loader image
November 8, 2024

“Zajednica” si shpëtim!

Në marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit, në tekstin e saj ka dy paragrafë shumë të diskutueshëm që i bëjnë jehonë themelimit të Asocacionit. Njëri prej tyre pretendon se Kosova duhet të angazhohet për “një nivel adekuat të vetëqeverisjes të komunitetit serb”, kurse i dyti se ajo duhet ta bëjë këtë sipas marrëveshjeve të nënshkruara në vitet 2013 dhe 2015, të cilat i ka kundërshtuar aq shumë Vetëvendosja! e udhëhequr nga Albin Kurti.

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Invazioni rus ndaj Ukrainës duket se ka krijuar një panoramë të re të sigurisë në Europë dhe botë. BE-ja duket se u zgjua nga gjumi dhe e vlerëson nevojën për të ripërtërirë angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor në këto kohëra stuhie, ku Rusia akoma pretendon ta përdorë potencialin e saj duke i shfrytëzuar mosmarrëveshjet e pazgjidhura të shteteve në rajon, edhe pse reputacioni ndërkombëtar i saj tani është rrënuar ndjeshëm. Në një artikull të publikuar nga gazeta ruse “Nezavisimaya Gazeta”, para një viti, theksohet se Rusia kishte shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës!

Pa dilemë se planet ruse lidhur me Kosovën dhe për zbehjen e ndikimit perëndimor në rajon duket se janë të thella. Si kundërvënie ndaj prezencës së NATO-s në Kosovë, rusët dhjetë vjet më parë kanë hapur “Qendrën Humanitare Ruso-Serbe” në Nish, të cilësuar si “Qendër e Emergjencave”, ndërsa ajo është e njohur botërisht si qendër spiunazhi rus në Ballkan. Ajo synon pozicione dhe raporte të reja mes Serbisë dhe Kosovës. Madje, tani sikur dëshirohet njëfarë defokusimi i procesit negociator, që në asnjë formë s’përket me realitetin. Por, marrëveshja e panënshkruar e 18 marsit, bazohet në pozicionet se palët bisedojnë për normalizimin e marrëdhënieve, duke përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Andaj, qarqe ruse në bashkëpunim me instalacionet e tyre në Serbi pretendojnë satanizimin e Vuçiqit, me çka jo rastësisht kemi marrëveshje obligative të panënshkruar! Instalacionet e përmendura vazhdojnë të afirmojnë se bisedimet duhet të zhvillohen në kahe të tjera, se “Kosova e Metohija qenkan pjesë e sovranitetit të Serbisë!”.

Objektivisht, kjo as në ëndërr s’do mund ta kthejë gjendjen pas, por në vazhdimësi mund ta zvarrisë implementimin e Marrëveshjes së bazuar në normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella, duke u thirrë në dokumente të tejkaluara. Kësaj sikur i ndihmojnë kapricet e pushtetit aktual në Kosovë me tone refuzuese ose relativizuese për “Zajednicën” (e fundit, se këtu s’është fjala për “vetëqeverisje”, por për “vetëmenaxhim”!).

Esenca e propozimit të Gjermanisë dhe Francës, me përkrahjen e SHBA-së, qëndron në atë që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizmat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe OKB-në, edhe pse kjo e fundit shprehimisht nuk potencohet në dokument, por gjithsesi se nënkuptohet. Deklaratat e Vuçiqit, të tipit se “asnjëherë s’do ta përkrahnin anëtarësimin e Kosovës në OKB” është vetëm për konsumim të brendshëm. Sepse, votimi kundër ose abstenimi i Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk e pengon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Madje, vetë Vuçiqi, muaj më parë, pat thënë se: “Ne nuk do të poshtëroheshim dhe të detyroheshim ta njihnim zyrtarisht Kosovën, por do të ishte me rëndësi që të mos kundërshtojmë dhe t’u japim një sinjal të qartë të gjithëve se jemi dakord me anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Çka me “Zajednicën”?

