loader image
April 18, 2024

Rrugë(timi) nëpër “ferr”..!

Ne mund të ndërtojmë rrugë tani, dhe duhet të ndërtojmë, rindërtojmë, rivitalizojmë, ato konsiderohen arteriet e ekonomisë së një vendi, por nuk ka rritje ekonomike në planin afatgjatë të ndërtimit. Thuajse in extremis, siç thonë përvojat. Ashtu, ato ndërtime, përkatësisht shpenzime (kapitale) publike nuk sjellin rritje; janë barrë shumë e rëndë për një ekonomi si e jona, e varfër dhe njëkohësisht e sëmurë.

Shkruan: Driton DEMIRI, Gostivar

“Për babanë tim ‘borxhi’ ishte një turp”, thoshte një kohë ekonomisti slloven Jozhe Metsinger. Unë me të nuk kam asgjë të përbashkët, as që i përkasim të njëjtit brez, përveçse që të dy jemi ekonomistë, madje dhe shkollave të ndryshme. Ndërkaq për “gënjeshtrën” populli thotë se i ka këmbët e shkurtra. E për “të vërtetën” thuhet se ajo duhet ndjekur. Dhe, nëse nuk keni para, a do t’i rrisnit shpenzimet? I njëjti mekanizëm. I njëjti instrument. E njëjta histori. Ose, tjetra, përzgjedhim njerëzit për të qenë më të mirë se të mëparshmit ose çka si?! – Atëherë, merhaba Abi! Dy bakllava dhe dy tullumba me shumë sherbet mundet. – Evet, Abi… – mundet. – Më sjell dhe një krikëll (bardhak) bozë! – Si urdhëroni, Abi. Dhe, ja përralla me dy pjesë si asnjëherë më parë.

Tek poema Komedia Hyjnore, një nga kryeveprat e letërsisë botërore, poeti, shkrimtari dhe filozofi italian Dante Aligieri në fillim i përshkruan nëntë rrathët e tij me rrugëtime të tmerrshme nëpër ferr e pastaj shkruan dhe për shtatë rrathë të purgatorit, si dhe nëntë qiejt e parajsës. Megjithëse protagonisti në fund e takon Zotin, edhe komedia e Dantes si secila tjetër, ka një përfundim fatlum. “Mund të themi shkurt se fundi i të tërës (i komedisë sime) është që të nxirren të gjallët në këtë jetë nga gjendja e mjeruar dhe të udhëhiqen për në gjendjen e bekuar”, deklamon me fjalë të tjera Danteja. Gjithë ngjarja konceptualisht ndodh për shtatë ditë kundrejt komedisë politike të këtij nënqielli që po ndodh gati se përjetësisht.

…- “Sikur 700 vite më parë bashkë me Danten rrugëtojmë nëpër ferr dhe ne. Mëkatarët që shihte dhe përshkruante ai, na përkujtojnë mjaft mëkatarë realë në këtë nën qiell, dhunën e të cilëve ne e përjetojmë për çdo ditë dhe vetvetiu na lind dëshira për t’i parë edhe ata midis akujve të ngrirë”. Pa habi, e vetmja komedi pa asnjë ditë fat të lumtur. Dhe, kështu: …“Një mijë e sa herë gënjeshtra e mashtrime të përsëritura dhe njerëzve mesatarë u bëhet e vërtetë. Një mijë e shumë herë ambient social nën kthetra të mjerimit dhe përsëri koprrac të pangopur. Një mijë e shumë herë ambient ekonomik të deformuar dhe përsëri smira(nt) të paetur. Një mijë e shumë herë ambient financiar të keqpërdorur dhe përsëri grykësia nuk thotë mjaft.”. Janë, pra, këto fjali shumërrokëshe në përbërje, që i pasqyrojnë dhe lajmërojnë të gjitha ato përjetime, ashtu siç që Danteja në Komedinë (e tij) Hyjnore shprehu dufin, duke iu treguar bashkëkohësve të vet se si duhet ndrequr njerëzimi; sikundër veseve njerëzore, tiranisë, shpenzimeve të tepërta, korrupsionit et cetera, et cetera, et cetera

Dhe, ja ku jemi!

