loader image
April 18, 2024

Njeriu inteligjent

A është suksesi në jetë i lidhur vetëm me notat e larta? Natyrisht që jo. Kjo nuk do të thotë që të zerojmë vlerën e arsyes apo inteligjencës akademike, por pyetja vjen si kërkesë e domosdoshme për t’i dhënë vlerë dhe peshë moralit më së pari, dhe jo shifrave që nuk mund të na thonë asgjë për njeriun tek një shkencëtar, ekonomist, jurist, sportist, etj. 

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Inteligjenca është fjalë që peshon. Vlerësimi i njeriut, duke e karakterizuar me të, është i një rëndësie të veçantë. Çdokush do të donte të ishte më inteligjenti, sepse inteligjenca është fuqi, është superioritet në raport me të tjerët. Ashtu si çdo cilësi tjetër që karakterizon njeriun, edhe inteligjenca nuk ka shpërndarje të njëtrajtshme, edhe pse çdo lloj profesioni kërkon një nivel të caktuar të inteligjencës.

Kur përmendim njeriun inteligjent, menjëherë na shkon nëpër mend ndokush me rezultate të larta akademike, me kujtesë afatgjatë e të fortë, me ndonjë barrë titujsh akademikë nga pas. Ndërkohë që pjesa tjetër e njerëzve duket se përjashtohet nga ky rregull. Po a është i tillë realiteti?

Gabimi më i zakonshëm që bëjmë është besimi se inteligjenca është e lidhur vetëm me trurin, duke mos marrë në konsideratë përmasën shpirtërore të njeriut dhe pjesën që zë tek inteligjenca e njeriut. Njeriu është njësi ku ngërthehen mrekullisht biologjia dhe metafizika, lëndorja dhe shpirtërorja, truri dhe psika. Në sajë të këtij ngërthimi aktiviteti i njeriut ka ndikim të dyanshëm. Gjendja trupore ndikon mbi atë shpirtërore dhe gjendja shpirtërore ndikon mbi atë trupore. Siç edhe është lehtësisht e kuptueshme gjendja shpirtërore ka ndikim shumë më të fuqishëm mbi gjendjen trupore. Për të pasur një shkallë të lartë të përdorimit të inteligjencës është e nevojshme që njeriu të bashkërendojë në një shkallë të lartë ndërveprimi dy përmasat e tij themelore.

Po cili duhet vlerësuar si njeri inteligjent?

… kur Robert Steinberg, një tjetër psikolog i Jeilit, u kërkoi studentëve të përshkruanin një person inteligjent, aftësitë në marrëdhëniet me njerëzit zinin vendin e parë në listë. (Goleman, D. (2018) Inteligjenca emocionale. Prishtinë: Pema, faq. 62)

Njeriu është qenie sa individuale aq edhe shoqërore. Ai duhet të spikasë në shoqëri me individualitetin, me potencialin e tij, duke e kthyer shoqërinë drejt vetes, jo si një përpjekje për të qenë në qendër të vëmendjes, por si mundësi për të shpalosur para shoqërisë madhështinë që arrin njeriu nëse jeta e tij udhëhiqet prej botës shpirtërore ose, thënë në terma psikologjikë, prej inteligjencës emocionale.

Ç’është inteligjenca emocionale?

…inteligjenca emocionale: aftësia për të mbajtur moralin lart dhe për të mos u tërhequr para vështirësive; për ta kontrolluar impulsin dhe për të mos u dhënë pas kënaqësisë; për të mos lënë veten të kridhemi në dëshpërim deri aty sa të na pengojë arsyetimin e kthjellët; për t’i lexuar ndjenjat e të tjerëve dhe për të mos e humbur shpresën. (Goleman,53)