Në marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit, në tekstin e saj ka dy paragrafë shumë të diskutueshëm që i bëjnë jehonë themelimit të Asocacionit. Njëri prej tyre pretendon se Kosova duhet të angazhohet për “një nivel adekuat të vetëqeverisjes të komunitetit serb”, kurse i dyti se ajo duhet ta bëjë këtë sipas marrëveshjeve të nënshkruara në vitet 2013 dhe 2015, të cilat i ka kundërshtuar aq shumë Vetëvendosja! e udhëhequr nga Albin Kurti.

Ditë më parë, Kurti kishte nxjerrë disa sekrete nga negociatat e vështira me presidentin serb Vuçiq në Ohër. Gjatë një konference shtypi, që i kushtohej dyvjetorit të qeverisë dhe bilancit të saj, ai nuk i është shmangur dot temës së dialogut dhe sidomos patates së nxehtë të themelimit të bashkësisë së 10 komunave më shumicë serbe. Kryeministri i Kosovës ka rrëfyer episode nga negociatat e Ohrit. Ai ka thënë se diku nga fillimi i pasdites së 18 marsit i ka ofruar palës tjetër tre shtylla të mundshme mbi të cilat do mund të themelohej ky organizim i serbëve të Kosovës: e para, ajo duhet t’u përshtatet ligjeve të Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi marrëveshjen e 2015-tës; e dyta, ajo duhet të mos ketë kompetenca ekzekutive ashtu sikurse angazhohej BE-ja me një letër të përfaqësueses së saj të lartë, Frederika Mogherini; dhe, së treti, se ajo nuk duhet të përbëjë nivel të tretë pushteti pos atij qendror dhe atij lokal që e ka Kosova sot. “Ishte ende pas dite dhe unë u zotova se nëse Vuçiqi binte dakord me këto parime, të nesërmen në mëngjes do ia prezantoja në tryezë një draft për themelimin e asociacionit.” – ka thënë Kurti!

Sipas rrëfimit të Kurtit, në këtë pikë Vuçiqi ka reaguar tejet ashpër, duke kërcënuar me braktisjen e tryezës. “Po humbim kohë kot, nuk ka kuptim ky takim, duhet të çohemi.”, qenka shprehur presidenti serb. “Kjo ishte një ofertë gjeneroze, e cila po të pranohej në parim, unë të nesërmen në mëngjes – pasi ne fjetëm atë mbrëmje në Ohër – do e dorëzoja propozimin. Por, premisa nuk u pranua dhe unë nuk mund të çoja propozim pa u pranuar premisa, sepse fillimisht duhet pranuar parimi, që të vijosh me përmbajtjen. Ata nuk ranë dakord me tre shtyllat.” – ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës e bëri një interpretim fjalë për fjalë për tekstin e marrëveshjes. Në nenin 7 të Marrëveshjes kërkohet të sigurohet “një nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Pavarësisht se ky formulim duket se është referencë për Asociacionin, Kurti luan me faktin se në tekstin e marrëveshjes nuk përmendet Asociacioni në mënyrë eksplicite. Në tekst përmendet një “nivel i vetëmenaxhimit të komunitetit serb”. Flitet për komunitetin serb, e jo për komunat, kurse komuniteti serb nuk është kategori territoriale.

Këto rrëfime dhe interpretime termash tregojnë se Prishtina nuk e ka aspak të lehtë për ta shmangur krijimin e një asociacioni sipas formës që e kanë nënshkruar paraardhësit e Kurtit dhe që tanimë ai e ka pranuar. Kurti thotë se Kosova dhe Serbia e konfirmuan obligimin e tyre për t’i zbatuar marrëveshjet e kaluara të cilat ngelen të vlefshme dhe të obligueshme.

Pika 10 e Marrëveshjes thotë se të dyja palët e konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar marrëveshjet e kaluara, të cilat mbeten valide dhe të obligueshme. Janë 39 marrëveshje, ndër të cilat më e rëndësishmja është ajo e parimeve, që në 6 pikat e para flet për Asociacionin.