Inflacioni i lartë, i tanishëm, akoma dyshifror, 14,7 për qind (gjithmonë sipas të dhënave statistikore). Çmime të larta…, sidomos të produkteve ushqimore dhe shërbimeve, që përbëjnë inflacionin bazë. Shikoni përreth! Vështirë jetohet. Çështja është “paratë apo jeta?”. Ndërsa, pa para, asgjë. Mos i minimizoni problemet që i kanë njerëzit! Vetëdija morale detyrimisht të bëjë një hop njerëzor. Është hak. Fundi i pandemisë dhe parashikimet e rënies së inflacionit në periudhën që vjen nuk do të thotë se do t’i fitoni zgjedhjet e ardhshme. Një gjë thoni, tjetrën po bëni. Lojërat e pesëfishta më mortui sunt. 78 për qind rritje të pagave tuaja në kohë krize të thellë të mbijetesës??? Pas kësaj, dikush nga ju e quani edhe sundim i së drejtës?! Po, ju jeni të zgjedhur e të emëruar për t’i zgjidhur hallet e njerëzve, e jo për t’u katandisur. Nuk po tregoni fare kujdes për shtresën më të përçmuar të shoqërisë. Vetëm topthat e dëborës sivjet nuk i patët në interpretim e për argëtim. Siç thotë Rumi, “Ajo që nuk ju nevojitet është mëkat. Çdo gjë që është e tepruar është helm”. Të dihet kjo punë. Mos thoni pastaj se nuk ua kam thënë. Tanimë, flas me gjuhë të tij, të gjitha mënyrat e tjera të komunikimit i kam provuar. Nuk mund të qëndroj shtangur sikur kam marrë një shiringë dozë morfinë pesëmilimetërshe. Edhe pse në këtë mes jeni futur të gjithë në një thes, pa dallim, lartë, poshtë, anash, mbanash, para, prapa, majtas, djathtas. E pakuptimtë është që për indeksim të pagave të negociohet, negociohet e të negociohet dhe në fund të arrihet marrëveshje për një rritje 5 ose thuajse 12 për qind. Absurditet mbi absurditet, kafkianë të fatit njerëzor. Ky “model”, sipas jush, i “shtetit të mirëqenies” është thjesht një metodë për të shndërruar sistemin po thuaj në autokratizëm, pa thënë në “totalitarizëm” kontemporan. Këtu, askush nga brenda më nuk është i gatshëm të investojë në asnjë mënyrë, përveç oligarkisë suaj. E dini pse? Sepse nëse mashtrimi ndodh, s’ka kush të të mbrojë. Në fund të fundit, vetëm një lidership i fortë, që do të shtyjë gurin tatëpjetë, pa ndërkëmbëza, mund të çojë në një ndryshim të madh premtues.

Në gjithë këtë rreth vicioz të petullave për vete, te romani Të mjerët (vepra më kryesore), sa për njohuri, Viktor Hygo, duke eksploruar natyrën e së mirës, të keqes dhe ligjit, me fjalë të tjera ai thotë se (citoj) “drejtësia e parë është ndërgjegjja”, ndërkaq në shfaqjen dramaturgjike, Mbreti argëton veten para shfaq cinizmin e një udhëheqësi. Ndonëse, përmes fjalëve të heroit të shfaqjes, personazhit historik Tribuletit, sulmon shoqërinë e atëhershme, na e parafytyron përkimin me realitetin e kohës, si jetojmë e veprojmë.

Kriza, në vetvete, është maja e ajsbergut, sepse sfidat dhe problemet reale lindin kur ajo është drejt fundit.

T’i racionalizojmë, pra, gjërat!