Ky përcaktim mbi inteligjencën emocionale është tregues i qartë se edhe psikologjia bashkëkohore po shkon drejt vlerësimit më real mbi rëndësinë e botës shpirtërore, emocionale tek njeriu. Kjo do të thotë që para se të shqetësohemi mbi aftësitë akademike të individit, duhet të shqetësohemi se si ndihet, duhet të shqetësohemi mbi gjendjen e tij shpirtërore, pasi është kjo e fundit që përcakton qartësinë e mendimit, qetësinë shpirtërore dhe kthjelltësinë e veprimit. Në detin e jetës njeriu nuk duhet të ecë duke i kundërvënë dy përmasat, por duke u përpjekur për harmoni mes tyre. Harmonizimi është udha që çon njeriun drejt suksesit, jo vetëm në terma materialë, sepse një njeri që është i aftë të harmonizojë emocionet me arsyen arrin të kthehet në flakadan për shoqërinë.

Nuk duhet në asnjë mënyrë t’i asgjësojmë emocionet dhe të kthehemi plotësisht nga arsyeja, siç thoshte Erasmusi, por duhet të arrijmë të gjejmë një ekuilibër inteligjent mes të dyjave. (Goleman,47)

Arritja e ekuilibrit është çelësi që hap derën e paqtimit mes trupit dhe shpirtit, si mundësi për të pasur jo vetëm rezultate të larta në sferat akademike, por ç’është më e rëndësishmja, kumtimi i vlerave në shoqëri. Nuk është e mjaftueshme vetëm të grumbullosh në magazinën e kujtesës dituri, por duhet të jetosh sipas asaj diturie që ke. Vetëm kështu do të kesh mundësi të nxjerrësh prej vetes një model jetësor që përnjështohet me qenien tënde dhe që nuk është shpërfaqje e ndryshme nga ajo që di. Jeto sipas dijes që zotëron dhe kështu fjala jote do të zërë vend në zemrat e njerëzve. Nuk dihet se cilat fara do të japin frutat më të mira, ato që bien ndër fusha të plugura e të selitura për merak, apo farat që era e fatit i ka hedhur me gurësh e ferrash. Detyrë themelore mbetet mbjellja e farës, me dashuri e butësi, paçka se sistemi arsimor është i fiksuar për t’i dhënë vlerë apo për të zhvlerësuar njeriun dhe inteligjencën e tij vetëm nëpërmjet notave shkollore, pa u vramenduar aspak ose, akoma më keq, duke fshikulluar me kritika të pavenda individët në rritje e sipër.

A është suksesi në jetë i lidhur vetëm me notat e larta? Natyrisht që jo. Kjo nuk do të thotë që ta zerojmë vlerën e arsyes ose të inteligjencës akademike, por pyetja vjen si kërkesë e domosdoshme për t’i dhënë vlerë dhe peshë moralit më së pari dhe jo shifrave që nuk mund të na thonë asgjë për njeriun tek një shkencëtar, ekonomist, jurist, sportist, etj.

Inteligjenca akademike nuk të përgatitë për trazirat ose mundësitë që sjellin me vete vështirësitë e jetës. Edhe pse një IQ e lartë nuk të garanton pasuri, prestigj ose lumturi në jetë, shkollat dhe kultura jonë janë fiksuar pas aftësive akademike, duke lenë pas dore inteligjencën emocionale, e cila përbëhet nga një sërë veçorish, disa mund ta cilësojnë karakter, që ka ndikim të jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e jetës sonë. (Goleman, 54)

Njeriu inteligjent nuk është shpërfillës, urrejtës, përbuzës, arrogant, i dhënë pas famës e lavdeve të kota. Ai e ka të qartë së bota shpirtërore nuk mund të jetojë në kafazin e përcaktimeve krejt përjashtësore të shifrave dhe vlera e jetës merr kuptim teksa kjo botë shpirtërore ose inteligjenca emocionale e udhëheq arsyen drejt kufijve të drejtësisë, mirësisë dhe dashurisë. Tek ky trinom qëndron zemra e njeriut si shembulli më i lartë, ku arsyeja dhe shpirti gjejnë njëri-tjetrin për të sjellë në jetë njeriun inteligjent.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X