Kurti njëherazi deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet t’i trajtojnë me shumë kujdes marrëveshjet. Ka shumë marrëveshje. Një thes me marrëveshje që duhet t’i trajtojmë me kujdes, por natyrisht që edhe kjo që parashihet në nenin 7, i referohet komunitetit serb në Kosovë. “Ne kemi qenë kreativë dhe të angazhuar për një çështje të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, sidomos sa i përket ofrimit të shërbimeve.” – kishte thënë Kurti. Njëherazi ai këmbënguli se marrëveshja e dakorduar me Serbinë në Ohër është njohje de facto për Kosovën. Për dallim nga vite më parë, është Serbia ajo që tani, sipas kreut të qeverisë së Kosovës, po heziton të nënshkruajë marrëveshje me Prishtinën.

“Ky është një plan që sjell njohjen de facto dhe nuk e bllokon rrugën për të ecur përpara. Meqë pati pajtim, unë insistova që të nënshkruhet, por për dallim prej para 8 vjetëve dhe 10 vjetëve, Serbia refuzoi ta nënshkruajë.”, – ka deklaruar Kurti.

Në dy tekstet, edhe atë të 27 shkurtit edhe në Aneksin e 18 marsit, termi asociacion nuk përmendet fare. Por, që të nesërmen e marrëveshjes edhe përfaqësuesit e BE-së edhe ata të SHBA-së, madje edhe lehtësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak, folën për krijimin e Asociacionit sipas marrëveshjeve tashmë të firmosura më herët. Kjo bëri që Kurti t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve se cilit version duhet besuar. Kurti tha se kjo është një marrëveshje të cilën Serbia nuk ka interes ta zbatojë dhe ka dhënë indikacionet e para për këtë gjë. “Pala serbe refuzoi ta nënshkruajë, sepse, siç e zbuloi ajo vet, heziton që ta zbatojë. Tashmë ata kanë dhënë indikacione të qarta se po bëjnë shkelje të marrëveshjes” – ka thënë Kurti.

Kundër deklaratave të Kurtit ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku. Ajo tha se vetë kryeministri Kurti po i përdor ato dokumente sot. “Çfarë ka nga marrëveshjet e Thaçit dhe Mustafës? Kryeministri i ka dokumentet që sot po i përdorë edhe vet: 1) Letra e Mogerinit për një asociacion në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 2) Letrat e njëpasnjëshme të presidentëve të SHBA-ve për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, dhe ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër.“, ka shkruar Çitaku. Tutje, ajo potencon se kryeministri Kurti ia ka sjellë Kosovës vetëm një marrëveshje të përkohshme, pa njohje, por me Asociacion.

Kundërshtimet dhe arsyetimet vlojnë edhe në anën serbe. Kreu i diplomacisë serbe, Daçiq, deklaroi se qëndrimi i Serbisë është i qartë, duke thënë se nuk ka hapa të mëtutjeshëm në dialog pa formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “U ulëm dhe biseduam për këtë. Ne mezi u pajtuam për një gjë të tillë dhe tani për 10 vjet duhet të presim që Kurti të ndjejë keqardhje për të dhe ta formojë atë. Ne nuk besojmë në padurimin e tyre, por ne pranojmë garancitë e negociatorëve europianë se do të jetë kështu.”, tha shefi i diplomacisë serbe. Kur u pyetën nëse Serbia do të pranonte anëtarësimin e Kosovës në BE, ai u përgjigj se “askush nuk na pyet asgjë në BE, sepse nuk jemi anëtare të saj”.

