loader image
November 21, 2024

Gjana të vogla të mëdha

Nëse me qenë normal nënkupton me heqë dorë prej asaj që je për me u ba dikush tjetër (sipas modelit të radhës), atëherë sa ma “anormal”, aq ma mirë. Normalja apo normaliteti, në fakt, është nji lëndinë me mijëra bimë e lule të ndryshme, ku secila është “normale” në llojin e vet, në ngjyrën, formën, aromën, shijen dhe feskinë e vet unike.

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Me i buzëqeshë vetes para gjumit. Me pritë lindjen e diellit. Me e gatitë vetë nji kafe e me pritë derisa të bahet. Me kujtu fëmijërinë. Me i tregu dikujt nji histori të veçantë që t’ka mbetë gjatë në kujtesë. Me u tërhjekë prej nji debati edhe kur ke të drejtë. Me vizitu nji fshat të harruar. Me folë me macen. Me agjëru kur askujt nuk i bjen ndër mend për të. Me e dëgju shiun si melodi. Me i shkru dikujt që nuk të shkruan asnjiherë. Me i kujtu vetes se sado pushtet të ketë dikush nji ditë ka me përfundu ushqim për krimbat. Me i kujtu vetes se bukuria mundet me u gjetë edhe aty ku të gjithë shohin shëmti. Me ndejë ma shumë me fëmijët. Me pa nji dokumentar që të nxit me e hedhë vështrimin tej hapësirës ku jeton. Me heshtë për me i lanë sytë me folë. Me lexu nji poet të harruar. Me ndejë gjatë duke pa detin. Me dëgju rrjedhën e lumit dhe pasthirrmat e pemëve. Me derdhë lot në vetmi. Me andërru kur dëshirat fillojnë e kërcejnë. Me rilexu përrallat e fëmijërisë. Mos me e fotografu ylberin. Me mbjellë një ulli. Mos me e këput nji lule që të ban për vete. Me u lagë në shi. Me mbledhë çaj në mal e me pi ujë burimi. Me shkru disa prej historive të veçanta që ke dëgju. Me ndejë pak çaste në nji shpellë. Me qëndru nji ditë pa celular.

Lista është shumë e gjatë me gjana të kësaj natyre, gjana të cilat, nën peshën e të ashtuquajturave ambicie të mëdha, kemi prirjen t’i shohim si të parandësishme, ose si luks, ose i lamë mënjanë me idenë se pret puna, “ka kohë”. (Nuk e di, kur themi se “ka kohë”, a është lutje apo guxim prej të marri… Ndoshta është fillimi i nji poezie.)

Akte të tilla janë ishuj ku mund të rizbulojmë apo rigjejmë veten e humbur në turravrapin e karrierës janë ritakime me ato ndjesi e përjetime të shuara prej zhurmës për ma shumë realitet. Shumëçka nga vetja jonë rri strukur diku në ne, tulatur, trembshëm, duke pritur çastin për t’i shtu elan lëvizjes, dritë buzëqeshjes, trandje zemrës dhe shtigje të pashkelura imagjinatës. Herë mbas here e ndiejmë pulsimin e këtyre gjendjeve, por presioni shoqëror për me i kontrollu ban të veten, duke cingëritë si nji melodi e çjerë që të kujton se duhet me qenë “normal”, ose “i edukuar”. Nëse me qenë normal nënkupton me heqë dorë prej asaj që je për me u ba dikush tjetër (sipas modelit të radhës), atëherë sa ma “anormal”, aq ma mirë. Normalja apo normaliteti, në fakt, është nji lëndinë me mijëra bimë e lule të ndryshme, ku secila është “normale” në llojin e vet, në ngjyrën, formën, aromën, shijen dhe feskinë e vet unike. E tillë është edhe normalja e njerëzve në lëndinën e përpjetme të asaj që njihet si jetë – në të vërtetë, shumë ma tepër se kaq. Nëse e vazhdojmë metaforën, ideologjia – e çfarëdo ngjyre qoftë – kërkon me i heqë të gjitha lulet në lëndinë e me mbjellë vetëm nji lloj.

Te romani Ringjallja, Tolstoi shkruan: “Nji prej besëtytnive ma të shpeshta e ma të përhapura është edhe ajo kur njeriu reduktohet vetëm në disa cilësi të përcaktuara prerazi, të llojit njeri i mirë, i keq, inteligjent, i marrë, energjik, i plogët etj. Por, njerëzit nuk janë të tillë. Mund të themi për dikë se është ma tepër i mirë se i keq, ma shumë inteligjent se i marrë, ma tepër energjik se i plogët dhe anasjelltas. Ama nuk do të ishte e vërtetë nëse do të thoshim se është i mirë ose inteligjent, i keq apo i marrë. Por, ja që gjithmonë kështu i ndajmë njerëzit. Kjo është e gabuar. Njerëzit janë si lumenjtë: uji është i njajtë te secili dhe gjithandej, por çdo lumë është herë i ngushtë, herë i shpejtë, herë i gjerë, herë i qetë, herë i kthjellët, herë i ftohtë, herë i turbullt e herë i ngrohtë. Kështu janë edhe njerëzit.

Çdo njeri mban në vetvete, në gjenet e tij, të gjitha vetitë njerëzore: nganjiherë ai shfaq disa, nganjiherë disa të tjera, e shpeshherë ai nuk është aspak si vetja, pavarësisht se është gjithnjë i veçantë, gjithnjë vetvetja.” (Tolstoi, Ringjallja, përkth.: E.Ç)

Ka aq shumë poezi brenda asaj që quhet kalimthi “përditshmëri”. Ja edhe nji listë shtesë: ritmi i hapave në nji rrugicë të zhytur në heshtjen e natës, shpresa në mëngjes kur hapim sytë, aroma e kafesë në nji ditë agjërimi, e qeshura e beftë e nji fëmije, thellësia në fytyrën e nji plake, hija e qetë e dikujt që po pret autobusin, lodhja e tregtarit para mbylljes së tregut, kolla e thatë e nji të moshuari teksa ngjit shkallët, gishtërinjtë plot nerv të nji vajze kur humb durimin, zërat e fëmijëve në zheg, qetësia e nji çatie të vjetër, rreshtimi i zogjve mbi nji tel, qyteti i zbrazur në nji të diel gushti, zbraztia e nji shtëpie të braktisur, kali në autostradë, përgjumja e nji maceje mbi mur, teshat në tel që i jepen pa kushte ritmit të erës, peshkatari që i dorëzohet fatit në varkën e pritjes…

Ja çfarë arrin me ba Borges-i me nji të dhanë “të vockël”: “Në gjermanisht fjala hënë është në gjininë mashkullore. Prandaj Nietzsche mundi të thoshte se hëna është një murg që e sheh me zili tokën, ose një maçok (Kater) që ecën mbi një qilim yjesh.” (Borges, përkth.: F. Papleka)

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X