësisht problematikave të Marrëveshjes së Dejtonit, sot Bosnja propagandohet si një rast suksesi i negociatave të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar pikërisht falë lëshimeve që i janë bërë Serbisë. Nga ana tjetër, Kosova rrezikon sanksione politike nëse nuk pranon t’i zbatojë marrëveshjet me Serbinë, që janë kryer nën ndërmjetësimin e Brukselit dhe SHBA-së. Nga marrëveshjet e përmendura më sipër mund të evidentohet se kushti i panegociueshëm i Perëndimit për zhvillimin e rajonit janë negocimet me Serbinë. Andaj, për sa kohë që Serbia përfiton gjithnjë lëshime nga vendet e Ballkanit ,me të cilat futet ne negociatat me negocim të ndërkombëtarëve, duket haptazi se Perëndimi vijon ta konsiderojë shtetin serb si faktor stabiliteti në rajon.
Realiteti i fantazuar nga Marko, në filmin Underground të Kushturicës, tanimë është kthyer në një projekt politik të faktorit ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuptim, vendet ku janë kryer masakra nga më mizoret, duhet të bashkëpunojnë me atë që i ka kryer këto masakra, duke u dhënë një përgjigje të përbashkët përmes nismave që promovojnë politikat e partneritetit për integrimin e përbashkët të rajonit. Pavarësisht rezultatit të raporteve për indeksin e demokracisë në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova listohet si vendi më demokratik i rajonit, në sytë e ndërkombëtarëve shteti i Kosovës përfaqëson një rrezik për sigurinë e rajonit, krejt ndryshe nga Bosnja, e cila i ka zbatuar me përpikëri udhëzimet e ndërkombëtarëve.
Ndër kritikat kryesore që u janë bërë filmave të Kusturicës ka qenë se ai i ka dhënë Ballkanit një përfytyrim që i përshtatej më së miri perceptimit të audiencës perëndimore mbi këtë rajon. Tanimë ky është përfytyrimi mbizotërues, nëpërmjet të të cilit Perëndimi e vëzhgon realitetin e “Tjetrit” ballkanas: “Një zonë e dhunshme pranë kufijve politikë të Europës, ku grupe të ndryshme etnike luftojnë me njëri-tjetrin dhe e identifikojnë veten si të ndryshëm nga njëri-tjetri…, por në thelb janë si vëllezër që nuk dinë të bashkekzistojnë brenda së njëjtës shtëpi.” 29 vjet pas shfaqjes së parë në kinema, në të njëjtin vit kur ndodhi gjenocidi i Srebrenicës, Underground-i i Kusturicës është kthyer në ekranin ku projektohet gjeopolitika perëndimore në Ballkan. Narrativa perëndimore mbi “Tjetrin” ballkanas rifillon saktësisht në momentin që përfundon filmi, e për rrjedhojë tashmë është Europa që e sheh vetveten përmes Underground-it ballkanas: atë territor ku e shkuara është më e gjallë se e tashmja, krimet dhe mizoritë vijojnë të mbeten të padënuara dhe vendet që i kanë vuajtur masakrat e luftës e shohin sovranitetin e tyre të copëtohet përherë e më tepër veç në emër të ëndrrës europiane.