Po ashtu, kryediplomati grek, Nikos Dendias, pas takimit me Vuçiqin, deklaroi: “E përgëzova për marrëveshjen e Ohrit”. Ai tha se në takimin me të temë qendrore ishte dialogu Kosovë-Serbi, duke shtuar se vendi i tij mbështet përpjekjet e BE-së në këtë proces. “Jam pritur përzemërsisht nga presidenti i Serbisë Vuçiq sot në Beograd. E përgëzova për marrëveshjen e fundit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të arritur në Ohër. Përsërita mbështetjen e vendosur të Greqisë ndaj përpjekjeve të BE-së për përparimin e mëtejshëm të dialogut Beograd-Prishtinë, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme.”. Dendias tha se në diskutim me Vuçiqin janë përfshirë edhe zhvillimet rajonale dhe perspektiva europiane për Ballkanin Perëndimor.

“Open Ballkan” dështim apo shpëtim?!

Po qe se jetësohen marrëveshja Kosovë-Serbi, hapen shumë dilema rreth ecjes përpara dhe funksionimit të “Open Ballkan”-it ose formave të ngjashme integruese të Ballkanit Perëndimor, siç është Procesi i Berlinit, kjo nga arsyeja se fare lehtë mund të ndodhë që Serbia si shpërblim për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit, pos financave të kërkojë “trenin e shpejtë” për në BE, me çka do të largohej nga rajoni. Kjo, pa dilemë, nënkupton invalidizim të “Open Ballkan”-it, sepse Serbia brenda pesë vjetësh do të arrinte anëtarësim të plotë në BE, kurse vendet e tjera të rajonit duhet të presin edhe shumë kohë. Kjo do ishte në dëm të madh veçanërisht për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, të cilat po qe se stabilizohet Ukraina, do të mbeten në karantinë!

Shqipëria me arsye i frikësohet dështimit të “Open Ballkan”-it, sepse me te do dështonte edhe memorandumi i nënshkruar me ndërmjetësimin amerikan, që ka të bëjë me trafikun hekurudhor dhe rrugor. Ekziston studimi i fizibilitetit për lidhjet hekurudhore Beograd-Prishtinë, duke përfunduar në portet e Detin Adriatik në Shqipëri. Përgjithësisht, inkuadrimi kompatibil infrastruktural rajonal në rrjetin europian TEN-T do ta bënte bregdetin shqiptar një epiqendër të disa korridoreve rajonale të Ballkanit Perëndimor. Kjo gjë jo vetëm që akoma më shumë do t’i integronte shqiptarët në rajon, por aq më tepër ata do t’i shndërrojë në faktorë themelorë të korridoreve 8, 10 e 11, kurse përmes “Transferzales Jugore” dhe “Rrugës së Kombit” do t’i lidhte me shumë segmente të korridoreve të tjera rajonale, me çka portet e Durrësit dhe Shëngjinit do të shndërroheshin në porte strategjike rajonale, ku do inkasoheshin miliarda euro në vit.

Përfundim!

Objektivisht, Marrëveshja e Ohrit, nëse jetësohet, do bënte efektuimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj edhe nga shume shtete të tjera, duke përfshirë edhe ato europiane anëtare në BE, që për qëllime të ndryshme atë nuk e kanë bërë akoma. E dyta, Kosova do të çlirohej nga një bllokadë faktike dhe psikologjike në komunikim të gjithanshëm me Serbinë, ngase një pjesë më e madhe e kufijve të saj i ndanë me këtë shtet.

Frika për siguri të brendshme të Kosovës ose po për efekt domino në rajon s’ka aspak arsye, sepse askush tjetër në rajon s’ka nevojë për një asociacion të tillë, përveç pakicave të vogla. Ndoshta pas një kohe do mund të ketë reflekse të vogla në vetë Serbinë, ku jetojnë edhe boshnjakë, hungarezë dhe shqiptarë. Mu kjo do jetë arsyeja që Serbia mos të merret në të ardhmen me Zajednicën. Është jashtë çdo logjike që Kosova të frikohet nga një asociacion pa parlament, ku përfshihen vetëm rreth tre për qind e popullsisë serbe, në masë të madhe të moshuar. Pra, nuk përfshihen gjithë serbët në Asociacion, por vetëm komunat me shumicë serbe. Gjithçka që është sukses gjendet përtej frikës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X