Le ta marrim se problemi nuk është borxhi, mirëpo problemi është se çfarë bëhet me ato para. Është mirë të investohet në rrugë, hekurudha, dixhitalizim, në të gjitha teknologjitë moderne, në shtrirje të një produktiviteti të vlerës së lartë. Gjithë kjo është një lajm i mirë, e ngre (rrit) ekonominë, që do të thotë se derisa GDP-ja është më e lartë, problemi i borxhit është më i vogël. Ne mund të ndërtojmë rrugë tani, dhe duhet të ndërtojmë, rindërtojmë, rivitalizojmë, ato konsiderohen arteriet e ekonomisë së një vendi, por nuk ka rritje ekonomike në planin afatgjatë të ndërtimit. Thuajse in extremis, siç thonë përvojat. Ashtu, ato ndërtime, përkatësisht shpenzime (kapitale) publike nuk sjellin rritje; janë barrë shumë e rëndë për një ekonomi si e jona, e varfër dhe njëkohësisht e sëmurë. Një vend si ne, kategorikisht, nuk mund t’ia lejojë luksit për shpenzime enorme. Nuk i ka ato para. E, këtu, kështu është për mbi 30 vjet. Veç kësaj, ekonomia nuk duron stërzgjatje të pasigurisë. Për ta supozuar, nëse ndërtojmë/rindërtojmë një aks rrugor, duke shtruar asfalt për dhjetë vite dhe niveli i rritjes (siç parashikon Banka Botërore) është 2.3 për qind për këtë vit ose 2.7 për vitin 2024, 2.9 për vitin 2025 dhe vitet tjera le të jetë 3 deri 4 për qind, atëherë kemi humbur si Greqia, për arsye se kemi nevojë edhe për ndërtim e rindërtim të rrugëve të tjera. Në këtë kontekst, në kondita pak a shumë jo të ngjashme, para do kohe, mirë e tha nobelisti (në ekonomi) Paul Krugman se pandemia do të kalojë para se të ndërtoni rrugët tuaja. Më pastaj, edhe mirëmbajtja, që në asnjë mënyrë nuk është në nivel as edhe në ato rrugë aktuale, sjell dyzime në keqmenaxhim dhe shpërdorim të parave. 30 milionë euro vetëm nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore ndahen për çdo vit për mirëmbajte. Sa për të kumtuar e informuar, aq sa ndan qeveria sllovene për mirëmbajtje të rrugëve, shihni, vështroni pra arritjen, rezultatin! Atje dhe këtej, për njëfarë kohe, gjëmë, shkatërrim i llojit. Dhe, paradoksi është edhe më i madh kur ndërtimi i po atyre rrugëve (i çdo aksi rrugor), ripërsëris, zgjat e zhargitet për mbi një dekadë. Madje, tejpërtej këtij paradoksi, në këtë mënyrë, rrumbullt, për gjysmë shekulli duhet të ndërtojmë vetëm rrugë; defekte në projekte, riprojekte, shpronësime, aneks marrëveshje, ndërtime, rindërtime, pra një jetë, pastaj të gjithë do të jemi të vdekur. Ndiej keqardhje, por efekti multiplikim investimesh kështu nuk shkon. Edhe për të thënë më të keqen, gjithë kapitali i investimeve është nën kornizat e “shtetit sipërmarrës”, sidomos, sërish, edhe dy projektet të sapopromovuara, siç janë ndërtimi i Korridorit 8 dhe Korridorit 10-D, me një kosto voluminoze prej 1,3 miliardë eurosh, ose nga 276.6 milionë euro për çdo vit, gjithmonë bazuar në afatin e projektit për katër vite e shtatë muaj, kryekëput (nga buxheti) para të qytetarëve. Ndërkaq aksi rrugor Kërçovë-Ohër, i filluar që në vitin 2014, dhe akoma i pa përfunduar, po kushton mbi 600 milionë euro, si dhe ai Shkup-Bllacë mbi 100 milionë euro, pjesërisht borxh (kredi) dhe pjesërisht para nga buxheti.

Pas kësaj, për aq sa mund të jem miqësor, ndryshimet kushtetuese jo se nuk janë të rëndësishme, ato sigurisht çelin perspektivë, por nuk do të thotë t’i vajtoni përjetësisht. Ajo që duhet është “shtet i fortë ekonomikisht”. Çka nëse ato ndryshime nuk kalojnë?! Nuk do të thotë ta luani rolin e viktimës politike. Vendi ka nevojë për ta rritur cilësinë në çdo segment, për ta rritur standardin, ka nevojë për produktivitet e zhvillim, e jo për të qëndruar në vendnumërimin qesharake prit gomar se do mbijë barë. Ekonomia e fortë, respektivisht rritja ekonomike, pa asnjë fije dyshimi duhet të ketë institucione të forta. Nuk ka integrime…, nuk ka BE, duke ndenjur disa nga njëra anë, disa nga tjetra, e disa në të dyja anët, duke bërë allishverishe dhe akrobacione politike sa hap e mbyll sytë. Më pas, me fjalë të tjera, në të njëjtën kohë ndiej edhe një shqetësim, trazim e si ta quaj, ndërsa ju flisni, ashtu siç flisni (të gjithë pa dallim), pa kripur, ne tundim kokën, dhe kësisoj ka për të shkuar gjatë “skllavëria”.

Për fatin e keq, përderisa, rrugëtojmë edhe më, rrathëve nëpër ferr… Remarku, novelisti gjerman, thuajse para 100 vjetësh në romanin e tij të famshëm “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” e përshkruan jetën e tij në frontin perëndimor në rolin e një ushtari të ri gjerman, të ashtuquajtur Baumer, gjatë Luftës së Parë Botërore. Romani ka plot përshkrime realiste të luftës, gjakut dhe vuajtjeve, por mbi të gjitha ai është një reflektim filozofik mbi situatën në të cilën u gjend bota në fillim të shekullit të njëzetë. Kur në fund të luftës Kati, ushtar më i vjetër, mentor i Baumerit, vritet, Baumeri bëhet indiferent ndaj jetës. Edhe pse ai i gëzohet paqes e cila po afron, ai nuk sheh një të ardhme të ndritshme të mbushur me shpresë. Ai ndjen se brezi i tij është i humbur dhe i gjymtuar në një mënyrë të tillë, që askush nuk mund ta kuptojë. Në fund të romanit edhe Baumeri vdes dhe raporti për komandën supreme simbolizon parëndësinë e vdekjes së një personi gjatë luftës – “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”.

Më erdhi dhe një fjali në mendje:

– Për më tepër, mendoj se Kartagjena duhet të shkatërrohet. – tha Katoni.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X